Numri i nxënësve të regjistruar në të gjithë sistemin arsimor në Shqipëri ka shënuar një rënie 1.5% në total për vitin shkollor 2024–2025, duke zbritur në 528,602 nga 536,780 që ishte një vit më parë. Megjithatë, kjo ulje është më e theksuar në arsimin 9-vjeçar, ku të dhënat tregojnë një tkurrje të ndjeshme me rreth 3% vetëm në një vit shkollor.Tkurrja e ishte shumë e fortë në arsimin fillor janë regjistruar 136,379 nxënës, nga 141,089 që ishin vitin e kaluar, duke reflektuar një rënie me mbi 4,700 nxënës ose -3%. Ndërkohë, në ciklin e lartë të arsimit bazë (klasat VI–IX), numri i nxënësve ka rënë nga 116,983 në 114,238 ose -2%. Në total, arsimi 9-vjeçar ka humbur mbi 7,400 nxënës brenda një viti, duke e bërë atë segmentin me rënien më të fortë në sistemin arsimor.Rënie është shënuar edhe në arsimin e mesëm, ku këtë vit janë regjistruar 91,125 nxënës nga 92,595 një vit më parë ose -3%. Brenda këtij niveli, janë ulur regjistrimet si në gjimnazet e përgjithshme, që nga 75,348 kanë zbritur në 73,203, ashtu edhe në shkollat profesionale, nga 17,247 në 17,922, ndonëse ka një rritje të lehtë që mund të reflektojë një interesim në rritje për arsimin profesional.Nga ana tjetër, arsimi i lartë ka vijuar tendencën rritëse të regjistrimeve. Për vitin 2024–2025 janë regjistruar 122,613 studentë, kundrejt 120,063 vitin e kaluar.Ndër ta, 70,9 % ndjekin studimet në institucione publike të arsimit të lartë. Në ciklin e studimeve “Bachelor”, për të njëjtën periudhë, janë regjistruar 68.080 studentë, duke shënuar një rënie prej 0,8 %, krahasuar me vitin akademik 2023-2024.Ashtu si në vitin e kaluar, fusha më e preferuar e studimit mbetet “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar rreth një e katërta e të gjithë studentëve. Ndër fushat e tjera të preferuara janë: “Shëndet dhe mirëqenie” me 20,7 % , “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18,8 %.Tendenca e përgjithshme tregon një zhvendosje të interesit te të rinjve drejt fushave teknike dhe shëndetësore, ndërsa disiplinat tradicionale humanitare dhe sociale po humbasin terren.Të dhënat mbi regjistrimet në arsim pasqyrojnë qartë një rënie të vazhdueshme të popullsisë në moshë shkollore, e cila po ndikon drejtpërdrejt në numrin e regjistrimeve, veçanërisht në arsimin 9-vjeçar. Kjo prirje ngre shqetësime për të ardhmen e sistemit arsimor dhe për nevojën e reformave që të adresojnë mungesën e brezave të rinj në shkolla.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: arsimin
-

Kosova pranohet si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual
Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
📣 Lajm i jashtëzakonshëm për arsimin në Kosovë!
Pas anëtarësimit me të drejta të plota në EQAR, edhe një arritje tjetër, kësaj radhe në arsimin profesional. Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze.
Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për MASHTI-n, pasi anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin tonë për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës.
Synimet tona përfshijnë:
-Përfshirjen aktive të sektorit privat;
-Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;
-Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale;
Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.
EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit:
✔ Praktika profesionale cilësore dhe efektive✔ Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme✔ Angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë✔ Pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje
Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune.
🌍 Anëtarësimi i Kosovës në EAfA i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën tonë si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane.
Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA.
Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend./KultPlus.com
-

Blushi prezanton nismën: Depozitojmë në Kuvend pr/ligj për rritjen e financimit të Arsimit në 5% të PBB
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë deklaroi gjatë ditës së sotme se forca politike ku ai bën pjesë do të depozitojë në kuvend një pr/ligj për rritjen e financimit të Arsimit në 5% të PBB.
Deklarata:
Përkeqësimi i të gjithë treguesve të arsimit në Shqipëri, veçanërisht të arsimit të lartë, janë thellësisht shqetësuese dhe një sinjal i fortë alarmi
Sulmit frontal të Edi Ramës mbi arsimin e lartë, poshtërimi dhe përdhosja, degradimi i qëllimshëm, zbrazja dhe mbyllja e dhjetëra degëve, rënia e pandalshme në rankimet ndërkombëtare të universiteteve tona, rrenimi i kerkimit shkencor, instrumentalizimi mjeran i rektoreve dhe dekaneve, i ka mbetur vetëm akti final, mbyllja fare e universiteteve nga kjo qeveri anti-arsim.
Arsimi universitar është jetik për të ardhmen e vendit, por nuk është kështu për Edi Ramën, armikun e dijes, të shkencës dhe të kërkimit shkencor.
Edhe vet raporti i fundit i Bordit të Akreditimit të Qeverisë nxjerr në pah realitetin e hidhur dhe tanimë të pranuar se pas 13 vitesh qeverisje të pandërprerë të Edi Ramës, sistemi ynë universitar është i degraduar, i paorientuar dhe i shkëputur nga nevojat reale të zhvillimit të vendit dhe të tregut të punës.
Qeveria, që për më shumë se një dekadë ka reklamuar propagandë për gjoja reforma në arsim, sot vetëpranon, ndonëse në mënyrë të vonuar, se sistemi është në rënie të lire dhe degradim total.
Të dhënat zyrtare, tregues që mendohet të jenë edhe më të zymtë, janë alarmante:
40% më pak studentë, por 2.5 herë më shumë programe studimi, një shembull flagrant i keqmenaxhimit dhe mungesës së planifikimit strategjik. Në një vend me më pak se 120 mijë studentë, 1300 programe janë absurde dhe prodhojnë vetëm diplomë, por jo dije.
Më pak se 40% e programeve të akredituara në 12 vite, ndërsa 95% e tyre janë në sektorin jo publik, cka dëshmon dështim i plotë të mekanizmit të kontrollit të cilësisë.
43% e stafit akademik janë ende vetëm me diplomë master, ndërkohë që çdo vit prodhohen dhjetëra doktorë të rinj jashtë vendit, që nuk përthithen nga universitetet publike shqiptare për shkak të nepotizmit dhe mungesës së një politike të rekrutimit të bazuar në meritë.
Mbi 46% e stafit pedagogjik me kohë të pjesshme dhe kjo vetëm për shkak të mungesës së financimit për vende të plota pune, një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të dështuara buxhetore dhe mungesës së vizionit në sektorin e arsimit.
Qeveria ka dështuar të vendosë themelet e një sistemi universitar modern dhe ndërkombëtarisht të krahasueshëm. Përkundrazi, ka prodhuar një ligj për arsimin e lartë që, pas 10 vitesh zbatim, ka sjellë më shumë kaos se rregull, më shumë marketing se substancë, dhe më shumë rrënim se reformë.
Mungesa e investimeve është thelbi i dështimit të gjoja reformës në arsim. Me vetëm 0.45% të GDP-së për arsimin e lartë, Shqipëria është në fund të listës në Europë. Ky është një mesazh i qartë politik, që kjo qeveri nuk e vlerëson arsimin, nuk i vlerëson pedagogët, studentët dhe të rinjtë, përkundrazi, nuk e subvencionon dhe nuk i mbështet ata, sepse nuk beson te dija si motor zhvillimi.
Të gjitha dështimet në arsim e kanë origjinën te mashtrimi fillestar i kësaj qeverie. Premtimi i dhënë në vitin 2013 dhe i pambajtur kurrë për buxhetin sa 5% e PBB-së ka prodhuar vetëm një sistem që prodhon vetëm regres.
Sot arsimi financohet me më pak se 2.2% të PBB, pedagogët janë të keqpaguar dhe financimi i kërkimit shkencor me vetëm 0.05% të GDP-së nuk motivon asnjë prej tyre.
Kjo ndodh sepse banda e “Rilindjes” në pushtet është kthyer në një armike të arsimit, e mundësive dhe e të së ardhmes së të rinjve shqiptarë.
Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin dhe Qeveria refuzon të rrisë pagat për pedagogët dhe profesorët sepse prioriteti I vetëm madhor i saj nuk është arsimi, nuk janë petagogët, nuk janë studentët, por inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.
Prandaj dhe ndryshimi është një domosdoshmëri.
Nuk ka mundësi më të mirë për të frenuar shpopullimin e vendit nga të rinjve, se sa investimi në arsim.
Ndaj, për të nxjerrë arsimin nga gremina ku ai sot gjendet, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri dhe me nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit do të depozitojnë për miratim në Kuvend, projektligjin për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB, si dhe që ligjet kryesore të arsimit të miratuar me shumicë të cilësuar në Parlament, bashkë me strategjitë e arsimit, programet, kurikulat dhe politikat arsimore.
Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillimin e qëndrueshëm, progres dhe një të ardhme të sigurt europiane.
-

Rama: Duhet të rishikojmë ligjin për arsimin e lartë. I janë bërë vitet…
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ligji i arsimit të lartë do të rishikohet.
Institucionet që administrojnë arsimin e lartë dhe ato përkatëse të qeverisë dua t’i falënderoj me shumë mirënjohje.Këtë takim e kërkuam për një bilanc të domosdoshëm të punës intensive në një 4-vjeçar kohor të bordit të akreditimit, i cili meriton respekt dhe falenderime për angazhimin, dhe patjetër kam mbledhur një tërësi të konsiderueshme të dhënash dhe eksperience për t’ia vënë në shërbim komunitetit akademik, institucioneve të arsimit të lartë, që administrojnë arsimin e lartë dhe institucioneve përkatëse të qeverisë shqiptare. Dua t’i falenderoj me shumë mirënjohje anëtarët e bordit që janë personalitete shqiptare dhe të huaja të angazhuar në botën akademike evropiane dhe i kanë vënë në dispozicion bordit, dijen, përkushtimin dhe integritetin e tyre profesional.
Del qartë progresi i bërë në këto vite dhe volumi jo i vogël i gjërave që mbeten për t’u bërë se ndërkohë që ne ecim përpara, nuk ka diskutim që bota fluturon. Dhe për të kapur ritmin, dhe për t’ju dhënë vajzave dhe djemve të këtij vendi, por edhe të tjerëve, një ofertë akademike serioze dhe konkurruese në kushtet kur së shpejti, sepse Shqipëria do të bëhet anëtare e BE. Kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurim ato çështje që janë të domosdoshme për tu adresuar, duke filluar rishikim i ligjit të arsimit të lartë që i janë ribërë vitet për t’u riparë nga maja e një eksperience të akumuluar, por edhe shumë te rejave në botën akademike, u shpreh Rama. -

Çudit Andrea: Ju bëj thirrje mos shkoni në gjimnaz! Ja çfarë duhet të bëni
Fermeri simpatik mjaft i famshëm në rrjetet sociale, ka bërë sot një thirrje për të gjithë të rinjtë që presin të ndjekin arsimin e mesëm.
Ai ka këshilluar se të rinjtë duhet të tregohen të zgjuar dhe të ndjekin shkollat profesionale.
“Të marrësh një zanat si hidraulik apo elektricist”,thotë ai, është si “të bësh një universitet”.Është e rrallë që VIP-at shqiptarë të merren me arsimin dhe të tregojnë eksperiencat e tyre. Andrea këtë sapo e bëri dhe ne e përgëzojmë.
/vizionplus.tv -

Hapen regjistrimet në Arsimin Profesional/ Rama-të rinjve: Bëni zgjedhjen e duhur!
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen e regjistrimeve për arsimin profesional. Kryeministri Rama ka bërë me dije se të rinjtë mund të regjistrohen përmes portalit e-Albania.
“Regjistrimet në Arsimin Profesional janë hapur. Bëj zgjedhjen e duhur. Regjistrohu përmes e-Albania në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”, shkruan Rama në Facebook.Regjistrimet për klasën e dhjetë për arsimin profesional janë hapur që më 7 korrik dhe do të zgjasin deri në fund të muajit shtator.
Procesi kryhet përmes portalit e-Albania ku çdo prind mund të aplikojë online përmes këtij shërbimi dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla. Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy-tre dhe katër vjeçare, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme. Aplikimi për regjistrim kryhet nga prindi ose personi që ushtron përgjegjësinë prindërore sipas procedurës të publikuar në këtë shërbim.
Sikurse ka bërë me dije Ministria e Arsimit, të gjithë nxënësit që janë regjistruar aktualisht në një gjimnaz apo në një shkollë tjetër, dhe kanë dëshirë të vijojnë studimet në arsimin profesional, kanë të drejtë të bëjnë çregjistrimin apo anulimin e aplikimit deri një ditë para fillimit të shkollës dhe mund të regjistrohen në shkollat e Arsimit Profesional.
Disa nga avantazhet e regjistrimit në arsimim profesional:
1)Vajzat që regjistrohen në arsimin profesional përfitojnë 50 % të bursës.
2)Të gjithë nxënësit që regjistrohen në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, përfitojnë bursë për të gjitha vitet e shkollimit.
Pas mbarimit të Arsimit Profesional, nxënësit pajisen me aftësi që kërkon tregu i punës, dhe nuk penalizohen në vijimin e studimeve universitare.
-

Hapen regjistrimet në Arsimin Profesional, Rama thirrje të rinjve: Bëni zgjedhjen e duhur
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se janë hapur regjistrimet për Arsim Profesional.
“Regjistrimet në Arsimin Profesional janë hapur. Bëj zgjedhjen e duhur. Regjistrohu përmes e-Albania në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”, shkruan Rama në Facebook. -

50 profesorë të UT kallëzohen në SPAK: Të hetohen me Begajn e Manastirliun për grup të strukturuar kriminal
Pedagogu dhe ish-zv.ministri i Arsimit Taulant Muka, këtë të hënë ka depozituar në SPAK dosjen me 400 faqe për plagjiaturë për rektorin e Unverisitetit të Tiranës Artan Hoxha, dhe mbi 50 profesorë në UT, Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, Presidentin Bajram Begaj dhe Avokaten e Popullit Erinda Ballanca.
Në një postim në Facebook, Muka shkruan se ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme dhe pret që zyrtarët e lartë që ai ka denoncuar të hetohen për grup të strukturuar kriminal në arsimin e lartë.
Më tej Muka thekson se tani fjala i mbetet drejtësisë nëse do vendosë standarde për arsimin dhe shkencën shqiptare.
‘Dita e parë në Tiranë. Sapo depozitova dosjen me mbi 400 faqe në SPAK mbi plagjiaturën për rektorin e UT dhe mbi 50 profesorë në UT, Ministren e Arsimit, Presidentin dhe Avokatin e Popullit me kërkesën për hetim për një grup të strukturuar kriminal në arsimin e lartë. Tani fjala i mbetet drejtësisë nëse do vendosë standarde për arsimin dhe shkencën shqiptare!’, shkruan Muka në Facebook.
-

Kush përfiton zbritjen prej 100 mijë lekësh për arsimin e fëmijëve dhe si dokumentohet
Prononcim i tatimeve se si do të llogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për arsimim prej 100 mijë lekësh Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron në një prononcim për Monitor se kush e përfiton zbritjen e shpenzimeve për arsimin e fëmijëve prej 100 mijë lekë, dokumentacioni i nevojshëm që duhet të ruhet për justifikimin e tyre dhe afati për marrjen e kompensimit në rastet e tepricës kreditore. Cilat janë kërkesat ligjore për përfitimin e shpenzimeve prej 100 mijë lekësh për arsimin e fëmijëve?Në ligjin nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar neni 22 “Zbritjet nga baza tatimore”, pika 2, përcaktohet se, tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1 200 000 lekë mund të zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë.Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave. Çfarë lloj faturash përfshin dokumentacioni justifikues për arsimin e fëmijëve? A do të ishte i nevojshëm zgjerimi i kategorive të shpenzimeve të njohura (p.sh. kurset jashtëshkollore, kostoja e librave apo pajisjeve teknologjike për mësim)?Në pikën 23.1 të udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, janë përcaktuar si natyrë shpenzimesh që përfitojnë zbritjet për arsim, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.Për sa i përket zgjerimit të fushës së këtyre shpenzimeve, mund të kihet parasysh në të ardhmen. A ekziston një mënyrë e standardizuar për të dorëzuar ose ngarkuar faturat në platformën DIVA me qëllim zbritjen e shpenzimeve për arsim?Tatimpaguesi individ deklarues i DIVA-s duhet vetëm të dorëzojë deklaratën tatimore vjetore dhe dokumentacionin vërtetues të të dhënave që ka deklaruar duhet ta disponojë për ta vënë në dispozicion të administratës tatimore, në rast kërkese nga administrata. Sa kohë duhet të mbahen faturat e ruajtura nga individët, në rast kontrolli nga administrata tatimore?Dokumenti që do të ruhet dhe që justifikon deklarimin në Deklaratën Individuale vjetore përcaktohet në pikën 23.1 të udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar dhe është kontrata me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.Periudha e ruajtjes së dokumentacionit është përcaktuar në ligjin 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 48 “Mbajtja dhe ruajtja e dokumenteve të të dhënave tatimore”, pika 2. Afati është të paktën 5 vjet duke filluar nga fundi i vitit tatimor të cilit i përkasin dokumentet. A ka rrezik për penalizime nëse individi nuk disponon dokumentacionin justifikues?Në rast se individi deklarues nuk disponon dokumentacion që justifikon zbritjen për arsimin dhe në rast kontrolli, deklarimi do të konsiderohet i gabuar, atëherë individi deklarues do të penalizohet në referim të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. A mund të sqarohet përfitimi me një shembull praktik, për një familje me 2 fëmijë të moshës nën 18 vjeç me të ardhura nën 1,2 milionë lekë në vit dhe mbi 1,2 milionë lekë në vit? Së pari, individi me të ardhurat personale nga punësimi dhe/ose biznesi me më shumë se 1,200,000 lekë në vit nuk përfiton nga zbritje shpenzimesh për arsim.Shembull: Individi X ka të ardhura nga punësimi 70,000 lekë në muaj apo 840,000 lekë në vit.Tatimi i paguar në çdo muaj është (70,000 – 30,000)*13% = 5,200 lekë dhe në vit 62,400 lekë.Individi për të përfituar zbritjet për arsimin e fëmijëve duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën e të ardhurave personale deri në datë 31 mars të vitit pasardhës (viti i fillimit që përfiton zbritjet për arsim dhe kompensimin për fëmijë është viti 2025), pra deri në 31 mars 2026.Shuma maksimale që zbritet për arsim është 100,000 lekë, pavarësisht nga numri i fëmijëve në moshë nën 18 vjeç.(840,000 – 100,000)/12 = 61,667 lekë/muaj. Tatimi 4,117 lekë (vjetor 49,400 lekë).Individi do të rezultojë në Deklaratën individuale të të Ardhurave me gjendje kreditore 13,000 lekë (e rrumbullakosur).Këtë gjendje kreditore e kërkon brenda një afati 3 muaj nga data e dorëzimit te Deklaratës Individuale të të Ardhurave Personale. A ndodh përllogaritja automatike e zbritjes në sistem, apo është përgjegjësi e individit të llogarisë shumën e zbritshme?Vetë individi deklarues do të vendosë shumën e zbritjes në rubrikën përkatëse të DIVA-s, pasi është përgjegjësi e tij.Individi duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në nenin 22 për të përfituar zbritjen tatimore, si në rastin e kompensimit për fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ashtu edhe në rastin e shpenzimeve për arsim. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

