Tag: artistët

  • Artistët më të dashur performojnë në Shkodër, për dy net, në Dua Fest

    Artistët më të dashur performojnë në Shkodër, për dy net, në Dua Fest

    Shkodra po bëhet gati për një nga përvojat më të jashtëzakonshme që do të sjellë festivali “Dua Fest”.
    Artistë nga më të suksesshmit do të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje artistike, si: Shkodra Elektronike, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj e të tjerë.

    “Dua Fest po vjen për të ndezur qytetin. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performanca elektrizuese dhe energji që nuk harrohen”, premtojnë organizatorët e festivalit i cili do të zhvillohet pranë mureve të lashta të Kalasë së Rozafës, për dy net me radhë (8 dhe 9 gusht).

    Aktiviteti synon të bashkojë muzikën, historinë dhe emocionet, shkruan atsh.
    Të tjerë artistë që do të performojnë janë DJ Hermes, DJ Irgen, Eri Dee, Grupi Burn dhe Hektor Jubani.

  • Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, hapet thirrja për artistët. Dani: Eja nëse ke një këngë me shpirt dhe shqip

    Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, hapet thirrja për artistët. Dani: Eja nëse ke një këngë me shpirt dhe shqip

    Showbiz E Premte, 1 Gusht 2025 21:23
    Nisin ethet e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Stafi drejtues i Fest64 dhe RTSH kanë publikuar thirrjen për të gjithë artistët që do t’i bashkohen eventit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar [email protected].
    Para dorëzimit të këngëve, Stafi drejtues i Festivalit ju kujton artistëve dhe krijuesve të sjellin vetëm krijime të reja dhe të papublikuara në asnjë formë tjetër. Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:

    Këngën e plotë në formatin MP3;Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit;Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të skualifikohen menjëherë.Pas nisjes së materialeve, pjesëmarrësve do t’u dërgohet një email që konfirmon dorëzimin e tyre.

    Festivali i Këngës në RTSH është një mundësi e shkëlqyer për çdo artist që dëshiron suksesin, pasi kënga fituese përfaqëson Shqipërinë në skenën magjike të Eurosongut. Shkodra Elektronike, fituesi i edicionit të 63-të të Festivalit, bëri sivjet një paraqitje dinjitoze që elektrizoi gjithë publikun në Bazel të Zvicrës.

  • ”Serbi të q**sha motrën”, Egli Tako kritikohet prap. Fansat nxjerrin videon ku artistët…

    ”Serbi të q**sha motrën”, Egli Tako kritikohet prap. Fansat nxjerrin videon ku artistët…

    Showbiz E Hënë, 28 Korrik 2025 15:33
    Egli Tako është rikthyer në qendër të vëmendjes, pas koncertit që mbajti mbrëmjen e së dielës në Drenicë. E njohur për vokalin e ëmbël dhe energjinë në skenë, këtë herë Egli u shfaq e mbështjellë me flamurin kuqezi, teksa interpretoi këngën e ndjeshme “A vritet pafajësia”, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut.
    Ky koncert vjen pak kohë pasi ajo u komentua gjerësisht në rrjet për interpretimin e këngës patriotike “Mora fjalë”, për shkak të veshjes së konsideruar të papërshtatshme nga një pjesë e ndjekësve. Aty Egli zgjodhi një qasje më solemne dhe emocionuese, duke e lidhur performancën me simbolikën kombëtare dhe ndjenjën patriotike.

    Një tjetër moment që bëri xhiron e rrjeteve sociale ishte hyrja e saj para se të fillonte këngën. Egli nisi një thirrje që zakonisht dëgjohet në stadiume gjatë ndeshjeve futbollistike: “Serbi, Serbi…”, ndërsa publiku iu përgjigj në kor me brohoritjen e njohur “Q**sha motrën!”. Sakaq për kritikat këtë herë u kujdesën ndjekësit e Eglit, pasi kanë bërë një përmbledhje të momenteve të ngjashme që kanë bërë edhe artistët e tjerë në skenë.

  • Rudi Sata: Ministri Gonxhja urgjentisht duhet të bëjë për artistët një kontratë pune profesionale

    Rudi Sata: Ministri Gonxhja urgjentisht duhet të bëjë për artistët një kontratë pune profesionale

    Sezoni artistik në institucionet tona të artit dhe kulturës ka përfunduar, por artistët risjellin në vëmendje dhe problemet që janë në infrastrukturën ligjore apo dhe mungesën e statusit të artistit. Tenori Rudi Sata ndërsa shprehet për përmirësimet ligjore sjell në vëmendje dhe rritjen buxhetit në institucione. Në intervistën për gazetën “SOT” tenori Rudi Sata shprehet edhe për problemet që sipas tij janë me kontratën e punës të nivelit të parë. Tenori thotë se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet të bëjë një kontratë pune profesionale. Sipas tij, kontrata aktuale i mban artistët peng, sepse nuk ka asgjë të specifikuar. Tenori Rudi Sata në ditët e fundit të janarit të vitit 2024 iu drejtua me një letër të hapur ministrit Blendi Gonxhja, ku ai renditi një sërë problemesh në art dhe kulturë, ndër të tjera sipas tij infrastruktura ligjore duhet reformuar urgjentisht. Por më parë ka pasur takime për infrastrukturën ligjore, ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të MEKI-t, ndërkohë që përmirësimi i politikave kulturore është një domosdoshmëri për artistët në vend.
    -Sezoni artistik ka mbaruar dhe në pjesën artistike si u mbyll për ju?
    Sa i takon pjesës artistike normalisht që do vazhdojë ashtu për inerci si rrjedhojë e situatës, sepse ndryshoi titullari i institucionit dhe detyrimisht titullari tjetër në shtator do të paraqesë platformën e tij.
    -Me sezonin e ri që do të nisë muajt e vjeshtës, çfarë prisni që të përmirësohet në jetën artistike?
    Unë si artist i bëj thirrje ministrit Blendi Gonxhja, që nëse do që të ketë një Opera Nacionale që të performojë në mënyrë dinjitoze siç edhe bota performon ai nuk ka shanse që ta rrisë nëse ai nuk rrit buxhetin. Ky është një buxhet qesharak, një buxhet aspak dinjitoz për institucionin që jemi ne si Opera Kombëtare. Unë kam dhjetë vjet që e them dhe do vazhdoj që ta shpreh, sepse është shumë kryesore përpos rritjes së buxhetit për institucionet e artit dhe kulturës duhet të ndryshojë urgjentisht në parlament dhe ligjin e sponsorizimeve. Këtu kam parasysh që decentralizohet ky ligj, mos jetë si ajo që për të blerë një laps duhet të kesh tre oferta. Janë qesharake. Sepse këta nuk e kuptojnë dot, që ligji i sponsorizimit nuk është i adaptueshëm dhe i përshtatshëm për profilin dhe karakterin që ka institucioni jonë. Nëse ne përshembull duhet të bëjmë një produksion artistik, departamenti i produksionit nuk blen dot një kompensatë, një llampë se duhet të ketë tre oferta. Ndaj ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet të ndryshojë ligjin e sponsorizimeve dhe duhet të kalojë dhe te ajo që kam thënë dhe më parë që institucionit tonë i duhet një tjetër kornizë ligjore, sepse nuk ka të bëjë me administratën institucioni jonë dhe ligji për sponsorizimin i përfshin të gjitha këto, përfshin edhe arsimin edhe mjekësinë, po nuk është njësoj dhe për artin.
    -Përmirësimet në ligjin e artit, statusi i artistit janë te kërkesat që janë bërë me dije herë pas here nga artistët, por edhe nga ju në drejtim të institucioneve prej kohësh. Kur ka mbaruar dhe ky sezon artistik këtë vit dhe janë kërkesa që ripërsëriten, çfarë kërkoni nga institucionet?
    Unë nuk e kuptoj dot ministrinë se çfarë bën? Ata në tavolinë kanë komplet infrastrukturën ligjore, që unë ia kam dorëzuar dhe kam kërkuar reformim total të infrastrukturës ligjore, që nga ligji i artit dhe me radhë. Ligjin e ri për artin dhe kulturën akoma nuk e ka bërë. Akoma ministri nuk është ulur me ndonjë ofertë të grupit të interesit, që është shumë  e rëndësishme. Ministri Gonxhja duhet të ndryshojë urgjentisht dhe urdhrin e dietave.
    -Çfarë parashikon ky urdhër i dietave që ju e përmendni?
    Bëhet fjalë për urdhrin e trajtimit të punonjësve të administratës për dietat. Këtë e them, sepse ky urdhër që është aktualisht që në kohën e Sali Berishës nuk është një urdhër që mbulon artistët me dieta në mënyrë dinjitoze. Por ky është një urdhër thjesht për dietat vetëm për administratën dhe është qesharake, se është 5 mijë lekë deri në 45 kilometra, po si kalove 45 km ti do marrësh 5 mijë lekë të vjetra në ditë, por është turp. Për artistët duhet bërë një VKM ndryshe në lidhje me dietat dhe me turet jashtë vendit. Këtë e kam kërkuar dhe e kam të protokolluar dhe do ta çoj dhe te Albana Vokshi si kryetare e Komisionit të Medias dhe Informimit Publik. Kur kam kërkuar ndryshimin e ligjit të sponsorizimit kam kërkuar edhe ndryshimin e ligjit të dietave.
    -Çfarë ka ndodhur me kontratat e punës për të cilat ju jeni shprehur dhe më parë?
    Ministri Blendi Gonxhja urgjentisht duhet të bëjë një kontratë pune profesionale. Kontrata që kemi ne është gangrenë për artistët, i mban artistët peng, sepse nuk ka asgjë të specifikuar.

     -Çfarë mund të na thoni për rolin e sindikatës së artistëve sa i takon problemeve që ju përmendni, pasi edhe ju jeni pjesë?
    Unë kam dhënë dorëheqjen nga sindikata e artistëve. Kam dhënë dorëheqjen për arsye, sepse unë kam kërkuar që të bllokohet dhe është bllokuar kontrata. Vjet në muajin mars ka qenë për t’u firmosur kontrata e nivelit të parë ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë dhe unë e kam bllokuar. Kam kërkuar me shkrim dhe me email te presidenti i përgjithshëm i sindikatës që të bllokohet kontrata e nivelit të parë SPASH dhe ministri, sepse nuk është profesionale dhe duhet ti referohet hapësirave ligjore të kodit të punës. Ka një vit që nuk kanë bërë amendimet në këtë kontratë të nivelit të parë. Ministria ka një vit që nuk e ka firmosur. Pyetja ime është: a e ka firmosur gjë  ministria kontratën me sindikatën? E kam kërkuar bllokimin e kontratës së nivelit të parë me ministrinë dhe them që nuk është profesionale, sepse në kontratë thuhet që artistët duhet të punojnë 40 orë në javë. Aty thuhet që artistët kanë katër javë kalendarike, ndërsa unë them që duhet të kenë gjashtë javë pushim leje vjetore. Aty thuhet që duhet të punojnë 8 orë në ditë artistët, ndërsa unë them që nuk duhet 8 orë në ditë. Ministria a ka ndërmend që të bëjë amendime në lidhje me kontratën e nivelit të parë me sindikatën për të pasur një kontratë profesionale? Kjo është pyetja ime e drejtpërdrejtë për ministrin. Kontrata e nivelit të parë është ajo që bën sindikata me ministrinë dhe kontrata që bën sindikata me Operën që është e nivelit të dytë. Unë i kam kërkuar ministrit, që të ndryshohet kontrata e nivelit të parë siç është bërë që në 2007 e me radhë çdo 5 vite dhe të bëhen amendimet përkatëse që të bëhet profesionale. Por në komunikimin që unë kam pasur edhe me titullarin e TKOB di të them që ka qenë tepër i predispozuar për të zbatuar dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët, që të kalojmë në kontratën profesionale. Ai ka qenë shumë i hapur në bashkëpunim.
     -Në ditët e fundit të janarit të vitit 2024 ju jeni drejtuar dhe me letër në ministri, ku renditni një sërë problemesh në art dhe kulturë. A patët një përgjigje?
    Letra ngeli në sirtar, asgjë nuk u bë.
    Intervistoi: Julia Vrapi

  • Adrian Devolli: Në këtë stad kaotik që jemi, antivlera mbizotëron mbi vlerat në art

    Adrian Devolli: Në këtë stad kaotik që jemi, antivlera mbizotëron mbi vlerat në art

    Ekspozita e radhës e artistëve të grupimit “Muri” do të hapet në galerinë e Beratit. Piktori i njohur Adrian Devolli bën me dije se ajo pritet që të hapet gjatë këtyre ditëve të qershorit dhe do të vijojë për publikun edhe në ditët e para të muajit që vjen. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori i njohur Adrian Devolli ndërsa tregon për ekspozitën e radhës të grupimit “Muri” ndalet dhe te problemet me të cilat përballen artistët në aktivitetin artistik. Sipas tij në Tiranë është vështirësia me sallat për të ekspozuar, por ai shpreh keqardhjen që në aktivitetin artistik ndihet mungesa e kritikës profesionale në fushën e artit.
    Piktori Adrian Devolli thotë  me mungesën e kritikës në art nuk dihet kush janë artistët e vërtetë dhe kush punon. Me kritika piktori Adrian Devolli shprehet edhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, që sipas tij me artistë të brezit të tij nuk është zhvilluar ndonjë takim mbi krijimtarinë sot apo dhe problemet.    Adrian Devolli me aktivitetin e tij është pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme me grup autorësh, por edhe ato personale me të cilat është prezantuar për publikun me veprat e tij. “Trace” (Gjurmë) titullohej ekspozita më e fundit e piktorit të mirënjohur Adrian Devolli që u hap në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë në shtator të vitit 2023.
    Një ekspozitë e pritur shumë mirë nga artistët e arteve figurative, artdashës dhe më gjerë, të cilët ishin të shumtë në përurimin e saj. “Gjurmë”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, (FAB) përmblidhte një pjesë të punëve më të mira të artistit, në pikturë, grafika, skulpturë dhe qeramikë. Kjo ekspozitë personale erdhi pas disa vitesh me punët e tij. Piktori Adrian Devolli nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, më pas nga viti 1987 deri më 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra. Aktiviteti i tij është me projekte restauruese në Manastirin e Ardenicës, si dhe në bashkëpunim me restauratorë të tjerë në Kishat e Bregut, Mborje të Korçës, etj.
    -Grupimi artistik “Muri” që është krijuar para disa vitesh pritet që të hapë një tjetër ekspozitë këtë verë. Kur pritet të hapet ekspozita e radhës?
    Nga data 24 qershor deri më datë 4 korrik do të hapet ekspozita e grupimit të artistëve “Muri” tek galeria e qytetit të Beratit. Kjo galeri është e madhe dhe jo e vogël, por siç ndodh këtu tek ne që i lënë pas dore, nuk ka sistemin e kondicionimit, është dhe taraca dhe duke qenë soletë pasdite bëhet si furrë. Për këtë arsye ne kemi vendosur, që ekspozita do të hapet paradite në orën 11:00.
     -Ju keni hapur dhe të tjera ekspozita më parë si grupim artistik jo vetëm në Tiranë, por edhe në galeritë e rretheve, ku sipas jush kjo edhe për shkak të mungesës së sallave të ekspozimit. Me çfarë vështirësish janë përballur artistët?
    Tirana i ka mbyllur dyert. Edhe Galeria e Artit Tiranë, duke bërë lloj -lloj aktivitetesh aty, aktivitete të nivelit social, etj, ka filluar dalëngadalë duke e humbur funksionin e saj si galeri kur duhet të mbante të njëjtin status si galeri arti. Ndërkohë dhe te Piramida janë dy salla shumë të mira, por që dhe aty kërkojnë të plotësosh formularë, qëllimi, etj. Formulari për mendimin tim është me tepër burokratik dhe nuk ka lidhje. Atje janë dy salla të mira, por dalin gjëra të tjera dhe kur shkon aty shikon edhe piktorë diletantë, sepse nuk ka një këshill artistik kush quhet vepër arti dhe kush nuk quhet. Nëse doni të shikoni degjenerimin e Shqipërisë sot, në çfarëdo lloj lokali që të ulesh dëgjon një muzikë të tmerrshme, muzikë tallavaje në nivelin teknotallava që është kulmi i degjenerimit të shijes artistike. Kur një komb arrin në këto nivele është fundi, nuk ka më ku të shkojë.
     -Si piktor ju keni shprehur herë pas here si problem edhe mungesën e kritikës profesionale në fushën e artit. Në reagimet tuaja më parë keni shprehur se duhet të ketë një institucion, që është kritika, e cila i drejton njerëzit kush janë vlerat e vërteta ne art. Çfarë ka ndodhur për artin?
    Kritika profesionale në fushën e artit mungon. Një pjesë e artistëve këtu nuk punojnë. Këta artistë për të mbajtur një lloj pozicioni të vetin i duhen fjalë. Unë nuk gjykoj mbi atë çka flitet, por gjykoj mbi çka shoh. Të gjithë ata që dalin sot janë njerëz që flitet, por duhet të tregojnë çfarë veprash kanë bërë? Institucionet këtu duhet të kishin rol kryesor, por flenë gjumë. Unë jam 70 vjeç dhe nuk jam thirrur njëherë unë dhe kolegët e mi brezi im nga institucionet, që kemi një interes të madh dhe prodhimtari të jashtëzakonshme, sepse nuk është kollaj të bësh një ekspozitë, dy, tre në vit pasi kjo kërkon impenjim të madh.
    Por nga institucionet nuk i bie mendja të thërrasin për të bërë një simpozium, ku janë të metat, etj, sepse një vend pa kulturë është një vend i vdekur, është baraz me një vend analfabet. Këtu një pjesë e madhe po kthehen në analfabetë dhe analfabetë që të dish të shkruash dhe mos të kuptosh mbi atë çfarë shkruhet dhe për çfarë flitet. Një pjesë  e madhe artistëve, duke mos punuar dhe duke pas të vetpëlqyerin kërkojnë të mos ekzistojë kritika në art. Në Shqipëri ka ekspozita personale dhe ka shumë pak ekspozita të përbashkëta, kjo sepse artistët nuk duan të përballen me vlerat e njëri -tjetrit.
    Në këtë stad kaotik që jemi antivlera mbizotëron mbi vlerat, sipas meje Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet patjetër të financojë dhe subvencionojë dhe të inspirojë krijimin e një gazeta artistike siç ka qenë analoge në kohë të partisë gazeta “Drita” që ishte brenda kuadrit të asaj kohe, por si strukturë gazeta duhet të jetë një gazetë e tillë në të cilën të shfaqen kush punon, galeritë, veprat artistike që bëjnë artistët, ekspozitat e artit që hapen, koncerte që bëhen, etj. Kjo do sjelli si rrjedhojë dhe  fillimin e mendimit të kualifikuar kritik. Në këtë situatë siç është kaos nuk dihet kush janë artistët dhe kush punon, ku qëndrojnë vlerat, si janë, si vihen në pah këto vlera dhe këto antivlera. Ka ardhur si domosdoshmëri dhe duhet të ishte bërë prej shumë kohësh. A duhet me financim nga MEKI, etj, kjo diskutohet , por është domosdoshmëri.

    -Në reagimet tuaja mbi problemet që janë në fushën  e artit ju keni shprehur dhe kritika në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Sipas jush me artistë të brezit tuaj nuk kanë zhvilluar takime për çfarë ndodh me artet figurative, zhvillimet dhe problemet që hasin sot artistët. Çfarë prisni si piktor nga MEKI?
    Ministria nuk bën asnjëherë lëvizje për artin, kur bëhet një ekspozitë dhe një drejtor drejtorie nuk dënjon të vijë dhe është një punë e madhe që bëjnë artistët. Unë nuk pres të rregullohet diçka, nuk bëhet asgjë në këtë vend, sepse kur një vend për 30 vjet nuk bën asnjë lloj lëvizje nuk pres të bëhet më gjë. Në atë Galeri Kombëtare të Arteve ishin ata njerëz që e krijuan atë me një përkushtim dhe shteti nuk bën një kolanë me libra, asnjë antologji për këta njerëz, ndaj nuk mund pres më nga shteti. Ne kemi ministra fjalësh, nuk bëjnë gjë. Nuk kemi pse t’i lutemi ministrisë për Kulturën. Nuk është ndihmë për artistët, por është ndihmë për shtetin. Artisti është udhëheqësi shpirtëror i një shteti. Në Greqinë e lashtë paguhej 100-fish një poet i madh në krahasim me një politikan, sepse ngre moralin e kombit, zhvillon kombin. Tek ne kjo gjë nuk kuptohet. Duhet të stimulosh artistët që derdhin djersën këtu, jo ata që janë jashtë dhe vijnë këtu një herë në 20- 30 vjet.
    Intervistoi: Juljana Vrapi
     
     
     
     

  • Veleshnja: Në Kosovë nuk mbështesin artistët shqiptarë

    Veleshnja: Në Kosovë nuk mbështesin artistët shqiptarë

    Showbiz E Hënë, 16 Qershor 2025 20:08
    Aktori Rezart Veleshnja ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me trajtimin e artistëve nga Shqipëria në Kosovë. Sipas tij, mungon përkrahja dhe vlerësimi për artistët shqiptarë, si në formate televizive ashtu edhe në raste të tjera.
    ”Te Big Brother-i i Kosovës, disa personazhe thoshin haptazi ”nuk e duam Shqipërinë” dhe ”s’kemi lidhje me ju”. Dhe askush nga Kosova nuk reagoi ndaj kësaj. Më erdhi keq”, u shpreh Veleshnja gjatë intervistës.

    Nga ana tjetër, ai shtoi se ky qëndrim nuk është i izoluar vetëm në formatin televiziv, por reflektohet edhe në skenën muzikore. ”A i keni parë ndonjëherë Alban Skënderajn apo Elvana Gjatën të fitojnë çmime në Kosovë? Asnjëherë. Ndërkohë që artistët kosovarë në Shqipëri vlerësohen gjithmonë dhe fitojnë çmime kryesore”,-tha për Andale media.

  • ”Kitara”, Ylli dhe Tayna pushtojnë zemrat

    ”Kitara”, Ylli dhe Tayna pushtojnë zemrat

    Showbiz E Enjte, 12 Qershor 2025 18:24
    Yll Limani dhe Tayna sapo kanë publikuar këngën më të re të titulluar “Kitara”. Me muzikë dhe tekst të realizuar nga vetë artistët, kënga është prodhuar nga Fatjon Miftari, ndërsa pas gjithë projektit qëndron producenti ekzekutiv Bonart Ajvazi. “Kitara” është një kombinim perfekt mes vokalit të Yllit dhe stilit të guximshëm të Taynës. Dy artistët kanë sjellë një videoklip modern, energjik dhe vizualisht të fuqishëm, duke i dhënë një frymë të freskët tregut muzikor.

  • Bienalja e Maltës në 2026, shpallet thirrja për artistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë

    Bienalja e Maltës në 2026, shpallet thirrja për artistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë

    Bienalja e Maltës vitin që vjen do të zhvillojë edicionin e dytë. Artistët shqiptarë mund të marrin pjesë në këtë bienale në Maltë, që do të jetë më temën: Pastro | Qartë | Prerje. Në kuadrin e edicionit të dytë të bienales së Maltës, që do të mbahet nga 11 marsi deri më 29 maj 2026, me tematikën e zgjedhur për edicionin e dytë: Pastro | Qartë | Prerje, Ministria e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit një ditë më parë shpalli thirrjen për aplikim për artistët shqiptarë të interesuar. “Veprat dhe projektet e përzgjedhura do të lidhen me historinë dhe rrëfimet e mishëruara në vendet e trashëgimisë ku do të prezantohen, duke zgjeruar nocionin e specifikës së vendit dhe duke i bërë ato kuptimplote për audienca të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).
    Bienalja e Maltës 2026 do të adresojë disa nga nevojat e kohës sonë, duke promovuar dialogje midis trashëgimisë së pasur kulturore të arkipelagut maltez, mendimit bashkëkohor dhe praktikave artistike inovative dhe mendimit bashkëkohor. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka shpërndarë dhe linkun e bienales në faqen e saj, ku fton të gjithë ata artistë, që dëshirojnë të paraqesin projekte në përputhje me kornizën konceptuale të edicionit të dytë, të bëhen pjesë e aplikimeve! Afati i aplikimit për të qenë pjesëmarrës në bienalen e Maltës do të jetë deri më 30 qershor 2025.

  • TikTok prezanton “TikTok for Artists”, një platformë për të ndihmuar artistët

    TikTok prezanton “TikTok for Artists”, një platformë për të ndihmuar artistët

    TikTok njoftoi sot prezantimin zyrtar të TikTok for Artists (TikTok për Artistët), një platformë e orientuar drejt muzikës, e menduar për të ndihmuar artistët që të ndërtojnë karrierën e tyre.Prezantimi zyrtar vjen dy muaj pasi TikTok po testonte platformën në disa vende.Kjo platformë është krijuar për të ndihmuar artistët dhe ekipet e tyre për t’u lidhur më mirë me fansat, për të përmirësuar përpjekjet e tyre promovuese dhe për të njoftuar krijimin e përmbajtjeve në TikTok. Platforma u jep artistëve dhe ekipeve të tyre qasje në të dhëna rreth performancës së muzikës dhe të postimeve të artistit në TikTok.Këto metrika përfshijnë numrin e shikimeve, të postimeve dhe të përfshirjes së krijuesve për çdo këngë, përveç informacioneve të ngjashme rreth postimeve.Të dhëna të tjera përfshijnë informacione rreth ndjekësve të artistit, si mosha, gjuha dhe gjinia.TikTok for Artists ofron edhe udhëzues hap pas hapi për instrumentet dhe funksionet e TikTok, si dhe mbështetje dhe burime shtesë.Ndër të tjera, TikTok njoftoi edhe prezantimin e një funksioni të ri “Pre-Release”, që i lejon artistët të promovojnë publikimet e ardhshme të albumeve në TikTok. Ky funksion u mundëson fansave të ruajnë paraprakisht albumet në Spotify apo Apple Music, ku ato do të bëhen menjëherë të disponueshme për t’u dëgjuar pas publikimit.TikTok luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e tendencave muzikore dhe këngëve virale, ndaj është e logjikshme që kompania të krijojë një hapësirë të posaçme për të ndihmuar artistët të promovojnë më së miri përmbajtjet dhe të nxisë përfshirjen e fansave.TikTok for Artists mund t’i ndihmojë artistët të zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe të rrisin audiencën.TikTok for Artists është tani i disponueshëm në Indonezi, Japoni, Kore, Australi, Zelandën e Re, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Holandë, Suedi, Norvegji,Danimarkë, Egjipt, Liban, Arabinë Saudite,Emiratet e Bashkuara Arabe, Marok, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Meksikë, Brazil, Kolumbi dhe Argjentinë. Sipas TikTok, platforma do të jetë së shpejti e disponueshme në vende të tjera./ TechCrunchKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.