Tag: atdheut

  • Letër e Dervish Mitrovicës dërguar Bajram Currit, dy ditë pas vrasjes së Avni Rrustemit

    Letër e Dervish Mitrovicës dërguar Bajram Currit, dy ditë pas vrasjes së Avni Rrustemit

    Letren dhe dëshminë për vrasjen e Avni Rrstemit redaksisë dardaniapress e dergoi Profesor Fazli Hajrizi

    E Merkure 23-IV-1924
    I ndershmi Z. Bajram Bej
    Nji ndolli qi ishte ndolle në Tiranë me shtyni të a shkruaj ket leter, me nji shpejti për me të ba me dije Zotnin t’ande.
    Dy dit perpara, d. m. th. diku e Hane dy sahat mas dite, Avni Rustemi ishte kenë tuej shkrue me dy shok të vet nga nji rrugë prej rrugave të Tirones. Nji farë Isuf Reçi i Tironës qi ky njieri ishte kenë mulligji, i pa hajr bozuk, pak a shumë njieri i Bejlerve, Tuej shkru Avnin rrugës Isufi i permendun i bjen per mas me allti edhe e plagos Avniun tepër randë, sa do qi avniu mrapa qet nja kater herë në guximtarin, tue mos muejt mej ba gja guximtari aratiset edhe pshton i cilli edhe nuk osht nxon. Avniu i shkretë mas njizet e kater sahatsh, d. m. th. nji e marte mas dite, kishte dekë në Tiranë.
    Vrasja e Avniut ka ba aq nji përshtypje të keqe si në Tiranë ashtu nder të gjith viset e Shqipnis sa qi nuk muj me jau spjegu Zotnis juej si duhet.
    Vlona keni nji meting pes mi vetsh tuej protestue Qeverin aty thanë se të nxihet guximtari edhe të qiten në shesh durt e mshehta qi jonë tuej krye ksi soj atentatesh të cillat e çojn Shipnin në buz të Varit, edhe per lirin e fjales e të jetës përfaqsojsive të Popullit Asamblea të mlidhet në Shkoder ose në nji gjytet tjetër të Shqypnis e të hiqet prej Tirane prej asaj çerdhes ngatresave. Ashtu edhe Shkodra e boni prani nji mbledhje të madhe në bashkin e vendit ku më kishin thirë edhe mue e u banë protestime Telegrafike per vrasjen e Avniut ashtu edhe për mledhjen e Asambles në nji tjetër gjytet të Shqipnis.
    Z. Bajram Bej. Çerdha e vrasjes Avniut asht në Tiranë si mund të a dish edhe Zotnia e jote basi i ktyre roleve asht Ahmeti aj qi dishron të jenë në krye të kres e diktator, ose të ja japin të birit të dreqit fatin e Shqipnis. Kjo çerdhe qi asht e perbome prej intirikave të kti njierit në kto dit të mrame i ka lshue dekt veta edhe në at Prefekturë t’anë t’Kosovës, d. m. th. sellja e Cenës gjithnji në at Prefekturë për të cillen këna ba deri tash pes herë protestime me fjalë edhe me shkrim pranë Qeveris edhe Asambles e sosht pa deri tash nji rezulldat ashtu edhe ardhja e ati farë Ibrahim Kumanoves si zëvendës prefektat ne at Prefektur ashtu edhe Muharem Bajraktarit e Myftar Selmanit e shokve të ti Propagandista Jugosllav per me i shkrue dy mi gjandar civil të cillat s’munden me ken tjetër veç me i vendu në veprim ngatresat qi dishron çerdha e Tirones. Kur e shtrenguem na Qeverin për çashtjen e shkrimit të ktyre gjandar civilve, Kryeministria tha qi nuk kishte Kompentent në ket pune por Prefektura e Tirones me Komanden e gjandarmanis atjehit mund të kan ba ksinji farë sendi tuej kujtue qi Bajram Begi pergatitet me ba nji lëvizje at herë une i pata pergjegjë Kryeministrit qi kur levizjen po e përgaditin Zyrtart e Propagandistat e juej e jo Bajram Begi.
    Zotni Bej i Falemi nderës Zotit për Bataljonin e Ismajl Hakiut qi ndolli atje e nuk i muri parasysh të shtimet e Brahim Kumanoves e të Muharem Bajraktarit me shokë të cillt kishin pas deshirin me msye Zotnin t’ande me at fuqi ushtriake por si ju thash Ismajl Hakiu gjithnji ka qindrue e qëndron në favor të Zotnis s’juej: e të lutena masi qi janë dit tepër delegate të a kjni Zellen fort për rojën e sigurimin e Zotnis juej e sa të jen e mundmë merrni punt parasysh nji gjakftohtsi, se me nder ata Zagar qi gjinden atje dishrojn me qel per ndojfar ngatrese për sigurimin e fitimit Jugosllav qi jan agentat e zi. Vrasja e Avniut ka ba nji përshtypje të madhe, si ne gjetsha qjind për dërgimin e letrave kam met ba me dije gjithnji Zotnin t’ande. Sod jau shkruva nji Telegram Hoxhes me shok të ma dërgojn Niman Ferizin në Shkodër.
    Si Ymer Hoxhes ashtu të gjith shokve të fala
    Me shum nderim,
    Dervish Mitrovica
    Edhe nji paqet duhon pa t’a dërgojm me kët njeri.

    Mustafa KRUJA

    Vargut të dëshmorëve t’Atdheut i u shtue dhe nji verigë. Më 2 të Marsit, ndën cipën e zezë të mesnatës, nji anije italjane shkarkoi në skelen e Durrsit trupin e nji të dekuni në mërgim. Trupin e nji burri bujar qi, para shtatëmbdhetë vjeç kish lânë plâng e shpí, gjâ e pasuní e tânë kujtimet e jetës, ato mâ të dashunat e mâ të shênjtat, u kish kthye shpinën të gjithave, edhe Mitrovicës e Kosovës së vet për me shkue me jetue e me punue në Shqipnín e lirë, bashkë me shokët mâ të ngushtë t’idealit, me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e sa zotní tjerë dhe me djelmnín kosovare. Ç’ vlerë kishin për tê çifliqet e pallatet qi lênte në dorë t’anmikut mbas Kosovës e Mitrovicës së dashun qi, për të dytën herë, po hyjshin nën zgjedhë të huej ?
    Dervish Mitrovicën e gjêjmë në 1912 në Vlonë, bashkë me shumicën e París kosovare, me lulen e intelektualvet e të nacionalistëvet të Kosovës. Vêndin, trojet u a kishte pushtue anmiku. Po shpresa rronte e gjallë në zêmrat e tyne. Nji shtet shqiptar po formohej, sado i vogël, sado i qethun e i cunguem gjithkah. Ky shtet duhej organizue, duhej forcue. Do të vinte dita me mêndue e me punue edhe për Kosovën kreshnike, për Dibër e Çamërí. Për këtë qëllim e me këtë shpresë vrapuen kosovarët mâ parë në Vlonë, ndën hijen e flàmurit të shênjtë të Skanderbegut, t’asaj shêmbëlltyre të pamvarsís e t’idealit kombtar mâ të plotë. U vunë në shërbim të Ismail Kemalit të pavdekshëm e mbasandêj të Mbretit Wilhelm Wied në Durrës. Luftuen, u vranë ndër kodrat, zajet e kënetat e Durrsit mjerisht me …. shqiptarë qi nuk dojshin Shqipní, qi nuk dijshin se ç’âsht Atdheu e lirija ! Luftuen Kosovarët për krahas me Mirditas e me gjithë atdhedashësit e Shqipnís. E kur së ligës i u dha me e mundun të mirën, së mbrapshtës me e vue përpara të mbarën, tradhtís me e poshtnue idealin ; kur gjithë patriotët u shpërndanë, kryeultë e të dëshpruem kush në nji ânë e kush në nji tjetër, atëhere edhe Kosovarët, me krenë e djelmní u shtrënguen me kërkue strehë e me u gatue për luftat e ardhshme në shërbim t’Atdheut. Disa në Mirditë, do në Lumë e në Malsí të Gjakovës e nji tubë e mirë në Shkodër.
    Nuk ngjat shumë e i a mbërrîn lufta botnore. Sikur të gjithë atdhetarët e tjerë edhe krenët e intelektualët kosovarë janë të bindun se fati i kombit t’onë, sidomos bashkimi i gjithë tokës shqiptare në një Shtet varej nga fitimi i armvet austro – hungare qi ishin sjellë kundra anmiqve t’Atdheut t’onë. Prandêj të shkelmen ushtrít e asaj mbretnije në fushat e Kosovës të tânë patriotët e këtij vêndi bashkohen me to, jo si mercenarë por si ushtarë të vërtetë t’Atdheut e me premtime të qarta të Fuqís pushtuese. Dervish Mitrovica âsht ndër ta, në krye të nji batalioni e me gradë majori. Mbas pushtimit të plotë batalioni i tij shërben për qetín e vêndit në nënprefekturën e Mitrovicës. Komanda austro – hungare i ngarkon Dervishit, bashkë me detyrën e gradën ushtarake, edhe kryesín e administratës civile të Mitrovicës me krahinat e veta. Të dyja këto detyra i kryen mâ së miri gjatë gjithë luftës tue forcue edhe mâ tepër dashunín e popullit ndaj tij. Por…. qe ! Lufta mbaroi si mbaroi e Kosova e shkretë veshi prap petkun e zís e të mjerimit. Dervish Mitrovica, me të gjithë patriotët e tjerë kosovarë, muer përsëri rrugën e mërgimit. Iku në Vjenë e pak mâ vonë ktheu në Shkodër. Mërgim ? jo! Këtu tash ai nuk e quente vetin të mërguem. Gjindej n’Atdhé të vet, n’Atdhé të lirë e mund të punonte për tê e për Kosovë.
    Krenët kosovarë, qi të munden me punue me sistem e me fryt për idealin e tyne, themeluen Komitetin e Kosovës. Dervish Mitrovica qe mis i këtij komiteti. Në Gushtin e vjetit 1921 nji dekret i Këshillit të Naltë i a njohu gradën ushtarake si major i ushtrís shqiptare. Por…. pa zyrë as komandë e pa rrogë! Qeveria e asaj kohe, në të cilën sundonte i gjithfuqishëm Ahmet Zogu, s’i kishte në sŷ të mirë Kosovarët e sidomos ata të komitetit. Këta ishin fajtorë, sepse nuk mund të harrojshin vêndin e tyne, Kosovën! Duhej pra të vuejshin në mjerim. Mirë e kishin në kishin lânë pasunitë e tyne në duer të baba – Pashiqit! E Dervishi i shkretë dhe fëmija e tij qi ishin mësue me gjithë të mirat e ksaj jete rrojshin tash në nji shtëpí përdhese, herë me bukë e herë pa tê, me ndihmën e disa burrave shkodranë mbasi kishin shitë e hângër gjithë ça kishin mujtë me marrë me vete.
    Në 1923 u bânë në Shqipní zgjedhjet e Kuvêndit Kushtetues. E prefektura e Kosovës e zgjodh Dervishin, bashkë me Avni Rustemin, Niman Ferizin, Kadri Hoxhën e Dr. Fahrín, përfaqësues t’asaj krahine. Punoi me partín opozitare, qi kishte në krye Gurakuqin dhe Fan Nolin. U vra Avniu e qe Dervishi në sheshin e revolucionarvet qi çuen në Vlonë, në Shkodër e në prefekturën e Kosovës flámurin e kryengritjes për shpagë e për drejtí.
    Qeveria e Fan Nolit e emnoi kumandar të gjindarmërís së Shkodrës. Për mue pat qênë nji fat i madh me pasë nji shoq e bashkpuntuer si atê n’at prefekturë. Oficer gjindarmërije i mbaruem, tue pasë shërbye qysh në moshën mâ të ré si nëntoger, si toger e si kapidan në gjindarmërín e Turqís në Shkup, Jeni – Pazar e Mitrovicë, i mbajtun në shërbim e i çmuem fort edhe prej kontrollit ndërkombtar qi kishte vue Evropa në tre vilajetet e Rumelís : Selanik, Manastir e Shkup ; trim, por jo profkatar, por i âmbël sa me çarmatisun me dorë të vet dy burra të maleve me nam për kah gishti e zêmra : bajraktarin e Shalës e Mark Sadikun ; e me gjithë këtê jo profkatar, por i âmbël dhe i përvutë sa s’ka ; i ndershëm tejet. Me këto cilsí ai s’kishte si mos me u dashtun e nderue si prej eprorvet ashtu prej nënurdhnasvet të vet e prej gjithkuj të gjindej në përpjekje me tê.
    Dervishi s’i ka kursye kurrë flît e rreziqet për idealin kombtar. Mbas shpalljes së Kushtetís turke në 1908, kur filloi lufta ndërmjet nesh e Turqvet të rij për të drejtat e gjuhës e të vêndit t’onë, ai ndonse zyrtar i qeverís turke, përkrahu me të tânë fuqín e vet organizatat nacionaliste të themelueme me emnin Bashkimi. Por ky veprim fare i haptë i Dervishit nuk mund të mos i binte në sŷ Turqvet të Rij. U muer nji herë nën veré t’eprorvet të tij në Selanik, por edhe atje kishte shumë Shqiptarë e nji klub me rândsí të Bashkimit. E Kosova ishte te dera. Prandêj qeveria turke nuk vonoi me e çue n’Anadoll. Me gjithë këtê, me ndihmën e disa miqve të fuqishëm, mujti me kthye prap në Kosovë, ku u ndodh në kryengritjen e 1912-s. Ishte kumandar i gjindarmërís në Mitrovicë. Të plasmen kryengritja në rrethet e Gjakovës ai i shkruen nënprefektit të vet : “Sod po më thërret detyra ndaj kombit t’em. Jam kryengritës kundra qeverís turke për të drejtat e popullit shqiptar. Lamtumirë!” E me gjithë kompanín e vet dhe me kryengritësit e Mitrovicës shkon e bashkohet me ata të Pejës.
    Kishte trashigue nji pasuni të madhe prej s’âmës, bijë Begollajsh të Pejës. Por si bulku i tij si katundari fqî e adhuronte për njerzí e ndere qi u bânte. Ideja e Atdheut të lirë e shtŷni me i përbuzë të gjitha të mirat qi gzonte në vênd e në plâng të vet. Sërbët, Pashiqi vetë, e kanë lutë me kthye e me gzue gjân e vet, tue i premtue edhe grada e zyra n’at shtet. “Kur të çilni shkollat shqipe e t’u njihni të drejtat Shqiptarvet më keni atje. Ndryshe jo!” përgjigjej Dervishi.
    I shkreti Dervish ! Kurrë s’e ndieva atë burrë me u ankue për ça kish bâ flí e për mjerimet qi vuente n’Atdhén e lirë. Kishte gjithmonë uzdajë se punët e Shqipnís nuk do të shkojshin përherë rrokopujë, se fati i saj nuk do të qëndronte për jetë ndër duer të flliqta e të padenja. Rronte me shpresë e me nji durim shêmblluer. Shkodra s’kishte ndryshim nga Mitrovica për tê. Shtëpija përdhesë ku banonte i dukej baras me pallatin qi kish lânë në Mitrovicë. Mjaft qi t’ishte n’Atdhé të lirë e të kishte uzdajë për Kosovën.
    Por…. ahi vaj ! Mërgimi i dytë e i fundëm ; mërgimi i vërtetë, mërgimi prej Atdheut të lirë në vênd të huej, ky e pat ligshtue fort. Përpara vuente me trup, por e kishte shpirtin të shëndoshë e të fortë. Tash vuente me shpirt. Mërgim dyfish. Miq e shokë mâ t’afër e mâ të dashtun bjerrë : Bajram Curr, Hasan Prishtinë, me të cilët kishte bashkëpunue heret e vonë për idealet e tija. Ça mâ zí për qëndrimin e tij, kishte humbun forcën mâ të madhen qi e mbante gjallë : shpresën për kthimin e Kosovës në gjî t’Atdheut. Këto dy vjetët e fundit pat ardhë gjithnji tue u tha e mbarue. Malli i Atdheut e dëshprimi i a grinë shpirtin e i a grinë mushknít. E hângrën. Vdiq më 24 fruer 1935 në Zarë, ku pat jetue me familjen e vet gjatë gjithë këtij mërgimi.
    “Kurrë s’kthej i gjallë ndën kët regjim, thoshte. Kam ikë prej të huejve për me rrnue i lirë e me punue për Atdhé. Si me kthye në nji vênd ku mbyten patriotët për hatrin e huej e ku punimi për Atdhé paguhet me krye ?”.
    Nuk desh me u kthye i gjallë. Por kur e pa dekën tu praku fshâni të madhe, qau e tha : “Trupin t’em, eshtnat e mija due qi t’i kalbë toka shqiptare. M’i çoni e m’i vorroni atje!”
    Nderimi i pashoq qi i bâni Shkodra bujare trupit të pa shpirt të këtij dëshmori t’arratisun, guximi qi ajo diftoi në kët rasë âsht nji provë e qartë se sa fort ka qênë dashtë e çmue edhe nji heret nji protestë elokuente në heshtjen e saj kundra atyne qi i shkaktuen dekën e pakohshme, vetëm në të pesëdheteshtatën vjetë të jetës së tij.
    Jo veç miqt e dashamirët, por të gjithë ata qi e kanë njohë Dervish Mitrovicën për s’afri qajnë sod me zêmër për tê bashkë me grue – zezën e jetimët e tij.
    *MUSTAFA KRUJA Kostancw, shtypshkronja “Albania” 1 – 5 – 1935

  • Kodi i Ri Penal/ Tre vite burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit”

    Kodi i Ri Penal/ Tre vite burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit”

    Nëse tallesh me udhëheqësit politikë të vendit, apo nëse guxon t’i përçmosh apo t’i përbuzësh ata apo simbolet jofrymore të shtetit, nëse guxon të thuash një fjalë të keqe kundër personave  që kanë statusin ligjor “Dëshmor i atdheut”, rrezikon të dënohesh deri ne katër vjet burg.
    Nëse këto shkelje behen nga nje “subjekt juridik”, mund të jepet në masë plotësuese, përveç gjobës, edhe “ndalimi për të kryer veprimtarinë” deri në pesë vjet, një nen ky që, me gjasa, mundet të përdoret për të goditur mediat dhe gazetarët për çdo gjë kritike që ato mund të thonë.
    Neni 236 i draftit të prezantuar nga qeveria shqiptare për ndryshimin tërësor të Kodit Penal të vendit, parashikon masat e dënimit për një vepër penale të titulluar “Përdhosja e Republikës dhe e simboleve të saj”.
    Por ndërsa neni përkatës në kodin aktual i referohet vetëm flamurit apo simboleve të vendosura në institucionet shtetërore, kodi i ri  penal konsideron në të njëjtin status me flamurin presidentin, kuvendin, këshillin e ministrave, gjykatën kushtetuese ose sistemin gjyqësor, forcat e armatosura apo dëshmorët e atdheut. Dhe për më tepër, projekti i ri duket se jep masë ndëshkimi më të lartë për institucione të tilla se sa për “përdhosjen” e vetë flamurit.
     
     
    “Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri  në tre vjet”, shkruhet në projektin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
    “Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë,” shkruhet më tej në këtë nen.
    Ndryshe nga propozimi i ri, kodi aktual penal në nenin 268 parashikon si “poshtërim” të republikës vetëm rastet e dëmtimit të flamurit ose të stemës kur këto janë të vendosura në institucionet shtetërore. Edhe në këtë rast, kodi aktual penal parashikon gjobë ose burgim deri në tre muaj, masa dënimi këto shumë më të ulëta se sa burgimi deri në tre vjet i parashikuar nga kodi i ri.

  • FOTO – Ministri i Mbrojtjes Vengu dhe kryebashkiaku Beci, vizitë në familjen e dëshmorit Arben Anamali

    FOTO – Ministri i Mbrojtjes Vengu dhe kryebashkiaku Beci, vizitë në familjen e dëshmorit Arben Anamali

    Shkruan në Facebook ministri i Mbrojtjes, Pirro VENGU: Lavdi Arben Anamalit, hero i heshtur, “Dëshmor i Atdheut”!
    Në Shkodrën e tij të dashur, bashkë me kryebashkiakun Benet Beci dhe prefekten Majlinda Angoni , nderuam kujtimin e profesionistit të përkushtuar, mikut të dashur dhe prindit shembullor, që me aktin e tij fisnik u bashkua me heronjtë e pavdekshëm të Kombit.
    Sakrifica e Arbenit nuk është vetëm një shembull guximi, por një dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar që vendos jetën e tjetrit mbi të vetën prandaj nga sot ai rreshtohet mes “Dëshmorëve të Atdheut”

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • U shpall “Dëshmor i Atdheut” pas aktit heroik në Shkodër, ministri Vengu i dorëzon titullin familjes se Arben Anamalit

    U shpall “Dëshmor i Atdheut” pas aktit heroik në Shkodër, ministri Vengu i dorëzon titullin familjes se Arben Anamalit

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i dorëzoi të martën titullin “Dëshmor i Atdheut” familjes së kapitenit Arben Anamali, i cili humbi jetën më 8 korrik duke shpëtuar dy turistë të huaj nga mbytja në Liqenin e Shkodrës. Trupi i pajetë i kapiten Anamalit u gjet më 10 korrik.
    Gjatë vizitës në familjen Anamali, ministri Vengu shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe prefektja Majlinda Angoni.
    “Nderuam kujtimin e profesionistit të përkushtuar, mikut të dashur dhe prindit shembullor, që me aktin e tij fisnik u bashkua me heronjtë e pavdekshëm të Kombit,” shkroi Vengu në rrjetet sociale. “Sakrifica e Arbenit nuk është vetëm një shembull guximi, por një dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar që vendos jetën e tjetrit mbi të vetën prandaj nga sot ai rreshtohet mes ‘Dëshmorëve të Atdheut’.”
    Ky titull nderon aktin e jashtëzakonshëm të kapiten Anamalit, i cili dha jetën për të shpëtuar të tjerët.

  • Kryeministri Edi Rama i jep kapiten Arben Anamalit vlerësimin e lartë “Dëshmor i Atdheut”….

    Kryeministri Edi Rama i jep kapiten Arben Anamalit vlerësimin e lartë “Dëshmor i Atdheut”….

    I ndjeri arben anamali, ka marrë statusin e Dëshmorit të Atdheut. Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili përmes një publikimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur shpalljen Dëshmor i Atdheut.
    “U prehsh në paqe Dëshmor i Atdheut! Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të republikës, kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në liqenin e Shkodrës. I paharruar, kapiten Arbeni”, shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetet e tij sociale.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • Shpëtoi turistët, por sakrifikoi jetën e tij. Shpallet Dëshmor i Atdheut

    Shpëtoi turistët, por sakrifikoi jetën e tij. Shpallet Dëshmor i Atdheut

    Edi Rama shkruan pas aktit heroik të Arben Anamalit që shpëtoi dy turistë në liqenin e Shkodrës, por që më pas u mbyt:
    U PREHSH NË PAQE DËSHMOR I ATDHEUT

    Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës.
    I paharruar, Kapiten Arbeni
     

  • Tragjedia e Tempit me 53 viktima, seancë e paprecedentë në kuvendin grek! Akuzohen 14 figura politike, mes tyre dhe kryeministri

    Tragjedia e Tempit me 53 viktima, seancë e paprecedentë në kuvendin grek! Akuzohen 14 figura politike, mes tyre dhe kryeministri

    Ka filluar prej mëngjesit seanca plenare në parlamentin grek për ngritjen e Komisionit paraprak sa i përket tragjedisë së përplasjeve të dy trenave në luginën e Tempit, aksidentit fatal ku humbën jetën 53 persona.

    Siç raporton gazetari i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, ky komision do të zhvillojë hetimet bazuar në 3 propozimet që kanë paraqitur partitë PASOK-KINAL, Demokracia e Re dhe një propozim i përbashkët i nënshkruar nga grupet parlamentare të disa partive të tjera, ku bie në sy për herë të parë akuza e tradhtisë ndaj atdheut, ndaj kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
    Propozimi i grupit parlamentar PASOK-KINAL, i paraqitur i pari në kohë, kërkon dërgimin në Komisionin Hetimor lidhur me “tragjedinë e Tempi-t”, për kryerjen e mundshme të veprës penale gjatë ushtrimit të detyrës, ish-Ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës Konstantinos Ach. Karamanlis dhe Christos Spirtzis, si dhe 7  ish-Zëvendësministrave.
    Propozimi i grupit parlamentar të partisë në fuqi, Demokracisë së Re, i paraqitur i dyti në kohë, kërkon ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar nëse Konstantinos Karamanlis i Achilleas ka kryer shkelje të detyrës (kundërvajtje) konkretisht në periudhën nga shtatori 2021 deri më 28/2/2023.
    Propozimi i tretë, i paraqitur i fundit,  që mbështet edhe propozimin e familjarëve të viktimave, është ai i nënshkruar nga grupet parlamentare të partive “Zgjidhja Greke“, “Fitorja ”, “Lundrimi i Lirisë“  dhe 6 deputetë të pavarur.
    Ata kërkojnë  dërgimin në komisionin hetimor të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, 3 ish-Ministrave të Infrastrukturës dhe Transportit ,7  ish-Zëvendësministrave, si dhe çdo personi tjetër përgjegjës, kryesor apo bashkëpunëtor, për kryerjen e disa veprave penale mes tyre tradhti e lartë ndaj atdheut, vrasje me dashje të mundshme të shumë personave , dëmtime të rënda dhe të rrezikshme trupore në seri me dashje, keqpërdorim i rëndë  i besimit ndaj Shtetit, shkelje e detyrës, fshehje e krimeve, pengim i drejtësisë, mashtrim ndaj interesave financiare të Bashkimit Europian etj.
    E konsideroj akuzën për “tradhti të lartë ndaj atdheut” një devijim nga parlamentarizmi dhe refuzoj të diskutoj përmbajtjen e tij. Qëllimi juaj është të rrëzoni qeverinë Mitsotakis- ka thënë në fjalën e tij kryeministri grek duke ripërsëritur se kjo akuzë nuk është gjë tjetër veçse rruga pa krye e një përpjekjeje për të sulmuar qeverinë dhe për ta çuar vendin në paqëndrueshmëri.
    Në seancën plenare, janë vendosur 14 kuti votimi, një për secilin nga personat e propozuar për t’u dërguar në Komisionin Hetimor. Debati që ka filluar në orën 09:00 duhet të përfundojë jo më vonë se ora 21:00 e mbrëmjes. Menjëherë pas kësaj, do të fillojë procesi i votimit të fshehtë. Sipas parashikimeve, rezultati i votimit do të shpallet pas mesnate.

    Top Channel

  • 11 bij e bija të fshatit Vajzë në Vlorë shpallen “Dëshmorë të Atdheut”, ministri Vengu: Me anëtarësimin në BE do të çojmë në vend amanetin e tyre

    11 bij e bija të fshatit Vajzë në Vlorë shpallen “Dëshmorë të Atdheut”, ministri Vengu: Me anëtarësimin në BE do të çojmë në vend amanetin e tyre

    Me rastin e 5 Majit, njëmbëdhjetë bij e bija të fshatit Vajzë në Vlorë, që ranë në periudha të ndryshme historike, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit kombëtar u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili mori pjesë në ceremoninë e nderimit, tha para pasardhësve të dëshmorëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe banorëve të zonës se, kjo nuk është thjesht një ceremoni nderimi, por një akt i drejtë moral dhe historik.

    Sipas ministrit Vengu, “shpallja e 11 bijve të fshatit Vajzë ‘Dëshmorë të Atdheut’ është një borxh, që historia u ka atyre që nuk jetojnë më e që jetën e tyre nuk e lanë në rehati, por formësuan rezistencë, u bënë ballë sfidave të mjegullta të kohës që jetuan dhe dhanë frymën e fundit kurorëzuar me simbolin e atdheut”.
    “Këtu në Vajzë, çdo pëllëmbë tokë është dëshmitare e përpjekjeve të përgjakshme për lirinë dhe dinjitetin. Është një truall ku trimëria ka gjetur imazhin e vet ndër breza. Një copëz hartë Shqipërie e munduar nga luftërat, ku hasim një përqendrim të pazakontë trimash”, – theksoi më tej, ministri Vengu.
    Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se, “Dhënia e statusit të ‘Dëshmorit të Atdheut’ për njëmbëdhjetë të rënë të periudhave të ndryshme historike, sot është një premtim ndaj së shkuarës dhe historisë, për më tepër një përgjegjësi e re përballë sfidave, që koha na dikton. Obligimi ynë nuk mund të fillojë dhe të mbarojë te lapidarët apo certifikatat, por shumë më tepër se kaq. Është një stafetë brezash. Vetëm kur flamuri krenar i dëshmorëve tanë të valojë si i barabartë mes të barabartëve në selinë e Bashkimit Evropian, do të ndjejmë veten të lehtësuar nga ky detyrim i yni ndaj këtij trualli dhe dëshmorëve tanë, për të qenë në lartësinë e idealeve të të rënëve dhe për të çuar më tutje amanetin e tyre për Shqipërinë”.
    Ministri Vengu shprehu mirënjohje dhe respekt për kontributin e paçmuar të të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun, duke theksuar se, “kujtimi i tyre të jetë bekim i brezave që do të vijnë”.
    Në nderim të Ditës së Dëshmorëve, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjenerallejtënant Arben Kingji zhvilluan homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, si pjesë e ceremonisë shtetërore, ku të pranishëm ishin presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, drejtues të pushtetit vendor dhe pasardhës të të rënëve në luftën për çlirimin e vendit.

  • Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Çaci: Përulemi me mirënjohje përpara kujtimit të Dëshmorëve të Atdheut

    Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Çaci: Përulemi me mirënjohje përpara kujtimit të Dëshmorëve të Atdheut

    Në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Çaci, ka nderuar me respekt të thellë kujtimin e bijve dhe bijave që dhanë jetën për lirinë e vendit.
    “Sot përulemi me mirënjohje të thellë përpara kujtimit të Dëshmorëve të Atdheut. Sakrifica e tyre është themeli i lirisë sonë — një kujtim i përjetshëm që na frymëzon të mbrojmë vlerat dhe dinjitetin e kombit”, u shpreh Çaci në mesazhin e tij.
    Ai theksoi se kjo ditë është jo vetëm një homazh për të kaluarën, por edhe një thirrje për përgjegjësi ndaj të ardhmes dhe vlerave që duhet të mbrojmë si shoqëri.
    “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Atdheut”, përmbylli mesazhin e tij Kryetari i Bashkisë.

  • 5 Maji, Rama: Të paharrueshëm, Dëshmorët e Atdheut

    5 Maji, Rama: Të paharrueshëm, Dëshmorët e Atdheut

    Politikë E Hënë, 5 Maj 2025 11:43

    Me rastin e Ditës së Dëshmorëve, Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim simbolik në rrjetin social Facebook, ku ka ndarë një fotografi të monumentit “Nëna Shqipëri”.
    “Të paharrueshëm, Dëshmorët e Atdheut”, shkuan Rama.