Nga Julia Vrapi
Pesëmbëdhjetë artistë, që përfaqësojnë artin bashkëkohor shqiptar me punët e tyre janë pjesë ekspozitës kolektive“Inclusiv” këtë tetori. Ekspozitë që prezanton punët e artistëve shqiptarë në Kroaci është gjithashtu dhe një ngjarje e rëndësishme në jetën artistike. Ekspozita u hap në galerinë Fontikus të qytetit të Grosnjanës, në Kroaci. Artistët shqiptarë që janë pjesë e saj janë prezantuar herë pas here me punimet e tyre në ekspozita të ndryshme, por pjesëmarrja në këtë ekspozitë është dhe një prej momenteve të veçanta në aktivitetin artistik. Piktore dhe kuratore Anila Zajmi- Katanolli shprehet se ndihet e vlerësuar, që është marrë me organizimin e “Inclusiv”, ndërsa është botuar edhe një katalog me punët e artistëve pjesëmarrës. “Projektit të bashkëpunimit të artistëve të të dy vendeve, Shqipëri – Kroaci, iu bashkova me kënaqësi dhe dëshirë edhe nga fakti se vjet pata mundësinë të përjetoj një eksperiencë shumë të bukur së bashku me piktoren Adriana Puleshin në kantinën Zigante, me artistë të tjerë, në vijim të projekteve të bukura dhe cilësore që organizon Pino, miku ynë i mirë, me të cilin si nga ana profesionale dhe nga ajo njerëzore është fat të ndërtosh projekte bashkëpunimi”, thotë ajo. Për këtë ekspozitë janë përzgjedhur një grup prej 15 artistësh modernë, që do të përfaqësonin artit bashkëkohor shqiptar në Kroaci. Ndërsa kuratorja Anila Zajmi -Katanolli që vlerëson shumë këtë projekt thotë se ka dhe një rëndësi të veçantë artistike. “Duhet të përzgjidheshin pesëmbëdhjetë artistë modernë nga më të mirët, të cilët do të përfaqësonin artin bashkëkohor shqiptar në këtë shkëmbim kulturor të një rëndësie artistike të veçantë”, shprehet më tej kuratorja.
Artistët pjesëmarrës në ekspozitë
Pjesëmarrës me punët e tyre në këtë ekspozitë janë Adriana Puleshi, Alban Çela, Arben Shira, Bujar Vani, Matilda Mehmetaj, Rikarda Nova-Nenshati, Shpëtim Xhema, Zinni Veshi, Adrian Çene, Anila Zahjmi -Katanolli, Arif Lushi, Fatmir Carkanji, Nezir Ago, Shaqir Veseli, Zef Pepa. Piktore dhe kuratore Anila Zajmi Katanolli, e cila është marrë dhe me organizimin e ekspozitës sjell në vëmendje dhe çfarë ka të përbashkët ky grup artistësh, që këtë herë prezantohen me një ekspozitë në Kroaci dhe ndalet tek koncepti artistik i tyre. “Së pari janë piktorë të një gjenerate dhe formimi i tyre akademik i përket fundit të periudhës së socializmit, si dhe rrymës zyrtare me detyrim përcaktim pa alternativê tjetër të Realizmit Socialist në Shqipëri. Por ndërkohë po ndjehej vrulli i ndryshimit të erës së re të demokracisë. Së dyti koncepti artistik i tyre është kryesisht figurativ, ku prania e njeriut është e dukshme gati tek të gjithë. Së treti, gjuha e trajtimit artistik ka ngjashmëri konceptuale, por në të njëjtën kohë, secili prej tyre ka tashmë një individualitet të kultivuar dhe të skalitur që e bën këtë paraqitje në grup shumë të larmishëm, një mozaik stilesh dhe kompozimesh”, thotë ajo. Sipas saj, në veprat e këtyre autorëve sheh tone të forta ekspresiviteti, sheh potencë në ngjyra e në simbolikën e gjuhës artistike, formale nganjëherë, filozofike, futuriste, ireale, mistike, ku Pino Bonanno e quan këtë tablo të gjerë “Shkolla Shqiptare” e pikturës. “Fuqia e shprehjes grafike dhe shpërthimi si element artbërës i artistëve ka një nënshtresë të përjetimit të trysnisë së ndrydhjes nga mungesa e lirisë, remineshencë e periudhës së Realizmit Socialist në Shqipëri gjatë regjimit më të egër të diktaturës komuniste”, thotë Anila Zajmi-Katanolli. Zhdërvjelltësia e potencës së ngjyrës së Adrianës, goditjet e masave ngjyrore të Çenes, ndjeshmëria vibruese e penelit të Albanit, për kuratoren Anila Zajmi-Katanollin stilistika pikturike është parësore, ndërsa sjell në vëmendje dhe punimet e autorëve të tjerë në ekspozitë. “Sinteza poetike e Arbenit, vibrimi i dritës përmidis penelatave të Arifit, simbolika konceptuale e Bujarit, poetika abstrakte e Lordit (Fatmir Carkanji), volumet estetike të Matlindës, elegancën konceptuale të Nezirit, fuqinë ekspresive të Rikardës, gjuhën analitike mistike në pikturën e Shaqos, njollat formale ekspresive të Shpëtimit, grafika potente e zëshme e Zefit, forca gjeometrike grafike të ngjyrës nga Zinniu. Dhe kështu: pjesa për të tërën dhe e tëra për pjesën në këtë ekspozitë të grupit shqiptar. Mikpritjen që gjetëm në Kroaci, dëshirojmë ta përsërisim nga ana jonë edhe në Shqipëri, duke pritur përzemërsisht artistët kroatë”, thotë Anila Zajmi -Katanolli. Ky bashkëpunim për ekspozitën “Inclusiv” vjen si pjesë e përpjekjeve të Bashkisë së Grožnjanit për të forcuar marrëdhëniet kulturore ndërkombëtare dhe për të promovuar diversitetin artistik në hapësirën evropiane. Ekspozita që u hap më datë 18 do të vijojë deri më 31 tetor për publikun.