gilmando dani
TIRANË- 35-vjeçari i shoqëruar mbrëmjen e së martës nga policia në lidhje me atentatin në Rinas ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani është liruar, pasi u mor në pyetje për disa orë.
Burime nga policia bëjnë me dije se ai është banor i fshatit Halil, shumë pranë vendit ku u gjet dhe u dogj makina “Toyota” që besohet të jetë përdorur nga autorët e atentatit.
Gjatë dëshmisë, i riu ka deklaruar se në momentin e djegies së mjetit nuk ndodhej në banesë dhe mohoi të ketë parë lëvizje të dyshimta apo të ketë ndonjë lidhje me ngjarjen.
Shoqërimi i tij është bërë për shkak se më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë, ndërsa nuk janë gjetur prova për implikimin e tij në atentatin e Rinas.
Ndërsa ka kaluar 1 muaj nga atentati, policia vijon të marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por deri tani nuk ka as autorë dhe as porositës të identifikuar.
Nga ana tjetër, policia ka marrë përgjigjet e ekspertizës për armët e gjetura në makinën e djegur. Sipas burimeve, armët nuk rezultojnë të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Pas atentatit, në fshatin Zall u zbulua edhe një banesë me arsenal armësh në pronësi të Ylli Zallës, i cili u shpall në kërkim. Fillimisht u ngritën dyshime se autorët mund t’i kishin siguruar armët aty, por ekspertiza përfundimtare ka përjashtuar këtë pistë.
Si ndodhi atentati i Rinasit
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ky i fundit ndërroi jetë disa ditë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra.
Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.
Që prej momenteve të para, aksioni i policisë u përqëndrua në zonën e Niklës dhe Fushë Krujës, nga dhe ku dyshohet se u larguan autorët. Disa ditë pas ngjarjes në një prej fshatrave të Fushë Krujës, në një banesë të braktisur u zbuluar një arsenal armësh, por deri në momentet që flasim nuk është bërë lidhja mes armëve të gjetura, dhe atentatit të Rinasit. /ZËRI









