Adriatik BALLA
Jasir Asani u është kthyer golave në Korenë e Jugut, pavarësisht se skuadra e tij humbi, ndërsa Mirlind Daku, pavarësisht se nënshkroi kontratë të majme rinovimi me Rubin kazanin, vijon të shkaktojë polemika në Rusi. Nga ana tjetër, sulmuesi Ernest Muçi kthehet në fushë e bën gjërat si duhet, por Beshiktashi se ka në planet e sezonit të ri.
Daku në qendër të vëmendjes në Rusi
Dmitri Seliu, i cili është agjent i futbollistëve, foli dje rreth situatës së sulmuesit shqiptar, Mirlind Dakut. Ai ka dhënë mendimin e tij rreth transferimit të tij të ‘dështuar’ te Zeniti, që çoi në zgjatjen e kontratës së Dakut me Rubin Kazanin. “Është mirë për Zenitin që nuk e blenë Dakun. Dhashë një intervistë të bujshme në kohën që donin ta blinin atë. Ndoshta lexuan intervistën time që nuk e morën? Daku do ta kishte vrarë Zenitin në dhomat e zhveshjes dhe kudo. Nuk është as një lojtar i stilit të Zenitit. Po, mund të kesh një nga ata në skuadër. Por Zeniti e ka tashmë Sobolev, pse u nevojitet Daku? Nëse Sobolevi thjesht rri në stol pa shkaktuar probleme, Daku do të niste sherr në dhomën e zhveshjes dhe në stërvitje. E shohim çfarë karakteri ka. Zeniti bëri shumë mirë që nuk e mori atë. “Lojtarë të tillë janë shumë të përshtatshëm për ekipe si Rubini. E gjithë skuadra luan për të, dhe ai jep rezultat. Jam i gatshëm të vë bast që Daku nuk do të shënonte kurrë kaq shumë gola në ekipe si Zeniti apo Spartaku”, u shpreh agjenti Dmitri Seliu. Mirlind Daku së fundmi e vazhdoi kontratën me Rubin Kazanin, deri në vitin 2029, ku do të fitojë mbi 3 milionë euro në sezon. Daku në futbollin kosovar ka luajtur për disa skuadra, ndër to edhe Ballkanin e Llapin, derisa në Shqipëri luajti për Kukësin. Jashtë kufijve shqiptarë, Daku djersiti fanellat e Osijekut e Muras.
Asani shënon sërish për Guangju,por ekpi i tij humbet
Sulmuesi i Shqipërisë, Jasir Asani, ka vazhduar me paraqitje të mira individuale, por jo edhe skuadra e tij Gëangju. Asani të premten në mesditë realizoi gol nga penalltia, në disfatën 2:1 të ekipit të tij në udhëtim te Suoni. Ndeshja i ka takuar xhiros së 22-të të kampionatit jugkorean. Asani e kompletoi ndeshjen, ndërsa realizoi nga penalltia në minutën e 78-të për epërsinë 1:0 të Gëangjut. Gëangju pranoi gola në minutën e 85-të dhe të 90-të dhe e humbi ndeshjen. Për Asanin ishte goli i 16-të i edicionit. Shtatë i ka në kampionat dhe nëntë në Ligën e Kampionëve të Azisë. Ai ka kontribuuar edhe me tri asistime. Guangju pas 22 ndeshjeve ka 31 pikë dhe është në mesin e tabelës.
Muçi realizon por s’është në planet e Beshiktashit
Ernest Muçit i kanë mjaftuar vetëm 8 minuta në fushë për të gjetur rrjetën në ndeshjen miqësore të Beshiktash ndaj ekipit sllovak FC Petrzalka. Muçi u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, në një moment kur ekipi turk po humbiste 0-2. Me energjinë dhe instinktin e tij të zakonshëm, 23-vjeçari përfitoi nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare në minutën e 54-t, kur i rrëmbeu topin një lojtari të Petrzalka-s dhe e dërgoi me saktësi në rrjetë, duke ngushtuar shifrat në 1-2. Edhe pse realizoi në miqësore, Muçi ende nuk shihet në planet e Beshiktashit për sezonin e ri, me sulmuesin shqiptar që mund të nisë një aventurë të re këtë verë.