Tag: ansamblit

  • “Zare” një nga shfaqjet e repertorit të Ansamblit Popullor, vlerat e trashëgimisë të pasqyruara në këngë dhe valle

    “Zare” një nga shfaqjet e repertorit të Ansamblit Popullor, vlerat e trashëgimisë të pasqyruara në këngë dhe valle

    Nga Julia Vrapi
    Etno- muzikali “Zare” me vlerat e trashëgimisë të pasqyruara në këngë dhe valle do të vijë në skenë. Nuk është thjesht një shfaqje e zakonshme, por një muzikal i plotë ku ndërthuren muzika, vallja, kënga dhe aktrimi. “Zare” është një nga shfaqjet më të bukura të repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, që do të jetë në skenë mbrëmjen e datës 10 qershor për publikun në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Një etno-musical që ngjitet në skenë me gjithë fuqinë e këngës, valles dhe traditës, për të sjellë një histori dashurie mes dy të rinjve që na kthen pas në kohët kur dashuria jetonte në gjeste të vogla dhe këngë të mëdha.
    Një udhëtim i paharrueshëm mes motiveve popullore, kostumeve autentike dhe emocioneve që vetëm folklori ynë di të zgjojë”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Etno muzikali “Zare” vjen në vijim të programit artistik këtë muaj, ku muzika është nga Edi Xhani dhe koreografia nga Andrea Kokeri. “Zare” ka qenë premiera e parë në sezonin artistik që nisi në muajin shtator të vitit 2022 e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por do të rikthehet sërish këtë muaj qershori në skenë për publikun.
    Shfaqja në skenë
    “Zare” është një shfaqje që do të trajtojë temën e dashurisë midis dy të rinjve. Rrjedha e ngjarjeve e këtij muzikali, që nga lindja e dashurisë deri në martesën e Zares me Arbrin do të shtjellohet në tre skena. “Zare” është me pjesëmarrjen e orkestrës, grupit të valleve dhe grupit koral të Ansamblit Popullor, orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, bendit muzikor, balerinëve të shkollës së baletit, grupi baletit “IDAA”. Me muzikë nga Edi Xhani dhe koreografi nga Andrea Kokeri, më herët ky etno muzikal shënoi një sukses në TKOBAP, ku solist këngëtarë ishin Ilir Shaqiri, Aranit Hoxha, Iris Bega, Sofika Kola.
    Ndrësa si solistë valltarë në skenë ishin Ajkana Topalli, Rei Berisha, Genci Kastrati, Enkelejd Bajraktari, Marjana Shkreta, Olta Ahmetaj, Elton Cefa, Gezim Halili, Jera Curcia, Mirela Bekteshi, Leonard Mitrushi, Endri Sejati, Arlinda Mulgeci, Helga Saraçi. Kjo shfaqje që erdhi më parë si etno muzikal në skenë është në vijim dhe të aktivitetit të programit artistik të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore me drejtues artistik Sokol Marsin, artistët e të cilit kanë përcjellë vlerat e folklorit  tonë brenda dhe jashtë vendit.  AKKVP ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist.
    Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKKVP është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet.
     

  • Aranit Hoxha rrëfen misionin e veçantë: Të ruajmë muzikën tonë dhe të afrojmë…

    Aranit Hoxha rrëfen misionin e veçantë: Të ruajmë muzikën tonë dhe të afrojmë…

    Në koncertin festiv kushtuar Tropojës, solisti Aranit Hoxha sjell një kolazh të ri këngësh, që do të këndohet për herë të parë në këtë shfaqje. Ai e konsideron këtë moment si një emocion të veçantë dhe të shumëpritur, duke theksuar se motive nga Tropoja kanë qenë gjithmonë pjesë e repertorit të Ansamblit, të punuara nga mjeshtra të njohur si Panajot Kanaçi, Rexhep Çeliku, Besim Zekthi e deri te Gernc Kastrati.

    “Stafi realizues i koncertit më besoi mua realizimin e një kolazhi dhe unë krijova një bashkim këngësh me pjesëmarrjen e korit të Ansamblit. Do të jetë premierë dhe besoj një nga këngët më të bukura që do të futet në repertor,” – tha Hoxha. Ai foli gjithashtu për përvojën e rinovimit të korit të Ansamblit vite më parë, duke vënë në pah zërat e mrekullueshëm të djemve dhe vajzave të reja, që sipas tij janë dëshmi e gjallë e dëshirës për të qenë pjesë e trashëgimisë artistike kombëtare. “Kam një mision të posaçëm: të ruaj muzikën tonë dhe të afroj të rinjtë që kanë dhunti, në çdo cep të Shqipërisë. Ndryshimet në botë janë të pashmangshme, por unë këndoj live dhe këndoj shqip e pastër,” – u shpreh Aranit Hoxha.

  • Aulon Naçi, emërohet drejtori i ri i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor 

    Aulon Naçi, emërohet drejtori i ri i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor 

    Kompozitori Aulon Naçi është emëruar drejtor i komanduar i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.  
    Ky emërim vjen pas shkarkimit me një vendim të Këshillit të Ministrave disa ditë më parë të Abigeila Voshtinës, e cila e mbajti këtë post për dy vite. Aulon Naçi do të jetë në detyrë deri në përfundim të konkursit dhe emërimit të drejtuesit të ri. 
    “I urojmë suksese Drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, z. Aulon Naçi!
    Naçi ka një karrierë të pasur dhe të spikatur në fushën e muzikës dhe kompozicionit. Ai ka përfunduar studimet në Konservatorin “J. Tomadini” në Udine, Itali, duke u diplomuar me maksimumin e notave dhe me titullin nderi. Më pas, ka vazhduar specializimin në Belgjikë, si asistent lektor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit për një vit.
    Veprat e tij janë interpretuar dhe pritur me entuziazëm në një gamë të gjerë vendesh, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Austrinë, Greqinë, Kanadanë, Holandën, Belgjikën, Rumaninë, Slloveninë dhe shumë të tjera. Ai ka udhëhequr artistikisht aktivitete të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me emra të njohur të panoramës muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare, si ansamble dhe solistë. Disa nga bashkëpunimet më të njohura janë me Korin e Filarmonisë së Kosovës dhe solistët e Orkestrës së “Teatro Alla Scala”. 
    Aulon Naçi ka marrë çmime të ndryshme si kompozitor dhe kontribues në muzikë përfshirë rikthimin e tij në vendlindje si “Albanian Excellence”, “Vela Latina” dhe “Krenaria e qytetit të Vlorës”. Në vitin 2023, ai u përzgjodh për të marrë pjesë në programin prestigjioz LEAD Albania, modeluar sipas programit White House Fellows në SHBA. Po ashtu, në maj 2024, ai përfundoi programin Emerging Leaders në Harvard Kennedy School duke u aftësuar në aspektet menaxheriale dhe të lidershipit. 
    Në vitin e fundit, z. Naçi ka kontribuar edhe si këshilltar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjithashtu prej 8 vitesh është angazhuar si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Fakultetin e Muzikës për degën e kompozicionit duke dhënë kontributin e tij për ngritjen e kapaciteteve të talenteve të reja.  
    Përzgjedhja u bë një Juri, përmes një procesi konkurrimi platformash, të zyrtarizuar me miratim nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – MEKI”, -shkruan ministri.