Plot 25% e grave të grup moshës nga 15 deri 49 vjeç në Shqipëri vuajnë nga anemia për shkak të mungesës së hekurit.
Të dhënat në rang global përfshirë edhe për Shqipërinë janë publikuar në raportin më të fundit të UNICEF i cili vlerëson progresin global dhe rajonal në përmbushjen e Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 për ushqyerjen të fëmijët deri 5 vjeç dhe grupmoshat e tjera të popullatës.
Për reduktim të anemisë te gratë të dhënat më të fundit pasqyrohen për 2023 krahasuar me ato të 2012-s.
Sipas raportit, Shqipëria ka pësuar përkeqësim, me një rritje prej 5% të rasteve të anemisë nga viti 2012 në 2023. Kjo e vendos vendin në kategorinë e shteteve që nuk kanë bërë progres drejt objektivave të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara.
Mesatarja globale e grave me anemi është 31%. Në Europën Qendrore dhe Lindore mesatarja është 21%. Shqipëria është mbi këtë mesatare me 25%
Përkeqësim të dhënave ka pasur edhe për shumë shtete të tjera ballkanike, europiane. Në Malin e Zi nga 21% që ishte numri i grave me anemi në 2012 për 2023 arriti në 26%. Në Maqedoninë e Veriut nga 17% numri i grave me anemi ka arritur në 22%. Në Serbi nga 21 në 25%. Në Kroaci nga 20 në 23%.
Në Greqi po ashtu nga 12 është rritur në 16 përqindja e grave me anemi. Në Itali për 2023 numri i grave që vuajnë nga anemia është 16% nga 12% që ishte në 2012. Edhe në këtë shtet raporti është përkeqësuar. Në Francë po ashtu në 2012 numri i grave që vuanin nga anemia ishte 8% ndërsa në 2023 arriti 13%.
Edhe në rang global rezulton përkeqësim të treguesve në dekadën e fundit, ku nga 28% që ishte në 2012 në 2023 arriti në 31% mesatarja e grave që vuajnë nga anemia.
Vjet Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka dhënë një sërë këshillash për parandalimin dhe trajtimin e kësaj gjendjeje shëndetësore, e cila prek veçanërisht gratë, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje afatgjata.
Sipas ISHP-së, trajtimi varet nga lloji dhe shkalla e anemisë. Në shumicën e rasteve jo të komplikuara, anemia trajtohet me ndryshime në dietë dhe suplemente hekuri.
Për të ndihmuar në rikthimin e niveleve të hemoglobinës, ISHP këshilloi Konsumi i produkte ushqimore të pasura me hekur, si mish, veza, mëlçia, susami, manaferrat dhe fasulet./Monitor
Tag: anemisë
-

Rastet e anemisë te gratë shqiptarë në rritje, ja si të mbroheni sipas ISHP
-

Hithër dhe limon, receta natyrale që kuron aneminë
Anemia është një sëmundje që shkaktohet nga mungesa e hekurit ose si shenjë shoqëruese e një problemi tjetër shëndetësor. Simptomat e anemisë përfshijnë lodhjen, rënien e flokëve, takikardinë e të tjera. Ilaçet dhe kurat farmaceutike janë të shumta. Por duhet të keni kujdes nga suplementët e hekurit.
Kujdesi nis duke mësuar më shumë për efektet anësore të këtyre suplementëve. Hekuri shkakton oksidim në organizëm që sjell probleme në tretje. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, për të parandaluar një problem të tillë duhet të rrisni konsumin e ushqimeve të pasura me hekur siç janë barishtet, bishtajoret, panxhari, majdanozi e të tjerë.
Nëse preferoni të konsumoni suplementë, sigurohuni që të përmirësoni përthithjen e këtij minerali duke e shoqëruar gjithmonë me ushqime të pasura me vitaminë C. Pas diagnostikimit dhe medikamenteve të rekomanduar nga mjeku, ju rekomandojmë të përdorni edhe këtë kurë natyrale me hithër dhe limon.
Hithra është e pasur me vitamina dhe minerale, ndër të cilat veçojmë hekurin. Ajo ka aftësi të përmirësojë tretjen dhe të pastrojë gjakun.
Limoni është gjithashtu i fuqishëm në pastrimin e organizmit dhe në përthithjen e ushqyesve. Limoni është i pasur me vitaminë C, që siç e thamë më lart ndihmon në përthithjen e hekurit nga ushqimet.
Kura me hithra dhe limon kundër anemisë:
Duke parë vlerat e këtyre dy përbërësve, vjen natyrshëm ideja e bashkimit të tyre në një kurë të vetme kundër anemisë.
Përbërësit:
5 lugë gjelle me gjethe të thara hithre. Mund të përdorni edhe gjethe të njoma.
Lëngu i një limoni
1 litër ujë
Përgatitja:
Ziejeni ujin në një tenxhere.
Kur sapo të ketë marrë valë, hiqeni nga zjarri dhe shtoni hithrën e thatë. Mbylleni kapakun dhe lëreni hithrën të tretet në ujë për 5 minuta.
Më pas kullojeni lëngun, shtoni lëngun e limonit dhe nëse dëshironi shtoni pak mjaltë.
Nëse keni gjethe të njoma, atëherë ziejini bashkë me ujin.
Këtë pije mund ta pini përgjatë ditës por jo gjatë vakteve.
Për shembull, mund të pini një gotë me stomak bosh, një paradite dhe një pasdite. Pija duhet konsumuar për 15 ditë për të shtuar nivelet e hekurit dhe për të parandaluar aneminë. Pas këtyre dy javëve, kufizojeni pirjen e lëngut në një gotë në ditë.
Mos harroni të bëni limonin pjesë të vakteve tuaja për të përmirësuar përthithjen e hekurit. Majdanozi i freskët është gjithashtu një produkt që duhet ta konsumoni, sepse përmban hekur dhe vitaminë C.
-

Anemia, rrezik i fshehtë për shëndetin! Simptomat që nuk duhet t’i injoroni
Anemia është një gjendje shëndetësore ku trupi nuk prodhon mjaftueshëm qeliza të kuqe të shëndetshme të gjakut ose kur këto qeliza nuk funksionojnë si duhet.
Kjo nënkupton një mungesë të hemoglobinës – substancës që bart oksigjenin në trup dhe ndihmon në largimin e dioksidit të karbonit. Nëse këto procese ndërpriten, organizmi mund të rrezikohet nga helmimi me dioksid karboni.
Shkaqet e anemisë janë të shumta dhe shpesh simptoma e saj ngatërrohet me lodhjen e zakonshme.
Megjithatë, nëse vëreni disa nga shenjat e mëposhtme, është e këshillueshme të konsultoheni me mjekun:
– Zbehje e lëkurës: Një shenjë klasike e anemisë është ndryshimi i ngjyrës së lëkurës. Përveç fytyrës, zbehja mund të vihet re edhe në duar, qepallët e brendshme dhe gjuhë.
– Rrahje të parregullta të zemrës: Kur mungon hemoglobina, zemra detyrohet të punojë më shumë për të shpërndarë oksigjenin në trup, duke shkaktuar ritëm të parregullt të rrahjeve.
– Lodhje e vazhdueshme: Pa oksigjen të mjaftueshëm, trupi shpenzon më shumë energji për të funksionuar normalisht, gjë që çon në ndjesi të fortë lodhjeje.
– Probleme me përqendrimin: Ashtu si çdo organ tjetër, edhe truri vuan nga mungesa e oksigjenit, duke bërë që të vështirësohet përqendrimi dhe të ndikohet mendimi i qartë.
– Hollim i thonjve: Thonjtë që dobësohen ose krijojnë formë të lugës mund të jenë një tregues i anemisë.
– Çarje në këndet e buzëve: Ndryshe nga tharja e zakonshme, anemia shkakton çarje të theksuara, veçanërisht në cepat e buzëve.
Nëse keni vërejtur ndonjërën prej këtyre shenjave, është e rëndësishme të kërkoni këshillë mjekësore për të diagnostikuar dhe trajtuar në kohë aneminë.