Autor i një dygolëshi të shkëlqyer në fitoren e Atlético Madridit kundër Betis, Julián Álvarez analizoi paraqitjen, duke shfaqur kënaqësi për rezultatin, por edhe pak keqardhje që nuk arriti të shënonte “hat-trick”:
“Më erdhi shumë keq për rastin në pjesën e parë, e godita keq dhe mund të kishte qenë një supergol. Jam i lumtur për ndeshjen, por ai aksion më ka mbetur në mendje. Gjithsesi, bëmë një paraqitje shumë të mirë si skuadër, mund të kishim shënuar edhe më shumë. Në fund të fundit ishin tri pikë shumë të rëndësishme”.
Njëri prej golave të tij erdhi nga një goditje dënimi, zgjidhje që u bë në momentin e fundit bashkë me shokun e skuadrës, Rodri: “Rodri kishte një ide tjetër për atë goditje, por i thashë se do ta godisja unë. Doli një gol i bukur”.
I pyetur për festimin me Ángel Correa, Álvarez theksoi lidhjen e fortë mes tyre: “Nuk e di saktësisht çfarë përfaqësonte përqafimi. Me Ángel kemi një marrëdhënie shumë të mirë, më ka ndihmuar që nga momenti kur kam ardhur. Jam shumë i lumtur që e ndava atë moment me të”.
Tani mendimet janë të përqendruara te një objektiv i madh ndërkombëtar: “Pas ndeshjes me Girona do të fokusohemi te Kupa e Botës për Klube. Do të japim gjithçka për ta çuar Atletico Madridin sa më lart”.
Së fundmi, një koment për diferencën mes paraqitjeve në shtëpi dhe jashtë fushe: “Ka aspekte që duhet t’i përmirësojmë. Në shtëpi, me mbështetjen e tifozëve, ndjehemi më të qetë. Duhet të mësojmë t’i menaxhojmë më mirë ndeshjet në transfertë për të ruajtur vazhdimësinë”.