Shtetet e Bashkuara sekuestruan një anije cisternë pranë Venezuelës dhe një video e postuar në X tregon mënyrën se si ushtarët amerikanë e kryen këtë operacion.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara sekuestruan një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës, njoftoi Presidenti Donald Trump, duke rritur presionin e Uashingtonit mbi regjimin e Presidentit Nicolás Maduro, shkruan CNN.
“Siç ndoshta e dini, sapo sekuestruam një cisternë pranë brigjeve të Venezuelës, një të madhe… Në fakt, më e madhja e sekuestruar ndonjëherë… Do ta shihni më vonë dhe do të flasim për këtë më vonë me disa njerëz të tjerë”, u tha Donald Trump gazetarëve gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën pasdite, shkruan BBC.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se tankeri ka qenë nën sanksione të SHBA-së për vite me radhë “për shkak të përfshirjes së tij në një rrjet të paligjshëm të transportit të naftës që mbështet organizatat e huaja terroriste”, përfshirë Venezuelën dhe Iranin.
Today, the Federal Bureau of Investigation, Homeland Security Investigations, and the United States Coast Guard, with support from the Department of War, executed a seizure warrant for a crude oil tanker used to transport sanctioned oil from Venezuela and Iran. For multiple… pic.twitter.com/dNr0oAGl5x
— Attorney General Pamela Bondi (@AGPamBondi) December 10, 2025
Bondi publikoi një video në platformën X që tregonte personel të armatosur duke zbritur nga një helikopter në anije, pastaj duke lëvizur përgjatë kuvertës me armë të drejtuara. Ajo deklaroi se FBI-ja, Departamenti i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare dhe Roja Bregdetare e SHBA-së kryen sekuestrimin “me mbështetjen e Departamentit të Luftës”.
Presidenti Trump nuk ofroi një shpjegim më të detajuar për këtë veprim, shkruan CNN, duke thënë vetëm se anija u sekuestrua “për një arsye shumë të mirë”. Kur u pyet se çfarë do të ndodhë me naftën që po transportonte cisterna, Trump u përgjigj: “Do ta mbajmë, mendoj”, thuhet në raport.
Konfiskimi ndodhi në ujëra ndërkombëtare, tha një zyrtar i lartë amerikan, dhe u krye pa incidente apo viktima – as midis personelit amerikan dhe as midis ekuipazhit të cisternës. Anija, e cila ishte nisur për në Kubë, supozohej të përfundonte në Azi pasi shitja ishte ndërmjetësuar përmes tregtarëve kubanë, shtoi zyrtari, duke paralajmëruar se sekuestrime të tjera janë të mundshme në javët e ardhshme, ndërsa SHBA-të shtojnë presionin ndaj Maduros.
Anija “Skipper”, e njohur më parë si “Adisa”, u vu nën sanksione të SHBA-së në vitin 2022 për ndërmjetësimin e tregtisë së naftës për njësitë e Hezbollahut të Gardës Revolucionare të Iranit.









