Adriatik BALLA
Lojtarët me origjinë shqiptare luajnë në shumë kampionate cilësore në Europë dhe më tej. Madje ka plot lojtarë shqiptarë që luajnë në kampionatet e vendeve lindore, sidomos në Rumani, Rusi, deri edhe në Kazakistan, Azerbajxhan e disa vende të Kaukazit. Në kampionatin rus, lojtari më i spikatur i përfaqësueses kuqezi është Mirlind Daku. Ai luan me Rubin kazanin rus, por ditët e fundit ka marrë vendim ta zgjasë kontratën me këtë klub edhe për katër vite të tjera. Ndërkohë, Ardon Jashari, që luan me Klub Bruzhin në Belgjikë, ende po pret që klubi të mirëkuptojë shijen e tij për një transferim të bujshëm në radhët e Milanit në Serie A italiane. Në fakt, Igli Tare prej disa ditësh ishte shprehur se Jashari dëshiron të veshë fanellën e Milanit,duke nënkuptuar se klubi ishte gati të paguante një shumë për të, por jo aq sa theksonte Klub Bruzhi. Klubi belg dëshironte gati 30 mln euro për lojtarin dhe bisedimet për këtë shumë u ndërprenë. Kjo bëri që lojtari të mërzitet me klubin tij belg, pasi e dëshironte fort transferimin. Ndërkohë, disa lojtarë të tjerë janë në pritje të mësojnë destinacionin e tyre për në sezonin e ri.
Daku zyrtarisht edhe katër vjet me Rubin Kazanin
Sipas mediave sportive ruse, sulmuesi Mirlind Daku ka nënshkruar kontratë të re me skuadrën ruse, Rubin Kazan. Të dielën, Rubin Kazani, ka njoftuar se Daku do të jetë pjesë e skuadrës deri në vitin 2029. Reprezentuesi i Shqipërisë, Daku, është sulmuesi kryesor i Rubin Kazanit. Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar të Premier Ligës ruse të futbollit. Shënoi 15 gola. 27-vjeçari Daku pjesë e Rubin Kazanit është nga viti 2023. Ai u transferua nga Osijeku për një milionë euro.
Ardon Jashari do vetëm Milanin, e konfirmon eksperti i transferimeve Romano
Merkato po sjell të papritura, por akoma jo për lojtarët shqiptarë. Ndërkohë, eksperti i transferimeve, njëherësh gazetar, Fabrizio Romano, raporton se Ardon Jashari ka refuzuar ofertat nga Uest Hem dhe Notingham Forest, pasi dëshiron vetëm të transferohet te Milani. Jashari dëshiron të bashkohet me Milanin këtë verë dhe ka refuzuar propozimet nga dy klubet e Premier League, Uest Hem dhe Notingham Forest. Romano bëri të ditur në videon e tij të fundit në “YouTube” se të dyja klubet angleze kishin bërë oferta të rëndësishme për lojtarin dhe madje ishin të gatshme të përmbushnin kërkesën financiare të Klub Bruzh. Megjithatë, Jashari aktualisht nuk është i interesuar t’i bashkohet asnjërës prej tyre, pasi synimi i tij është vetëm San Siro. Milani ka qenë në bisedime me Klub Bruzh prej disa javësh, por ende nuk ka arritur një marrëveshje për çmimin e mesfushorit. Jashari, 22 vjeç, nuk mori pjesë në një ndeshje miqësore të Klub Bruzhe javën e kaluar. Milani këtë verë ka shitur Tijani Reijnders te Mançester Siti dhe ka nënshkruar me Samuele Riki dhe Luka Modriç. Riki është prezantuar tashmë si përforcim i ri, ndërsa blerja e Modriç do të zyrtarizohet në ditët në vijim.