Tag: arsimit

  • Vuri në lojë Ministrinë e Arsimit nën emrin Klea Rama/ Piranjat sjellin biografinë e personit që fshihej pas këtij mashtrimi

    Vuri në lojë Ministrinë e Arsimit nën emrin Klea Rama/ Piranjat sjellin biografinë e personit që fshihej pas këtij mashtrimi

    Keni menduar ndonjëherë se cili mund të jetë mashtrimi perfekt? Në fakt, janë shumë dhe vështirë të gjesh atë që mund të fitojë në këtë kompeticion personazhe që gjenialitetin e kanë vënë në shërbim të së keqes.

    Piranjat sonte do të sjellin rastin e Klea Ramës, personit imagjinar, që u hoq si mbesa e kryeministrit dhe që arriti të vinte në lojë sistemin tonë arsimor.

    Ky mashtrim nisi dy vite më parë, kur në Ministrinë e Arsimit arriti një email përmes të cilit kërkohej bashkëpunim për një projekt. Kjo mbesë, deri atëherë krejt e panjohur për kryeministrin, pretendonte se jetonte në SHBA dhe se udhëhiqte projektin në fjalë, në të cilin donte të përfshinte shkollat shqiptare, me qëllim që në të ardhmen nxënësve t’i ofroheshin mundësi studimi në Amerikë. Do të ishte vërtetë e bukur nëse nuk do të ishte e gjitha një sajesë nga një person që për kohën ishte ende i panjohur, sepse në fakt asgjë nuk ishte reale, projekti jo e jo, por as mbesa e zotit Rama.

    Por pavarësisht kësaj, Klea Rama iu hapën të gjitha dyert. U deshën vetëm tre ditë pas emailit që, në mungesë të plotë të hallkave të verifikimit, projekti të miratohej dhe t’i delegohej për zbatim Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit.

    Personi direkt përgjegjës për kalimin pa asnjë kontroll të projektit ishte zëvendës ministrja e arsimit, Nina Guga. Menjëherë pas kësaj, projekti u shpërnda në ZVA, duke përfshirë një numër të madh shkollash të mesme, nga veriu në jug të Shqipërisë, me qëllimin e vetëm: bashkëpunimin me Amerikën. E ç’të shihje pas kësaj!

    Nxënës që studionin fort për projektin, duke ëndërruar për studimet përtej oqeanit, mësues që punonin jashtë orari për koordinimin, drejtorë dhe zv/ministra që dilnin publikisht duke përshëndetur Klea Ramën, të cilës nuk i njihnin as zërin dhe as fytyrën.

    Gjithçka mjaftohej vetëm me ca mesazhe në email dhe WhatsApp me mbesën e kryeministrit, e cila doli zbuluar vetëm pas një viti… kuptohet, pasi ishte përshëndetur dhe falenderuar nga nxënësit.

    Por kush fshihej në realitet pas këtij mashtrimi perfekt, që nën emrin Klea Rama arriti të hapte çdo derë në zyrat e shtetit?

    Bëhet fjalë për një 20-vjeçar nga fshati Çipan i Devollit, i quajtur Ermes Hoxhalli, student në Akademinë e Arteve, i cili sot është pas hekurave për veprën penale mashtrim kompjuterik dhe falsifikim të dokumentave, nga i cili nuk ka përfituar asnjë kokërr leku.

    Një gjeni i mashtrimit? Këtë po ia lëmë në dorë imagjinatës së secilit. Ajo që dimë me siguri është se këtu nuk kemi të bëjmë me një person të zakonshëm, prandaj vendosim që historinë e Hermesit ta nisim që nga gjeneza, atje në Çipan të Devollit, ku takuam të afërmit e tij, të cilët na përshkruan një Ermes krejt tjetër nga ai që krijoi këtë skemë.

    “Ishte djalë shumë i urtë, punonte me prindërit me bagëti, nuk dilte të dëfrehej si gjithë shokët, por rrinte vetëm me libra.”

    Të njëjtën gjë thotë edhe nëna e tij, ku mes lotësh përpiqet të shpjegojë se Ermesi nuk është ai që doli në media.

    “Djalin e kisha model, na ndihmonte, e rritëm me vështirësi, tani po e vuan dënimin për atë që bëri.”

    Piranjat takuan edhe mësuesen e tij të 9-vjeçarës, e cila tregoi se Ermesi shquhej në letërsi dhe se dëshironte të bëhej gazetar.

    “I kishte qejf esetë, ishte mirë në lëndët shoqërore, pëlqente gazetarinë.”

    Por pasi mbaroi shkollën 9-vjeçare, Ermesi udhëtonte çdo ditë drejt Devollit, në shkollën e mesme “Fuat Babani”, aty ku nisi të aktivizohet për herë të parë me trupat teatrore.

    “Kishte ëndrra për t’u bërë aktor i famshëm, ishte shumë gazmor, i zgjuar, luftonte shumë për të mbrojtur idenë e tij, angazhohej shumë në shkollë. Edhe nëse e ka bërë Ermesi, mendojmë se nuk i kuptonte pasojat. Ishte pak natyrë naïve, besonte shumë,” u shprehën shokët e tij të klasës.

    Por jo më naivë se koka e sistemit arsimor, Ministria e Arsimit, e cila ndërmori gjithë këtë aksion vetëm sepse po e kërkonte mbesa e kryeministrit.

  • “Po ble vota”/ Bllokoi makinën e drejtorit të Arsimit në Lezhë, Gjykata liron bashkëshortin e Elda Hotit

    “Po ble vota”/ Bllokoi makinën e drejtorit të Arsimit në Lezhë, Gjykata liron bashkëshortin e Elda Hotit

    Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë, duke vendosur masën “detyrim paraqitje”, bashkëshortin e deputetes së PD, Elda Hoti, Ladi Ndoja, dhe Amarildo Jushin, të arrestuar mbrëmjen e së shtunës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe“Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
    Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi Renuar Kola, 46 vjeç, drejtor i arsimit, dhe A.D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se po kryenin veprimtari për blerje votash.
    Pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në ato të shtetasve Ladi Ndoja dhe Amarildo Jushi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R.K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

  • Arsimi në fushatë: Si po përdoren nxënësit për kalendarin elektoral të Ramës

    Arsimi në fushatë: Si po përdoren nxënësit për kalendarin elektoral të Ramës

    Më 15 prill, sheshi “Skënderbej” në zemër të Tiranës u mbush me qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit dhe telajot e tyre në një aktivitet të titulluar “Europa në sytë e fëmijëve” –  pjesë e programit “Art, Zeje, Sport” të Ministrisë së Arsimit.
    Me ngjyra të ndezura mbi kanavacë, nxënësit pikturuan vizionin e tyre për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Por ka një problem; aktiviteti u zhvillua përgjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit dhe yjet e shfaqjes ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu – të dy drejtues të lartë të fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
    Aktivitete të ngjashme u zhvilluan më pas në Durrës, Berat, Vlorë, Elbasan, Shkodër e Fier, duke u bërë pjesë e kalendarit të fushatës së kryeministrit Edi Rama në këto qytete – edhe pse zyrtarisht, Ministria e Arsimit deklaroi se pikturat e fëmijëve po bëheshin në funksion të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 16 maj në Tiranë.
    Videot me fëmijët dhe pikturat e tyre shumëngjyrëshe u postuan gjithashtu në faqet e kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu në rrjetet sociale si dhe amplifikuan nga ndërveprimi i faqeve zyrtare të dhjetra shkollave, zyrave arsimore si dhe degët e Partisë Socialiste në qytete të ndryshme, duke gjeneruar qindra pëlqime, komente dhe shpërndarje në rrjetet sociale.
    Sipas Rigels Xhemollarit nga organizata “Qëndresa Qytetare”, ky është një rast tipik i përdorimit të sistemit arsimor për fushatë.
    “Aktivitete të tilla shihen në kuadër të përfshirjes së shtetit për fushatë, ku qeveria shfrytëzon aktivitetet e saj për propagandë elektorale,” tha Xhemollari.
    Kjo praktikë sjell sipas tij disa avantazhe për partinë në pushtet; së pari duke përdorur paratë publike në funksion të fushatës së vet si dhe amplifikimit të mesazhit përmes faqeve personale të Ramës dhe Manastirliut dhe ndërveprimit të tyre me faqet e institucioneve publike si shkollat apo zyrat arsimore.
    Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj në mënyrë direkte pyetjes për përdorimin e aktiviteteve publike në kuadër të fushatës elektorale, por tha përmes një zëdhënësi se ishin ndjekur të gjitha procedurat ligjore për informimin e strukturave të ministrisë apo institucioneve të varësisë për t’i zhvilluar aktivitetet në përputhje me detyrimet ligjore që rrjedhin nga Kushtetuta apo Kodi Zgjedhor.
    Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tha BIRN se Ministria e Arsimit i kishte raportuar aktivitetetet me pjesmarrjen e kryeministrit si “promovim i Art dhe Zeje” dhe sa i përket tematikës, këto aktivitete nuk përbëjnë veprimtari të ndaluara. Megjithatë, KQZ nuk i ka analizuar ende ato për të parë nëse ka pasur shkelje të parashikimeve ligjore.
    “Nëse aktivitetet e raportuara janë zhvilluar në kundërshtim me parashikimet ligjore të nenit 91, pika 2, të Kodit Zgjedhor dhe Vendimit nr. 9/2020, i Komisionit Rregullator, i ndryshuar, bazuar në raportet e monitorimeve ose në bazë të denoncimeve, KSHZ, i shqyrton këto veprimtari administrativisht dhe më pas vendos nëse janë konstatuar apo jo shkelje të ligjit,” tha KQZ.
    Përdorimi i rrjeteve sociale
    Maratona e vizatimit “Europa në sytë e fëmijëve” nuk është aktiviteti i vetëm i Ministrisë së Arsimit që ngre pikëpyetje për shkrirjen e kufijve mes burimeve publike dhe atyre partiake gjatë fushatës zgjedhore. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë gjithashtu për një angazhim kapilar të dhjetra shkollave dhe zyrave arsimore të vendit, të cilat përdorin faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale për të shpërndarë dhe pëlqyer postimet e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, njëherazi drejtuese politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës.
    Përmes një udhëzimi të miratuar në mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ndaloi funksionarëve publikë të çdo niveli që të përdornin direkt ose indirekt faqet zyrtare të institucioneve në rrjetet sociale për qëllime partiake apo elektorale.
    Në kundërshtim me këtë udhëzim, llogaritë zyrtare të dhjetra shkollave dhe zyrave arsimore ndërveprojnë, pëlqejnë dhe shpërndajnë postimet elektorale të ministres Manastirliu.
    BIRN monitoroi një duzinë rastesh, kur postimet partiake të ministres Manastirliu nga llogaria e saj personale në Facebook amplifikoheshin më pas nga faqet zyrtare të institucioneve arsimore.
    Ndërkohë, “Qëndresa Qytetare” ka dokumentuar 36 raste shkeljesh nga institucionet vartëse të Ministrisë së Arsimit, për të cilat ka vënë në dijeni edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të burimeve publike përmes sanksioneve.
    Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” i tha BIRN se pasi iu drejtuan KQZ-së duke dërguar fakte, ky institucion hartoi një udhëzues të posaçëm për institucionet arsimore. Megjithatë, Qiraxhiu është i shqetësuar se masat administrative janë të papërfillshme për të kufizuar aktivitetin elektoral të mësuesve apo administratës në fuqi.
    “Për fat të keq në Kodin Zgjedhor penalitet për këto shkelje janë shumë të ulëta, ku variojnë nga 10 dollarë në 1 mijë dollarë. Këto gjoba nevojiten të rishikohen dhe rriten për të garantuar mospërsëritjen e këtyre shkeljeve,” tha Qiraxhi.
    Presion mbi mësuesit
    Përveç aktiviteteve që përdoren si fasadë për fushatë apo angazhimit në rrjetet sociale, ekzistojnë shqetësime për presione direkte për mësuesit në favor të partisë në pushtet.
    Nevrus Kaptelli, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë i tha BIRN se drejtuesit e institucioneve arsimore po i urdhërojnë mësuesit që të marrin pjesë në organizime të ndryshme apo të përfshihen në fushatë.
    “Një pjesë e tyre, militantë, ku përfshihen edhe disa drejtues shkollash, janë vetëofruar të përdoren, pasi e ndjejnë si detyrim të përfitimeve që u ka ofruar pushteti, për të ruajtur pozicionet e tyre që jo rrallë herë i kanë të pamerituara,” tha Kaptelli.
    Shqetësime kanë krijuar edhe premtimet në prag të fushatës për përfitimin e kredive me interes zero për mësuesit apo për rritjen e pagave të tyre – që vlerësohen se krijojnë avantazhe për Partinë Socialiste në pushtet.
    “Ajo që për ne ka qënë shqetësuese, sidomos në rastin e kredive, është se nuk kemi të bëjmë me premtim elektorale, por me vendimmarrje, të cilat mund të sjellin avantazh direkt në procesin elektoral, duke vënë burimet shtetërore në funksion të këtyre avantazheve,” thotë Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”.
    Edhe Kaptelli nga Sindikata e Pavarur e Arsimit thotë se nuk mund të bëhet politikë me nevojat e mëdha të mësuesve në vend.
    “Rritja e pagave dhe kreditë me interes 0 nuk mund të përdoren si mjete për vota. Ato duhet të jenë objekt i diskutimit me partnerët socialë, në mënyrë që kreditë lehtësuese t’i përfitojnë mësuesët që vërtetë iu takojnë,” tha Kaptelli.
    Sa i përket rritjes së pagave, Kaptelli ankohet se mijëra mësues kanë pësuar ulje të pagës së grupit pas vendimit të qeverisë së vitit 2024 dhe pavarësisht kërkesave të Sindikatës, ende nuk i është dhënë zgjidhje nga Ministria e Arsimit.
    “Rritja e pagave në arsim është detyrë e cilësdo forcë politike që do të qeverisë pas zgjedhjeve, sepse arsimi është bërë profesion i pakërkuar nga të rinjtë dhe numri i mësuesve në sistem, jashtë profilit, po vjen gjithnjë e në rritje,” përfundoi Kaptelli./BIRN/

  • Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu: Korça ka qenë dhe duhet të jetë qyteti i tregtisë dhe i arsimit

    Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu: Korça ka qenë dhe duhet të jetë qyteti i tregtisë dhe i arsimit

    Nga Marinela Ziu
    Korça ka qenë qendra më e madhe tregtare dhe arsimore, pas Voskopojës, kryesisht pas viteve 1800. Arsimi i lartë në Shqipëri është sektori i shënjestruar nga qeveria për t’u shkatërruar, degraduar dhe shbërë. Qeveritë Rama 1, Rama 2, Rama 3, armike të dijes ia arritën qëllimit për ta shndërruar arsimin, fondamentin e kombit dhe shtetit, në një sektor grosist degësh dhe diplomash pa vlerë, të rankuara ndër të fundit në nivel botëror.
    Kemi një shtet të vogël, me më pak se 1.9 milionë banorë dhe me universitet thuajse në çdo qytet, si asnjë vend tjetër në Europë dhe në botë, në raport 1 universitet shtetëror për 130 mijë banorë, së bashku me universitetet private 1 universitet për 85 mijë banorë. Koalicioni Euroatlantik ka një program për arsimin në Shqipëri, me fokus Korçën!
    Idea jonë konsiston në Krijimin e Qendrës së Dytë Universitare në Shqipëri, në qytetin e Korçës. (Ndërsa në Elbasan planifikojmë të funksionojë për traditë Pedagogjiku dhe në Durrës Shkolla e Lartë e Marinës.) Shqipëria kështu, bëhet vend/shtet me dy qendra universitare dhe 2 satelitë universitarë të profilizuar. Korça duhet dhe e ka kapacitetin për të qenë Qendra e Dytë Universitare në Shqipëri. Në kapacite godinash dhe infrastrukture Universiteti i Korçës është i pari në Shqipëri, pas vlerësimit të fundit të Minsitrisë së Arsimit dhe komisionit të akreditimit.
    Ka konvikte dhe terren shtojcë përreth, që jep mundësinë e krijimit të një zone rezidencash studentore (përveç se ka më shumë se 1.000 apartamente bosh në qytet). Ky projekt i jep frymë qendrës më të madhe të arsimit në Shqipëri, atje ku shqipja mori trajtë dhe formë, atje ku u shkrua dhe u çertifikua si gjuhë, mes të tjerash. Pse Korça duhet të jetë Qendra e dytë Universitare në Shqipëri?
    Sepse Korça është vazhdim i Voskopojës.Në vitet 1700-1800 Akademi në Ballkan, kishte vetëm Athina dhe Voskopoja.Dhe Akademia e Voskopojës konsiderohet institucioni i parë i arsimit të lartë në kufijtë e shtetit shqiptar.
    Ndaj dhe bazuar tek programi ynë, Universiteti i Korçës, dy degë të tij Filozofinë dhe Historinë do i shtrijë në Voskopojë dhe studentët do të qëndrojnë atje përgjatë ciklit Bachelor, me auditore dhe mjedise akomodimi. Gjithashtu, në kampusin e Voskopojës do të funksionojnë disa cikle të nivelit Master.
    Korça e shpopulluar dhe e degraduar, me një prurje të re studentore prej 7 apo 8 mijë studentësh, ndryshon fizionominë e saj dhe merr jetë sërish.
    8 mijë studentë janë 8 mijë rezidentë, individë që kontribuojnë në ekonominë e Qarkut.8 mijë më shumë burime humane.
    Prezenca dhe funksionimi i QDU Korçë, rrit tregtinë, prodhimin, rriten të ardhurat, sistemi i ciklit ekonomik fillon të qarkullojë dhe funksionojë. Nj nismë e tillë incentivuese do të risjellë jetën në Qarkun e Korçës dhe do e bëjë atë ashtu siç e ka ndërmend çdo shqiptar.
    Dhe nëse disa nga diplomat do të fillojnë të jenë gradualisht të njehsuara me diploma universitetesh në BE (Greqi, Itali etj.), në Korçë do të vijnë edhe studentë nga Maqedonia, nga Kosova, por edhe vetë shqiptarë me banim në Greqi, do të dërgojnë fëmijët me studime në QDU Korçë.
    Dhe dy fjalë prej meje personalisht:Femrat e para shqiptare, që u diplomuan në universitet e botës janë korçare.Pedagoget e para në nivelin universitar në Shqipëri, janë korçare.E para anëtare e Akademisë së Shkencave është korçare.
    Për këto dhe për 1001 arsye të tjera Korça mund dhe duhet të jetë, pas Tiranës metropol, Qendra e Dytë Universitare në Shqipëri.
    Beso te Shqipëria✅ Voto4️⃣ Koalicioni Euroatlantik✅ Voto️ Marinela Ziu

  • Trump vazhdon luftën me Harvardin, Presidenti amerikan nuk e lejon universitetin më elitar në botë të kualifikohet për grante të reja federale

    Trump vazhdon luftën me Harvardin, Presidenti amerikan nuk e lejon universitetin më elitar në botë të kualifikohet për grante të reja federale

    Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dy urdhra ekzekutivë që synojnë të ndalojnë iniciativat e Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes (DEI) në universitetet amerikane, duke përfshirë Howard University.

    Urdhri Ekzekutiv 13999, titulluar “Duke i dhënë fund diskriminimit të paligjshëm dhe duke i rikthyer mundësitë e bazuara në meritë”, dhe Urdhri Ekzekutiv 14151, “Duke i dhënë fund programeve dhe preferencave radikale dhe të kota qeveritare të DEI-t”, kërkojnë eliminimin e këtyre programeve në institucione të arsimit të lartë që marrin fonde federale.
    Në përputhje me këto urdhra, Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) janë të detyruar të raportojnë strategjitë për të ndaluar diskriminimin dhe preferencat e paligjshme, duke përfshirë ato të DEI-t.
    Institucionet e arsimit të lartë me fonde mbi 1 miliard dollarë janë identifikuar si subjekte që do të hetohen.
    Howard University, një nga universitetet historikisht të zeza, ka një zyrë për Diversitet dhe Përfshirje dhe ka implementuar programe si Zyra e Çështjeve Ndërkulturore dhe qendra e burimeve për studentët LGBTQ+.
    Në përgjigje të urdhrave, universiteti ka deklaruar angazhimin e tij për të mbështetur përfshirjen dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë studentëve, duke theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ku çdo student ndihet i sigurt dhe i respektuar.
    Megjithatë, këto masa kanë shkaktuar shqetësime për ndikimin në financimin e universitetit. Në vitin fiskal 2025, Howard ka kërkuar 297 milionë dollarë në financim nga Departamenti i Arsimit, një ulje prej 57 milionë dollarësh krahasuar me vitin e kaluar.
    Në vitin fiskal 2023, universiteti mori 354,018 dollarë në financim nga Departamenti i Arsimit.

    Top Channel

  • Eksperti i arsimit: Rama gënjen, mësuesit dhe edukatoret paguhen më pak se sanitaret në QSUT

    Eksperti i arsimit: Rama gënjen, mësuesit dhe edukatoret paguhen më pak se sanitaret në QSUT

    Eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti, i ka dhënë një “shuplakë” shumë të fortë qeverisë duke thënë se rrogat për mësuesit dhe edukatoret janë më të ulëta se rroga e një punonjëse sanitare në QSUT.
    Ai ka renditur shumë problematika, të cilat hasin në arsim sot, duke nisur nga infrastruktura shkollore e deri te mungesa e trajnimeve për mësuesit.
    “Jemi të përgatitur në nivel pedagogjik, por jemi të papërgatitur në sistemin 12-vjeçar. Në këtë sistem vuajmë disa probleme shumë të mëdha. Kemi infrastrukturë të dobët shkollore, nuk kemi shkolla të digjitalizuara që t’u përgjigjen zhvillimeve, që janë sot Inteligjenca Artificiale dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
    Siç e pamë në studimin e fundit, ne kishim koeficientin e inteligjencës më të ulëtin në Ballkan dhe Europë. Kemi mësues të papërgatitur pasi nuk ka trajnime efektive, nuk kemi mësues të përgatitur të arsimit special. Po përpiqemi, por jo në ato nivele që do të dëshironim për fëmijët me aftësi dhe nevoja ndryshe.
    Kemi paga jomotivuese. Rroga mesatare nuk është në fakt 900 euro, pasi në sistemin 12-vjeçar marrin 680 euro maksimumi ai që ka vite të shumta pune. E të mos harrojmë që edukatoret e kopshtit dhe mësuesit e arsimit fillor, marrin paga qesharake. Pagat e kopshtit janë më të ulëta se sanitaret e QSUT-së që marrin 52 mijë lekë, ndërsa në kopsht mesatarisht marrin 44 deri në 46 mijë lekë. Në arsimin fillor maksimumi marrin 630 euro në muaj”, tha Mehmeti
    Po ashtu përmendi edhe dështimin me kartën e studentit, ku me nota ironie u shpreh se është e pavlefshme pasi u bë për të blerë mish e gogozhare apo për të shkuar në servis a thua se studentët të gjithë kanë “Ferrari” e nuk kanë ku ta riparojnë.
    “Pakti i Univeristetit ka shkelje ligjore për të cilat nuk përgjigjet askush. Kryeministri deklaroi se me urdhër të tij do të mblidhej GNP-ja që është Grupi Ndërinstitucional i Punës, i cili në mars 2019 duhet të përfundonte hartimin e të gjithë projektit të fizibilitetit dhe projektit të ndërtimit të kampusit të Tiranës, nuk u bë. Do të bëjmë një kampus në Durrës, nuk u bë. I vetmi univeristet në Europë që s’ka fjetina. Pakti për Universitetin u shkërmoq. Po të shohim shpenzimet e një studenti këtu janë shumë më të larta se në shtete të tjera. Një i ri edhe po të shkojë në fjetinat e qytetit Studenti duhet të paguajë vetëm për krevat, 70 mijë lekë të rinj në vit.
    Qeveria nuk arriti dot bibliotekën online, u dhanë 800 mijë euro, sot nuk e kemi aktive. Nuk arriti dot që të bëjë kartën e studentit të vlefshme, se u bë për të shkuar te Kulla e Sahatit, për të blerë mish e gogozhare e për të vajtur në servise a thua se studentët kanë të gjithë nga një ‘Ferrari’ e s’kanë ku ta riparojnë”, tha ai.

  • Shkollë e re në Astir, Manastirliu: Ky investim është një premtim i mbajtur për komunitetin e kësaj zone

    Shkollë e re në Astir, Manastirliu: Ky investim është një premtim i mbajtur për komunitetin e kësaj zone

    Në një nga hapësirat urbane që po njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm që ndodhet në njësinë Administrative 14, po hidhen themelet për ndërtimin e një shkolle të re, e cila do të funksionojë bashkë me kopshtin e ri dhe çerdhen e re.
    Shkolla e re po ndërtohet në rrugën “Muharrem Çaushi” dhe është një investim i qeverisë shqiptare në përgjigje të nevojës së komunitetit të Astirit.

    Kryeministri, Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani inspektuan nga afër punimet për ndërtimin e shkollës së re.
    Gjatë inspektimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi:
    “Duhet të ecim me një plan të ri për caktimin e objekteve arsimore për Tiranën që të shoqërohet edhe me shpronësimet ose me partneritetet kur marrim lejen e ndërtimit që të lëshojnë territor për shkollën. Ndërsa për çerdhet duhet të vazhdojmë për të marrë hapësirë të brendshme në godina për çerdhet.”Kjo shkollë po ndërtohet në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Europian, për një kapacitet prej 900 nxënësish, me 30 klasa, 8 laboratorë, terrene sportive, palestër, bibliotekë dhe hapësira të gjelbëruara, duke respektuar edhe nevojat e nxënësve apo personave me aftësi ndryshe.
    Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha gjatë inspektimit se kjo është një shkollat e reja që i shtohen zonave në zhvillim dhe lagjeve të reja të Tiranës.
    “Do të jenë 900 nxënës kryesisht në gjithë ciklin e arsimit 9-vjeçar, por do të kemi edhe dy klasa parashkollore dhe kjo është shumë e rëndësishme se gjithë ata nxënës apo fëmijë të vegjël të cilët duhet të shkojnë në kopësht edhe në pamundësi mund të kapin ciklin parashkollor dhe të futen direkt këtu. Do të kemi edhe klasën burimore për nxënësit me aftësi ndryshe dhe tashmë jemi duke e përfshirë në të gjitha shkollat si një standard të vendosur, duke qenë se kemi edhe mësuesit ndihmës.
    Ndërkohë që përsa i përket stafit mësimor tashmë me reduktimin e shkollave me dy turne, ku kemi reduktuar mbi 50% shkollat me dy turne, kanë mbetur vetëm 25 shkolla të cilat me rritjen e kapaciteteve dhe me ndërtimin e shkollave të reja, 5 janë në ndërtim ku kemi dhe zgjerim kapacitetesh, besoj që do t’i eliminojmë në katërvjeçarin e ardhshëm. Ky është një premtim i mbajtur dhe gjithë komuniteti i Astirit. është shumë i kënaqur me këtë realizim të këtij investimi Ndërkohë që do të kemi edhe 9-vjeçaren dhe shkollën e mesme në Kashar, e cila është afër dhe kemi edhe shkollën ‘Kol Jakova’ në njësinë 11, ç’ka bëhet një shpërndarje shumë e mirë për të gjithë.

  • ‘Reformë të thellë, që vendos në qendër studentin dhe mësuesin’/ Nako: Koalicioni PD-ASHM me plan konkret për shpëtimin e arsimit shqiptar

    ‘Reformë të thellë, që vendos në qendër studentin dhe mësuesin’/ Nako: Koalicioni PD-ASHM me plan konkret për shpëtimin e arsimit shqiptar

    Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Dea Nako, deklaroi se sistemi arsimor në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë që rrezikon të ardhmen e brezave të rinj dhe zhvillimin e vendit. Ajo theksoi mungesën e investimeve, largimin e mësuesve të kualifikuar dhe politikat e paqarta si faktorët kryesorë që po e dëmtojnë arsimin publik.

    Sipas saj, kjo krizë nuk është vetëm akademike, por edhe sociale, ekonomike dhe kombëtare. Nako bëri thirrje për një reformë të thellë dhe të ndershme që vendos në qendër nxënësin, studentin dhe mësuesin.

    Ajo prezantoi programin e koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i cili, sipas saj, ofron zgjidhje konkrete për arsimin. Propozimet përfshijnë rritjen e buxhetit për arsimin, akses universal në internet, përmirësim të kurrikulës kombëtare dhe mbështetje financiare për studentët.

    Gjithashtu, programi parashikon praktika pune për studentët dhe mbështetje për punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Sipas saj, këto masa do t’u japin të rinjve një shans real për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre.

    Nako e përmbylli deklaratën me thirrjen për të votuar Nr. 1 më 11 maj, për t’i dhënë arsimit dinjitetin që meriton.

    Deklarata e plotë:

    Sistemi arsimor në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë, e cila rrezikon të ardhmen e brezave të rinj dhe zhvillimin e vendit. Mungesa e investimeve në infrastrukturë, largimi masiv i mësuesve të kualifikuar, politikat arsimore të paqarta dhe mungesa e mbështetjes për studentët dhe pedagogët po e shkatërrojnë cilësinë e arsimit publik.

    Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme pa një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë. Ne jemi dëshmitarë të një realiteti ku universitetet janë lënë në mëshirë të fatit, shkollat e mesme përballen me mungesë librash, mjetesh bazë dhe staf të specializuar, ndërsa mijëra të rinj largohen çdo vit për të kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit.

    Kjo krizë nuk është vetëm akademike, ajo është sociale, ekonomike dhe kombëtare. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse një reformë të thellë, transparente dhe të ndershme në arsim, që të vendosë në qendër nxënësin, studentin dhe mësuesin.

    Programi i koalicionit  “ PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” , është një program konkret dhe mëse  i realizueshëm, ku i jepet një fokus i vecantë arsimit për ta cuar në nivelet që duhet dhe për t’ju dhënë të rinjve shqiptarë arsimimin që ata meritojnë.

    Ne propozojmë:

    Rritje të buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së, sepse nuk mund të ketë arsim cilësor pa investime serioze.
    Akses 100% në internet në shkolla, për të siguruar që çdo nxënës dhe mësues të ketë mjetet moderne të nevojshme për mësimdhënie dhe zhvillim.
    Një kurrikulë të fortë kombëtare, që forcon gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare, sepse identiteti ynë kombëtar duhet të jetë themeli i edukimit.
    Përgjysmim të tarifave të studimit dhe ulje të kostos së jetesës për studentët, që asnjë i ri të mos e lërë shkollën për arsye ekonomike.
    Praktika të detyruara pune për studentët, për t’i afruar me tregun e punës dhe për t’u dhënë përvojën e nevojshme që të jenë të gatshëm për sfidat e së nesërmes.
    Mbështetje për punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç, që ata të kenë një shans real për të ndërtuar një jetë të sigurt në Shqipëri.
    Ngritjen e qendrave të sipërmarrjes dhe inkubatorëve të biznesit, për të nxitur startup-et dhe inovacionin, sepse e ardhmja jonë varet nga kreativiteti dhe guximi i të rinjve tanë.

    Është koha për veprim. Është koha për t’i dhënë arsimit dinjitetin që i takon.
    Më 11 Maj, i japim përgjigjen që meriton kësaj qeverie , duke votuar Nr. 1, “PD – ASHM”.
    Faleminderit!

  • Partia e Lirisë: Do të rrisim buxhetin e arsimit në 5% të PBB-së

    Partia e Lirisë: Do të rrisim buxhetin e arsimit në 5% të PBB-së

    Partia e Lirisë thotë se sistemi arsimor në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë, e cila rrezikon të ardhmen e brezave të rinj dhe zhvillimin e vendit. Zëdhënësja e PL-së, Dea Nako tha se mungesa e investimeve në infrastrukturë, largimi masiv i mësuesve të kualifikuar, politikat arsimore të paqarta dhe mungesa e mbështetjes për studentët dhe pedagogët po e shkatërrojnë cilësinë e arsimit publik. Për të Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme pa një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë.
    ”Programi i koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, është një program konkret dhe mëse i realizueshëm, ku i jepet një fokus i veçantë arsimit, për ta çuar në nivelet që duhet dhe për t’u dhënë të rinjve shqiptarë arsimimin që ata meritojnë.

    PL propozon: Rritje të buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së: Akses 100% në internet në shkolla; Një kurrikul të fortë kombëtare; Përgjysmim të tarifave të studimit dhe ulje të kostos së jetesës për studentët; Praktika të detyruara pune për studentët;
    Mbështetje për punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç dhe ngritjen e qendrave të sipërmarrjes dhe inkubatorëve të biznesit, për të nxitur startup-et dhe inovacionin. Është koha për veprim. Është koha për t’i dhënë arsimit dinjitetin që i takon. Më 11 maj, i japim përgjigjen që meriton kësaj qeverie, duke votuar Nr. 1, “PD-ASHM”, u shpreh Nako.

  • “Rrënuan arsimin”, Meta akuzon Ramën: Një situatë e tillë dramatike mund ta ndryshojë vetëm opozita shqiptare dhe…

    “Rrënuan arsimin”, Meta akuzon Ramën: Një situatë e tillë dramatike mund ta ndryshojë vetëm opozita shqiptare dhe…

    Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për gjendjen e rëndë të arsimit në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Meta theksoi se arsimi shqiptar po përjeton një krizë të thellë, duke u përpjekur të mbajë pushtetin përmes shtimit të analfabetizmit dhe injorancës mes rinisë. Sipas tij qeveria e Edi Ramës e ka rrënuar arsimin, sepse e ka përbuzur gjatë tre mandateve qeverisëse. Meta gjithashtu theksoi se një situatë e tillë dramatike mund ta ndryshojë vetëm opozita shqiptare dhe me “PD-ASHM”.
    Postimi i Metës:

    Arsimi shqiptar po përjeton ditët më të këqia të tij për shkak të narkoqeverisjes, që ka bërë gjithçka për të shembur themelet e tij dhe për të instaluar padijen dhe injorancën me qëllimin e vetëm të mbajtjes së pushtetit.Analfabetizmi qoftë i plotë, qoftë ai funksinal, pra i mijra të rinjve që marrin dëftesa por që realisht nuk kanë as njohuritë minimale është shtuar në mënyrë kritike.
    Qeveria e Edi Ramës e ka rrënuar arsimin, sepse e ka përbuzur gjatë tre mandateve qeverisëse. Nga premtimi i 2013-s për buxhetimin e arsimit në mesataren e BE-së, sot jemi ende në nivelin 2.4%, më i ulëti në rajon. Jemi të fundit pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Mësuesit sot janë të keqpaguar dhe shkolla po braktiset. Mësuesia sot nuk shihet si një profesion që të garanton një jetë dinjitoze.
    Degët e mësuesisë tkurren me shpejtësi dhe vendi rrezikon të mbetet pa mësues brenda pak vitesh. Dhjetra shkolla mbyllen çdo fillim viti shkollor nëpër rrethe, ndërsa në Tiranë mësimi bëhet ende me turne. Nuk mbështetet kërkimi shkencor dhe nuk incentivohen talentet. Arsimi është në gjëndjen më të mjeruar që ka njohur ndonjëherë vendi. Dinjiteti i mësuesit është nëpërkëmbur nga qeveria e Edi Ramës, duke mos u vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm në edukimin e brezit të ri e duke u kthyer në një ushtar që shpërndan postimet e Kryeministrit.
    Një situatë e tillë dramatike mund ta ndryshojë vetëm opozita shqiptare dhe me “PD-ASHM”: Buxheti i arsimit do të dyfishohet për të shkuar në 5% të PBB. Pagat e mësuesve do të shkojnë në 1500 euro në krye të mandatit.Pagat për pedagogët do të shkojnë në 2000 euro. Numri i nxënësve në klasa do të reduktohet në 25, nga 40 që është sot në shumë shkolla. Do të dixhitalizohet thellësisht sistemi arsimor. Inovacioni do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Europian.
    Do të shpërndahen kupona 250 euro për çdo fëmijë në lagjet ku mungon shkolla derisa qeveria të hapë aty shkollën e re. Mësuesia dhe shkenca do të konsiderohen degë prioritare dhe do të mbështeten financiarisht.Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit. Arsimi Profesional do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit. Kurrikulat do t’i nënshtrohen një reformimi të thellë nga ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik, për të formuar të rinj me mendim kritik. Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit europian. Mbështetje e fortë e arsimit profesional dhe ekselencave në bizneset start-up
    VOTO NR.1 – Koalicioni “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”! VOTO ILIR METAJ- Qarku Tiranë