Drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në PD, Avenir Peka, njëkohësisht edhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare ka komentuar luftën mes Iranit dhe Izraelit, që prej ditësh po bombardojnë njëri-tjetrin.
Gjatë bisedës në ‘Task Force’ me Bledian Kokën në SYRI TV, Peka u shpreh se, lufta mes dy vendeve është përtej vendeve të rajonit të Lindjes së Mesme.
‘Irani është një vend me kulturë të lashtë dhe nuk mund të krahasosh Iranin me asnjë vend tjetër të rajonit.
Gjendja ekonomike në Iran, në vitin 1990 i ka pasur të ardhurat për frymë 13 mijë dollarë, sot i ka 3 mijë. Gjendja ekonomike pasqyrohet dhe në reagimin e popullsisë.
Ajo çfarë unë shoh, është se konflikti është ngacmim i jashtëm që shpresohet të shërbejë si ndezësi i reagimit të brendshëm. Siç edhe ndodh në çdo lloj diktature, ne i kemi parën vitet ’90 në vendet e Europës Lindore.
Ajo çfarë po bën Izraeli është më e madhe se për Izraelin dhe kjo është përtej raportit Iran-Izrael. Është shtylla kryesore, por situata është më e gjerë. Lindje e Mesme në vitet e fundit është ndryshe.
Për shkak të revolucionit Iranian, Mbretëria e Arabisë Saudite u detyrua ti lejë një dorë të lirë klerit për shkak të balancimit me Iranin gjë që çoi, që Arabia të jetë eksportues i islamit radikal.
Arabia ka bërë dhe po ndërmerr reforma të brendshme që po e shndërron Arabinë Saudite nga një vend që eksporton islamin radikal, në një vend që po e kthen në një vend në modelin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Edhe kjo që po ndodh në Iran është edhe për shkak të Arabisë.
Gara më e madhe për influencë në rajon është mes Iranit dhe Arabisë Saudite, për shkak se të dy shtetet përfaqësojnë dy identitet fetare të ndryshme, njëri sektin Suni dhe tjetri Shiit.
Irani ka përdorur komunitetet Shiit në rajon, në mënyrë që të ushtrojë sferën e tij të ndikimit’, tha Avenir Peka në SYRI TV.





