Ka nisur sot testimi ndërkombëtar PISA 2025, që do të zhvillohet në 160 shkolla të vendit, ku marrin pjesë 6,330 nxënës 15-vjeçarë, për vlerësimin e njohurive dhe kompetencave të tyre në lexim, lëndët shkencore dhe matematikë, vlerësim që do të zhvillohet online.
Gjatë një takimi me mësuesit në gjimnazin “Sami Frashëri”, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, u shpreh se janë marrë masat që ky testim të pasqyrojë realisht nivelin e përgjithshëm të arsimit në Shqipëri, punën e të gjithë mësuesve, si dhe arritjet dhe kompetencat e fituara nga nxënësit.
“Ne kemi punuar gjatë gjithë vitit sepse duam që ky vlerësim dhe testim për ne të jetë një testim realist dhe të tregojë vërtetë ato kontribute dhe vlera të arsimit shqiptar. Është një vlerësim që pasqyron nivelin e arsimit në vend, punën e të gjithë mësuesve dhe arritjet dhe kompetencat e fituara nga nxënësit e moshës 15 vjeçare.”,- tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit ka vlerësuar rëndësinë e këtij testimi, teksa tha se përgatitjet për të janë kryer për nxënësit, mësuesit dhe infrastrukturën e duhur.
“Unë jam e bindur që angazhimi i madh i nxënësve dhe mësuesve do të na bëjë ne te kemi rezultate të mira në rezultatin e radhës, tashmë jemi të përgatitur me mësuesit, me infrastrukturën e duhur sepse testimi është online për të tre degët”, – tha Ministrja Manstirliu.
Qëllimi i testit PISA (Programme for International Student Assessment) është të vlerësojë se sa mirë janë të përgatitur nxënësit 15-vjeçarë (zakonisht në klasën e 9-të ose të 10-të) në lexim, lëndët shkencore dhe matematikë, në kontekstin për të përballuar sfidat reale të jetës. Testimi do të zhvillohet sipas një kalendari në dy javët në vijim në shkollat në të gjithë vendin.
Përgatitjet për testimin PISA kanë nisur prej 1 viti, me trajnimin e mësuesve, ku janë trajnuar 1000 mësues si dhe realizimin e testeve prove për nxënësit. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hartuar dhe po zbaton një plan të detajuar për përmirësimin e rezultateve në PISA 2025, i cili përfshin: analiza të thelluara të rezultateve të mëparshme, trajnime periodike për mësuesit në fushat kyçe, si dhe zhvillimin e materialeve mbështetëse për mësimdhënie.
Tag: arsimit
-

“Testohen mbi 6 mijë 15-vjeçarë”/ Nis vlerësimi ndërkombëtar PISA 2025, Manastirliu: Plan masash për trajnimin e mësuesve dhe përgatitjen e nxënësve!
-

Rama: 70 institucione të arsimit në Durrës kanë rilindur
“Dhe me këtë buqetë të bukur investimesh në qytetin e Durrësit, ku falë drejtimit dinjitoz të kryebashkiakes Emiriana Sako, si edhe mbështetjes së fuqishme të qeverisë, kanë rilindur 70 institucione të arsimit; shkolla, kopshte, çerdhe, sipas standardeve më të mira europiane, duke iu ofruar fëmijëve tanë kushtet dhe aksesin që ata meritojnë të kenë, njëjtë si bashkëmoshatarët e tyre në Europë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe disa pamje nga shkollat e kopshtet e ndërtuara.
-

‘Ogerta Manastirliu thirrje prindërve të votojnë symbyllur PS’/ Këlliçi: Skandaloze! SPAK të zgjohet…
Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun Tiranë, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor, pasi ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, i ka bërë thirrje publike prindërve të nxënësve të votojnë masivish me symbyllur PS-në.
Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi ka publikuar thirrjen e Manastirliut, ku njëkohësisht i ka bërë thirrje SPAK që të zgjohet dhe të veprojë duke ndërmarrë veprime konkrete.
‘Partia Demokratike i bën thirrje drejtësisë të reagojë pasi rasti i abuzimit me detyrën është flagrant. TASK FORCA e SPAK të zgjohet dhe të ndërmarrë veprime konkrete menjëherë. Partia Demokratike i siguron qytetarët se me votën e tyre me 11 Maj këto skandale e turpe institucionale do të marrin fund një herë e mirë!’, shkruan Këlliçi.
Postimi i plotë:
SKANDALOZE!!!
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu u bën thirrje prindërve që të votojnë symbyllur PS-në!
Ky është një tjetër rast skandaloz i konfliktit të hapur dhe të qartë të interesit.
Në një kohë kur administrata publike duhet të jetë apolitike, organizata kriminale e Edi Ramës jo vetëm që i shndërron ata në patronazhistë, por vetë Ministrja e Arsimit merr guximin të orientojë prindërit e nxënësve se ku duhet ta hedhin votën. Madje ta bëjnë edhe me sytë mbyllur!!!!!
Partia Demokratike i bën thirrje drejtësisë të reagojë pasi rasti i abuzimit me detyrën është flagrant. TASK FORCA e SPAK të zgjohet dhe të ndërmarrë veprime konkrete menjëherë.
Partia Demokratike i siguron qytetarët se me votën e tyre me 11 Maj këto skandale e turpe institucionale do të marrin fund një herë e mirë!
Me programin e Partisë Demokratike, buxheti i arsimit dyfishohet, arsimi transformohet në drejtim të teknologjisë digjitale dhe brezi i ri edukohet me një model të ri, larg mësimit fiktiv dhe vrasjes së mendimit kritik.
Një Shqipëri më e mirë për të gjithë është e mundur 🇦🇱

