Tag: arkeologjik

  • Paulin Zefi: Muzeu Arkeologjik pritet të përfundojë në dhjetor, ekspozim i objekteve të zbuluara në rajonin e Lezhës

    Paulin Zefi: Muzeu Arkeologjik pritet të përfundojë në dhjetor, ekspozim i objekteve të zbuluara në rajonin e Lezhës

    Nga Julia Vrapi
    Muzeu Arkeologjik Mesjetar i Lezhës do të sjellë ekspozimin e një pjese të fondit të pasur të objekteve arkeologjike të zbuluara në rajonin e Lezhës. Puna për këtë muze po vijon në Lezhë, ndërsa ato realizohen në një kuadër të një projekti që ka edhe mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Puna në Muzeun Arkeologjik Mesjetar në Lezhë, që ka në fokus të tij objekte të trashëgimisë kulturore po vijon me ritme te shpejta. Muzeu Arkeologjik Mesjetar në Lezhë po ndërtohet në zonën e “Qafës së Kalasë” dhe pranë “Nekropolit Mesjetar”, një projekt që u bë me dije dhe më parë dhe punimet pritet që të përfundojnë në muajin e fundit të këtij viti. Paulin Zefi përgjegjës i trashëgimisë kulturore në Bashkinë Lezhë shprehet se është një projekt i rëndësishëm, ku sipas tij ky muze do të njihet edhe si “Muzeu i Arbrit”.
    “Në kuadër të projektit “Ndërlidhja e turizmit përmes Trashëgimisë Kulturore dhe zgjidhjeve inteligjente në Lezhë dhe Gjakovë”, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian, po realizohen punimet për ngritjen e “Muzeut Arkeologjik Mesjetar të Lezhës”, i cili do të njihet si “Muzeu i Arbrit”. Ky institucion kulturor, i pari i këtij lloji në Shqipëri, po ndërtohet në zonën e “Qafës së Kalasë” dhe pranë “Nekropolit Mesjetar” dhe do të ketë në fokus kryesisht ekspozimin e një pjese të fondit të pasur të objekteve arkeologjike të zbuluara në rajonin e Lezhës, që i përkasin periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës. Përfundimi i punimeve dhe hapja zyrtare për publikun parashikohet të realizohet në muajin dhjetor 2025”, shprehet Paulin Zefi përgjegjës i trashëgimisë kulturore në Bashkinë Lezhë. Herë pas here në reagimet tij Paulin Zefi ka sjellë në vëmendje trashëgiminë kulturore, kujdesin për ruajtjen e saj dhe promovimin, ku një tjetër projekt me rëndësi sipas tij edhe Muzeu Arkeologjik Mesjetar në Lezhë. Gjetje arkeologjike që pritet të ekspozohen në këtë muze konsiderohen me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore për trashëgiminë e qytetit dhe të gjithë rajonit.
    Puna për muzeun
    Ky projekt për këtë muze ka si objektiv edhe zhvillimin e turizmit të rajonit të Lezhës. Këto ditë procesi i punimeve u monitorua nga afër edhe nga kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu. Paulin Zefi përgjegjës i trashëgimisë kulturore thotë se dikur një projekt-ide, sot Muzeu Arkeologjik Mesjetar në Lezhë po kthehet në realitet. Ndërsa projekti për ndërtimin e këtij muze ka një financim nga BE, por edhe bashkia Lezhë është financuese. Zefi thotë se falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë po bëhet i mundur ndërtimi i këtij muzeu. “Një projekt-ide të tillë e kam diskutuar bashkë me të menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit të “Muzeut Etnografik”, më 23 tetor 2019. Sot po e shohim të kthehet në realitet. Po ashtu, duhet të theksoj se Bashkia Lezhë është bashkëfinancuese e këtij projekti kaq të rëndësishëm për Lezhën dhe për të gjithë hapësirën shqiptare”, shprehet Paulin Zefi në një reagim të tij ndër të tjera. Muzeu Arkeologjik Mesjetar në Lezhë pritet të përfundojë në dhjetor, por Paulin Zefi përgjegjës për trashëgiminë kulturore thotë se pas përfundimit të këtij projekti, hapi i radhës pritet të jetë ndërtimi i një “Muzeu Detar” në qytetin e Shëngjinit.

  • Rreth 125 mijë vizitorë, Blendi Gonxhja: Parku Arkeologjik i Shkodrës, vijon të kryesojë listën e destinacioneve të trashëgimisë kulturore

    Rreth 125 mijë vizitorë, Blendi Gonxhja: Parku Arkeologjik i Shkodrës, vijon të kryesojë listën e destinacioneve të trashëgimisë kulturore

    Parku Arkeologjik i Shkodrës vijon të kryesojë listën e destinacioneve të trashëgimisë kulturore që preferohen nga turistët vendas dhe të huaj. Këtë e konfirmojnë edhe shifrat e tetëmujorit të këtij viti gjatë të cilit ky park u vizitua nga rreth 125 mijë turistë.
    Kalaja e Rozafës dhe historia e saj tërheq si vendasit edhe të huajt. Gjatë sezonit veror, Shkodra vizitohet për shumë aktivitete, si për liqenin, malet, dhe “shpirtin” e saj plot sharm e mikpritje.

    Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kalaja e Shkodrës, mbushur me turistë që eksplorojnë bukuritë e peizazhit dhe dhe vlerat arkeologjike të këtij siti kulturor.
    Gonxhja tha se “124,856 vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe bota kanë vizituar Parkun Arkeologjik të Shkodrës që nga fillimi i vitit, duke e renditur atë ndër destinacionet më të preferuara të turizmit kulturor në vend”.
    Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja e Rozafës qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e lumi Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Ajo vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse.
    Ndër objektet më të spikatura monumentale dhe historike të kalasë veçohet Barbakani në hyrje të Kalasë (Shek.XV), Kisha e Shën Stefanit e ndërtuar që në shek XIII, e cila pas pushtimit osman u transformua në xhami, si dhe Kapitenerinë e periudhës Veneciane që sot shërben si Muzeu i Kështjellës.

  • Procesi i përditësimit të zonifikimit arkeologjik dhe rregullorja e administrimit, specialistët inspektim në Apoloni

    Procesi i përditësimit të zonifikimit arkeologjik dhe rregullorja e administrimit, specialistët inspektim në Apoloni

    Parku kombëtar arkeologjik i Apolonisë është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë, ku u zhvillua dhe një inspektim nga specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Në kuadër të procesit të përditësimit të zonifikimit arkeologjik dhe hartimit të rregullores së administrimit për parkun arkeologjik të Apolonisë, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në bashkëpunim me specialistët e parkut, realizuan një inspektim në terren, i cili konsistoi në: Dokumentimin fotografik të zonës arkeologjike; Hartografimin përmes marrjes së koordinatave në terren; Identifikimin dhe pozicionimin në hartë të zonave me potencial arkeologjik.
    Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ky proces synon mbrojtjen dhe menaxhimin e një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike dhe historike në Shqipëri, duke garantuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe krijimin e kushteve për kërkime e studime të mëtejshme, në përputhje me kuadrin ligjor për mbrojtjen e zonave arkeologjike. Parku ndahet në zonën A dhe zonën B. Qytet antik (zona A) rreth 120 ha është i rrethuar me mur fortifikues rreth 4.5 km i gjatë, me arkitekturë greko-romake dhe bizantine. Zona B përfaqësohet nga territori ekstramural: nekropoli arkaik, helenistik dhe romak; tempuj dhe ndërtime private ekstramurale. Për guidat turistike, parku arkeologjik i Apolonisë është destinacioni i preferuar i turistëve të huaj.

  • Gonxhja: Zbulohet në Bulqizë varri i parë monumental romak në Shqipëri

    Gonxhja: Zbulohet në Bulqizë varri i parë monumental romak në Shqipëri

    Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot një zbulim të rëndësishëm arkeologjik në Strikçan të Bulqizës, ku është evidentuar varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri.

    Ky zbulim, i realizuar gjatë projektit kërkimor–shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, përfshin një monument me përmasa mbresëlënëse, rreth 9 x 6 metra, me një dhomë funerare 2,4 m të lartë dhe elementë të rrallë arkitektonikë e epigrafikë.

    Në monument është gjetur një mbishkrim dygjuhësh kushtuar individit të varrosur, Gelliano-s, dhe perëndisë Jupiter. “Ky mbishkrim përbën të parin e këtij lloji të zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës”, thekson Gonxhja.

    Varri është konceptuar me tre ambiente: dhomën e varrimit, paradhomën dhe një shkallare monumentale. Në të janë ruajtur pjesë të inventarit arkeologjik, përfshirë enë qelqi, objekte kocke, armë si dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, që dëshmojnë statusin e lartë të të ndjerit.

    Sipas specialistëve, strukturat e sipërme sugjerojnë tipologjinë e një mauzoleumi, duke e bërë këtë zbulim të pazëvendësueshëm për studimin e prapatokës romake në Shqipëri.

    Për shkak të rëndësisë së veçantë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Tiranë dhe në koordinim me Institutin e Arkeologjisë, do të ndjekë procedurat për vendosjen në mbrojtje paraprake të këtij siti arkeologjik.

    MEKI, IKTK dhe Instituti i Arkeologjisë do të vijojnë të mbështesin kërkimet shkencore që pasurojnë gjithnjë e më shumë hartën arkeologjike të vendit tonë.

  • Zbulim i Rrallë Arkeologjik në Bulqizë: Varri Monumental Romak që rishkruan historinë e Dibrës

    Zbulim i Rrallë Arkeologjik në Bulqizë: Varri Monumental Romak që rishkruan historinë e Dibrës

    Një nga zbulimet më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare ka dalë në dritë së fundmi, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor dhe të institucioneve kulturore në vend. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi lajmin përmes rrjeteve sociale, duke theksuar rëndësinë unike të këtij zbulimi për trashëgiminë tonë historike.

    Gjatë punimeve të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, është zbuluar varri i parë monumental i periudhës romake në territorin shqiptar. Ky varr përfaqëson një kompleks arkitektonik të rrallë, me përmasa mbresëlënëse prej rreth 9 x 6 metra dhe një dhomë funerare me lartësi 2.4 metra, transmeton KultPlus.

    Një nga elementët më të rëndësishëm të monumentit është mbishkrimi bilingual romak, i pari i këtij lloji i gjetur në zonën e Dibrës. Ky mbishkrim i është kushtuar të ndjerit, Gelliano-s, si dhe perëndisë Jupiter, duke hedhur dritë mbi ndikimet kulturore, fetare dhe sociale të periudhës romake në këtë rajon.

    Monumenti përbëhet nga tre ambiente: dhoma e varrimit, një paradhomë dhe një shkallare monumentale, çka sugjeron tipologjinë e një mausoleumi. Kjo është një formë e rrallë e arkitekturës funerare për rajonin, e cila përforcon teoritë mbi praninë e elitave të romanizuara në trevat verilindore shqiptare gjatë antikitetit.

    Në varr janë gjetur objekte të rëndësishme arkeologjike si enë qelqi, objekte kocke, armë, si dhe fragmente të tekstilëve të qëndisur me fije ari, që dëshmojnë për statusin e lartë të të ndjerit.

    Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të këtij zbulimi, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Tiranë dhe Institutin e Arkeologjisë, ka nisur procedurat për vendosjen në mbrojtje paraprake të këtij siti arkeologjik. Zbulimi i Strikçanit do të jetë pjesë e një studimi më të gjerë që synon të dokumentojë dhe kuptojë më mirë rrjetin e qendrave të banuara dhe të varrimit në hinterlandin romak të Shqipërisë.

    Ky varr monumental është më shumë sesa një objekt arkeologjik – ai është një dritare në të kaluarën, një dëshmi e qartë e kompleksitetit të shoqërive që kanë jetuar në këtë territor. Përmes mbështetjes së vazhdueshme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Institutit të Arkeologjisë, Shqipëria vazhdon të zbulojë dhe ruajë pasuritë e saj të jashtëzakonshme historike.

    Zbulime si ky e bëjnë hartën arkeologjike të vendit gjithnjë e më të pasur, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë referimi për studimin e historisë së lashtë në Ballkan dhe më gjerë./KultPlus.com

  • Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë: Institucionet e kulturës nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik

    Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë: Institucionet e kulturës nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik

    Muzeu Arkeologjik në Durrës pas restaurimit pritet që të hapë dyert në vjeshtën e këtij viti, por Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore  e quan të pajustifikueshme zvarritjen që është bërë me punimet e tij. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ndër të tjera shprehet se Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk do të jetë kurrë i plotë nëse nuk do të rikthehen objektet historike të rrëmbyera gjatë viteve. “Lajmi se Muzeu i Durrësit do të hapet është i shumëpritur. Ka vite që ky muze qëndron i mbyllur, duke krijuar një boshllëk të madh në mundësitë e vizitueshmërisë në qytetin e Durrësit. Kryeministri me të drejtë e jep këtë lajm si një shenjë të rëndësishme të trashëgimisë së Durrësit, por mund të themi se zvarritja e pajustifikueshme disavjeçare është bërë nga institucionet e kulturës, të cilat nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik. Me këtë rast mund t’i kujtojmë kryeministrit se nga ky muze janë vjedhur gjatë viteve një numër i madh objektesh arkeologjike, të cilat shteti shqiptar ka detyrimin ligjor dhe moral t’i kërkojë dhe t’i rikthejë përsëri në Shqipëri. Muzeu i Durrësit nuk do të jetë kurrë i plotë nëse nuk rikthen objektet historike të rrëmbyera”, shprehet Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në faqen e tij, ku ka ndarë dhe disa foto nga muzeu me objekte. Muzeu i është nënshtruar një procesi restaurimi me fondet e BE-së dhe është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Muzeu Arkeologjik në Durrës që është në restaurim është dhe më i madhi në vend me një koleksion të gjerë artefaktesh të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut

  • Gjurmët e reja nga qyteti ilir në Bushat

    Gjurmët e reja nga qyteti ilir në Bushat

    Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës do të plotësohet shumë shpejt edhe me një sit arkeologjik, zonifikim të qartë dhe rregullore administrimi të zonës A.

    Bëhet fjalë për qytetin antik në Bushat, ku gërmimet arkeologjike që kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.

    Gjatë këtyre fushatave kërkimore u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u kuptua shtrirja e tij. Ndërsa gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së këtij qyteti.Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek. IV para Krishtit, sipas datimeve paraprake, shkruan atsh.

    Tashmë falë bashkëpunimit me IKTK, DRTK Shkodër dhe ndihmën e pakursyer të misionit arkeologjik me të dhënat shkencore dhe rezultatet e arritura u krye në terren rilevimi dhe përcaktimi qartë i zonifikimit të nevojshëm për ruajtjen dhe administrimin e këtij territori me potencial të lartë arkeologjik referuar dhe kuadrit ligjor për këtë qëllim.

  • Rama: Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit hap dyert brenda vjeshtës i restauruar

    Rama: Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit hap dyert brenda vjeshtës i restauruar

    Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që po vijon për rikonstruksionin e Muzeut Kombëtar Arkeologjik në Durrës.

    Ai bëri të ditur se thesaret e historisë, me mbi 2400 objekte arkeologjike, do t’i rikthehen qytetit dhe gjithë Shqipërisë në pavione moderne dhe kushte bashkëkohore.

    Sipas Ramës, “brenda vjeshtës, në pavione moderne e kushte bashkëkohore, muzeu do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm të turizmit kulturor dhe një hapësirë tërheqëse për vizitorët.

    Rihapja e muzeut do të sjellë hapësira të shtuara ekspozuese më funksionale, brenda dhe jashtë, një linjë muzeore të rikonceptuar, hapësira të dedikuara për aktivitetet edukative të fëmijëve dhe për zhvillime seminaresh.

    Punimet restauruese në këtë objekt po kryhen në kuadër të programit EU4Culture, që zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

    Në vjeshtë, ai do të hapë dyert për publikun vendas dhe të huaj, me një pamje të re dhe përvoja muzeale bashkëkohore

    Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit, i hapur për herë të parë në vitin 1951 dhe më pas i zgjeruar në vitet ’80, është një nga institucionet më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare. Ai ruan objekte që datojnë nga periudha ilire, helenistike, romake dhe mesjetare, duke e bërë një nga qendrat kryesore të studimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në vend./atsh/KultPlus.com

  • Rama ndan pamjet: Muzeu Arkeologjik në Durrës do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm kulturor

    Rama ndan pamjet: Muzeu Arkeologjik në Durrës do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm kulturor

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga kantieri i Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit.
    “Dhe nga kantieri i Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit, ku thesaret e historisë me mbi 2400 objekte arkeologjike do i rikthehen Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, e ku brenda vjeshtës, në pavione moderne e kushte bashkëkohore, muzeu do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm të turizmit kulturor dhe një hapësirë tërheqëse për vizitorët, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.

  • Rama: Muzeu Arkeologjik i Durrësit rikthehet në vjeshtë me mbi 2400 objekte historike

    Rama: Muzeu Arkeologjik i Durrësit rikthehet në vjeshtë me mbi 2400 objekte historike

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet nga kantieri i rikonstruksionit të Muzeut Kombëtar Arkeologjik në Durrës, ku njofton për rikthimin e mbi 2400 objekteve arkeologjike në qytetin bregdetar dhe në trashëgiminë kulturore shqiptare.
    Duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për trashëgiminë kulturore dhe turizmin në vend, Rama bën me dije se deri në vjeshtë muzeu do të jetë gati të hapë dyert për publikun, me pavione moderne dhe kushte bashkëkohore. Projekti synon të shndërrojë këtë hapësirë në një atraksion të rëndësishëm të turizmit kulturor dhe një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.
    “MIRËMËNGJES  nga kantieri i Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit, ku thesaret e historisë me mbi 2400 objekte arkeologjike do i rikthehen Durrësit dhe gjithë Shqipërisë,” shkruan Rama në një postim në rrjetin social Facebook.
    Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të kthehet në një pikë referimi për studiuesit dhe dashamirësit e historisë, si edhe një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri.