Nga Julia Vrapi
Mungesa e statusit të artistit, një kërkesë e bërë prej vitesh ka sjellë dhe kritika në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Në reagimet e tyre artistë të ndryshëm kanë sjellë në vëmendje herë pas here që Ministria e Kulturës të përmirësojë infrastrukturën ligjore, ku statusi i artistit është një kërkesë që vijon prej disa vitesh. Dhe kur jemi në muajt e fundit të këtij viti, artistët shprehen dhe me kritika ndaj Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Në reagimet e tyre ata thonë se është folur prej vitesh për çështje që kanë të bëjnë me ligjin e artit, etj, por statusi i artistit ka mbetur një premtim. Edhe pse më parë në qershor 2019 u bë me dije se Ministria e Kulturës është në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë për statusin e artistëve, ku u sollën në vëmendje dhe çështje të tjera si ligji i artit, ligji i pensioneve, etj, artistët ende janë pa status.
Tenori Rudi Sata thotë se ende nga institucionet nuk është kuptuar rëndësia e statusit të artistit. “Statusi i artistit është një term sa ligjor dhe profesional. Këtë nuk e kuptojnë dot të gjitha partitë politike që vijnë në pushtet, sepse e kanë pak problem në rastin konkret me statusin e artistit. Këta stepen me statusin e artistit, sepse kujtojnë që ka një faturë të madhe financiare. Faktikisht statusi i artistit nuk është vetëm thjesht një aspekt financiar. Këtu gabohen artistët dhe ata që drejtojnë Ministrinë e Kulturës. Iu bëj thirrje, që statusi i artistit është një status i një formati multifunksional, që do të thotë është sa ligjor dhe profesional e social. Pra ka tre kolona, kolona e parë ana profesionale, në kolonën e dytë ana ligjore dhe në kolonën e tretë ana sociale”, shprehet tenori Rudi Sata.
Statusi i artistit gjithëpërfshirës
Tenori Rudi Sata, që dhe më parë ka kërkuar një përmirësim të infrastrukturës ligjore në fushën e artit thotë se që nga viti 2009 ka qenë kërkesë statusi i artistit. Por tenori Sata shpreh kritika dhe për ligjin e pensioneve. “Kërkesa për statusin e artistit është kërkuar të paktën rregullisht që në vitin 2009. Këta në vend që të bëjnë statusin e artistit që është gjithëpërfshirës do bëjnë ligjin për pensionet. Nuk mund të merret ligji për pensionet i ndarë. Duhet statusi i artistit, jo vetëm ligji për pensionet. Ligji i pensioneve është një kapitull më vete, që është pjesë e statusit të artistit. Ministrit të Kulturës Blendi Gonxhja i kërkoj që të implementojë statuset e artistëve siç i ka BE”, thotë tenori Rudi Sata ndër të tjera.
Tenori Rudi Sata në janar të viti 2024 iu drejtua dhe me një letër të hapur ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që përmbante disa nga problemet që shqetësojnë komunitetin artistik në vend, mes tyre dhe statusi i artistit që ka vite që flitet, por ende mungon. Por për problemet në art dhe kulturë shprehet dhe piktori Adrian Devolli me kritika ndaj Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Inovacionit. Piktori thotë se artistët nuk janë sa duhet në vëmendjen e institucioneve, kjo duke nisur dhe nga përmirësimet në infrastrukturën ligjore në fushën e artit.
“Këtu edhe mund të ketë ndonjë letër të shkruar, por këtu problemet janë të mëdha. Statusi i artistit, etj, por këto janë njerëz që nuk tregohet vëmendja që duhet ndaj zhvillimit të artit dhe kulturës. Flasin, por çfarë ndodh me artistët? Po sjell në vëmendje ekspozitën që u hap këto ditë, “Nëntori”. Bëhet një ekspozitë nga disa njerëz që kanë përkushtim dhe nuk fitojnë asgjë. Aty qeranë ditore të ekspozitës e kanë çuar 100 mijë lekë të vjetra në ditë”, thotë piktori Devolli. Statusi i artistit, kushtet e punës, si dhe të tjera probleme të jetës artistike janë diskutuar dhe më parë mes artistëve. Më herët dhe drejtues të SPASH kanë shprehur se Ministria e Kulturës nuk i ka dhënë vëmendjen e duhur artistëve, ku një nga kërkesat e tyre ka qenë dhe përmirësimi i ligjit të artit.
Tag: artistët
-

Artistët pa status, vite pritje dhe kritika ndaj Ministrisë së Kulturës
-

“Fest 64” mbahet më 17 deri 20 dhjetor/ Marrin pjesë 28 këngëtarë, fituesi shkon në Eurovizion
Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, Fest 64 do të mbahet në datat 17, 18 , 19 dhe 20 dhjetor.
Teksa numërimi mbrapsht ka nisur gjithçka është gati për të sjellë tek publiku festën e madhe të muzikës së lehtë shqiptare.
Për 4 net me radhë 28 artistët pjesëmarrës do të ngjiten në skenën prestigjioze në Pallatin e Kongreseve ku do të performojnë këngët e tyre përpara publikut e jurisë, si edhe do të garojnë për çmimet e këtij viti.
Prej ditësh kanë nisur tashmë dhe provat, ku artistët pjesëmarrës dhe Orkestra Simfonike e RTSH-së, së bashku me këngëtaret po punojnë për të gjitha detajet, përgatitjet dhe emocionet që pritet t’i dhurojnë publikut përgjatë 4 netëve live të Festivalit.
Provat po zhvillohen në Sallën e Orkestrës Simfonike, artistët po punojnë nga afër me Orkestrën për të ndërtuar interpretimin live të çdo kënge, duke përshtatur detajet muzikore sipas konceptit të tyre artistik.
ObserverKult
Lexo edhe:
ORËT E FUNDIT TË ORNELLA VANONIT/ IKONA E MUZIKËS ITALIANE KËRKOI AKULLORE DHE PASTAJ VDIQ, U GJET E PAJETË NGA…
-

Maks Velo: Mendoja se kisha shokë, ata ishin përbindësha që raportonin te Sigurimi
Arkitekti dhe artisti i njohur, Maks Velo, tashmë i ndjerë, pati akuzuar kolegët e tij artistë, të cilët e kishin raportuar në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktaturës. Gjatë promovimit të materialeve të dosjes së tij të Sigurimit të publikuara në një libër, Velo tregoi se si vetë artistët e kishin akuzuar atë për modernizëm dhe dekadencë.
Velo e cilësoi Lidhjen e Shkrimtarëve një qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, ku analizoheshin dhe kontrolloheshin të gjitha punimet artistike qoftë në letërsi, ashtu dhe në artet e tjera. Dhe ishin, sipas Velos, po artistët e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët bënin analiza artistike dhe ideologjike të veprave artistike të kërkuara nga Sigurimi i Shtetit.
Duke cituar një emër të përveçëm, Llambi Blido, Maks Velo tha se ai kishte bërë 27 denoncime, të cilat i ka hedhur poshtë dhe Sigurimi i Shtetit si të pavërtetuara.
Ai pati akuzuar Edison Gjergon apo Safo Markon, të cilët edhe ishin të goditur nga Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunonin me të. Me trishtim dhe aspak optimist për të ardhmen, Maks Velo shprehej se nuk po i ndahet përndjekja dhe në ditët tona.
Velo tregoi se pasi i kanë marrë shtëpinë e gjyshërve në Dardhë të Korçës, e kanë penguar të shkojë në fshatin e të parëve, madje duke e kërcënuar. Duke denoncuar edhe nivelin aktual në arte, Velo kërkoi veting si ai i gjyqtarëve, edhe për artistët.
Por dëshpërimin më të madh arkitekti e pati lidhur dhe me Teatrin Kombëtar. Sipas tij, vendimi për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një Teatër të ri bashkë me një kompleks kullash, Maks Velo e cilësoi korrupsion të pastër. “Të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme”, u pati shpreh Velo.
Nga: Maks Velo
Libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam vite që e them se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr. Kur e thosha këtë, të gjithë më dilnin kundër, tani kur lexon librin, e kupton që kjo është e vërteta. Po ashtu dhe ai dokumenti që doli dje te “Panorama” për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shapllo dhe Llazar Siliqi për dramat e Fadil Paçramit.
Po si mund të futësh në burg një dramaturg meqenëse personazhet thonë këto gjëra?! Që kur ka lindur drama e deri më sot, meqenëse personazhet mund të thonë disa gjëra, duhet të futet çdo dramaturg në burg?! Nuk futet piktori në burg pse nuk të pëlqen piktura e tij, kjo ishte Lidhja e Shkrimtarëve, ky ishte Dritëroi. Duhet ta kemi të qartë.
Dritëroi po të ishte i drejtë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte larguar. Ai i dinte të gjitha, ekspertizat e gjyqit për artistët janë bërë nga Lidhja.
Lidhja e Shkrimtarëve nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte të gjithë artistët. Si është e mundur që Llambi Blido ka bërë 27 denoncime dhe duke gënjyer madje, sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë: “Këto informacione që na jep Llambi, nuk na vërtetohen nga anë të tjera”.
Ose i jep Llambit çantën që të vijë te studioja ime dhe Llambi do jepte informacione dhe njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta që të vërtetonin se kush gënjente. Unë nuk arrij ta kuptoj, thonë në një vend në dosje, se si është e mundur që Maksi i beson akoma. Po si mund të mos i besoj unë një piktori, një artisti?! Çfarë bëja unë? Unë nuk thosha, do vras Enver Hoxhën! Të shohësh një libër për Pikason me vizatime, nuk është krim.
Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz. Për Edisonin (Gjergon) më ka ardhur keq, nuk e besoja se Edisoni bënte raporte. Unë Edisonin e njihja që ishte natyrë e dobët, por në fakt e doja, më erdhi keq kur lëshoi ato deklarata dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë, kjo është një gjë e trishtuar, por ne duhet ta analizojmë sepse ka rrezik që kjo histori të na rikthehet në forma të tjera. Dëgjova vajzën e Llambit, që thotë se “babai im ka qenë burri i mirë dhe Maksi nuk di çfarë flet…”.
Si nuk i vjen turp që nxjerr nga goja këto fjalë?! Mua m’u shkatërrua e gjithë familja, babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg, që ishte kirurg i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë. Çfarë njerëzish janë këta xhanëm?! Çfarë shpirt krimineli kemi?! Nuk arrij ta kuptoj! Si na ka bërë kështu ajo çadra e Urdoglusë?!
Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safo Markon, se i kishin arrestuar djalin, ajo më raportonte mua te Sigurimi. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!
Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijo, sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë, më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.
Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën, kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur.
Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë.
Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët.
Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara.
Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë, unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme./Mapo.al
ObserverKult
Lexo edhe:
MAKS VELO, PIKTORI QË U BURGOS NGA REGJIMI KOMUNIST
-

Artistët: Ministria e Kulturës nuk mund të heshtë përballë degradimit institucional të një trupe kombëtare
Nga Julia Vrapi
Cirku Kombëtar një institucion artistik, i cili është përballur me probleme të ndryshme përgjatë aktivitetit të tij, por sipas artistëve Ministria e Kulturës nuk mund të heshtë përballë degradimit institucional të një trupe kombëtare. Prej disa vitesh Cirku Kombëtar nuk ka më as çadrën e tij për shfaqje, që po vijojnë këtë sezon artistik në skena të teatrit në Tiranë. Artistë të ndryshëm në reagimet e tyre kanë sjellë në vëmendje jo vetëm kushtet e punës që sipas tyre janë larg asaj që duhen për një institucion kombëtar arti, por dhe të tjera probleme. Një formular pyetësor nga institucioni për punonjësit e Cirkut Kombëtar ka sjellë këto ditë reagimin e disa prej artistëve. Edhe pse në formular thuhet se qëllimi është për të kuptuar përvojën në punë, të identifikohet nevoja për përmirësim apo dhe sigurimi i një ambienti pune të shëndetshëm e pozitiv, artistët shprehen se kjo degradon profilin e institucionit me 65 vite histori.
Artisti Julian Kazazi thotë se Cirku Kombëtar nuk është një repart eksperimental. “Shpreh publikisht refuzimin tim për të plotësuar këtë formularë poshtërues, që ul dinjitetin e artistëve dhe degradon profilin e institucionit tonë kombëtar me 65 vite histori. Cirku Kombëtar nuk është një repart eksperimental i këtyre drejtuesve të përkohshme, por një institucion i trashëgimisë artistike kombëtare. Artistët nuk mund të trajtohen me metoda amatore dhe anketa psikologjike të importuara nga praktika joartistike, që nuk lidhen me artin, repertorin, vizionin, publikun apo misionin kombëtar të këtij institucioni”, thotë artisti Kazazi në reagimin e tij të bërë publik.
Artisti Julian Kazazi që dhe më parë ka folur për problemet me të cilat përballet ky institucion artistik prej disa vitesh, e quan këtë formular pa bazë ligjore. Ndër të tjera sipas tij arti nuk matet me anketa, por me vizion dhe me punë. “Një formular i tillë, pa bazë ligjore, pa protokoll institucional dhe pa miratim nga organet artistike përkatëse, është një akt degradues që cënon integritetin dhe dinjitetin e trupës. Ky veprim nuk ka as vlerë dhe as moral institucional, përkundrazi, është një mjet presioni dhe intimidimi, që turpëron traditën e institucionit dhe fyen artistët që e mbajnë gjallë. Artistët nuk frikësohen. Arti nuk matet me fletë/anketa, por me vizion, me punë, me repertor, me publik dhe me përgjegjësi”, thotë Kazazi.
Ministria nuk mund të heshtë
Prej 13 vitesh Julian Kazazi vijon aktivitetin si artist profesionist i punësuar pranë Cirkut Kombëtar në Tiranë, ndërkohë që tani është edhe president i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë. Ai thotë se përballë problemeve me të cilat përballen artistët, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit nuk duhet të heshtë. “Nëse drejtimi aktual i institucionit nuk është në gjendje të prodhojë vizion, sezon artistik, strategji kombëtare dhe kushte dinjitoze pune, atëherë problemi nuk është tek artistët por problemi është tek drejtimi. Në këtë pikë, i bëj thirrje Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, që të reagojë publikisht dhe të distancohet menjëherë nga praktika të tilla poshtëruese. Ministria nuk mund të heshtë përballë degradimit moral dhe institucional të një trupe kombëtare.
Heshtja do të nënkuptonte tolerim”, vijon Kazazi. Në gjendjen që ndodhet sot Cirku Kombëtar, artisti Julian Kazazi thotë se institucioni artistik ka nevojë për kushte pune. Ai thotë se institucionet shtetërore duhet të mbrojnë dinjitetin e artistëve. “Cirku ka nevojë për, kushte pune, hapësira profesionale dhe vizion, jo për eksperimente amatore mbi njerëzit që i shërbejnë artit. Unë refuzoj ta nënshkruaj këtë formular. Dhe do të mbroj deri në fund dinjitetin e profesionit tim dhe institucionit ku shërbej”, thotë më tej artisti Julian Kazazi, i cili prej 13 vitesh vazhdon aktivitetin si artist profesionist i punësuar pranë Cirkut Kombëtar.
Artistët kanë nevojë për kushtet e punës
Reagimit të artistit Julian Kazazi i bashkohet dhe një tjetër artiste e njohur në aktivitetin e saj artistik Eris Hoxha Dakli, e cila thotë se ka refuzuar të plotësojë formularin pyetësor për punonjësit. Mjeshtre pranë trupës së Cirkut Kombëtar dhe kryetare e Sindikatës, Eris Hoxha Dakli gjithashtu i bën thirrje Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit që të reagojë, pasi sipas saj është një formular që nuk ka vlerë institucionale. “Si mjeshtre e trupës së Cirkut Kombëtar dhe Kryetare e Sindikatës, shpreh shqetësimin tim të thellë për mënyrën poshtëruese dhe joprofesionale me të cilën po trajtohemi si artistë. Unë refuzova ta firmos këtë formular, sepse nuk ka as bazë ligjore, as vlerë institucionale dhe asnjë lidhje me misionin tonë artistik.
Artistët kanë nevojë për respekt, kushtet e punës, siguri, repertor dhe vizion, jo për formular presioni që synojnë nënshtrimin e zërit të lirë. I bëj thirrje ministrisë që të reagojë dhe të vendosë standard, sepse një institucion kombëtar nuk mund të drejtohet me metoda intimidimi dhe pseudo-psikologjike, por me transparencë, plan artistik dhe përgjegjësi publike. Ne do të mbrojmë dinjitetin e artistit dhe misionin e cirkut”, shprehet Eris Hoxha Dakli mjeshtre e trupës së Cirkut Kombëtar. Cirku Kombëtar shqiptar është një institucion artistik me traditë të gjatë në vend, që ndër vite ka luajtur një rol të rëndësishëm në pasurimin e kulturës kombëtare, por sot kur nuk ka më as çadrën për shfaqje, artistët në reagimet e tyre i janë drejtuar herë pas here Ministrisë së Kulturës për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen në aktivitetin artistik, që sipas tyre nuk kanë gjetur zgjidhje. -

Shkrim prekës i mikut për Koço Devolen: Duhet të ikje që ta kuptonim se kush na la…
Koço Devole
Nga Pëllumb Kulla
Na la Koço Devole!
Bota na është varfëruar…
Na ike në prag të një Vitit të Ri… Lajmi na hidhëroi, na nxiu, na ngrysi. Ky ishte vetëm reagimi i parë, se më pas ne, me të kujtuar çaste të bukur nga jeta me ty, nisëm të qeshnim përsëri… Mbase kështu duhen përcjellë artistët e vërtetë të humorit, ata, që si ti, lindin njëherë në 200 vjet.Ja, ti je nga ata të paktët, nga ata të rrallët, që vajtohen me gaz në buzë. Ashtu të vajtuam. Sa zili ta kemi ikjen!
Kur mund t’i bëhet njeriut zemra mal kur i ikën një mik i shtrenjtë?! Duket si prapësi, por ja që ndodhi me ty! Gazetat, kanalet televizive, të parët e vendit, të gjithë të kishin në gojë. Ishte një ikje e bujshme e jotja, Koço. U krijua një det i gjerë, një oqean me shfaqje dashurie. Dukej si festë e çuditshme… Ne pamë mrekullinë.
Gjynah, që njeriu nuk e gëzon ikjen e tij! Dhe ky oqean dashurie nuk ishte i shtirur, apo i organizuar.
Ndofta ngaqë u kujtuam, u kujtuam se çfarë po humbnim.
Shohim telefilmin tënd “Milioneri” me atë hallexhiun që po i bëhen 30 vjet që kërkon dhe nuk po i rikthehen pronat që ka patur. Sa bukur tingëllon graviteti i temës, loja jote e gjallë!… Asnjëri nga ne, artistët që lëvruam satirën, deri më sot nuk ka arritur një shpërthim të tillë satirik mbi mashtrimin historik të ndryshimeve.
O Koço Devole!… Cila qe ajo hyjni që të mëkoi me ndjeshmërinë e lartë që ti t’i jepje artit tënd këtë forcë?! Cila hyjni të mëkoi me mësimin që arti duhet të ketë përmbajtje të tilla shoqërore dhe kurrë të mos bëhet shërbim për nevojat banale të të qeshurës?
Kush ta mëkoi trimërinë të zbulosh parreshtur dhe pa drojë, anët qesharake të regjimeve, të pushteteve, të kameleonizmit të politikanëve? Në artin tënd nuk mungon asnjë nga kryekrerët e vendit të shqipeve, qëkur nisi jeta mbi këtë copë tokë të dashur e qëkur filluan qeverisjet radhë-radhë.
Sa bukur tallesh ti me mitet e historisë, me datat e ngjarjeve… Mjafton të kërkosh në youtube me atë ushtarin Nazist, ku Ballisti e do që ai të dalë nga Shqipëria e çliruar bash që atë ditë, më 28 nëntor dhe Partizani e kërcënon ta vrasë po doli nga kufiri përpara dates 29!…
Koço i shtrenjtë!… Të paktë ishit ju që i patët kthyer studiot e televizionit në punishte të bukura! Ti ishe njëri nga ata që punoi më shumë se të tjerët, për të flakur tej shtirjet propagandistike, direktivat nga lart.
Kurrë nuk u panë moderatorë, prezentatorë, që të administronin, si ti, gazin dhe brohorimat, në stadiumet dhe pallatet e sportit me katër a pesë mijë vetë, që vinin për ty dhe për të ftuarit artistë, shoqet dhe shokët e tu!
E këto ti, Koço i arrite, se e jetove jetën me nder dhe varfëri, me profesionalizëm dhe etje për kërkime!…
Duhet të ikje, o mik, që ne ta kuptonim se kush na la… Që ne nuk e kemi më mes nesh, këtë artist të kompletuar… Ja, tek filmi “Milioneri” që përmenda më lart… Teknika e skenarit, ritmi, regjia, loja e përkryer aktoriale, dëshmojnë se ti, Koço Devole, je, – jo ishe… Je, Je!
Ti je i të njëjtës racë, je anëtar i familjes së madhe të Çaplinëve dhe Beninjëve, që në një film dinjitoz ata bëjnë dhe shkrimin, dhe regjinë, dhe rolin qendror, dhe dekorin, dhe muzikën… Bile dhe afishën e filmit!…
Shpirti yt, o Koço Devole, u bëftë dritë për artistët e rinj që do të lindin mbi këtë truall të dashur!
*Titulli i origjinalit: “UDHËTO NËPËR KUJTIMET TONA, KOÇO!”
*Teksti është shkruar një vit pas vdekjes se Koços
LEXO EDHE: BATUTAT E FUNDIT TË KOÇO DEVOLES: IRONIA ME VDEKJEN, NISHANIN DHE HUMORI ME POTURET E RAMËS
-

Julian Kazazi: Artistët në Shqipëri të pambrojtur, institucionet shpesh përdorin largimin nga puna si mjet presioni
Prej 13 vitesh Julian Kazazi vijon aktivitetin si artist profesionist i punësuar pranë Cirkut Kombëtar në Tiranë. Por një ditë më parë gjatë një deklarate për mediat ai ka bërë me dije po ushtrohet presion dhe tentativa për heqje nga puna. Edhe në një intervistën për gazetën “SOT” artisti Julian Kazazi thotë se kjo po ndodh, sepse ai ka ngritur zërin kundër shkeljeve administrative dhe keqmenaxhimit të institucionit. Kazazi thotë se artistët në vendin tonë janë ndër kategoritë më të pambrojtura, sipas tij sot ata punojnë pa garanci reale. Por përballë problemeve me të cilat përballen artistët në aktivitetin e tyre, ai thotë se Cirku Kombëtar duhet të jetë një qendër kombëtare e artit të spektaklit, me një infrastrukturë të re, me program sezonal, me shkollë cirku dhe me bashkëpunime ndërkombëtare, ku sipas tij për këtë po lufton dhe komunisti i artistëve. Por për çfarë po ndodh me jetën artistike në vend dhe problemet me të cilat përballen artistët në institucionet e artit, Julian Kazazi që është edhe presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë (SPAKMSH) shpreh kritika dhe për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ndër të tjera ai thotë se nga ministria artistët kërkojmë përgjegjshmëri, standarde dhe dialog. Ministria sipas Kazazit duhet të garantojë funksionim normal të institucioneve, jo klimë presioni ndaj artistëve; mbështetje dhe jo braktisje për komunitetin artistik.
-Ju jeni shprehur se prej muajsh po përballeni me tentativa të përsëritura për largimin tuaj nga puna pranë Cirkut Kombëtar. Çfarë ka ndodhur?
Prej më shumë se një viti jam përballur me presion të vazhdueshëm institucional, penalizime të pajustifikuara dhe tentativa të përsëritura për të më larguar nga puna, vetëm sepse kam ngritur zërin kundër shkeljeve administrative dhe keqmenaxhimit të institucionit. Si artist dhe si përfaqësues sindikal, më është bërë e qartë se problemi nuk është tek puna ime profesionale, por tek fakti që nuk kam pranuar të hesht përballë abuzimeve, mungesës së transparencës dhe përpjekjeve për të mbytur zërin e punonjësve. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë sindikale dhe të drejtës për t’u organizuar.
-Ndërkohë a u zhvillua seanca dëgjimore për ju, ashtu si kishit bërë me dije?
Po, seanca dëgjimore ishte caktuar për të premten nga ana e punëdhënësit, por që në nisje u vu re se procesi nuk kishte as transparencë, as paanshmëri dhe as punëdhënësi nuk qëndroi në seancë por u largua. Në vend që të qëndronte për të më informuar për “shkeljen” time, kishte ngritur me urdhër një komision pa tagër administrativ për vendimarrje. Kërkuam që seanca të shtyhet në një moment të dytë.-Ka pasur dhe raste të tjera në institucione kur artistët janë përballur me presione për largime nga puna, por për ju sot sa janë të mbrojtur artistët?
Fatkeqësisht, artistët në Shqipëri janë ndër kategoritë më të pambrojtura. Sot ata punojnë pa garanci reale, me kontrata të brishta, shpesh të varur nga vullneti i drejtorit të radhës apo sipas direktivave të strukturës së ministrisë përkatëse. Mjafton një mendim ndryshe, një kërkesë ligjore apo një zë kritik, dhe rrezikon karrierën. Rasti im dhe disa raste të tjera të fundit tregojnë qartë se mungon një sistem i mbrojtjes së punonjësve të artit dhe se institucionet shpesh përdorin largimin nga puna si mjet presioni. Artistët nuk duan privilegje, duan vetëm të respektohet ligji dhe profesioni i tyre.
-Ju jeni dhe kreu i SPAKMSH . Duke qenë në këtë sindikatë në drejtim të saj, me çfarë problemesh përballen sot artistët?
Problemet janë të shumta, por do të veçoja katër kryesoret: Mungesa e kontratave të sigurta dhe shkeljet e kontratave kolektive; Ndërhyrje politike dhe presion në institucionet artistike; Mungesa e statusit të artistit, që do të garantonte të drejta minimale profesionale; Zero dialog social me politikëbërjen kulturore. Ne kemi kërkuar prej kohësh Statusin e Artistit, dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës kundër abuzimit të pushtetit. Artistët nuk mund të trajtohen si të përkohshëm në institucionet që vetë ata i mbajnë gjallë.
-Në gjendjen që është sot Cirku Kombëtar, çfarë shikoni problematika, duke qenë se nuk ka më as çadrën e tij ?
Sot Cirku Kombëtar është në pikën më të dobët të historisë së tij 65-vjeçare. Pa shtëpi, pa investime, pa vizion artistik, dhe me një klimë të brendshme frike e presioni ndaj artistëve. Por, pavarësisht kësaj, unë besoj se ky institucion ka potencial të ringrihet fuqishëm, nëse ka vullnet dhe profesionalizëm. Cirku nuk mund të jetë as strehë klientelistësh e as platformë presioni mbi artistët. Ai duhet të jetë një qendër kombëtare e artit të spektaklit, me një infrastrukturë të re, me program sezonal, me shkollë cirku dhe me bashkëpunime ndërkombëtare. Ky është vizioni ynë si komunitet artistësh dhe për këtë po luftojmë.
-Në situatën që ndodheni ju apo të tjerë artistë që hasin probleme, çfarë kërkoni nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në lidhje me institucionet?
Sot ne shohim një distancë të madhe mes ministrisë dhe realitetit të institucioneve artistike. Ministria ndërhyn fort në emra drejtorësh, por shumë pak në mbrojtjen e artistëve dhe funksionimin profesional të vetë institucioneve. Në një kohë kur duhej dialog, shpesh kemi heshtje; në një kohë kur duhej transparencë, kemi procedura të mbyllura; dhe në një kohë kur duhej vizion, kemi improvizim. Në shumicën e rasteve kur artistët kanë denoncuar shkelje, presion apo abuzime me funksionin, institucionet e varësisë kanë mbetur pa përgjigje konkrete. Kjo krijon një kulturë frike brenda institucioneve dhe një mesazh të rrezikshëm: drejtuesit e emëruar janë të pakontrolluar, ndërsa artistët e pambrojtur. Ne nuk kërkojmë përplasje me ministrinë, kërkojmë përgjegjshmëri, standarde dhe dialog. Ministria duhet të garantojë: Funksionim normal të institucioneve, jo klimë presioni ndaj artistëve; Mbështetje dhe jo braktisje për komunitetin artistik; Zbatim të ligjit, e jo tolerim të shkeljeve; Dëgjim, konsultim dhe dialog social me sindikatat dhe trupat profesionale. Institucionet e kulturës nuk janë zyrë pune për të emëruar njerëz, por tempull i artit. Artistët nuk janë staf i bindur në heshtje, por njerëzit që mbajnë mbi shpinë identitetin kulturor të vendit. Derisa të kuptohet kjo në nivel qeverisës, konfliktet do të vazhdojnë dhe kultura do të mbetet pa drejtim. Ne nuk do të dorëzohemi dhe as nuk do të heshtim. Çdo formë presioni, shantazhi institucional apo tentativë për të mbytur zërin e artistëve do të marrë përgjigje të barabartë, ligjore dhe publike. Nëse institucionet vendase zgjedhin të mbyllin sytë dhe të mbrojnë abuzimin në kurriz të artistëve, atëherë ne do t’i drejtohemi çdo institucioni kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë organizatat europiane të punës, sindikatat partnere dhe mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, për të garantuar të drejtat tona. Liritë sindikale nuk negociohen, dinjiteti i artistit nuk shkelet dhe e drejta për të denoncuar padrejtësinë nuk mund të ndëshkohet. Kush mendon se mund ta kontrollojë artin me frikë, do të përballet me ligjin dhe me rezistencën tonë të hapur. Ne do të qëndrojmë deri në fund, sepse arti nuk pranon skllavëri, arti kërkon liri.
Intervistoi: Julia Vrapi -

Artistët e Ansamblit Popullor me koncerte në Itali
Folklori shqiptar u përcoll me koncertet e artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Bolzano dhe Roverto të Italisë. Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhuruan shfaqje, ku këngët dhe vallet e të gjitha trevave shqiptare u bënë urë mes kulturave, duke sjellë për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar shpirtin, ngrohtësinë dhe krenarinë e trashëgimisë sonë kombëtare. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se pas Bolzanos, Rovereto i priste artistët për një tjetër shfaqje të jashtëzakonshme. Koncertet e artistëve të Ansamblit Popullor në Itali janë në vijim të atyre më parë në aktivitetin artistik.
Më herët kur u prezantua dhe kalendari artistik i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në program ishin dhe dy koncerte në Itali, që u zhvilluan këto mbrëmje tetori. Folklori popullor u përcoll me koncerte nga artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore edhe përgjatë stinës së verës në qytete të ndryshme të vendit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. -

Aubrey O’Day reagon pas dënimit të P. Diddy: Artistët e rinj të kenë kujdes nga pushteti që abuzon
Pas dënimit me më shumë se katër vjet burg të P. Diddy, ish-anëtarja e grupit “Danity Kane”, Aubrey O’Day, ka reaguar me një mesazh të fortë në rrjetin social X, duke paralajmëruar artistët e rinj për rreziqet që fshihen pas famës dhe industrisë muzikore.
Në një deklaratë të sinqertë, O’Day u bëri thirrje të gjithë artistëve të rinj që të jenë të kujdesshëm ndaj individëve në pozita pushteti që tejkalojnë kufijtë e tyre personalë. “Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për individët e rinj dhe ambiciozë që po ndjekin ëndrrat e tyre”, shkroi ajo, duke shtuar se pasojat e abuzimeve shpesh nuk reflektojnë realisht dhimbjen që përjetojnë viktimat.
Artistja theksoi se nëse dikush në një pozitë autoriteti kërkon më shumë sesa duhet, është thelbësore të tërhiqesh dhe të mbrosh veten. “Asnjë ëndërr, sado e ndritshme të jetë, nuk mund ta tejkalojë dhimbjen dhe shfrytëzimin që mund të vijë nëse qëndroni”, shtoi O’Day.
Ajo përfundoi mesazhin e saj me një thirrje për të dëgjuar intuitën dhe për të mos qëndruar në situata të dyshimta: “Mirëqenia juaj vlen më shumë se çdo mundësi.”
Ky reagim i saj ka marrë mbështetje të gjerë në rrjete sociale, ndërsa debati për abuzimin e pushtetit në industrinë e muzikës mbetet në qendër të vëmendjes. -

Bastisje, gjoba dhe fshehtësi: Brenda ‘botës së fshehtë’ dhe të paligjshme të tatuazheve në Korenë e Jugut
Kur Kim Chan-hoe shkon në punë, ai e mbyll derën me çelës dhe kontrollon kamerat e sigurisë, për t’u siguruar që nuk ka ndonjë polic përreth. Ai nuk e përmend profesionin e tij të përhershëm kur aplikon për kredi bankare, duke e ditur se do ta refuzonin menjëherë. Ai thotë se është raportuar në polici kaq shumë herë dhe është detyruar të paguajë gjoba të rënda, saqë tashmë policët e njohin.
Kjo sepse Kim është një artist tatuazhesh — një profesion që ka qenë i paligjshëm për dekada në Korenë e Jugut, edhe pse është bërë gjithnjë e më i popullarizuar.
“Kur hyj në një stacion policie apo një zyrë qeveritare, ata nuk më shohin si një artist i aftë tatuazhesh — më shohin vetëm si një kriminel me tatuazh”, thotë Kim, i cili ka 17 vjet që merret me tatuazhe dhe është pronar i studios Red Waikiki në Seul.
Kjo më në fund ndryshoi të enjten, kur parlamenti i vendit votoi unanimisht në favor të një projektligji historik për legalizimin e tatuazheve — të cilat më parë mund të bëheshin vetëm nga profesionistë mjekësorë.
Ka qenë një betejë e gjatë për të arritur deri këtu, me projektligje të ngjashme që kishin dështuar në të kaluarën. Por kësaj here, artistët ishin më shpresëplotë — presidenti i sapozgjedhur Lee Jae Myung, i cili është autoriteti përfundimtar për nënshkrimin e një ligji, kishte premtuar gjatë një kandidimi të mëparshëm për presidencë që do ta legalizonte këtë industri.Për shumë vëzhgues të jashtëm, ndalimi mund të duket konfuz dhe kontradiktor. Megjithëse, është një profesion i paligjshëm, tregu i tatuazheve në Korenë e Jugut ka lulëzuar në hije. Artistët më të mirë fitojnë çmime në konkurse ndërkombëtare dhe fansat e apasionuar udhëtojnë nga jashtë për të bërë tatuazh.
Ndërkohë që kufizimet zbatohen ndaj ‘artistëve të tatuazheve’, të kesh tatuazhe nuk është e paligjshme. Nëse ecën nëpër rrugët e kryeqytetit plot gjallëri, me shumë gjasa do të shohësh tatuazhe të ekspozuara hapur – veçanërisht tek të rinjtë koreano-jugorë, të cilët po e përqafojnë gjithnjë e më shumë këtë formë arti. Rritja e industrisë e ka bërë ndalimin edhe më zhgënjyes, për ata që merren me të.
“Shumë artistë tatuazhesh po largohen nga Koreja, po aplikojnë për viza dhe po zhvendosen jashtë vendit. Kjo ndodh sepse nuk po njihen ligjërisht këtu”, tha Kim, i cili punon me emrin Sulhong – pseudonimet janë një masë paraprake e zakonshme për artistët që shmangin përdorimin e emrave të tyre të vërtetë.
“Ka qenë një situatë e vështirë, por… shumë prej nesh ndiejmë se fundi për ndalimin e pazakontë po afrohet”, shtoi ai, duke folur për CNN përpara votimit të së enjtes. “Është një përvojë shumë emocionale”.
Një industri në rritje
Ndalimi daton që nga viti 1992, kur Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut vendosi se injektimi i tatuazheve është një procedurë mjekësore — e cila, sipas Ligjit për Shërbimet Mjekësore të vendit, mund të kryhet vetëm nga profesionistë të licencuar në fushën e mjekësisë. Kjo vendimmarrje pasqyronte opinionin publik të asaj kohe, i cili i konsideronte tatuazhet si tabu. Një pjesë e kësaj lidhjeje negative vinte nga praktika mesjetare e përdorimit të tatuazheve për të ndëshkuar kriminelët, gjatë Dinastisë Goryeo në Kore.
Perceptimet nisën të ndryshonin në Korenë e Jugut gjatë viteve 2010, teksa tatuazhet u bënë më të përhapura në Azi dhe në mbarë botën, të përqafuara edhe nga yje të mëdhenj koreanë si këngëtarët G-Dragon dhe Lee Hyori, si dhe reperi koreano-amerikan Jay Park.“Kemi marrë shumë kërkesa nga klientë që thonë: ‘Dua një tatuazh si i këtij personi”, tha Kim. Për shembull, ai tha se ka bërë “gati një mijë” tatuazhe të frymëzuara nga dizajnet e G-Dragon.
Me rritjen e kërkesës, artistët koreanojugorë — të cilët kishin punuar në heshtje për vite me radhë — filluan të fitonin më shumë njohje. Një nga artistët më të famshëm të vendit, i njohur profesionalisht me emrin Doy, thuhet se ka bërë tatuazhe për personazhe të famshëm si aktorët Brad Pitt dhe Lily Collins. Industria është bërë plot jetë dhe e shumëllojshme, me artistë që ofrojnë stile nga më të ndryshmet, që nga ai tradicional amerikan e deri tek ai në stil akuareli — megjithatë, Koreja e Jugut është veçanërisht e njohur për tatuazhet e vogla dhe të imëta të tipit “fine line”, të cilat janë shumë të pëlqyera tek brezi i ri, tha Sisi, një artiste tatuazhesh që punon në studion e Kim në Seul.
Kjo shumëllojshmëri është e dukshme edhe brenda studios së tyre të përbashkët. Tatuazhet e Kim janë në stilin neotradicional, i cili karakterizohet nga vija të trasha dhe ngjyra të forta, shpesh me imazhe të kafshëve si gjarpërinj, tigra apo lejlekë; ndërsa tatuazhet e Sisit janë lozonjare, me mace të stilizuara në formë vizatimesh dhe lule me ngjyra neon si rozë apo blu.
CNN e identifikon Sisin me pseudonimin profesional, që ajo përdor në punën e saj.Tatuazhet kozmetike, siç janë makijazhet gjysmë të përhershme, janë bërë gjithashtu shumë të njohura. Një prodhues bojërash për tatuazhe vlerësoi në vitin 2018 se rreth 10 milionë koreanojugorë kishin tatuazhe kozmetike gjysmë të përhershme, ndërsa tre milionë kishin tatuazhe të përhershme, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut.
Deri në vitin 2019, vlerësohej se kishte rreth 20,000 artistë tatuazhesh në Kore që punonin me tatuazhe të përhershme, duke kontribuar në një industri me vlerë rreth 200 miliardë uon koreanë (afërsisht 144 milionë dollarë) në vit, sipas Shoqatës së Tatuazheve të Koresë. Por ende ka kundërshtarë të vendosur, sidomos brenda komunitetit mjekësor, të cilët protestuan me zë të lartë kundër projektligjit – i cili, sipas Yonhap, synon të licencojë zyrtarisht artistët e tatuazheve dhe të kërkojë trajnime për higjienën dhe sigurinë.
“Ky është një përpjekje jashtëzakonisht e rrezikshme legjislative që trondit themelin e ligjit mjekësor dhe do të çojë në pasoja që rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e publikut”, shkroi Shoqata Mjekësore Koreane, e cila thotë se përfaqëson 130,000 mjekë në të gjithë vendin, në një postim në Facebook në muajin gusht, kur projektligji filloi të fitonte mbështetje.
Shoqata argumentoi se tatuazhet “konsiderohen një procedurë mjekësore”, që mbart rrezikun e efekteve anësore serioze dhe kërkoi që projektligji të tërhiqet.
Punë “në hije”
Për artistët, mungesa e mbrojtjes ligjore sillte rreziqe dhe sfida të përditshme aq rraskapitëse, saqë Kim tha se “ka dashur të heqë dorë nga ky zanat çdo vit”. Sipas ligjit, kjo vepër dënohet me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë deri në 50 milionë uon (rreth 35,860 dollarë), dhe policia është e detyruar të hetojë çdo rast të raportuar.
Por në praktikë, ndalimi zbatohet lirshëm, tha Kim, me gjobat që zakonisht variojnë nga një deri në pesë milionë uon (rreth 717 deri në 3,590 dollarë). Artistëve u lejohet kryesisht të vazhdojnë punën më pas.Në shumë mënyra, është thjesht një formalitet, thanë Kim dhe Sisi. Por është gjithashtu një kujtesë e vazhdueshme – ndonjëherë e kushtueshme – për statusin e tyre sipas ligjit.
Kim tha se ai raportohet mesatarisht rreth dy herë në vit, me secilin rast që sjell muaj të tërë hetimesh. Ndonjëherë raportohen disa anëtarë të studios njëkohësisht – nga klientë të pakënaqur, konkurrentë ose thjesht kritikë të industrisë së tatuazheve, shtoi ai. “Për shembull, ka pasur një rast kur katër ose pesë prej nesh u raportuam së bashku, dhe përfundimisht paguam gjithsej gati 10 milionë uon koreanë (rreth 7,170 dollarë) në gjoba”, tha artisti.
Gjatë një bastisjeje para disa vitesh, Sisi kujton. “Dyqani po funksiononte normalisht, dhe pastaj papritur dikush që u shtir si klient, doli të ishte polic. Ata erdhën gjatë një seance dhe disa persona që po punonin në atë moment, u kapën”.
Artistët përballen gjithashtu me kufizime të tjera të prekshme, si detyrimi për të punuar në vende të fshehta. Në vend që të kenë dyqane në katin përdhes me tabela publike që reklamojnë studion, shumë artistë punojnë në studio të fshehura në katet e sipërme të ndërtesave. Është e zakonshme që studiot të mos pranojnë pagesa me kartë krediti nga klientët, pasi nuk njihen nga shteti.
Kur plotësojnë dokumente zyrtare apo aplikojnë për kredi, “shumica e njerëzve ndoshta do të shkruanin ‘freelancer’ në vend të profesionit të tyre,” duke ditur që do të refuzoheshin nëse do të pranonin se janë artistë tatuazhesh, tha Sisi.Këto kufizime i kanë rënduar artistët ndër vite. “Edhe kur menaxhoj ekipin tim, më është dashur të përballem me momente kur pyes veten: pse po e bëj këtë, për një profesion që as nuk njihet?”, tha Kim. Shpresa e tij më e madhe qëndron te projektligji, që është në pritje. Nëse miratohet, përveçse do të heqë pengesat e përditshme, “ndryshimi më i rëndësishëm është se më në fund do të mund të themi, me krenari: ‘Ky është profesioni im’”, tha ai.
Çfarë vjen më pas
Sapo Lee të japë miratimin përfundimtar për projektligjin, qeveria do të ketë dy vjet kohë për të hartuar udhëzime të reja nënligjore — duke e lënë industrinë e tatuazheve në një zonë të përkohshme gri, ku do të jetë teknikisht e ligjshme, por ende pa rregullime të plota. Rregullorja mund të përfshijë rregulla mbi higjienën dhe sigurinë, kualifikimet ose certifikatat e kërkuara, dhe mbrojtje të tjera për klientët dhe artistët.
Por Kim shprehu besim në këtë proces, duke thënë se artistët si ai nuk po përgatiteshin për këtë moment vetëm prej javësh apo muajsh — por se ata kanë pritur për dekada.
“Pas gati 20 vitesh që bëj këtë punë, ndihet sikur më në fund po njihemi për ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj kulture”, tha ai. “Një person që vizaton në letër konsiderohet artist, dhe një person që vizaton në lëkurë është gjithashtu artist”, tha ai. “Por pse është kështu që në gjithë botën, tatuazhet konsiderohen art, ndërsa në Korenë e Jugut ato kategorizohen si procedurë mjekësore sipas ligjit mjekësor? Prandaj po punojmë për të mbrojtur këtë kulturë — që tatuazhet të njihen si art”. -

Osman Mula: Vjedhje dhe neglizhencë fatale për krijuesit, që quhet mohimi i së drejtës së autorit
Nga Julia Vrapi
Zbatimi i së drejtës së autorit vazhdon të mbetet problem për krijues të muzikës. Herë pas here autorë të ndryshëm kanë shprehur probleme, por sipas tyre ka një neglizhencë nga institucionet në vend. Kompozitori Osman Mula “Mjeshtër i Madh”, i cili ka reaguar dhe më parë për problemet me të cilat përballen krijuesit thotë se nuk bëhet sa duhet për të drejtën e autorit në vend. Në një reagim të tij kompozitori Osman Mula shprehet ndër të tjera se artistin nuk e mban politika, por rregullat që botohen në kushtetutë si e drejtë e pamohueshme e autorit. “Vazhdoj të them me forcë për vjedhjen dhe neglizhencën fatale për krijuesit, që quhet mohimi i të drejtës së autorit. Bota ka dekada dhe shekull, që autorët i paguan dhe ja ruan privatësinë si gjë të shenjtë dhe nuk mund të luash me to se do paguash gjobë të madhe sa nuk del nga borxhi kurrë. Atëherë si mbahet artisti? Artistin nuk e mban as shteti as politika, por rregullat që botohen në kushtetutë si e drejtë e pamohueshme e autorit”, shprehet kompozitori i njohur Osman Mula. Reagimin e tij për të drejtën e autorit kompozitori Osman Mula e ka ndarë edhe në rrjete sociale, ku dhe të tjerë krijues i janë bashkuar për problemet që shpreh. Kompozitori Osman Mula sjell në vëmendje dhe se si prodhohen albumet muzikore jashtë vendit dhe se si paguhen artistët. Sipas tij nëse ka sukses një artist fillojnë dhe bisedimet mes producentëve për realizimin e një spektakli, etj. “Artisti prodhon albume me anë të menaxherëve, avokatëve mbrojtës që përpilojnë kontratat, shtëpitë diskografike, studiove private dhe është një rreth, që secili i di detyrat dhe i zbaton ato. Pasi realizohen albumet shiten. Më të ardhurat marrin hakun çdo hallkë dhe pasi forcojnë të ardhurat vazhdojnë projektet e tjera. Kështu ndodh kur këngëtari ka sukses me albumin e ri fillojnë bisedimet mes producentëve për realizimin e spektaklit në stadiume e me radhë. Njëri merr përsipër anën teknike si skena, fonia, ndriçimi, transmetimi në Tv, shitjen e biletave, spoteve, reklamave, etj. Pra këtu s’ka asnjë ndërhyrje politika, përveç asaj artistike”, shprehet kompozitori i njohur Osman Mula në reagimin e tij.
Ndërhyrja e politikës
Osman Mula kompozitor, drejtues i festivaleve dhe emisioneve të muzikës ndër vite shprehet se jemi i vetmi vend i botës pa distribucion. Ai thotë se artisti nuk mund të prodhojë dot album muzikor, pasi ka vështirësi në shpërndarje, por dhe i vetëm nuk mund ta realizojë dot një koncert. “Çfarë ndodh tek ne: Artistët nuk prodhojnë albume se nuk ti porosit kush se nuk ke kompani shpërndarëse as dyqane që shet apo blen kaseta. I vetmi vend i botës pa distribucion. Radiot nuk ti marrin se nuk ti paguajnë dot. I vetëm nuk mund të realizosh koncert në stadium se duhet buxhet shumë i madh. Edhe ndonjë kangë që mund të merret nga interneti nuk paguhet. Hiq një buxhet të vogël, që jep RTSH, por as ajo nuk mjafton kur shpërndahet thjesht 10.000 lekë në vit për krijuesin”, thotë kompozitori Osman Mula. Sipas tij përballë kësaj gjendje dhe duke mos funksionuar asgjë ka ndërhyrje të politikës te artistët. Kompozitori Mula shprehet se politika i ndan artistët në parcela dhe ka prej tyre që vrapojnë drejt përfitimeve. “Atëherë këtu, duke mos funksionuar asgjë futet politika. Do koncert ti të bësh? Të jap unë si bashki, por do më bësh reklamë mua do më ftosh në mes të recitalit, do më falenderosh dhe do ti thuash publikut: Këtyre jepjani votën. Atëherë artisti lëpihet vihet në shërbim të politikës për mbijetesë dhe fillon fushatën me shefin e qeverisë qysh në avion. I jepen salla, lekë pa fund. I fton në ekran, i krijon mundësinë që të prishet gjysma e parkut se do vihet skenë për recitalin e filanit, etj. Të tjerëve i thotë merrni nga një pemë filloni fushatën për ne t’ju japim pension të veçantë. Kështu që, politika me realizimin e një lufte të re të klasave i ndan artistët në parcela. Ky është i imi ky tjetri jo. Ato që nuk janë me mua le të falimentojnë. Dhe artistët vrapojnë për të kapur llogmat e lëpirjes”, shprehet kompozitori Mula në reagimin e tij.
Si do të mbijetojnë artistët?
Kompozitori Osman Mula sjell në vëmendje se e drejta autorit ka qenë dhe te pikat që Këshilli i Europës vite më parë i vuri detyrë politikë shqiptare. Por sipas tij ende sot krijuesi sot është pa përkrahje. “Para disa vitesh Këshilli Europës i vuri 10 pika detyrë politikës, ku njëra ishte respektoni të drejtën e autorit. Sot Europa hesht, bashkë me to edhe shteti se nuk i leverdis se do lëpirësit. A mund të zgjidhet pagesa e të drejtës së autorit? Po. Siç ke vënë sahatin për ujë e drita ke organizmat, që monitorojnë mediat dhe transmetimet Radio – Televizive. Po, pse si më kërkon llogari kur fshatarin për 20 000 lek të vjetra e fut në burg për mospagim dritash ? Po pse krijuesin e lë kështu, që ta tërheqësh nga hunda ti si politikë edhe ta bësh skllav? Dhe thonë patronazhistët: Artistët s’duhet të merren me politikë, po mirë po pse politika merret me artistin dhe ja merr frymën?”, shprehet Mula. Krijues e artistë të ndryshëm përballen me jo pak vështirësi në aktivitetin artistik, por në vijim të reagimit të tij kompozitori Osman Mula thotë se nuk duhet të heshtet. Kompozitori shtron pyetjen, si do të mbijetojnë artistët. “Po ti Europë pse hesht se ti i di çdo thotë të mos e paguash një kompozitor apo regjisor a këngëtar e poet ?! Ne një jetë kemi dhe këtë profesion të nderuar kemi, po si atëherë do mbijetojmë? Si do mbajmë familjet?”, vijon kompozitori Mula. Ndërsa krijues të ndryshëm flasin për respektimin e ligjit, kjo gjë ka sjellë dhe më parë diskutime. Dikur dhe dëgjesa publike nga Ministria e Kulturës për ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit riktheu debatet për zbatimin e tij.
Vëmendja e munguar ndaj krijimtarisë kombëtare
Për autorë të muzikës duhet bërë më shumë edhe për promovimin e krijimtarisë muzikore shqiptare në vendin tonë. Por dhe kompozitori Osman Mula shprehet se bota ka një ligj, që nuk e diskuton që në çdo shtet 70 për qind e muzikës duhet të jetë nacionale për të mbajtur gjallë krijimtarinë kombëtare dhe për të paguar krijuesin. “Në gjithë rajonin tonë dhe në të gjithë vendet e botës së tretë paguhet e drejta e autorit. Këtu mbaron shkollën për regjisor, por s’ka skena as kinostudio për të realizu film, por se mos kena kinema. Kur nuk realizon asgjë nuk përfiton. Ky është falimentim total. Sot rrugët e botës i pastrojnë shqiptarët, që kanë mbaruar fakultete dhe lozin Rahmaninov ! Së fundi; nëqoftëse kërkoni të shkoni në Europë mendojeni mirë të drejtën e shenjtë të ruajtjes dhe të pagesës së krijimtarisë artistike se nuk ka gjykatë në botë që të bën derman. Dilni artista nga zgjedha e frikës dhe mbroni të drejtën tuaj se lëpirja të lë rrugës”, shprehet Osman Mula në fund të reagimit të tij. Osman Mula “Mjeshtër i Madh” është nga regjisorët më të njohur në RTSH, drejtues i festivaleve, emisioneve të muzikës, saksofonist i talentuar dhe kompozitor i vlerësuar me çmime ndër vite. Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente dhe që e ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe duke e harmonizuar me modernen.