Tag: antigrip

  • Vaksinim antigrip falas në banesë për pacientët kronikë, fushata vijon në terren

    Vaksinim antigrip falas në banesë për pacientët kronikë, fushata vijon në terren

    Ekipet mjekësore në të gjithë vendin po vijojnë çdo ditë vaksinimin në banesë për pacientët me sëmundje kronike, duke siguruar akses të lehtë dhe falas ndaj vaksinës antigrip, veçanërisht për ata që nuk mund të lëvizin drejt qendrave shëndetësore.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi sot në rrjetet sociale momente nga puna në terren e infermiereve të qendrës shëndetësore nr. 9 në Tiranë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
    “Vaksina shpëton jetë. Në këtë periudhë të gripit sezonal, ekipet tona janë çdo ditë në terren, duke ofruar vaksinën antigrip falas në banesë për pacientët kronikë që nuk kanë mundësi të paraqiten në qendrat shëndetësore. Shëndeti i çdo qytetari mbetet prioriteti ynë”, nënvizon Ministria.

    Eriseida Brisku, infermiere pranë kësaj qendre shëndetësore, shprehet: “Kur të moshuarit nuk mund të vijnë në ambulancë, ne shkojmë në banesë për t’i vaksinuar. Shumë prej pacientëve janë me hipertension dhe diabet, ndaj vaksinimi është jetik për mbrojtjen e tyre.”Fushata e vaksinimit nisi më 22 shtator 2025, dhe vetëm gjatë javës së parë në Njësinë Rajonale të Vaksinimit dhe Kontrollit Shëndetësor (NJVKSH) në Tiranë janë vaksinuar mbi 6,600 qytetarë, sipas të dhënave të regjistruara në sistemin elektronik të vaksinimit.Ministria ka siguruar gjithsej 280,000 doza të vaksinës antigrip, të cilat janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore në gjithë vendin, duke garantuar disponueshmërinë për grupet prioritare.

    Vaksinimi antigrip rekomandohet veçanërisht për punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike si ato kardiovaskulare, pulmonare, diabeti, astma, sëmundjet e mëlçisë dhe veshkave, si dhe për pacientët me diagnoza të rënda si tumoret dhe kanceri. Përfshihen gjithashtu personat mbi 65 vjeç, banorët dhe personeli i institucioneve të kujdesit afatgjatë, personat obezë, ata me imunitet të dobësuar, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muajsh sidomos me sëmundje bashkëshoqëruese, si dhe mësuesit, edukatorët, si dhe stafi i ushtrisë dhe forcave të rendit.

  • Vaksina antigrip, apeli i të moshuarve për t’u vaksinuar, platformës “e-Albania” mund të zgjedhësh vendin dhe kohën

    Vaksina antigrip, apeli i të moshuarve për t’u vaksinuar, platformës “e-Albania” mund të zgjedhësh vendin dhe kohën

    Me nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip prej 22 shtatorit, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend janë shpërndarë 280 mijë doza vaksinash, të cilat janë tashmë në dispozicion të qytetarëve.
    Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.

    Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit antigrip, kryeministri Edi Rama ndau sot apelin e disa të moshuarve për t’u vaksinuar.

    “Të moshuarit ju ftojnë të vaksinoheni, për veten, për familjen, për jetën. Rezervoni datën dhe orën për veten dhe fëmijët nëpërmjet e-Albania”, u shpreh Rama.
    Vaksina antigrip mbetet mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga viruset e gripit që qarkullojnë në stinën e vjeshtës.
    Aktualisht ka filluar vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërsa janë njoftuar qytetarët, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që paraqesin rrezik në këtë periudhë. Gjithashtu, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka angazhuar edhe grupin e punës që do të kryejë vaksinimin në banesë.
    Sipas udhëzimeve të MSHMS, vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.

  • ‘Covid-19 mes virozave respiratore’, Tomini: Vaksina antigrip mbron nga format e rënda

    ‘Covid-19 mes virozave respiratore’, Tomini: Vaksina antigrip mbron nga format e rënda

    Me shpërndarjen e 280 mijë dozave të vaksinës antigrip, në të gjithë vendin ka nisur vaksinimi i popullatës në qendrat shëndetësore.
    Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini në një prononcim tha se përpos virozave sezonale, Covid-19 mbetet një nga viruset mbizotërues.
    Tomini u shpreh se “nënvarianti i Omicron është më dominuesi në 90% të rasteve”.
    “Nënvariantet e Omicron po sundojnë në të gjithë botën, por XFG është një nga variantet e Omicron që po sundon në 90% të rasteve”, tha Tomini.
    Ajo theksoi se Covid-9 është në një fazë qarkulluese normale në këtë periudhë të vitit, kur pritet edhe rënia e temperaturave dhe ndryshimi stinor.
    Në dallim nga viruset respiratore, shefja e ISHP-së, u shpreh për ATSH-në se, Covid-19 ka qenë gjithnjë prezent në vendin tonë, pa faza rritjeje apo uljeje siç mund të ndodhë me versionet e tjera të gripit apo virozat stinore.
    Duke qenë në ditët e para të nisjes së fushatës së vaksinimit antigrip, Tomini konfirmoi për ATSH-në se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me grip duke theksuar faktin se kjo është një tjetër arsye pse vaksinimi duhet kryer në kohë.
    Shefja e ISHP-së, bëri apel për kryerjen e vaksinës antigrip, e cila është falas dhe mund të bëhet nga e gjithë popullata, nisur nga fëmijët mbi gjashtë muaj, deri te gratë shtatzëna, grupet e riskut, personat me sëmundje bashkëshoqëruese, si edhe ata që kanë ekspozim në komunitet dhe grupe të mëdha, si Policia e Shtetit, mësuesit etj.
    Tomini përsëriti thirrjen për vaksinim të popullatës, për një sezon më të mbrojtur, me sa më pak forma të rënda të sëmundjes së gripit, gjë që do të minimizonte edhe çdo rast humbje jete.
    Njoftimi i qytetarëve po bëhet nga mjekët e familjes, ndërsa personeli shëndetësor është ai që vaksinohet i pari, si një formë mbrojtjeje për veten, familjarët por nuk rrezikohen as pacientët nga influenca sezonale.