Presidenti Bajram Begaj vizitoi Universitetin e Kalabrisë për të nderuar veprën e profesorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe në këtë universitet në 50-vjetorin e krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.
Në një takim me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, presidenti vlerësoi “këtë qendër të rëndësishme akademike në zemër të një rajoni që ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe”.
“Ky universitet, që është në zemër të rajonit të Kalabrisë, ka një mision tjetër shumë të rëndësishëm: të mbrojë, të promovojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. I falënderoj nga zemra të gjithë profesorët e katedrës së gjuhës e të kulturës shqipe. Ky është një vit përkujtimor, ku bëhen 50 vjet të kësaj katedre, dhe uroj e besoj që kjo katedër do të përjetojë gjithmonë, do të jetë përjetë, do ta mbrojë përjetë arbërishten, sepse duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe kemi promovuar edhe figurën e atij që themeloi këtë katedër, Françesko Solanos. Një punë e jashtëzakonshme 50-vjeçare, e ndjekur me shumë pasion nga profesor Altimari dhe shumë të tjerë që vazhdojnë e studiojnë arbërishten, e cila kulmon në promovimin dhe botimin e shumë veprave dhe librave që do t’i shërbejnë brezit të ri. Është ajo çfarë ne na duhet për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë”, tha Begaj.
Presidenti Begaj çmoi kontributin, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe profesorëve për ruajtjen e lidhjeve shkencore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë e shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe si një trashëgimi që meriton respekt të veçantë.




