FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Tre kompani të reja ushtarake janë hapur në tre ditët e parë të muajit Gusht 2025, sipas të dhënave nga databaza e “Open Corporates Albania”. Bëhet fjalë për kompanitë TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL, të cilat kanë për shoqëri mëmë, kompaninë shtetërore KAYO sh.a, e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
1. TIMAK DEFENCE – Zotërohet 80% nga Arjeta Puca dhe 20% nga KAYO
Objekti i veprimtarisë së Shoqërisë është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike te posaçme me një arkitekturë të hapur që lejon instalimin e sistemeve të armatimit, siç janë armët automatike, sistemet e artilerisë, pajisjet antidron, mbrojtje aktive e mjetit, pajisje për përdorim urban dhe çdo sistem tjetër që kërkohet nga forcat e armatosura apo struktura te tjera te sigurisë, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.
2. M.K.D – Me administrator, Gentian Karaj, zotërohet 80% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha dhe 20% KAYO
Objekti i veprimtarisë së Shoqërisë është prodhimi dhe tregtimi i municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe objektivat e parashikuara në aktet normative për krijimin e Shoqërisë. Kjo përfshin prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura dhe për struktura të tjera të sigurisë.
3. GUNA TACTICAL – Me administrator, Leonard Qyra, zotërohet 49% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha dhe 51% KAYO
Projektimi, prodhimi, përpunimi, magazinimin, paketimi, promovimi, shpërndarja, tregtimi dhe eksportin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për strukturat e tjera të sigurisë dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.
Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë mori vendimin për miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO” për prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme që do të prodhojë ose përshtasë për ushtrinë, strukturat e sigurisë dhe emergjencat civile. Investimi minimal i kërkuar ishte 15 milionë euro dhe 150 vende të reja pune brenda 3 viteve.
Kompania drejtohet nga Ardi Veliu dhe u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan. Ajo operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare. Qëllimi është të krijojë një treg efikas dhe konkurrues për industrinë ushtarake, të integruar në tregjet rajonale dhe globale./ZËRI
0 450 1755510135xscreenshot 7 306
0 450 1755510136xscreenshot 8 998
0 450 1755510138xscreenshot 9 681









