emanuele macron
FRANCË- Ashtu si në fabulën e Ezopit, askush nuk i beson ata që bërtasin “ujku”, por në fund, ujku vjen dhe shtron një festë mbretërore. Një shëmbëlltyrë e asaj që ka ndodhur me disa vende europiane, që kanë qenë në vështirësi me financat publike. Pas Irlandës, Greqisë, Portugalisë dhe Italisë, është radha e Francës, që të marrë rolin jo dhe aq komod të ‘të sëmurit’ të Europës. Një rol që i është caktuar për shkak të borxhit publik që ka dalë jashtë kontrollit, dhe një krize politike që nuk duket të ketë zgjidhje. Për më tepër, rasti francez rrezikon të shkaktojë një efekt domino në tregjet evropiane në një kohë kur BE-ja ka nevojë për stabilitet dhe iniciativë më shumë se kurrë përballë sfidave të mëdha të momentit: lufta tregtare, konflikti në Ukrainë si dhe marrëdhënia e ndërlikuar me SHBA-në.
Shkaku i krizës franceze do të jetë votëbesimi në Asamblenë Kombëtare, i planifikuar për në datën 8 shtator. Kryeministri François Bayrou po luan kartat e tij të fundit, me pak shpresë, për të çuar përpara masat financiare që do të lejonin shkurtime shpenzimesh prej afërsisht 44 miliardë eurosh. Këto masa kundërshtohen si nga e djathta ashtu edhe nga e majta. Ky breshëri presioni po e izolon më tej Presidentin Emmanuel Macron, duke e gërryer anëtarësinë e tij parlamentare tashmë të vogël dhe mund të çojë në zgjedhje të parakohshme për herë të dytë brenda pak muajsh, pa përjashtuar dorëheqjen e presidentit.
Francezët janë të njohur për protestat, mobilizimin dhe joshjen nga forcat ekstremiste por duket se askush nuk i gatshëm të vërë në dyshim “shtetin e mirëqenies” që ka grumbulluar 3.3 trilionë euro borxhe, ekuivalente me 5.4% të PBB-së, një barrë prej pesëdhjetë mijë eurosh mbi çdo qytetar francez. Dhe askush nuk është i gatshëm të bëjë as sakrificën më të vogël, siç është propozimi i qeverisë për të eliminuar dy festa zyrtare, një propozim që u refuzua menjëherë. Situata është aq e rëndë sa disa madje kanë përmendur krizën greke dhe një ndërhyrje të mundshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Investitorët kanë frikë nga një tjetër kolaps qeverie.
Nëse rasti francez është më dramatik, duhet thënë se edhe Gjermania nuk po ecën mirë. Vendi është në recesion të plotë. Kështu, motori franko-gjerman është padyshim i prishur. Në një fjalim dramatik në fund të gushtit, Bayrou tha se barra e Francës po rritet me 12 milionë euro shtesë “çdo orë, çdo ditë dhe çdo natë”. Në një intervistë televizive të dielën në mbrëmje, kryeministri u përpoq ta shpjegonte katastrofën franceze me uljen e taksave, duke akuzuar Italinë, ndër të tjera, se e praktikonte atë duke mirëpritur qytetarë të pasur francezë. Por Bayrou harron se uljen e taksave është një praktikë e përhapur në Evropë (shih Greqinë, Portugalinë) dhe se qytetarët e pasur francezë kanë kërkuar strehim për vite me radhë në Belgjikë, Zvicër, Portugali dhe kohët e fundit, në Itali, raporton Corriere Della Sera.
Për më tepër, Franca vendos një nga taksat më të larta në botë, me barazi dhe progresion mjaft të dyshimtë, duke marrë parasysh kontributet shumë të larta të klasave më të pasura dhe përjashtimin e miliona francezëve.
E majta ekstreme dëshiron të rrisë taksat mbi klasat më të pasura, të cilat tashmë mbajnë barrën kryesore të shpenzimeve qeveritare. Borxhi publik u rrit ndjeshëm midis viteve 2019 dhe 2023 për shkak të masave anti-Covid dhe mbështetjes për Ukrainën, por në përgjithësi u rrit shumë më tepër se mesatarja e eurozonës. Nën presidencën e Macron, borxhi u rrit me mbi një trilion euro. Reformat strukturore të shpallura shpesh nuk kanë qenë kurrë efektive dhe shpenzimet publike vazhdojnë të rriten ndjeshëm, veçanërisht në shërbimin civil, pensionet, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale.
Në fund të gushtit, siç vëren e përjavshmja Le Point , Parisi u detyrua të pranonte kredi më pak të favorshme se Roma. Kjo është një situatë e paprecedentë që nga krijimi i eurozonës. Rreziku tjetër me të cilin përballet Franca rrjedh nga fakti se Gjermania ka vendosur të përdorë kredi masive për të rritur investimet në mbrojtje. Investitorët padyshim do të favorizonin obligacionet qeveritare gjermane, duke e detyruar Francën të marrë hua me norma më të larta. /ZËRI