Nga Julia Vrapi
Në Lin të Pogradecit ka përfunduar faza e parë e gërmimeve arkeologjike, ku janë zbuluar materiale të rralla që e rendisin vendbanimin si një nga më të hershmit në Evropë. Arkeologët thonë se rëndësia e gjetjeve arkeologjike në Lin është tejet e madhe. Punimet arkeologjike në Lin janë pjesë e një projekti të Universitetit të Bernës në Zvicër, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri. Ekipi shqiptaro-zivcerian drejtohet nga arkeologu Adrian Anastasi dhe profesor Albert Hafner.
Në Lin ka përfunduar tashmë dhe faza e parë e gërmimeve për vendbanimin e lashtë palafit, ndërsa drejtuesi shqiptar i projektit arkeologu Adrian Anastasi konfirmon se ka patur gjetje të reja si gardh rrethues, etj. “Me punimet që jemi duke kryer nën ujë ka dalë një gardh i ri, i cili e shton në 4 le të themi modelet e vendbanimit në Lin 3 dhe vazhdon puna, jemi të kënaqur në këtë pjesë”, thotë arkeologu Adrian Anastasi në një reagim të tij për mediat. Ndërsa për arkeologun e njohur Ilir Gjipali, rëndësia e këtyre gjetjeve është tejet e madhe, pasi rikonfirmon se ky vendbanim është më i lashti në Europë.
“Në pikëpamja të vendbanimeve liqenore është më vendbanimi më i vjetër jo në Shqipëri e në Ballkan por dhe në Europë. Ka edhe elementë të kulturës materiale që janë shumë të vjetra që lidhen po me këtë vjetërsi të vendbanimit. Është një investimi jashtëzakonshëm prerë mijëra trungje për të ndërtuar atë platformën ku ngriheshin banesat dhe pastaj aktiviteti tjetër e plotëson më së miri këtë për të treguar se si jetonin njerëzit atë kohë 8000 vjet përpara”, shprehet arkeologu Ilir Gjipali ndër të tjera.
Bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë
Ambasadorja Ruth Huber, gjatë një vizite në sitin e Linit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për këtë projekt në fushën e arkeologjisë. “Për ne si Ambasadë e Zvicrës në Shqipëri, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i ekspertëve të arkeologjisë nga Universiteti i Bernës me arkeologë të Shqipërisë, me një bashkëpunim që po zhvillohet tashmë prej disa vitesh. Kanë bërë shumë zbulime të rëndësishme për historinë e lashtë të këtij liqeni të vjetër të Ohrit në Pogradec. Për ne është shumë mirë që shohim këtë lloj bashkëpunimi mes ekspertëve, me trajnime të përbashkëta dhe shkëmbim njohurish, që tregon se ka një potencial të madh turizmi. Unë jam shumë e lumtur që jam këtu në Lin”, u shpreh Huber.
Gërmimet arkeologjike në sitin e Linit në Pogradec në 2024 vijuan për të katërtin vit radhazi. Arkeologët vjet në korrik u rikthyen në sitin arkeologjik të Linit në Pogradec, projekti kërkimor shkencor “Lin 3, Gërmime arkeologjike nënujore” vijoi me ekipin shqiptaro -zvicerian. Ndërsa kërkimet në 2023 faktuan vendbanimin palafit të Linit si më të vjetrin në Europë, vjet grupi i arkeologëve vijoi të mbledhë materiale. Ekspedita arkeologjike shqiptaro zvicerane, e përbërë nga ekspertë të Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave dhe atij të Universitetit të Bernës është në vijim dhe të tjera bashkëpunimeve që ka IA me universitetet e huaja, ku janë realizuar dhe ekspedita në zona të tjera në vendin tonë.
Tag: arkeologjike
-

Gjetje të reja në Lin, zbulimet arkeologjike konfirmojnë se vendbanimi palafit është më i vjetri në Europë
-

Janar-maj, 67.917 vizitorë në parkun e Butrintit
Janar-maj parku kombëtar i Butrintit, që është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se ka një rritje të numrit të vizitorëve me 77 për qind. “67,917 vizitorë kanë vizituar historinë, natyrën dhe magjinë që Butrinti ofron në çdo hap, 77 për qind më shumë krahasuar me Janar-Maj 2024!”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në një postim në rrjete sociale. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si monument kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Ndërsa, në 1981 pylli i Butrintit është përshkruar nga ligjet shqiptare në ruajtje për rëndësinë e mjedisit.
Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Emërtimi si park kombëtar u bë me qëllim për mbrojtjen dhe konservimin e monumenteve historike dhe trashëgiminë e pasur mjedisore. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit, etj. Ndërsa muzeu Arkeologjik në Butrint u krijua në vitin 1950 në mjediset e fortesës veneciane, në akropolin e qytetit antik të Butrintit, me materialet arkeologjike të zbuluara nga misioni arkeologjik italian i drejtuar nga Luigi Maria Ugolini, që shpëtuan nga shkatërrimet e Luftës II Botërore.
-

Bovilla, e panjohur për potencialin arkeologjik
“Bovilla është e njohur si destinacion turistik, por e panjohur për një potencial të madh arkeologjik që ajo mbart.
Objektet arkeologjike tregojnë për një vendbanim që i takon mesjetës së hershme”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.
“Shumë pak e dinë që këtu në Bovillë ka të dhëna për një vendbanim që i takon mesjetës së hershme apo periudhës së Arbërit”, shprehet Suela Xhyheri, arkeologe.
Ndërsa nga gërmimet arkeologjike, pritet të faktohet që ky mund të jetë vendbanimi më i madh sa i takon kësaj periudhe në periferinë e Tiranës.
“Vendbanimi i Bovillës ka nga 12-14 tarraca. Tirana nuk është shumë e njohur nga ana arkeologjike, sidomos periferitë e qytetit”, tha Xhyheri.
Një tjetër vendndodhje ku do të kryhet sondazhi arkeologjik ndodhet pikërisht këtu pas meje, në rrënojat e asaj që mendohet se ka qenë Manastiri i Shën Mërisë, një prej manastirëve më të rëndësishëm të zonës së Tiranës.
“Janë gjurmët e një manastiri, kushtuar Shën Mërisë, rrënojat e të cilit, gjenden mbi këtë tarracë”, tha arkeologia.
Të dhënat e deritanishme tregojnë që ndërtimet kanë qenë të thjeshta, po aq e thjeshtë dhe gati e varfër ka qenë edhe ekonomia për këtë vendbanim, që reflektohet nga qeramikat e gjetura.
“Bëhet fjalë për kasolle. Ne kemi arritur të identifikojmë qeramikën. Këtu kemi një fregment të një ene, diku tek shekulli VII, deri në shekullin XI”, tha arkeologia.
Gjithsej këtu në Bovillë do të kryhen 3 sondazhe arkeologjike.
“Sondazhi i tretë, do të jetë në krah të ballkonit panoramik, ku është e dukshme një strukturë muri e cila zbret drejt digës dhe kjo është një nga ndërtimet më interesante”, tha arkeologia.
Kërkimi arkeologjik do të nisë në vjeshtë gjatë një periudhe 5-vjeçare, ku pjesë e tij do të jetë edhe rilevimi i dy shpellave remite që e pasurojnë kulturën shpirtore dhe historike të Bovillës.
Tv Klan -

Nga monedhat deri tek kolonat, zbulohen në Divjakë objekte me vlerë arkeologjike
Zona mes Lushnjës dhe Divjakës po merr një rëndësi të madhe sa i takon gërmimeve arkeologjike, pasi gjetjet e para premtojnë nxjerrjen në pah të objekteve që tregojnë historinë mijëra vjeçare të zonës.
Kodrat e Bishçukasit në Divjakë mund të kthehen në një tjetër zonë të rëndësishme arkeologjike në vend, që dëshmon prejardhjen dhe historinë në atë zonë.
Instituti kombëtar i trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me muzeun e Lushnjës dhe Universitetin e Tiranës kanë nisur gërmimet ku gjetjet e para janë mjaft premtuese.
Më herët në zonë ka patur gjetje të tjera arkeologjike, të cilat ishin një tjetër provë që bindi institutin e trashëgimisë që të nisë gërmimet.
Zona midis Lushnjës dhe Divjakës , mendohet te jetë një ndër zonat më të rëndësishme për zbulimet arkeologjike, pasi dyshohet se mbart nën tokë objekte të historisë Shqiptare të periudhave mijëravjeçare më parë. -

FOTOT- Zbulime arkeologjike në zonën e Divjakës
DIVJAKË-Në kodrat e Bishçukasit në Divjakë po kryhen gërmime arkeologjike që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për periudhën ilire. Punimet zhvillohen prej disa javësh nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Muzeun Historik të Lushnjës.
Gërmimet kanë zbuluar struktura dhe objekte të periudhave të ndryshme historike nga antikiteti i vonë, mesjeta deri në shekullin XIX – duke përfshirë tjegulla, enë qeramike, monedha dhe tulla me monograme.Gërmimet janë ndarë në dy sondazhe dhe zona e “Shën Gjergjit” shihet si një prej pikave më të rëndësishme për zbulime arkeologjike në vend. Më herët gjatë punimeve të tokës bujqësore banorët e zonës kanë ndeshur në materiale të rëndësishme historike të cilat i janë dorëzuar muzeut historik të Lushnjes. Një strukturë muresh rrethues apo një kollonë betoni, monedha të ndryshme ishin gjetjet e hershme, të cilat shtynë Insitutin e Trashëgimisë Kulturore të nisë këtë gërmim./ZËRI
-

Zbulim arkeologjik në Divjakë/ Objektet po verifikohen se kujt periudhe i përkasin
“Një grup arkeologësh në Kodrat Bishçukas të Lushnjës po kryhen zbulime të rëndësishme arkeologjike. Ata po punojnë në dy sondazhe të ndryshme, ku deri tani kanë hasur në struktura, si një mur rrethues, kolona, varreza apo kishë. Mbetet për t’u parë cilës periudhë i përkasin, ose të mesjetës ose të periudhës së vonë ilire”, raporton gazetarja Anila Sefa.
Në këtë zonë këto janë gërmimet e para që kryhen për gjetjet arkeologjike.
“Datat nuk i kemi fikse. Nëse do të ketë vazhdim kjo do të shihet, por në fakt situata është shumë premtuese”, tha Regiana Hidi, përgjegjëse në Drejtorinë e Sektorit Arkeologjik.
“Shpresojmë që me vazhdimin e punimeve, ne do të mësojmë më shumë se çfarë strukture është, është objekt kulti, është ndonjë ndërtesë e hershme. Pra do të jenë të dhënat arkeologjike ato që do të tregojnë”, tha arkeologu Niko Ferro.
Më herët gjatë punimeve të tokës bujqësore banorët e zonës kanë ndeshur në materiale të rëndësishme historike të cilat i janë dorëzuar muzeut historik të Lushnjes. Një strukturë muresh rrethues apo një kolonë betoni, monedha të ndryshme ishin gjetjet e hershme, të cilat shtynë Institutin e Trashëgimisë Kulturore të nisë këtë gërmim.
Për studentët të cilët janë pjesë e praktikës së punës, zbulime të tilla janë të rëndësishme pasi aty dokumentohet historia. Universiteti përfshin qëlimisht studentët në praktika të tilla për të përgatitur një brez të cilët do të duhet për të ardhmen në zbulimet arkeologjike, degë e cila po kërkohet vitet e fundit.
Gërmimet janë ndarë në dy sondazhe, njeri përfshin strukturë banese të hershme e paidentifikuar dhe tjetra përfshin një kolonë graniti.
Kodra e ‘Shën Gjergjit’, midis Lushnjes dhe Divjakës, mendohet të jetë zona më e rëndësishme për zbulimet arkeologjike, e cila mbart thesare të fshehura të historisë shqiptare të periudha mijëra vjeçare. Klan News -

Pasuria arkeologjike e Shqipërisë mbetet e pastrehë
FOTO ILUSTRUESE
DURRËS- Investimi për projektin restaurues të Muzeut Arkeologjik të Durrësit ka hyrë në fazën e tij të fundit, megjithëse nuk dihet nëse ekspozita do të jetë gati për sezonin e ri turistik. Restaurimi i Muzeut të Durrësit po realizohet me një fond prej 348 milionë lekë të dhuruar nga Bashkimi Europian, por periudha e ndërhyrjeve i ka kaluar të tre vitet.
Vonesat kanë krijuar vështirësi edhe për punën e punonjësve të Institutit të Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave. Që nga viti 2008, Muzeu i Durrësit, ashtu si dhe Muzetë e Apolonisë, Butrintit kanë kaluar në vartësi të Ministrisë së Kulturës.
“Instituti i Arkeologjisë dhe Akademia e Shkencave janë përgjegjës për anën shkencore të këtij Muzeu Arkeologjik,” sqaroi Akademia, ndërsa shtoi se “Ministria e Kulturës i ka kaluar afatet e rikonstruksionit të Muzeut.”
“Kjo ka krijuar vështirësi në punën e arkeologëve të Durrësit dhe të mirëmbajtjes së fondeve arkeologjike të këtij qyteti”, theksoi Akademia e Shkencave.
Arkeologët janë të pakënaqur me zgjidhjet që janë ofruar për ruajtjen dhe studimin e rreth 17 mijë objekteve, që përbëjnë fondet arkeologjike të Durrësit.
Në kuadër të restaurimit, ato janë strehuar në një kapanon provizor të ndërtuar prapa Muzeut, të cilit i mungon sipërfaqja e nevojshme për sistemimin e objekteve, dhe po ashtu i mungojnë kushtet për veprimtarinë shkencore të arkeologëve.
Sipas arkeologes Brikena Shkodra objektet arkeologjike kanë kushte specifike sistemimi, ruajtje, restaurimi dhe studimi.
“Mbi cilat kritere ndërtohet një kapanon me përmasa minimale, që në thelb do duhet të sistemojë të paktën 17000 objekte arkeologjike dhe njëkohësisht ambiente pune për arkeologët,” pyeti ajo.
“Cili do të jetë fati i fondeve arkeologjike dhe hapësirave të kërkimit shkencor në Durrës,” shtoi Shkodra.
Kjo nuk është hera e parë që arkeologët kërkojnë një zgjidhje për strehimin e fondit arkeologjik.
“Ne kërkuam mbështetjen e bashkisë së qytetit për tu vendosur në sektorë të caktuar pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve,” kujtoi prof. As dr. Eduard Shehi.
“Përpjekjet tona nuk patën suksese edhe kur propozuam rikthimin e godinës së ish-Muzeut arkeologjik në funksionin e saj të hershëm,” shtoi ai.
Fondet arkeologjike të Durrësit e kanë filluar ekzistencën si pjesë e ish-Muzeut të Natyrës, themeluar nga Vangjel Toçi, i cili mblodhi objektet që më parë ishin pjesë e një muzeu të vogël lokal dhe i pasuroi me gjetje të reja.
Në vijim ato u bënë pjesë e Muzeut Arkeologjik, për të kaluar në vazhdim nën administrimin e ish-Bërthamës Arkeologjike Durrës, pjesë përbërëse e Institutit te Arkeologjisë të Akademisë se Shkencave deri ne vitin 2007.
Gjatë kësaj faze, Fondi arkeologjik i Durrësit ka pasur një rritje te konsiderueshme sasiore duke përfaqësuar pasurinë më të madhe arkeologjike të Shqipërisë.
Te marra së bashku Fondi Themeltar (rreth 17000 objekte) dhe Fondi Studimor (mijëra të tjerë), përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme, e zbuluar dhe ruajtur ndër dekada nga arkeologët e Durrësit dhe Instituti i Arkeologjisë.
Rreth viteve ‘80 filloi ndërtimi i godinës së re të Muzeut Arkeologjik të Durrësit (godina aktuale), me idenë e transferimit aty të ekspozitës dhe zyrave te arkeologeve. Ndërsa fondet arkeologjike parashikohej të qëndronin në ambientet e Muzeut të vjetër, i cili ndodhet vetëm 300 metra larg Muzeut të ri.
Në vitin 1999 ndërtesa fillestare e Muzeut Arkeologjik iu rikthye pronarëve.
Arkat e objekteve të imta u sistemuan në katin e dytë dhe të tretë të godinës së re, në hapësira të destinuara për ekspozitë. Ndërsa objektet e gurta u vendosën pa kriter depozitimi e ruajtjeje në oborr.
Procesi i ndërtimit të godinës së re u finalizua pjesërisht ne vitin 2003 me përurimin e ekspozitës muzeale vetëm ne katin e parë të godinës. Ndërsa katet e dytë dhe të tretë të godinës aktuale të Muzeut Arkeologjik u përdoren si hapësira funksionale, depozitimi dhe ruajtje për fondet arkeologjike.
Reforma ne sistemin shkencor/arsimor, e vitit 2007/2008, sanksionoi veçimin e fondeve arkeologjike nga Muzeu Arkeologjik. Që prej këtij viti, Muzeu Arkeologjik u bë pjesë e strukturës rajonale të Ministrisë së Kulturës në Durrës, ndërsa fondet arkeologjike i mbetën nën administrimin e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë.
Ky transformim administrativ i hapi rrugë aplikimit të projektit të rikonstruksionit dhe rijetëzimit të godinës së Muzeut Arkeologjik, realizimi i te cilit pengohej nga prania e fondeve arkeologjike.
Përsëri u kërkua zbrazja e hapësirave të katit të dytë dhe të tretë nga pasuria arkeologjike dhe nxjerrja e tyre jashtë godinës, dhe jo vetëm kaq, por u kërkua me ngulm që një pjesë e fondeve studimore të groposeshin, si të pavlera, sipas ekspertizës së projektuesve te rijetëzimit.
Rezistenca e arkeologëve te Durrësit, për të mos lejuar groposjen e pasurisë arkeologjike, së paku detyroi ndërtimin e një kapanoni, vetëm 140 m2. Por kjo ndërtesë ishte shumë e vogël për të strehuar të gjithë objektet e fondit.
Prof. As. Dr. Brikena Shkodra kujtoi se 10 vjet më parë, falë ndihmës ekonomike të ofruar nga kolegë e institucione bashkëpunuese si Instituti Arkeologjik Gjerman i Romës dhe Universiteti i Lilës, u siguruan dy kontejnerë për sistemimin e një pjese te fondit të mbetur jashtë.
“Që prej 3 vitesh edhe arkeologët punojnë në kontejnerë të skaduar që janë bërë strehë edhe e brejtësve të kanaleve përreth,” theksoi Shkodra./BIRN -

Kosova përkujton Ulpianën antike me pulla postare të reja në serinë“Evropa 2023”
Në një gjest që bashkon trashëgiminë kulturore me artin filatelik, Posta e Kosovës ka hedhur sot në qarkullim një emision të ri pullash postare në kuadër të serisë europiane “Zbulimet kombëtare arkeologjike – Ulpiana 2023”.Ky edicion i veçantë, pjesë e temës vjetore “Evropa” të PostEurop, i kushtohet një prej zbulimeve më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë: parku arkeologjik i Ulpianës. Emisioni përfshin dy pulla postare, një bllok filatelik dhe Zarfin e Ditës së Parë (ZDP), të cilat do të qëndrojnë në qarkullim derisa të konsumohen plotësisht.Pamjet e pullave mbartin simbole të trashëgimisë kulturore të Dardanisë antike. Njëra prej tyre paraqet themelimin e qytetit Justiniana Secunda nga perandori bizantin Justiniani dhe gruaja e tij Theodora (535–545 e.s.), një akt që shënonte përpjekjet e perandorisë për të forcuar praninë e saj në këtë pjesë të Ballkanit. Tjetra prezanton një detaj nga mozaiku i bazilikës episkopale të Ulpianës: figura e zogut houbara bustard (Outis), një shpend shtegtar i gdhendur në gur në një dysheme mozaiku afër një shatërvani, zbuluar nga arkeologët A. Hajdari, C.J. Goddard dhe M. Berisha.Realizimi i këtij emisioni është mundësuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqëson një fryt të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës dhe shkollës arkeologjike franceze ENS.Ky akt është më shumë sesa një angazhim simbolik në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ai afirmon një të kaluar të përbashkët evropiane, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si pjesë të identitetit antik të kontinentit, por edhe si pjesëmarrëse aktive në rrëfimet moderne për ruajtjen dhe promovimin e saj përmes mjeteve të sofistikuara dhe edukative siç janë pullat postare.Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.Në një gjest që bashkon trashëgiminë kulturore me artin filatelik, Posta e Kosovës ka hedhur sot në qarkullim një emision të ri pullash postare në kuadër të serisë europiane “Zbulimet kombëtare arkeologjike – Ulpiana 2023”.Ky edicion i veçantë, pjesë e temës vjetore “Evropa” të PostEurop, i kushtohet një prej zbulimeve më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë: parku arkeologjik i Ulpianës. Emisioni përfshin dy pulla postare, një bllok filatelik dhe Zarfin e Ditës së Parë (ZDP), të cilat do të qëndrojnë në qarkullim derisa të konsumohen plotësisht.Pamjet e pullave mbartin simbole të trashëgimisë kulturore të Dardanisë antike. Njëra prej tyre paraqet themelimin e qytetit Justiniana Secunda nga perandori bizantin Justiniani dhe gruaja e tij Theodora (535–545 e.s.), një akt që shënonte përpjekjet e perandorisë për të forcuar praninë e saj në këtë pjesë të Ballkanit. Tjetra prezanton një detaj nga mozaiku i bazilikës episkopale të Ulpianës: figura e zogut houbara bustard (Outis), një shpend shtegtar i gdhendur në gur në një dysheme mozaiku afër një shatërvani, zbuluar nga arkeologët A. Hajdari, C.J. Goddard dhe M. Berisha.Realizimi i këtij emisioni është mundësuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqëson një fryt të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës dhe shkollës arkeologjike franceze ENS.Ky akt është më shumë sesa një angazhim simbolik në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ai afirmon një të kaluar të përbashkët evropiane, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si pjesë të identitetit antik të kontinentit, por edhe si pjesëmarrëse aktive në rrëfimet moderne për ruajtjen dhe promovimin e saj përmes mjeteve të sofistikuara dhe edukative siç janë pullat postare.
-

Apolonia i tërheq të gjithë, fluks vizitorësh në zonën arkeologjike, por rruga…
Vetëm 12 kilometra larg qytetit të Fierit, Parku Arkeologjik i Apolonisë po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj.
Nga viti në vit numri i vizitorëve është në rritje, ndërsa këtë sezon parku ka mirëpritur turistë nga vende të ndryshme të Europës, përfshirë Poloninë, Çekinë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë. Vizitorët shprehin vlerësime të larta për pasurinë arkeologjike dhe historike që ofron Apolonia, si dhe për natyrën, traditat dhe mikpritjen shqiptare.
Muzeu Arkeologjik dhe rrënojat e qytetit antik janë ndër atraksionet kryesore që tregojnë rëndësinë e këtij vendi në historinë e Ilirisë. Një nga udhërrëfyesit, i cili prej 13 vitesh ushtron këtë profesion në mënyrë familjare, tregon se interesimi për Apoloninë po rritet ndjeshëm:
“Katalogu për vitin 2026 është pothuajse i mbushur të gjitha datat janë të rezervuara. Turistët janë të mahnitur nga ajo që shohin këtu, sepse përjetojnë një ‘shok kulturor’, pritshmëritë që kanë për Shqipërinë ndryshojnë shumë nga ajo që gjejnë në realitet”
Megjithatë, guidat turistike vënë në dukje nevojën për përmirësime, sidomos në sinjalistikë dhe në infrastrukturën e transportit për autobusët turistikë.
“Sa më shumë informacione t’u japim turistëve, aq më mirë është për ta dhe për ne”
Përveç vlerave historike dhe kulturore, Apolonia po tërheq gjithashtu edhe çifte të reja që duan të realizojnë kujtime të paharrueshme.
Një çift nga Durrësi ka zgjedhur këtë vend për të xhiruar klipin e dasmës së tyre, duke i dhënë një dimension të ri turizmit lokal.
Apolonia mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe një magnet i fortë për turizmin elitar dhe kulturor në Shqipëri.Top Channel
-

Zbulohen dy site të reja arkeologjike në Gjirokastër
Dy site të reja me vlera të rëndësishme arkeologjike janë identifikuar në Zagori të Gjirokastrës.
Ka qenë investimi në rrugën Çajup – Zagori, pranë fshatit Sheper, ajo që ka nxjerrë në pah të dhënat arkeologjike për këtë zbulim të rëndësishëm.
Deri më tani raportohet për identifikimin e gjurmëve të një tempulli antik dhe struktura banimi, që datojnë në shekullin 3-2 pas erës sonë.
Ndërsa brenda Majit në këtë zonë do të nisin gërmimet e shpëtimit për të nxjerrë në pah një tjetër sit që pasuron trashëgiminë tonë historike.
Tv Klan