Tag: anifest

  • Festivali “Anifest”, nisi në Gjirokastër edicioni i 18-të i filmit të animuar për fëmijë

    Festivali “Anifest”, nisi në Gjirokastër edicioni i 18-të i filmit të animuar për fëmijë

    Festivali i filmit të animuar për fëmijë, Anifest, ka nisur edicionin e tij të 16-të në qytetin e Gjirokastrës, duke vijuar traditën si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për fëmijët në Shqipëri.

    Këtë vit, festivali u hap me një nderim të veçantë për drejtorin artistik dhe themeluesin e tij, Artan Maku, i cili u dekorua me një titull nderi nga Bashkia e Gjirokastrës për kontributin e tij në zhvillimin e filmit të animuar dhe edukimin kulturor të brezave të rinj.
    Artan Maku, themeluesi i festivalit të filmit të animuar për fëmijë thotë: “Ne kemi menduar që ky edicion të jetë unik dhe të zhvillohet në Gjirokastër, sepse këtu duhet të mbillet identiteti kulturor. Festivali synon të krijojë atmosferë pozitive në jetën e fëmijëve dhe të kontribuojë në shmangien e përdorimit pasiv të teknologjisë. Duam që fëmijët të mos jenë thjesht spektatorë, por protagonistë në përzgjedhjen e vlerave që i përfaqësojnë”.
    Risi e këtij edicioni është organizimi i jurive në dy nivele: juria e fëmijëve, e cila do të ketë rol aktiv në përzgjedhjen e filmave fitues, dhe juria e të rriturve, me ekspertë të kinemasë dhe artit ndërkombëtar.
    Më shumë se 1000 filma janë paraqitur për këtë edicion, dhe nga ata janë përzgjedhur një koleksion i pasur filmash të shkurtër që mbulojnë një gamë të gjerë tematikash, nga familja, miqësia dhe empatia, deri tek sfidat personale dhe fuqia e imagjinatës.

    Top Channel

  • “Anifest” edicioni i 16-të nis udhëtimin nga Tirana, ku bëhet bashkë me filmat e krijuesve nga Kosova

    “Anifest” edicioni i 16-të nis udhëtimin nga Tirana, ku bëhet bashkë me filmat e krijuesve nga Kosova

    Nga Julia Vrapi
    Festivali ndërkombëtar i filmit “Anifest” e nisi udhëtimin nga Tirana për edicionin e 16-të. Filma që janë shfaqur ndër vite në këtë festival ishin pjesë e programit artistik në qendrën e artit “Agimi” në Tiranë. Por këtë vit festivali “Anifest” në partneritet me ” Art Without Limit International Film Festival” nga Kosova prezantoi në program dhe filma për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe në nevojë. Festivali përfundoi një ditë më parë ditët e tij në Tiranë, por drejtori artistik i “Anifest”Artan Maku sjell në vëmendje bashkëpunimin këtë vit me “Art Without Limit International Film Festival”, ku u shfaqën kryesisht filma të shkurtër për fëmijë, të animuar që prekin tema të ndjeshme social-psikologjike, duke përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese për të miturit. “ Nga “Anifest” u shfaqën filma të animuar nga bota. Krijuesit nga Kosova dhe ata të huaj kanë trajtuar problemet e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe në të njëjtën kohë se si janë në art ata”, thotë Artan Maku drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit për fëmijë “Anifest” që nisi udhëtimin e edicionit të tij të 16-të këtë vit nga Tirana.
    Festivali u zhvillua në datat 24-27 mars. Në këtë aktivitet në bashkëpunim me qendrën e artit “Agimi”- Agjencia e Industrisë Kreative Tiranë që bëri bashkë dy festivale drejtori artistik  i “Anifest” Artan Maku tregon se u shfaqën rreth 36 filma. “Agjencia e Industrisë Kreative Tiranë hapi kinemanë “Agimi” 24-27 mars 2025 dhe ne si organizatorë i falenderojmë, sepse OJF AniFest realizoi festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër për fëmijët ndryshe. Fëmijët që bëjnë art, po janë me aftësi të kufizuar. Këta fëmijë në fund të filmit theksojnë se edhe “Ti mund t’ia dalësh”, kjo realizohet në bashkëpunim me OJF “Art Without Limit”, i cili organizon në Prishtinë festival me të njëjtin emërtim “Kosovë””, thotë drejtori artistik Artan Maku në reagimin e tij.
     Festivali në qytet të tjera
    Festivali ndërkombëtar i filmit “AniFest” pas Tiranës do të vijojë dhe në dy qytete të tjera. Drejtori artistik Artan Maku thotë se në muajin maj do të jetë në qytetin Shkodrës për dy ditë dhe në vijim edhe në qytetin e Gjirokastrës. “Në Shkodër festivali do të jetë në muajin maj për dy ditë. Mendohet të jetë nga java e fundit e majit. Pas Shkodrës është planifikuar që të jetë në shtator në Gjirokastër”, tregon drejtori Maku. Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë “Anifest” prej vitesh po zhvillohet në vendin tonë, por dhe vështirësia për këtë aktivitet nuk ka munguar. Drejtori artistik Artan Maku thotë se po përgatitet që të aplikojë për këtë projekt në dy bashkitë, ku është menduar festivali për të qenë në ndihmë të zhvillimit të tij.
    “ Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit nuk e miratoi projektin “Anifest”. Unë kam dorëzuar projektin në Qendrën Kombëtare Kinematografike dhe po presim. Por do bëj dhe projekte të tjera do t’ia çoj bashkisë së Shkodrës, si dhe Gjirokastrës dhe në vazhdim presim për financimin. Situata me festivalin ndër vite ka qenë e vështirë. Festivali do të vijojë rrugëtimin e tij edhe pse me shumë përpjekje”, thotë drejtori artistik Artan Maku. Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë “AniFest” është cilësuar unik në llojin e tij në vendin tonë. Në edicionin e parë “Anifest Rozafa” 2010 morën pjesë 100 filma.