“Qartësisht jam shumë i emocionuar, që do të luaj për herë të parë me Brazilin në ‘Maracanã’”. Kështu u shpreh trajneri italian i kombëtares braziliane, Carlo Ancelotti, duke iu përgjigjur një pyetjeje të ANSA-s gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e listës së të thirrurve për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Botërorit 2026, që do të zhvillohen më 4 shtator ndaj Kilit, në “Maracanã”, dhe më 9 shtator në “El Alto” kundër Bolivisë.
Trajneri i mëparshëm i Real Madridit theksoi gjithashtu se pret përmirësim të performancës së të tijve pas dy ndeshjeve të para në qershor, kundër Ekuadorit dhe Paraguajit, të cilat përfunduan përkatësisht me një barazim dhe një fitore.“Brazili mund të përmirësohet akoma në cilësinë e lojës dhe intensitet, kemi kohë për ta bërë këtë, edhe pse jam shumë i kënaqur me atë që pamë kundër Paraguajit”, – tha italiani.
Ancelotti foli edhe mbi adaptimin personal me realitetin e ri në Amerikën e Jugut: “Nuk kam asnjë problem të tillë. Mjedisi në kombëtaren braziliane është shumë i mirë, shumë familjar, kam gjetur përgatitje dhe organizim. Pra, nuk kam pasur probleme”.
Sa iu përket lojtarëve të thirrur, surpriza kryesore ishte mbrojtësi i djathtë i Romës, Wesley, i cili shkëlqeu të shtunën me një gol në debutimin e tij në stadiumin “Olimpico”. Ndërkohë, Neymar Jr nuk do të jetë i pranishëm për shkak të një dëmtimi të lehtë. Ancelotti sqaroi menjëherë se kjo nuk është zgjedhje teknike: “Neymarin e njoh, nuk kam nevojë ta testoj. Dua ta shfrytëzoj këtë cikël kualifikuesesh të mbetura për t’i njohur më mirë ata që nuk i njoh”.
Kjo është lista e plotë e të thirrurve nga Ancelotti:Portierë: Alisson (Liverpool), Bento (Al-Nassr), Hugo Souza (Corinthians)Mbrojtës: Alexsandro Ribeiro (Lille), Alex Sandro (Flamengo), Caio Henrique (Monaco), Douglas Santos (Zenit), Fabricio Bruno (Cruzeiro), Gabriel Magalhães (Arsenal), Marquinhos (PSG), Vanderson (Monaco), Wesley (Roma)Mesfushorë: Andrey Santos (Chelsea), Bruno Guimarães (Newcastle), Casemiro (Manchester United), Joelinton (Newcastle), Lucas Paquetá (West Ham)Sulmues: Estevão (Chelsea), Gabriele Martinelli (Arsenal), João Pedro (Chelsea), Kaio Jorge (Cruzeiro), Luiz Henrique (Zenit), Matheus Cunha (Manchester United), Raphinha (Barcelona), Richarlison (Tottenham)