Tag: ashtu

  • Ja tri vitaminat që ndihmojnë për mirëfunksionimin e syve

    Ja tri vitaminat që ndihmojnë për mirëfunksionimin e syve

    Në një epokë ku ekranet janë bërë shoqërues të përhershëm të përditshmërisë sonë, kujdesi për shëndetin e syve nuk është më luks, por nevojë. Ashtu siç ushqejmë zemrën apo forcojmë muskujt, edhe sytë kërkojnë vëmendje të veçantë për të funksionuar në mënyrë optimale.

    Ushqyerja e duhur është një ndër elementët kyç që mund të bëjë diferencën mes një shikimi të kthjellët dhe problemeve serioze okulistike.

    Sipas Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë, një dietë e ekuilibruar, e pasur me fruta, perime dhe drithëra të plota, jo vetëm që kontribuon në një zemër të shëndetshme, por ndihmon edhe në ruajtjen e shëndetit të syve. Arsyeja është e thjeshtë: sytë, ashtu si çdo organ tjetër, varen nga qarkullimi i mirë i gjakut dhe oksigjenimi, i mundësuar nga një sistem arterial i shëndetshëm.

    Ndër lëndët ushqyese më të rëndësishme për shëndetin e syve renditen vitaminat A, C dhe E tre komponentë thelbësorë që ofrojnë mbrojtje dhe përmirësojnë funksionet vizuale.

    Vitamina A
    E njohur për rolin e saj të pazëvendësueshëm në ruajtjen e shikimit të natës dhe funksionin e retinës, vitamina A është një nga vitaminat më të rëndësishme për shëndetin e syve. Mungesa e saj lidhet drejtpërdrejt me verbëri nate, tharje të syve dhe dëmtime të kornesë. Kjo vitaminë mund të merret nëpërmjet ushqimeve si karotat, spinaqi, mëlçia dhe produktet e qumështit.

    Vitamina C
    Një antioksidant i fuqishëm, vitamina C ndihmon në mbrojtjen e lenteve të syrit nga oksidimi,  një proces që çon në formimin e kataraktit. Një studim i kryer në vitin 2016 mbi 324 çifte binjakësh zbuloi se një dietë e pasur me vitaminë C e ul rrezikun e zhvillimit të kataraktit me një të tretën. Agrumet, specat, brokoli dhe luleshtrydhet janë burime të shkëlqyera të kësaj vitamine.

    Vitamina E
    E tretshme në yndyrë, vitamina E luan rol kyç në mbrojtjen e qelizave të syrit nga dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira. Studime të ndryshme kanë treguar se një konsum i rregullt i vitaminës E, qoftë nëpërmjet ushqimit apo suplementeve, mund të ulë rrezikun e zhvillimit të kataraktit. Burime natyrale të saj janë arrat, farat, vajrat vegjetalë dhe avokado. Syri.net-iefimerida

     

  • “Atalanta ka ndryshuar, por identiteti ka mbetur i njëjtë”; Gjimshiti rrëfen rrugëtimin e tij në Itali

    “Atalanta ka ndryshuar, por identiteti ka mbetur i njëjtë”; Gjimshiti rrëfen rrugëtimin e tij në Itali

    Berat Djimsiti, mbrojtësi i Atalantës, ka dhënë një intervistë për kanalin e “Lega Serie A” në kuadër të formatit “Made in Italy”, ku është shprehur: “Futbolli është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time, ashtu si edhe familja që kam krijuar. Dhe besoj se kjo nuk është pak, sepse familja është diçka shumë e rëndësishme për mua, është thelbi i shoqërisë. Kjo më ka bërë të qaj, të gëzoj dhe të ndihem i lumtur në çdo aspekt të rrugëtimit tim. Të gjitha këto kanë ndodhur së bashku, por më besoni, gjithçka është e mundur në jetë, sepse kur nisa, sigurisht nuk e mendoja se do të arrija në këtë nivel”.
    Si u përshtate me futbollin italian?Fillimi ishte me të vërtetë i vështirë sepse, për të qenë i sinqertë, nuk e kisha ndjekur shumë futbollin italian më parë. Shikoja më shumë futbollin gjerman, sepse është më afër Zvicrës. Edhe në familje shiheshin më shumë ndeshje të Bundesligës. Kur mora telefonatë nga Atalanta, nisa të informohem, pashë ndeshje në televizor dhe ndoqa lojtarët e Atalantës.
    Pse zgjodhe pikërisht Italinë?Ajo që më shtyu të zgjidhja Italinë në vend të Zvicrës ishte padyshim futbolli. Vendi juaj ka gjithmonë një traditë të madhe futbolli, shumë më të avancuar se ajo zvicerane, si në aspektin e sistemit, ashtu edhe në nivelin e zhvillimit. Ishte një zgjedhje për karrierën time, për të ndërtuar diçka të rëndësishme dhe pasur sukses në të ardhmen. Mendoj se ka qenë një vendim thelbësor për mua.
    Çfarë mendimi ke për njerëzit e Bergamos?Sigurisht që ndjehem edhe bergamask, sepse mentaliteti, në njëfarë mënyre, është shumë i ngjashëm me atë të njerëzve që kam njohur gjatë jetës. Besoj se shumica e tyre janë njerëz mjaft punëtorë, shumë të drejtë dhe që bëjnë shumë sakrifica. Kjo përputhet shumë me mua si person, ndaj ndiej thuajse sikur kjo është shtëpia ime e dytë.
    A je i njëjti si në fushë, ashtu edhe jashtë saj?Mendoj se ka ndryshime, madje shumë. Në fushë duhet të kesh dhe të tregosh një lloj lidershipi, natyrisht edhe pak agresivitet, veçanërisht në rolin tim si mbrojtës. Në jetën e përditshme nuk jam ashtu, në shtëpi jam një njeri i thjeshtë. Më pëlqen të jem me familjen, të kaloj kohë me fëmijët e mi.
    Çfarë kujton nga fillimet e tua tek Atalanta?Gjithçka ishte e re për mua. Fola me Sartorin, që ishte drejtori sportiv në atë kohë, ai më tha se kishte vendosur të më merrte në skuadër. Më foli gjithashtu për vlerat që një lojtar duhej të kishte për të luajtur në këtë klub. Nuk mund të harroj që në atë periudhë më tha edhe: Ne jemi një klub që rrit të rinjtë dhe më pas i shet te ekipet më të mëdha. Me kalimin e kohës, situata ndryshoi. Atalanta është tashmë ndër ekipet më të mira në vitet e fundit. Prandaj nuk është më saktësisht i njëjti klub, por besoj se vazhdon të vlerësojë shumë të rinjtë dhe identiteti ka mbetur i njëjtë. Motoja është që gjithmonë duhet të djersitësh. Në dhomën e zhveshjes kemi një logo ku shkruhet që duhet të japësh gjithçka, dhe që, pavarësisht rezultatit, lojtari duhet të thotë se në fushë ka dhënë shpirtin.
    Cila është gjëja më e bukur që ke arritur me Atalantën?Ëndrra më e bukur që kam jetuar këtu ka qenë fitorja e ‘Europa League’, çka është si ‘qershia mbi tortë’ dhe gjëja më e rëndësishme që kam arritur në karrierën time. Dua të më kujtojnë si djalë i thjeshtë dhe punëtor, që gjithmonë ka dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet. Shpresoj që të kenë vetëm fjalë të mira për mua, ashtu sikurse unë do të kem gjithmonë për bergamaskët, jo vetëm kur të tërhiqem, apo nëse një ditë do të largohem nga këtu. Shpresoj vetëm të kem lënë kujtime të bukura këto vite”.

  • PD kërkon kontestimin e çdo vote, Topalli: Disa fletë të plotësuara nga e njëjta dorë

    PD kërkon kontestimin e çdo vote, Topalli: Disa fletë të plotësuara nga e njëjta dorë

    “Gjatë numërimit të votave të Diasporës janë konstatuar një numër votash për Partinë Socialiste, të cilat duken të jenë të plotësuara nga e njëjta dorë qoftë për nga forma e shenjës “+” ose “x”, ashtu edhe për nga ngjyra e stilolapsit.
    Në rast se vëreni raste të tilla të përsëritura brenda të njëjtës kuti, do t’ju kërkonim që të ndërprisni procesin, të kontestoni fletën e votimit, ta mbani shënim në procesverbal dhe t’ia kaloni KZAZ-së për vendimmarrje, e cila po ashtu duhet të mbajë të njëjtin qëndrim si numëruesit që kemi të bëjmë me votim më shumë se një herë të një individi, që përbën vepër penale dhe si të tilla nuk mund t’i nënshtrohet numërimit dhe vlerësimit”-thuhet në reagimin e Topallit.

    Top Channel

  • Emigracioni i paligjshëm/ Vizita e Ramës në 2023 në Britaninë e Madhe që shënoi ‘kthesën’ në raportet mes dy vendeve

    Emigracioni i paligjshëm/ Vizita e Ramës në 2023 në Britaninë e Madhe që shënoi ‘kthesën’ në raportet mes dy vendeve

    Shqipëria priti sot për herë të parë në Tiranë në një vizitë zyrtare një kryeministër nga Britania e Madhe. Keir Starmer u prit nga kryeministri Rama dhe në fokus të bisedës ishte edhe lufta ndaj emigracionit të paligjshëm. Dy liderët konfirmuan se marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë kanë hyrë në një kapitull të ri.
    Por 3 vjet më parë, thuajse e vetmja çështje mes dy vendeve ishte ajo e emigrantëve të paligjshëm që synonin Britaninë e Madhe. Marrëdhëniet mes palëve u tensionuan për shkak të retorikës së ashpër të përdorur nga zyrtarët britanikë për emigrantët shqiptarë të paligjshëm. Vizita e kryeministrit Rama në mars të vitit 2023 në Londër, duket se shënoi pikën e kthesës
    Report Tv po rikthen në vëmendje vizitën e parë e një kryeministri shqiptar në Doëning Street të Britanisë së Madhe. Më 23 mars të vitit 2023, Rama u prit në zyrë nga homologu i tij, Rishi Sunak.
    Menjëherë sapo dy kryeministrat u ulën ballë përballë, Sunak përmendi çështjen e emigrantëve të paligjshëm duke thënë se ndihet i lumtur për progresin e bërë ndërsa i ka theksuar se ka dëshirë që të diskutojë për ekonominë dhe për sigurinë kibernetike.
    “Rama kënaqësi t’ju mirëpresim në Britani, në Downing street. Britania dhe Shqipëria kanë tashmë një partneritet të ngushtë dhe po pres me padurim që ti forcojmë edhe më tej ato marrëdhënie me ju sot. Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim”, tha Sunak në vitin 2023.
    Kreu i ekzekutivit shqiptar u ndal tek retorika e Braverman ndaj shqiptarëve, duke i thënë homologut britanik se shqiptarët nuk janë të gjithë si fabula e filmit ‘Taken’ ashtu sikurse nuk janë britanikët si në ‘Mr.Bean’.
    “Ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve.
    Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët nuk janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”.
    Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu. Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën së bashku me ju. Faleminderit sërish e dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Ëinston Churchill.” – u shpreh Kryeministri Rama në vitin 2023./ Shqiptarja

  • “Të duam deri në frymën e fundit”, letra emocionuese e prindërve për Albën, ja mesazhi për marrëdhënien me Limin

    “Të duam deri në frymën e fundit”, letra emocionuese e prindërve për Albën, ja mesazhi për marrëdhënien me Limin

    Surprizë në “Ferma VIP” për Albën! Fermerja ka marrë një letër nga prindërit e saj, e cila solli emocione të forta si për të, ashtu edhe për publikun.
    Ata i shprehën vajzës së tyre mbështetjen dhe krenarinë për mënyrën se si po e përballon eksperiencën në fermë, duke theksuar se ajo është arsyeja e vetme pse po e ndjekin këtë program.
    Prindërit e Albës shmangën komentet për ngjarjet e ndodhura brenda fermës, përfshirë marrëdhënien e saj me Limin.

    Ky mesazh i tyre erdhi pas një momenti të vështirë për Albën, kur në spektaklin e kaluar ata nuk pranuan ta takonin në fermë.
    LETRA E PLOTË:
     E dashur vajza jonë, Alba,
    Dita kur ti linde solli në jetë një bukuri, ashtu siç je ti. Na fale gëzimin më të madh në jetë, të jemi prindër për herë të parë. Që nga ai moment, jetët tona ndryshuan dhe nuk ndalën për asnjë çast, për të arritur këtu ku jemi.
    Me qëndrimin tënd në Ferma VIP, fokusi ynë je ti dhe vetëm ti. Të kemi parë të fortë, ashtu siç je edhe në jetë.
    Për ngjarjet në fermë, ne zgjodhëm heshtjen. Ne, si prindër, zgjodhëm heshtjen. Heshtja ka një mision në jetë, dhe ai është të falësh mirësi. Këtë duam edhe nga ty, të shijosh të mundurën, edhe kur duket e pamundur.
    Siç shkruan edhe Dostojevski: Më jep një dhimbje që të të fal një kryevepër,  dhe kryevepra jonë je ti.
    Shijoje qëndrimin tënd në Ferma VIP. Të duam pafund, deri në frymën e fundit.
    Mami dhe babi!
    “Tekstin e ka formualuar babi, por shkrimin e ka bërë mami. Babi ka mbaruar Univeristetin për Gjuhë Shqipe dhe ka shumë botë. Gjatë gjithë eksperiencës që kam pas në jetë, nuk kanë dyshuar tek zgjedhjet e mia. I dua shumë dhe mezi pres që ti takoj. Do doja sonte të dilja nga këtu. Të ikja tek shtëpia ime”, tha e përlotur Alba.
    vizionplus.tv

  • Rama: Në mandatin e katërt e kthejmë Lushnjen si bazë të industrisë ushqimore. Më 11 maj fitorja më e bukur e PS

    Rama: Në mandatin e katërt e kthejmë Lushnjen si bazë të industrisë ushqimore. Më 11 maj fitorja më e bukur e PS

    Kreu i PS-së Edi Rama në fjalën e mbajtur në takimin përmbyllës në Lushnje, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit kujtoi dhe ish-deputetin socialist Bashkim Fino, i cili ka qenë deputet i Lushnjës. Po ashtu Rama tha se në 11 maj, mbështetësit e PS brenda dhe jashtë do ti japin PS fitoren më të bukur. ”Kujtoj deputetin e Lushnjës Bashkim Finon, dhe dua të besoj se po na shikon nga lart dhe se nga ana tjetër të gjithë ju që jeni këtu, bashkë me shumë më tepër akoma që nuk janë në shesh do të jenë pa diskutim në kutitë e votimit të dielën, se bashku me ata që po dërgojnë votat nga jashtë Shqipërisë do të bëni të mundur që nga numërimi i 11 majit të dalë fitorja më e bukur e PS.
    Ne kemi fituar në mënyrë të përsëritur në Lushnje si në Divjakë dhe kemi bërë gjithçka kemi unur me fitoret tona. Ne nuk jemi në një ndeshje apo cikël ndeshjesh sportive. Fitorja është vetëm mjeti për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Ne falë punës dhe mbështetjes tuaj kemi arritur të bëjmë një transformim të madh që nga qendra e qyteteve deri në territore ku ne së bashku ja kemi dalë”,-tha Rama.

    Kreu i qeverisë u ndal tek investimet e kryera në Lushnjë dhe Divjakë. ”Ashtu sikundër ia kemi dalë po ashtu në këto vite të ndërtojmë shkolla të reja, të krijojmë hapësira të reja për fëmijët, nxënësit e Lushnjës e Divjakës, ashtu si kemi dalë të krijojmë kushte të tjera për të gjithë ata që kanë nevojë për kujdesin e qendrave shëndetësore, ashtu sikundër ia kemi dalë edhe në plot gjëra të tjera, por të jeni të bindur që unë jam shumë i vetëdijshëm se kemi ende gjëra të mëdha për të bërë së bashku”, nënvizoi Rama.
    Kreu i qeverisë tha se ”dua të besoj se ky mandat i katërt do të jetë një moment i rëndësishëm për transformimin e mëtejshëm të Lushnjës, Divjakës në një aspekt të veçantë, atë të krijimit të një baze të vërtetë të industrisë ushqimore të vendit. Në aspektin e krijimit të një rrjeti të vërtetë infrastrukture ku të gjitha ato që janë ndërtuar deri më sot qofshin pika grumbullimi, përpunimi agroturizimi do të lidhen dhe do të shtohen si një gjerdan shumë i bukur rreth e rrotull të gjithë territorit të këtyre bashkive”.

  • Rama: Në mandatin e katërt e kthejmë Lushnjën bazë të industrisë ushqimore

    Rama: Në mandatin e katërt e kthejmë Lushnjën bazë të industrisë ushqimore

    Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se nga numërimi i votave më 11 maj do të dalë fitorja më e bukur e PS-së.
    Në nisje të fjalës së tij në Lushnjë gjatë takimit përmbyllës së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit “Drejt finishit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, Rama përkujtoi ish-deputetin e ndjerë, Bashkim Fino.
    “Do të doja shumë në këtë moment të ishte me ne edhe dikush që me siguri do të ishte shumë i buzëqeshur duke parë këtë peizazh fantastik, deputetin e Lushnjës Bashkim Fino, të cilin e kujtova kur po hyja mes njerëzve, dhe dua të besoj se po na shikon nga lart”, tha Rama.
    Kryeministri Rama theksoi se “të gjithë ju që jeni këtu bashkë me shumë më tepër akoma që sot nuk janë në këtë shesh, por do të jenë pa diskutim në kutitë e votimit të dielën, së bashku me ata që nuk do të jenë dot të dielën, por ndërkohë po i dërgojnë votat e tyre nga jashtë kufijve të Shqipërisë do të bëni të mundur që nga numërimi i 11 majit të dalë fitorja më e bukur e PS-së”.
    Ne, vijoi Rama, kemi fituar në mënyrë të përsëritur në Lushnjë dhe në Divjakë kemi bërë gjithçka kemi mundur me fitoret tona, pasi ne nuk jemi në një ndeshje apo në cikël ndeshjesh sportive dhe fitorja nuk është qëllim në vetvete.
    Sipas Ramës, fitorja është mjeti për të arritur qëllimet e përbashkëta.
    “Ne, falë punës që kemi bërë, por falë mbështetjes së jashtëzakonshme që ju dhe shumica dërrmuese e këtij qarku kemi arritur të bëjmë një transformim të madh që nga qendrat e qyteteve të këtij qarku e deri në të gjitha territoret ku shtrihen tokat pjellore dhe ku ne së bashku ia kemi dalë që të rrisim në mënyrë shumë të ndjeshme prodhimin dhe eksportet bujqësore”, tha Rama.
    Kreu i qeverisë u ndal tek investimet e kryera në Lushnjë dhe Divjakë.
    “Ashtu sikundër ia kemi dalë po ashtu në këto vite të ndërtojmë shkolla të reja, të krijojmë hapësira të reja për fëmijët, nxënësit e Lushnjës e Divjakës, ashtu si kemi dalë të krijojmë kushte të tjera për të gjithë ata që kanë nevojë për kujdesin e qendrave shëndetësore, ashtu sikundër ia kemi dalë edhe në plot gjëra të tjera, por të jeni të bindur që unë jam shumë i vetëdijshëm se kemi ende gjëra të mëdha për të bërë së bashku”, nënvizoi Rama.
    Kreu i qeverisë tha se “dua të besoj se ky mandat i katërt do të jetë një moment i rëndësishëm për transformimin e mëtejshëm të Lushnjës, Divjakës në një aspekt të veçantë, atë të krijimit të një baze të vërtetë të industrisë ushqimore të vendit. Në aspektin e krijimit të një rrjeti të vërtetë infrastrukture ku të gjitha ato që janë ndërtuar deri më sot qofshin pika grumbullimi, përpunimi agroturizimi do të lidhen dhe do të shtohen si një gjerdan shumë i bukur rreth e rrotull të gjithë territorit të këtyre bashkive”.

  • PE: Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së, të hapë kapitull të ri bisedimesh me Serbinë

    PE: Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së, të hapë kapitull të ri bisedimesh me Serbinë

    Deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.
    “Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, tha raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.
    Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kërkuan të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

    Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
    BE-ja ka përsëritur vazhdimisht se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për rrugën e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.
    Së voni, shefja për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se Brukseli është duke analizuar gabimet në procesin e dialogut, që ka nisur më 2011.
    Ndërkaq, në raportin për Kosovë, PE-ja tha se shteti ka bërë përparim të dukshëm në reformën zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
    Megjithatë, sfidat mbeten sa i përket reformave në gjyqësor, liri të medias, efikasitetit të administratës publike dhe digjitalizimit të shërbimeve publike. Eurodeputetët theksuan se përkushtimi i vazhdueshëm i reformave gjithëpërfshirëse dhe qeverisjes përfshirëse është thelbësore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
    Eurodeputetët thanë po ashtu se Kosova ka qenë cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, veçmas nga Rusia dhe Kina, që kishin për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e integrimit evropian të Ballkanit perëndimor.
    Prandaj, “Parlamenti Evropian i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të forcojë kapacitetet e saj për të luftuar këto kërcënime”, tha PE-ja.
    Më 7 maj, eurodeputetët po ashtu kanë miratuar një raport për Serbinë, të cilës iu kërkua që të përmirësojë dialogun e brendshëm politik, të mbrojë sundimin e ligjit dhe të bëjë reforma kundër korrupsionit.
    Ndërkaq, sa i përket dialogut me Kosovës, në raport u tha se Serbia “duhet të punojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse të normalizimit me Kosovën”, por po ashtu edhe të “harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së”./REL

  • Flik paralajmëron se do të ndryshojë disa gjëra për ndeshjen e kthimit kundër Interit në Champions League

    Flik paralajmëron se do të ndryshojë disa gjëra për ndeshjen e kthimit kundër Interit në Champions League

    Adriatik BALLA
    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, tha se skuadra e tij duhet të përmirësohet në mbrojtjepas ndeshjes së parë ndaj Interit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Kjo është treguar si një dobësi kyçe për Blaugranat javët e fundit.Flick u kritikua si për mbrojtjen me linjë të lartë pas ndeshjes së parë në Montjuic, ashtu edhe për dobësinë ndaj goditjeve nga këndi, pasi lojtari më i mirë i ndeshjes, Denzel Dumfries, shënoi dy herë nga kënde.
    Lidhur me stilin e Barcelonës, Flik nuk kishte shqetësime.“Ne mund të përmirësohemi si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Shumë njerëz thonë se marrim shumë rreziqe me stilin tonë të lojës, e kam lexuar këtë edhe në Gjermani. Thonë se pësojmë shumë gola, por nëse shikojmë ekipet e tjera të mëdha dhe mënyrën se si pësojnë ata, nuk ka shumë dallim. Nuk e di saktësisht, por mendoj se me Real Madridin është e ngjashme.Ne shënojmë shumë gola, kështu duam të luajmë, dhe jam i kënaqur me këtë.
    Sigurisht që stili ynë përfshin rreziqe, por e dua. Në fund, njerëzit fokusohen vetëm te katërshja e mbrojtjes kur flitet për golat e pësuar dhe te sulmuesit për golat e shënuar. Por gjithçka ka të bëjë me ekipin; topi fillon me portierin dhe mbaron me sulmuesin. Po ashtu edhe anasjelltas, mund të nisë me sulmuesin. E rëndësishme është të dimë si luajmë si ekip. Kështu e dua unë, një ekip i lidhur mire”, tha ai. Pas ndeshjes së parë në Estadi Olimpic Lluis Companys, Flick përmendi se goditjet standarde janë një nga pikat e forta të Interit, si dhe diferenca në lartësi mes dy skuadrave.“Mendoj se mund të mbrohemi shumë më mirë.
    Nuk është vetëm çështje lartësie, por si bën bllokimet, duelet një për një, si merr përgjegjësi në mbrojtje… por sigurisht që Interi na dëmtoi shumë nga goditjet standarde. Edhe Bayern pësoi dy herë ndaj Interit, mendoj. Interi ka gjithashtu një ekzekutues të shkëlqyer të goditjeve standard, Hakan Calhanoglu, ndoshta një nga më të mirët”, shtoi trajneri blaugrana.
    Në dy ndeshjet e fundit, Barcelona ka pësuar katër gola nga goditjet standarde ndaj Interit dhe Real Madridit, duke e çuar numrin total në pesë gjatë muajit prill. Ylli i Barcelonës, Lamine Jamal, ishte në qendër të vëmendjes pas ndeshjes së parë. “Ka talent dhe gjeni, por tani duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë kështu. Jemi shumë të kënaqur me nivelin e tij; ai është 17 vjeç, gjë që është e pabesueshme, por e dimë që duhet ta mbajë këtë nivel dhe madje ta përmirësojë. Edhe ai vetë e dëshiron këtë”, përfundoi Flik.

  • Kultura në hije/ Sa dhe si po flitet gjatë fushatës zgjedhore?

    Kultura në hije/ Sa dhe si po flitet gjatë fushatës zgjedhore?

    Në një studim të realizuar në vitin 2024 mbi mekanizmat publikë të financimit për artet pamore, shqetësimet kryesore të artikuluara nga komuniteti artistik ishin: niveli i ulët i financimit, mungesa e transparencës në menaxhimin e fondeve dhe centralizimi i vendimmarrjes.
    Buxheti i vitit 2024 për “Artin dhe Kulturën” ishte rreth 2.9 miliardë lekë ose gati 0.4% e buxhetit total të shtetit të planifikuar në 737 miliardë lekë. Dukshëm, buxheti për artin në Shqipëri mbetet në nivele tejet të ulëta në krahasim me vendet e BE-së, ku mesatarja për vitin 2023 ishte 1.2% e PBB.
    Në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, buxheti i Shqipërisë për kulturën është disa herë më i ulët, diferencë e cila theksohet edhe më shumë kur flasim për financimin e projekteve artistike. Buxheti për ish-Ministrinë e Kulturës ka qenë më i ulëti ndër dikastere, ashtu siç ka qenë tepër i ulët edhe ai i institucioneve publike në varësinë e saj. Për të fundit vlen të përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të TKOB, Ilir Kerni, në vitin 2016 pikërisht për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm për realizimin e detyrës së tij.
    Kritikat kanë qenë të shumta edhe për menaxhimin e fondeve në 12 vitet e fundit, kur vërehet një qendërzim dhe ndikim politik i tepërt në kulturë. Disa nga rastet më ilustruese janë projektet e përqendruara te vetë figura e kryeministrit ose hapësira të hapura përreth tij si ajo e COD-it, shfuqizimi i Qendrës Kombëtare të Arteve në 2014, përqendrimi i projekteve me thirrje në ish-Ministrinë e Kulturës, shembja e Teatrit Kombëtar, si dhe përdorimi politik në kohë fushate i institucioneve publike të kulturës. Vetëm vitin e fundit është vënë re një hapje e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndaj dialogut me komunitetin artistik, punonjësit e kulturës dhe organizatat e angazhuara në rekomandime për politikë-bërjen në sektorin e kulturës dhe artit. Ndërsa në fushën e trashëgimisë kulturore, qeveria ka ndjekur një strategji që prej vitit 2018 me ligjin e ri për trashëgiminë kulturore, i cili synon ta kalojë menaxhimin e trashëgimisë kulturore në duart e fondacioneve të pavarura, si rasti i Butrintit, një rast ky i paprecedent në botë.
    Në vijim, do të trajtojmë problematikat aktuale në politikat për kulturën dhe artin si dhe zotimet e dhëna nga subjektet politike për këtë sektor.
    PS, qasje të njëjtë për kulturën
    Në prezantimin e programit të PS “Shqipëria 2030” më 29 mars, kryeministri Edi Rama nuk e përmendi fare artin dhe kulturën, por ai e përmendi atë gjatë inaugurimit të një hapësire të re kulturore në ish-Kinostudio, “HangArt” së bashku me ministrin Blendi Gonxhe. Programi i PS bën bilancin e 12 viteve qeverisje me restaurimin e rreth 650 objekteve të trashëgimisë kulturore, dhe rijetëzimin e 7 qendrave historike në shërbim të zhvillimit turistik dhe ekonomik. Bilanci rikujton edhe rindërtimin e 10 teatrove dhe 20 muzeve. Në lidhje me mbështetjen për artistët, risillet si argument rritja me 60% e pagave në institucionet publike dhe mbështetja e mbi 1.800 projekteve të skenës së pavarur. Po ashtu, arritje konsiderohen edhe regjistrimet si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s të Xhubletës, Valles së Tropojës, etj.
    Për periudhën 2025-2029, Partia Socialiste lë të kuptohet vazhdimësinë e së njëjtës qasje, pa pretenduar rritje domethënëse të buxhetit, apo rishikim të proceseve vendimmarrëse mbi projektet artistike. Vëmendja i kushtohet përsëri investimeve në infrastrukturë dhe rritjes së pagave të administratës. Premtohen ngritja e hapësirave të reja kulturore (shumica projekte tashmë të nisura) dhe krijimi i 10 hapësirave të dedikuara për librin deri në 2030. PS premton po ashtu miratimin e ligjit për Statusin e Artistit, digjitalizimin e arkivave dhe trashëgimisë kulturore, si dhe ngritjen e Qendrave Kulturore Shqiptare në Diasporë. Ministri Gonxhe ka deklaruar se gjatë vitit 2025 do të përgatitet edhe Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 e cila do të hartohet në bashkëpunim me artistët dhe partnerë ndërkombëtarë.
    Qeverisja e PS-së është kritikuar vazhdimisht për keq-menaxhim dhe privatizim të trashëgimisë kulturore si në rastin e Fondacionit për Butrintin, për prishje të institucioneve historike si Teatri Kombëtar, për nën-financim  për skenën e pavarur, për nepotizëm dhe keqpërdorim të fondeve nga institucionet e artit dhe kulturës (rasti i ish -drejtorit të Teatrit Kombëtar, Basha), si dhe për kapjen politike në nivel qendror dhe lokal të skenës e pavarur (rasti i COD dhe Harabel). Në ligjërimin aktual elektoral të PS-së nuk reflektohet asnjë adresim i këtyre problematikave.
    PD premton dyfishim të buxhetit
    Programi i Partisë Demokratike, PD ndjek kritikat drejtuar qeverisë socialiste përgjatë këtyre 12 viteve. Sipas kryetarit të saj, Sali Berisha, qeverisja aktuale ka paralizuar më shumë institucione të kulturës se çdo qeverisje tjetër, duke kujtuar Galerinë Kombëtare, Muzeun Kombëtar dhe shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.
    Aleanca për Shqipërinë Madhështore vendosi ta prezantojë programin qeverisës gjatë disa takimeve publike me sektorë të ndryshëm shoqërorë, mes tyre edhe me komunitetin artistik. Vetë Berisha renditi disa propozime pjesë e një plani prej 10 pikash, ku përfshihen ndër të tjera: rikthimi i Ministrisë se Kulturës si portofol qeverisës më vete, mbi dyfishim të buxhetit për kulturën (mbi 2% te PBB-së), miratim të ligjit për Statusin e Artistit, miratimin e ligjit për sponsorizimin e artit, rindërtimin e Teatrit Kombëtar siç ishte dhe në të njëjtën vendndodhje, koordinimin e një strategjie të përbashkët me Kosovën dhe diasporën, etj.
    Në lidhje me trashëgiminë kulturore, deputetja Ina Zhupa ka deklaruar se ASHM do të zhbëjë strategjinë aktuale të qeverisë që ia kalon menaxhimin e trashëgimisë fondacioneve (model i propozuar nga AADF) dhe se do ta orientojë kontributin privat dhe ndërkombëtarë drejt formës së donacioneve. Këtë ligjërim kritik ndaj “tregtarizimit” të kulturës e ka vazhduar edhe drejtuesi i departamentit për kulturën në PD, Parid Teferiçi, duke kritikuar politikat aktuale si konsumeriste dhe duke listuar parimet që do të ndjekë qeverisja e PD-së: decentralizim; transparencë; meritokraci; dhe dyfishimi i buxhetit brenda vitit të parë.
    Në takim me artistët, disa prej tyre kanë kërkuar rikthimin e Qendrës Kombëtare të Arteve dhe krijimin e një fondi për blerjen e veprave të artit bashkëkohor, ashtu si edhe riorganizimin dhe fuqizimin e Qendrës Kombëtare të Leximit dhe mbështetjen e përkthimeve dhe ripërkthimeve të klasikëve. Nga ana e saj ASHM ka artikuluar nevojën për zvogëlimin e barrës fiskale për librat, promovimin e librave shqiptarë në panairet e huaja, rritjen e aksesueshmërisë, dhe mbështetjen për shtëpitë botuese.
    Nga seria e zotimeve, përpos atij për dyfishimin e buxhetit për kulturën, nuk jepet një bilanc i kostove të tyre financiare ashtu siç nuk jepet një plan i detajuar për realizimin e tyre.
    Arti dhe kultura sipas “Lëvizjes Bashkë”
    “Lëvizja Bashkë” ka publikuar një program të gjerë prej rreth 176 faqesh, ku premton ndër të tjera rikthimin e Ministrisë së Kulturës duke i bashkuar edhe sektorin e Inovacionit.  Në programin e LB, sektori i kulturës konsiderohet si i karakterizuar nga: buxhetet e pamjaftueshme, mbyllja e shumë institucioneve, prodhimi dhe mbështetja e ulët për kinematografinë dhe mungesa e transparencës së QKK-së, mungesa e ambienteve publike për prodhimin dhe ekspozimin e veprave, dhe tarifat e larta për vizitimin e monumenteve të kulturës dhe mosmirëmbajtja e tyre. LB thekson nivelin e lartë të informalitetit të punës në këtë sektor, duke nxjerrë në pah se skena e pavarur dhe industria kreative nuk e kanë të rregulluar siç duhet me ligj vendosjen e marrëdhënieve të punës.
    “Lëvizja Bashkë” propozon një fond të posaçëm për artet performative dhe një fond për letërsinë artistike. Ndërsa për artin bashkëkohor, theksohet nevoja për ngritjen e një regjistri publik me të dhëna për artistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, përmes të cilit artistët do të kenë mundësi të informohen, të aplikojnë në projekte dhe të përditësojnë profilin e tyre publik. Për organizatat fitimprurëse propozohen lehtësime fiskale për ato hapësira që ekspozojnë vepra të artit dhe trashëgimisë kulturore, ndërsa për artizanët sigurimi i lëndës së parë me çmim të ulët dhe mundësia e zhvillimit të aktivitetit në infrastrukturë publike pa pagesë. Programi përmban edhe miratimin e ligjit për statusin e artistit, i cili do të trajtojë çështje të sigurimeve shoqërore, pensionimit dhe mundësisë për t’u organizuar në shoqata artistike, si dhe miratimin e një ligji të veçantë për pronësinë intelektuale artistike. Po ashtu, propozohet edhe themelimi i institucionit të Komi­sionerit për punën artistike/kulturore të lirë, i cili do të monitorojë kushtet e punës për punën freelance.
    Në infrastrukturë shihen të nevojshme investime mes të cilave: ndërtimi i dy sallave të reja koncertesh në Tiranë dhe rrethe, ndërtimi i hapësirave për prodhime artistike i një rrjeti me objekte publike dedikuar artit bashkëkohor, si dhe Krijimi i Kinematekës Kombëtare me salla kinemaje në të gjithë vendin. LB po ashtu parasheh reformimin e QKK-së njëkohësisht me rritjen e buxhetit të saj vjetor.
    Programi nuk adreson situatën me librin, nuk ka shpjegime mbi mekanizmat e reja institucionale që propozohen ashtu siç nuk adreson se çfarë do të ndodhë me institucionet ekzistuese në të cilat priten ndërhyrje. Po ashtu, nuk tregohet kostoja financiare e ndërhyrjeve që propozohen ashtu siç nuk ka një vëmendje ndaj dialogut me komunitetin artistik, rritjen e mbështetjes për skenën e pavarur dhe decentralizimin e vendimmarrjes në mbështetjen e projekteve artistike.
    “Shqipëria Bëhet”, ndërhyrje ligjore për kulturën
    Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në programin e tij për kulturën, liston një seri masash me fokus investimet në infrastrukturë, rritje të pagave për artistët dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore.
    Si ndërhyrje ligjore shihen të domosdoshme: ligji për Statusin e Artistit; ligji për Sponsorizimet në Fushën e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Personave me Aftësi Ndryshe; dhe projektligji ‘Mirush Kabashi’ me synim pavarësinë, demokratizimin dhe mirëqeverisjen e artit.
    Në infrastrukturë premtohen: investime në institucionet kulturore të 61 bashkive të vendit dhe kthimi i tyre në qendra multifunksionale; Krijimi i një ansambli të godinave strategjike që përfshin Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar të Natyrës, Teatrin Kombëtar, TKOB, Pallatin e Sportit dhe Pishinën Olimpike; Investime në Infrastrukturën Sportive për ndërtimin e komplekseve stërvitore dhe pishinave në qytete të ndryshme me qëllim ngritjen e ekipeve sportive.
    Ndërsa në lidhje me financimin e projekteve artistike propozohen: Fondi i Granteve për Kinematografinë dhe Artistët e Pavarur me vlerë 10 milionë euro në vit; dhe Fondi i Granteve “Migjeni” për artizanatit.
    Për shkak të natyrës së fragmentuar të programit dhe mungesës së trajtimit të çështjeve ekzistuese dhe propozimeve që ngre, pikat e sipërpërmendura mjaftohen me listimin e tyre. Lista nuk shoqërohet me shpjegimet se çfarë do të ndodhë me institucionet dhe mekanizmat financiarë ekzistues, disa prej të cilëve janë të ngjashme me propozimet e NSHB, ashtu siç nuk shoqërohet me llogaritjen e kostove financiare për realizimin e tyre.
    Euroatlantikët premtojnë zero taksa për krijuesit  
    Koalicioni Euroatlantik në programin për artin dhe kulturën propozon rritje të buxhetit dhe formimin e disa institucioneve të reja.
    Për buxhetin, premtohet rritje progresive e tij në 50 milionë euro, 0% taksë për individin krijues në industrinë kreative; fond 1 milionë euro për artistët e rinj; dhe fond 5 milionë euro për kinematografinë.
    Ndërsa për ngritjen e institucioneve të reja shihen të nevojshme: ngritja e Qendrës Kombëtare të Artit Bashkëkohor (QKAB); Qendrës Kombëtare e Artit Shqiptar; Fondacionit për Letërsinë Shqipe; Fondi për Kreditim në Kulturë; Agjencisë së Librit Shqip; Teatër i ri për artistët e rinj të arteve të performuara; Teatër Alternativ; Galeria Impresionizmit Shqiptar “Vangjush Mio”, etj.
    Programi mjaftohet me listimin e këtyre propozimeve pa adresuar gjendjen aktuale të sektorit dhe pa dhënë shpjegime për: mënyrën e implementimit të këtyre zotimeve, ndërhyrjet e nevojshme në institucionet ekzistuese, si dhe kostot financiare për ndërhyrje të tilla.
    Subjektet politike pa program për kulturën
    Subjektet e tjera politike si Partia “Mundësia” dhe Partia Social-Demokrate edhe pse kanë publikuar programe politike, nuk e kanë përfshirë sektorin e kulturës dhe artit. Po ashtu, subjektet si Aleanca Kombëtare Shqiptare, Aleanca Demokracia e Re, Lëvizja Atdheu edhe pse kanë publikuar program me parimet kryesore, e kalojnë pa e përmendur kulturën në faqet e tyre zyrtare apo në intervistat e dhëna për mediat. Ndërsa Koalicioni LZHK-Djathtas1912 nuk ka një program të publikuar online dhe përfaqësuesit e tij, ashtu siç kanë përmendur zotime për sektorin e kulturës në shfaqjet e tyre mediatike deri tani.
    Probleme të munguara
    Nga analiza e programeve politike për zgjedhjet e 11 majit, vihet re se kultura dhe arti nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Edhe pse nevoja për një dialog me komunitetin artistik dhe punëtorët e kulturës është një kërkesë e përsëritur vazhdimisht ndër vite nga vetë komuniteti, asnjë nga subjektet politike nuk e thekson dialogun dhe nuk përfshin një vizion të qartë për zhvillimin e tij.
    Në lidhje me kostot financiare të premtimeve të tyre, shumica e subjekteve politike (me përjashtim të PS dhe LB) premtojnë rritje të shpenzimeve për kulturën dhe njëkohësisht me ulje taksash. P.sh., Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ASHM, premton taksim të sheshtë 10% dhe rritje të buxhetit për kulturën në 2% të PBB-së pa shpjeguar sesa do të ndikohen mbledhja e të ardhurave buxhetore dhe se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit. Këtë sqarim, nuk e jep as Lëvizja Bashkë, e cila premton taksim progresiv.
    Në lidhje me trashëgiminë kulturore, vetëm ASHM ka një vizion të qartë për ta menaxhuar këtë trashëgimi bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe rekomandimet e UNESCO-s. Problematika e pranisë së madhe të prekaritetit dhe informalitetit në punësimet e artistëve dhe punëtorëve të kulturës është adresuar nga LB, ndërsa zotimi për miratimin e ligjit për Statusin e Artistit përmendet nga thuajse të gjitha subjektet. Mirëpo, nuk jepen detaje se çfarë do të përmbajë ky Status i Artistit.
    Përsa i përket proceseve vendimmarrëse, propozimet për krijimin e qendrave kombëtare për menaxhimin e projekteve artistike dhe kulturore nuk janë shoqëruar me modelet që do të ndjekin këto qendra dhe me ndërhyrjet ligjore që do të jenë të nevojshme për formimin e tyre.
    Ndër problematikat të cilat nuk trajtohen nga programet politike mund të përmendet situata e vështirë e tregut të librit dhe financimi mesatar vjetor i botimeve nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në nivelin e pa dinjitetshëm prej 4.000.000 lekë në vit. Po ashtu, programet nuk trajtojnë problematikat e ligjit për OJF-të të cilat nuk parashikojnë klauzola mbështetëse për organizatat e artit, ashtu siç pamundësojnë formalizimin e unioneve, asambleve, apo forumeve të cilat do të mund të organizonin skenën e pavarur duke përfshirë artistët freelance, ata të vetëpunësuar, si dhe ata informalë. Një problematikë tjetër e patrajtuar lidhet me taksimin e lartë mbi burim prej 15% për punët e zhvilluara me kontrata shërbimi. Ndërkohë në lidhje me infrastrukturën, përpos mosfunksionimit aktual të Muzeut Kombëtar, Galerisë Kombëtare, dhe një Teatri dinjitoz Kombëtar, asnjë nga subjektet nuk përmend nevojën për krijimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, një kërkesë edhe kjo prej vitesh e shtruar nga komuniteti artistik./ BIRN