Adriatik BALLA
Kuqezinjtë e trajnerit Silvinjo janë kthyer në skuadrat e tyre dhe po përpiqen ta mbyllin sezonin aktual me statistika më cilësore në planin individual e një pjesë kanë ambicie edhe në planin ekipor pasi luajnë në aktivitetet e rëndësishme për klube në kuadër të UEFA-s. Duhet thënë se vëmendjen kohët e fundit e mori Myrto Uzuni për shkak të golit që shënoi me përfaqësuesen kundër Andorrës, por edhe për Austoin në Major League Soccer në SHBA, ku ai aktivizohet prej disa javësh. Ernest Muçi bëri paraqitje të mirë në fundjavën që iku me Beshiktashin, sikurse dhe Armando Broja ka shenja të një rikthimi serioz, duke rritur minutat me Evertonin në Angli. Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli e mbrojtës të tjerë po rriten vazhdimisht, kurse mesfushorët e sulmuesit duhet të punojnë më shumë. Në këtë kuadër Rei Manaj është ai që spikati me kuqezinjtë ndaj Andorrës, me dy gola, por ka pasur paraqitje të mirë edhe me Sivasporin në kampionatin turk.
Asllani në planet e Bolonjës
Në Itali luan një grup i madh dhe i rëndësishëm i futbollistëve shqiptarë, ku pjesa bazë e formacionit të Kombëtares është pikërisht nga ky kontigjent. Mes tyre spikat mesfushori i Interit Kristjan Asllani, i cili është nga më cilësorët që ka përfaqësuesja kuqezi, por ai është kohët e fundit në fokusin e disa klubeve në Itali e jashtë saj. Kështu, referuar mediave italiane, Kristjan Asllani vijon të jetë një dëshirë e Bolonjës, e cila i është rikthyer sërish idesë se mund të transferojë në verë mesfushorin shqiptar. Në këtë lëvizje përfshihet dhe kalimi i argjentinasit Kastro drejt zikaltërve. Minutat e pakta tek Interi bëjnë që Asllani të mendojë një alternativë më të mirë për të ardhmen, për të arritur formën e tij maksimale e për këtë i vjen në ndihmë Bolonja.
Mediat përtej Adriatikut bëjnë me dije se skuadra në fjalë i është rikthyer sërish idesë se mesfushori kuqezi mund të bëhet pjesë në verë, pasi interesi ka qenë i vazhdueshëm. Për ta bindur 23-vjeçarin i janë premtuar minuta, e me gjasa e përkthyer me një rol titullari në fushë, ndërsa sa i përket Interit, do të përfshihet në lëvizje dhe sulmuesi Kastro. Në rast se nuk mund të arrihet akordi për një transferim, Bolonja do të ishte e kënaqur edhe me një huazim 1-vjeçar të lojtarit, i cili padyshim do të merrte shumë më tepër minuta se te zikaltrit, si dhe do të luajë në kupat e Evropës, në rast se arrihet kualifikimi në këto kompeticione.
Uzuni përkrah Mesit në formacionin më të mirë në MLS amerikane
Futbollisti i përfaqësueses kuqezi, Myrto Uzuni, ka hapur llogarinë e golave të tij në SHBA duke ndihmuar Austin të fitonte 1-0 ndaj St. Luis në ndeshjen e kësaj jave në kampionatin e MLS. Sulmuesi shqiptar ka treguar se çfarë është në gjendje të bëjë dhe se mund të jetë vendimtar me fanellën e kësaj skuadre, duke shpresuar që të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë sa më rregullisht në vijim. Kjo paraqitje e tij i ka siguruar për herë të parë praninë në ekipin e kësaj jave në MLS. Sulmuesi shqiptar nuk ishte në formacionin titullar të kësaj përzgjedhje, por ishte vendosur në stolin e rezervave në ekipin me 20 lojtarë që zgjidhet çdo javë nga ekspertët e MLS. Një stol rezervash luksi, pasi përkrah Uzunit ishte edhe vetë Lionel Mesi.