Tag: amerikan

  • SHBA dhe Kina finalizojnë marrëveshjen për TikTok-un, ja kur përfundohet transaksioni

    SHBA dhe Kina finalizojnë marrëveshjen për TikTok-un, ja kur përfundohet transaksioni

    Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, konfirmoi të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje përfundimtare që do të transferojë versionin amerikan të TikTok tek pronarët e rinj me bazë në SHBA.

    Në një intervistë për emisionin Face the Nation në CBS, Bessent deklaroi:

    “Arritëm një marrëveshje përfundimtare për TikTok. Besoj se që nga sot të gjitha detajet janë zgjidhur dhe do të jetë detyrë e dy udhëheqësve – Presidentit Donald Trump dhe Xi Jinping – ta përfundojnë atë transaksion gjatë takimit të tyre këtë të enjte në Kore.”

    Bessent tha se marrëveshja u arrit në Madrid, pas disa raunde negociatash intensive, dhe është pjesë e një kuadri më të gjerë ekonomik që përfshin diskutime mbi tregtinë, tarifat dhe produktet bujqësore midis dy vendeve.

    Sipas raportimeve, marrëveshja vlerësohet në rreth 14 miliardë dollarë. Ajo parashikon që investitorët amerikanë dhe ndërkombëtarë të zotërojnë rreth 65% të aksioneve të TikTok-ut amerikan, ndërsa ByteDance dhe partnerët kinezë do të mbajnë më pak se 20%.

    Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump, i nënshkruar më 25 shtator, hapi rrugën për këtë ristrukturim, duke kërkuar që algoritmi i platformës dhe mbikëqyrja teknologjike të kalojnë nën kontrollin e bordit të ri të drejtorëve – me gjashtë nga shtatë anëtarët amerikanë.

    Një detaj që ka tërhequr vëmendje është propozimi që Barron Trump, djali 19-vjeçar i Presidentit, të jetë pjesë e bordit të kompanisë, një ide e hedhur nga ish-producenti i mediave sociale Jack Advent. Ndër investitorët e rinj përmenden gjithashtu Rupert Murdoch dhe Larry Ellison.

    Bessent shtoi se qëllimi i tij ishte të siguronte miratimin e palës kineze:

    “Detyra ime ishte të bindja kinezët të pranonin marrëveshjen, dhe besoj se e arritëm me sukses gjatë dy ditëve të fundit.”

    Presidenti Trump ndodhet aktualisht në Malajzi, në kuadër të një turi pesëditor në Azi, ndërsa takimi me presidentin kinez Xi Jinping është planifikuar të zhvillohet të enjten në Korenë e Jugut, ku pritet të nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja.

    Në qendër të bisedimeve të ardhshme do të jenë gjithashtu bilanci tregtar, blerjet kineze të produkteve bujqësore amerikane dhe kriza e fentanilit, e cila ka ndikuar në vendosjen e tarifave 20% të administratës Trump mbi importet kineze.

  • Donald Trump kërcen në Malajzi, presidenti amerikan merr pjesë në samitit e ASEAN-it

    Donald Trump kërcen në Malajzi, presidenti amerikan merr pjesë në samitit e ASEAN-it

    Presidenti amerikan mbërriti në Malajzi përpara samitit të ASEAN-it në kryeqytetin Kuala Lumpur.
    Kreu i Shtëpisë së Bardhë u prit në aeroport nga zyrtarë malajzianë dhe një turmë qytetarësh që valëvitnin flamuj dhe kërcenin përpara një samiti me udhëheqësit e grupit të kombeve ASEAN.
    Ai u ndal në tapetin e kuq për të kërcyer me interpretuesit, përpara se të merrte një flamur amerikan në njërën dorë dhe një flamur malajzian në tjetrën, dhe të hipte në limuzinën e tij për të udhëtuar drejt kryeqytetit.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka mbikëqyrur nënshkrimin e një marrëveshjeje armëpushimi midis Tajlandës dhe Kamboxhias në ditën e parë të një turneu në Azi, ku ai pritet të ketë marrëveshje të reja tregtare dhe të zhvillojë një takim të rëndësishëm me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.
    Në një ceremoni përpara një pankarte ku shkruhej “Shpërndarja e Paqes”, kryeministri tajlandez dhe homologu i tij kamboxhian nënshkruan një marrëveshje të zgjeruar armëpushimi.
    “Kjo deklaratë, nëse zbatohet plotësisht, do të sigurojë themelet për një paqe të qëndrueshme, por më e rëndësishmja, ajo do të fillojë procesin e riparimit të lidhjeve tona. Komunitetet tona kufitare janë ndarë nga konflikti dhe civilët e pafajshëm kanë pësuar humbje të mëdha.”
    Trump ndihmoi në ndërmjetësimin e përfundimit të konfliktit pesëditor në korrik, duke telefonuar udhëheqësit e atëhershëm të të dy vendeve dhe duke i nxitur ata të ndalonin armiqësitë, përndryshe rrezikonin që bisedimet e tyre përkatëse tregtare me Uashingtonin të pezulloheshin.
    “Shtetet e Bashkuara do të kenë një tregti dhe bashkëpunim të fortë, transaksione, shumë prej tyre, me të dy kombet, për sa kohë që ato jetojnë në paqe.”
    Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e shkëmbimit të raketave dhe artilerisë së rëndë, që vranë të paktën 48 persona dhe zhvendosën përkohësisht rreth 300,000 të tjerë.
    /vizionplus.tv

  • Robert Lulgjuraj, shqiptari që kërkon të shkruajë historinë në SHBA

    Robert Lulgjuraj, shqiptari që kërkon të shkruajë historinë në SHBA

    “Im atë nuk është një milioner. Unë nuk jam djali i një politikani. As im atë nuk është një politikan. Dhe nuk na intereson se kush merr pjesë në këtë garë. E dini pse? Shikojeni këtë sallë dhe këto njerëz, ata duhet të shqetësohen për ne. Më besoni!”

    Me këto fjalë plot bindje, Robert Lulgjuraj, biri i Malësisë së Madhe me rrënjë të thella shqiptare, tashmë synon të shkruajë një faqe të re në historinë politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Robert Lulgjuraj, prokurori shqiptaro-amerikan dhe anëtari i Partisë Republikane, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për në Kongresin Amerikan, me synimin për të përfaqësuar Distriktin e 10-të të Michigan në zgjedhjet e vitit 2026. Me këtë hap të guximshëm, ai jo vetëm aspiron një detyrë të rëndësishme politike, por edhe përfaqësimin e denjë të komunitetit shqiptaro-amerikan në zemër të demokracisë botërore.

    Familja Lulgjuraj e ka origjinën nga viset shqiptare në Mal të Zi. Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan drejt Amerikës në vitet 1960, në kërkim të lirisë dhe për të shpëtuar nga trysnia e komunizmit dhe persekutimi fetar. Ata u vendosën në Detroit, ku filluan një jetë të re, të mbushur me sakrifica, punë të ndershme dhe përkushtim ndaj vlerave familjare, një histori e njohur për shumë familje shqiptare të asaj kohe.

    Nëna e Robertit punonte si kameriere, profesion që e ushtron ende sot me përulësi dhe dinjitet, ndërsa gjyshja e tij ishte pjatalarëse, dy gra që ndërtuan themelet e një familjeje të ndershme në tokën e premtuar amerikane.

    Nga ajo përvojë e vështirë, Robert Lulgjuraj trashëgoi virtytin e punës, respektin për sakrificën dhe krenarinë për prejardhjen e tij shqiptare. Ai është rritur në qytetin Sterling Heights, ku edhe sot njihet si një zë i fortë që nuk ka reshtur kurrë së foluri me krenari për origjinën e tij dhe për vlerat që e kanë formuar si njeri.

    Arsimin e nisi në shkollën publike “Grissom” të Sterling Heights, për ta vijuar më pas në shkollën katolike prestigjioze për djem “Brothers Rice”, ku u dallua për disiplinën, përkushtimin dhe frymën udhëheqëse.

    Në vitin 2015, ai u diplomua në Studime të Biznesit dhe Shkenca Humane, ndërsa pesë vite më vonë, në vitin 2020, përfundoi doktoraturën në drejtësi në “University of Detroit Mercy School of Law”.

    Gjatë viteve të studimeve, Robert Lulgjuraj shfaqi pasionin për politikën. Ai shërbeu si kryetar i të rinjve të Partisë Republikane në qarkun e Macomb, duke dëshmuar lidership dhe vizion për të ardhmen.

    Pas përfundimit të studimeve, Lulgjuraj nisi karrierën si avokat në Detroit, ku trajtoi çështje të rënda penale, nga vjedhjet dhe tentativat për vrasje, deri te rastet e trafikimit të lëndëve narkotike.

    Më vonë, si prokuror në Wayne County dhe Macomb County, ai ka ndjekur mbi 2,000 raste penale, përfshirë dosje të krimit të organizuar dhe të dhunës së rëndë.

    “Unë gjithmonë i jap rëndësi karakterit dhe virtyteve kur bashkëveproj me njerëzit. Reflektoj mbi vlerat e familjes dhe ato personale dhe përpiqem të jem i sinqertë. Besoj se shqiptarët do të ndalen dhe do të reflektojnë se kush janë ata me të vërtetë, çfarë besojnë thellësisht dhe cilat janë rrënjët e tyre familjare. Kjo sepse shqiptarët kanë besim të fortë te Zoti, puna dhe familja. Historia e familjes sime ka qenë e vështirë dhe është frymëzuese. Gjyshi im ishte i persekutuar. Sot, unë kandidoj për në Kongresin Amerikan, dhe jam thellësisht mirënjohës.”

    Për ata që e njohin nga afër, Robert Lulgjuraj është një profesionist i përgatitur, me integritet të lartë, vizion të qartë dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj komunitetit dhe ligjit. Ai e sheh drejtësinë jo si një instrument të pushtetit, por si një mburojë të qytetarit, një filozofi që e ka udhëhequr në çdo hap të karrierës së tij.

    Në themel të filozofisë së tij politike qëndrojnë katër shtylla: besimi, familja, liria dhe rendi publik.

    Janë këto vlera që përbëjnë boshtin e fushatës së tij për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, një fushatë që synon të frymëzojë jo vetëm shqiptarët e Michigan-it, por çdo qytetar që beson në mundësinë e ndryshimit.

    Për komunitetin shqiptaro-amerikan, kandidatura e Robert Lulgjurajt përfaqëson një moment historik dhe një burim krenarie.

    Ai shihet si përfaqësuesi i një brezi të ri shqiptarësh në Amerikë, që nuk harrojnë rrënjët, por i përdorin ato si forcë për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më përfshirëse.

    “Njerëzve u intereson që të kenë rrugë të sigurta, komunitete të sigurta, duan t’i rrisin fëmijët pa u qëlluar dhe pa u rrezikuar nga përdoruesit e drograve. Ata duan qetësi dhe siguri. Mua më intereson ligji dhe të mbështes policinë dhe viktimat. Është ajo që kam bërë gjithë jetën.”

    Nëse arrin të fitojë, Robert Lulgjuraj do të bëhet shqiptaro-amerikani i parë që hyn në Kongresin e SHBA-së që nga fundi i viteve ’80.

    Një arritje që do të shënojë jo vetëm suksesin personal të një të riu me origjinë shqiptare, por edhe një gur themeli në historinë e përfaqësimit të shqiptarëve në politikën amerikane.

    Klan News

  • Trump: Nuk do ta takoj Putinin nëse nuk është gati për marrëveshje

    Trump: Nuk do ta takoj Putinin nëse nuk është gati për marrëveshje

    Bota E Diel, 26 Tetor 2025 10:00Presidenti amerikan, Donald Trump.
    Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk do të humbasë kohë që ta takojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nëse lideri i Kremlinit nuk është gati të bëjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
    “Duhet ta dini se do ta arrijmë një marrëveshje. Nuk do të humb kohë kot”, u ka thënë Trump gazetarëve më 25 tetor sa ka qenë duke udhëtuar për në Majalzi, ku e ka nisur turneun e tij aziatik.

    “Kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mrekullueshme me Vladimir Putinin, mirëpo kjo ka qenë tepër zhgënjyese. Kam menduar se kjo luftë do të përfundonte para se të arrihej paqja në Lindje të Mesme”, ka shtuar ai.

    Trump ka biseduar me Putinin javën e kaluar dhe ka thënë se planifikon ta takojë atë në Budapest brenda disa javësh.

    Megjithatë, presidenti amerikan e ka anuluar më vonë takimin, duke thënë se palët do të takohen më vonë.
    Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters e ka cituar një zyrtar amerikan të ketë thënë se administrats Trump ka përgatitur sanksione shtesë kundër ekonomisë ruse, të cilat mund të zbatohen nëse Putin e refuzon marrëveshjen për paqe.
    Shtetet e Bashkuara i kanë tronditur tregjet e energjisë në gjithë botën më 22 tetor, kur kanë njoftuar se do t’i sanksionojnë kompanitë ruse të energjisë, Rosneft dhe Lukoil, të cilat besohet se përmes eksporteve të naftës, e financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.
    Një ditë më vonë, edhe Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Rosneftit dhe Gazpromneftit, një tjetër kompani e madhe e naftës, degë e gjigantit shtetëror rus, Gazprom.
    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

  • Marrëveshja e paqes mes Tajlandës dhe Kamboxhias, i pranishëm edhe Trump

    Marrëveshja e paqes mes Tajlandës dhe Kamboxhias, i pranishëm edhe Trump

    Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje midis Kamboxhias dhe Tajlandës gjatë një samiti të vendeve të Azisë Juglindore në Malajzi të dielën.
    Kryeministri kamboxhian Hun Manet dhe kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul, së bashku me Trump dhe kryeministrin malajzian Anwar Ibrahim, nënshkruan marrëveshjen, shkruan CNN.
    Tensionet kufitare midis dy vendeve shpërthyen në një konflikt pesë-ditor në korrik që la dhjetëra civilë të vdekur dhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur.
    Trump ka marrë meritat për zgjidhjen e konfliktit. Një armëpushim fillestar i ndërmjetësuar në Malajzi u nënshkrua më 28 korrik, pasi presidenti amerikan zhvilloi telefonata me udhëheqësit e të dyja palëve dhe i paralajmëroi të dyja se nuk do të bënte marrëveshje tregtare me asnjërën nëse konflikti vazhdonte.

  • SHBA-ja sanksionon presidentin e Kolumbisë

    SHBA-ja sanksionon presidentin e Kolumbisë

    Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, të cilin Uashingtoni e akuzon se ka dështuar të frenojë trafikimin e paligjshëm të drogave. Edhe gruaja dhe djali i tij janë sanksionuar.
    “Presidenti Petro ka lejuar kartelet e drogës që të lulëzojnë dhe ka refuzuar që të ndalë këtë aktivitet”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, përmes një njoftimi për këtë vendim.
    “Presidenti [amerikan, Donald] Trump po ndërmerr veprime të fuqishme për të mbrojtur kombin tonë dhe kjo e bën të qartë se ne nuk do të lejojmë që droga të trafikohet në shtetin tonë”, shtoi ai.

    Sanksionet vijnë në mes të një mosmarrëveshjeje midis Petros dhe Trumpit, me liderin kolumbian që e ka akuzuar homologun e tij amerikan për “ekzekutime jashtëgjyqësore” që “shkelin ligjin ndërkombëtar” lidhur me sulmet amerikane ndaj anijeve që dyshohet se kontrabandojnë drogë.
    Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar 10 anije dhe kanë vrarë të paktën 43 persona brenda më pak se dy muajve, sipas një përllogaritjeje të bërë nga agjencia AFP, bazuar në të dhënat amerikane.
    Kolumbia ka kërkuar që Uashingtoni të ndalë sulmet, gjë që ka zemëruar Trumpin, i cili e ka quajtur Petron “bandit” dhe “trafikant droge”.
    Trump po ashtu ka njoftuar për ndërprerjen e ndihmës amerikane për Kolumbinë në vlerë prej qindra miliona dollarësh dhe ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj mallrave kolumbiane.
    Petro ka reaguar pas lajmit se ai dhe familja e tij janë vendosur në listën e zezë amerikane.
    “Asnjë hap prapa dhe kurrë i gjunjëzuar”, shkroi Petro në rrjetet sociale, duke ripërsëritur slogane të përdorura nga revolucionarët e Amerikës Latine.
    Sanksionimi i Petros është thënë se ka të bëjë me përhapjen ndërkombëtare të drogave të paligjshme apo mjeteve për prodhimin e tyre.
    Gjatë një konferencë për media të enjten, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha gazetarëve se Uashingtoni “për momentin nuk sheh asnjë ulje të tensioneve nga udhëheqësi i pamatur i Kolumbisë”./REL

  • Ontario do të ndalojë së transmetuari reklamën anti-tarifore që zemëroi Trumpin

    Ontario do të ndalojë së transmetuari reklamën anti-tarifore që zemëroi Trumpin

    Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, ka njoftuar se do të ndalojë fushatën reklamuese anti-tarifore të provincës së tij në Shtetet e Bashkuara, pasi kjo çoi në ndërprerjen e bisedimeve tregtare nga presidenti amerikan Donald Trump.

    Ford tha se e mori vendimin pas një bisede të premten me kryeministrin kanadez Mark Carney, duke shtuar se reklama televizive do të ndalohet të hënën “në mënyrë që bisedimet tregtare të mund të rifillojnë”.
    Ai shtoi se fushata do të vazhdojë të transmetohet gjatë fundjavës në rrjetet amerikane, përfshirë edhe gjatë ndeshjeve të Serisë Botërore të Bejsbollit të Ligës Kryesore.Carney u tha gazetarëve më herët të premten se Kanadaja është e përgatitur të rifillojë bisedimet tregtare me SHBA-në “kur amerikanët të jenë gati”.
    Trump kritikoi reklamën vonë të enjten në mbrëmje përmes një postimi në platformën Truth Social, duke e quajtur atë “të RREME” dhe “skandaloze”. Ai deklaroi se bisedimet tregtare “ME KËTË TË DREJTË PËRFUNDOJNË”.
    Reklama, e sponsorizuar nga qeveria e Ontarios, citonte ish­-presidentin amerikan Ronald Reagan — një ikonë e konservatorizmit amerikan — i cili në një fjalim të vitit 1987 përmendte se tarifat “dëmtojnë çdo amerikan”.Videon përbënin fragmente nga ai fjalim radiofonik kombëtar në të cilin Reagan fliste për tregtinë e jashtme.
    Ndërprerja e bisedimeve nga Trump erdhi pas një deklarate të Fondacionit Ronald Reagan, që akuzoi reklamën për përdorim të paautorizuar të materialit të ish­presidentit.
    Në një reagim të premten, Ford tha se qëllimi i reklamës ishte “të niste një bisedë rreth llojit të ekonomisë që amerikanët duan të ndërtojnë” dhe rreth ndikimit që kanë tarifat. “Ne e kemi arritur qëllimin tonë, duke arritur audiencën amerikane në nivelet më të larta”, deklaroi ai.
    Më parë gjatë ditës, kryeministri i Ontarios publikoi fjalimin e plotë radiofonik të vitit 1987 nga Reagan mbi tregtinë e lirë dhe të ndershme, duke vënë theksin se ish-­presidenti i dinte mirë lidhjet mes Kanadasë dhe SHBA-së dhe se “jemi më të fortë së bashku”.
    SHBA-ja ka vendosur taksa të larta për mallrat kanadeze — përfshirë çelikun, aluminin dhe automjetet — që kanë ndikuar posaçërisht në Ontarion, ku gjendet një pjesë e madhe e industrisë kanadeze të prodhimit të automjeteve. Tregtia me SHBA-në përbën një pjesë domeni kryesor të eksporteve kanadeze, gjë që e bën ekonominë e Ontarios veçanërisht të ndjeshme ndaj lëvizjeve tarifore amerikane.

    Top Channel

  • Donald Trump: Ndërpresim të gjitha marrëdhëniet tregtare me Kanadanë!

    Donald Trump: Ndërpresim të gjitha marrëdhëniet tregtare me Kanadanë!

    Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po i jep fund menjëherë të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë. 
    Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se vendi kishte transmetuar një reklamë ku shfaqej ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, duke folur negativisht për tarifat doganore. 
    “Bazuar në sjelljen e tyre të pajustifikueshme, të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë janë këtej e tutje të përfunduara,” shkroi Trump të enjten në mbrëmje. 
    Presidenti amerikan ka vendosur një taksë prej 35% mbi importet kanadeze, megjithëse ka lejuar përjashtime për mallrat që përfshihen në USMCA, marrëveshja e tregtisë së lirë midis SHBA-ve, Meksikës dhe Kanadasë, e negociuar nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë. 
    Në reklamën një-minutëshe të publikuar nga qeveria e Ontarios javën e kaluar, dëgjohet zëri i Reagan-it duke folur mbi imazhe të Bursës së Nju Jorkut dhe vinçave të zbukuruar me flamuj amerikanë dhe kanadezë. 
    Videoja përmban një pjesë nga një fjalim radiofonik kombëtar i vitit 1987 të Reagan-it që kishte në fokus tregtinë e jashtme. 
    “Kur dikush thotë ‘le të vendosim tarifa mbi importet e huaja’, duket sikur po bën gjënë patriotike, duke mbrojtur produktet dhe vendet e punës amerikane. Dhe ndonjëherë, për një periudhë të shkurtër, funksionon, por vetëm për pak kohë,” thotë Reagan, në video. “Por në planin afatgjatë, pengesat tregtare dëmtojnë çdo amerikan, si punëtorin, ashtu edhe konsumatorin. Tarifat e larta çojnë pashmangshmërisht në kundërmasa nga vendet e huaja dhe në shpërthimin e luftërave tregtare… Tregjet zvogëlohen dhe bien, bizneset dhe industritë mbyllen dhe miliona njerëz humbasin punën,” shton ai, citon BBC. 
    Në postimin që shoqëronte videon, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, shkroi se “ne kurrë nuk do të ndalojmë së argumentuari kundër tarifave amerikane ndaj Kanadasë.” 
    Në një postim në X (ish-Twitter), Fondacioni Ronald Reagan tha se qeveria e Ontarios kishte përdorur një “audio dhe video të përzgjedhur” nga fjalimi i ish-presidentit amerikan për tarifat. 
    “Qeveria e Ontarios nuk ka kërkuar dhe as ka marrë leje për të përdorur apo redaktuar këto deklarata,” thuhet në njoftim. 
    Fondacioni shtoi se reklama “keqinterpreton” fjalimin e ish-presidentit, pa dhënë detaje pse.Gjithashtu deklaroi se po “shqyrton opsionet ligjore” të mundshme. 
    Reklama u transmetua si pjesë e një fushate me vlerë 75 milionë dollarë kanadezë (rreth 54 milion $) në kanalet kryesore televizive amerikane. 
    Trump ka vendosur gjithashtu taksa të veçanta sektoriale për mallrat kanadeze, duke përfshirë 50% për metalet dhe 25% për automjetet. 
    Tarifat globale të Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht mbi çelikun, aluminin dhe makinat, kanë goditur rëndë Kanadanë, duke shkaktuar humbje vendesh pune dhe duke vënë presion mbi bizneset. 
    Ambasada e Kinës në Washington gjithashtu përdori një klip të ngjashëm me Reagan-in në një postim në X më herët këtë vit, për të vënë në dyshim tarifat globale të Trumpit. 
     
     
     

  • Analizë/ “Rrufe” mbi naftën ruse, Rosneft-Lukoil dhe kompanitë aleate në kaos

    Analizë/ “Rrufe” mbi naftën ruse, Rosneft-Lukoil dhe kompanitë aleate në kaos

    Analizë e La Stampa, nga Jacopo Iacoboni
    Në një lëvizje historike, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dy gjigantëve rusë të naftës, Rosneft dhe Lukoil, duke goditur drejtpërdrejt bazën që financon “makinerinë e luftës” së Kremlinit.
    Njoftimi u bë dje, 22 tetor, nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe shënon një ndryshim të madh në politikën e administratës Trump, e cila deri tani kishte trajtuar çështjen e Rusisë më shumë si një problem tregtar sesa një konflikt ushtarak.
    Sanksionet godasin jo vetëm kompanitë kryesore, por edhe 34 ndërmarrje të tjera në pronësi të Rosneft dhe Lukoil, duke përfshirë disa të goditura më parë nga sulmet ukrainase me dronë, si rafineritë e Tuapse, Ryazan dhe Samaraneftegaz.
    Nga Rosneft goditen edhe gjigantë si Sibneftegaz, Bashneft, Vankorneft, Neftegaz dhe Purneftegaz. Nga Lukoil goditen Lukoil Perm, Aik A, Kaliningradmorneft, West Siberia, Uraloil dhe Russian Innovation Fuel and Energy Company.
    Kjo masë mund të ketë pasoja të mëdha edhe për kompanitë ndërkombëtare që vazhdojnë të bëjnë biznes me Rosneft dhe Lukoil.
    Dokumentet amerikane paralajmërojnë se çdo institucion financiar që realizon ose lehtëson transaksione me bazën ushtarako-industriale ruse, përfshirë subjektet tashmë të sanksionuara, mund të gjendet nën penalitetet e OFAC, Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja pranë Thesarit Amerikan.
    Nga pikëpamja e prodhimit, Rosneft dhe Lukoil mbulojnë mbi 51% të naftës së prodhuar në Rusi, duke bërë goditjen e SHBA-ve potencialisht shkatërruese për ekonominë energjetike të Moskës.
    Ndërkohë, India ka nisur rishikimin e marrëveshjeve të saj me Rusinë, duke përfshirë kompanitë shtetërore Indian Oil Corp, Bharat Petroleum Corp dhe Hindustan Petroleum Corp.
    Analistët paralajmërojnë se kjo është një nga lëvizjet më të ashpra të një presidenti amerikan kundër Rusisë në dekada, dhe mund të shënojë një ndryshim rrënjësor në ekuilibrin global të tregut të naftës.

  • “Hetoni spitalin amerikan”/ Deputeti Erion Braçe, kritika Autoritetit të Konkurrencës: Shtrin ndikimin me paratë publike

    “Hetoni spitalin amerikan”/ Deputeti Erion Braçe, kritika Autoritetit të Konkurrencës: Shtrin ndikimin me paratë publike

    Në komisionin e ekonomisë dhe financave deputetët e opozitës dhe mazhorancës akuzuan autoritetin e konkurrencës për mosdhënien e një vendimi përfundimtar të saktë për hetimet e kryera ndaj paketave që ofrojnë spitalet private për shërbimet e kryera.

    Teksa shigjetoi spitalin amerikan për monopol në shëndetësi, socialisti Erion Brace tha se ky subjekt tashmë po hyn dhe në koncesione duke e shtrirë ndikimin dhe në paratë publike.
    “Për tregun e shërbimeve shëndetësore private. Ka kirurgji në spitale private. Shërbim me këtë produkt. Është e mundur për tu hetuar abuzim me pozitën dominuese në treg. Këtë shërbim e dominon një operator i vetëm i cili po integrohet për shkak të parave që akumulon dhe në shërbime të tjera.
    Edhe në koncesione dhe në PPP dhe në farmaceutikë. Po zgjerohet edhe akoma më shumë. Dhe shifrat që dëgjohen nga njerëz që shkojnë paguajnë janë marramendëse. Më mirë shkon në Stamboll sesa të ikësh atje”, u shpreh deputeti i PS, Erion Brace.
    Kryetari i AK pranon se hetimi nuk ka qenë i plotë për shkak të mungesës së informacionit, duke mos gjetur dot kështu një shkelje, ndonëse çmimet konfirmon se janë tepër të larta për qytetarët që kanë nevojë për shërbimet.
    “Disa prej shërbimeve shumë të rëndësishme jepen ekskluzivisht nga disa spitale private, definitivisht jo të përpabullueshme. Dërguam pyetje edhe në rajon për të krahasuar çmimet, nuk na kthyen përgjigje, më pas arritëm të gjenim disa benchmarke për çmimet, por jo për kostot. Në këtë pikë ju drejtuam të hetuarve: na bëni analiza të kostos. Analiza e tyre e kostos ishte që fitimi i tyre ishte 3%. Me fitime të tilla, s’ka abuzime me pozitën dominuese”, u shpreh drejtuesi i AK, Denar Biba.
    Jo vetëm në tregun spitalor, deputetë të PS dhe PD ngritën shqetësime për mungesën e konkurrencës dhe abuzime edhe për pikat e grumbullimit, kompanitë telefonike apo edhe karburantet.
    “Këtë klimë kaq të rëndë të gjendjes së konkurrencës e ka përcaktuar dhe departamenti amerikan i shtetit, ku përcakton mjedisin ekonomik si të korruptuar dhe problematik.”
    “80 milionë euro janë prokurime publike që kanë përfunduar me flamur të kuq dhe me një ofertues të vetëm”, deklaroi Eno Bozdo.
    “Hetimi i tregut të produkteve është shumë i rëndësishëm. Sa kohë keni për të përmbushur këtë hetim, qoftë dhe inflacioni apo mbiçmimi i elkut ka ndikim në këtë treg. E rëndësishme është koha e përfundimit të hetimit tuaj”, u shpreh Brace.
    “Telefonia celulare, kemi tarifa jashtëzakonisht të larta. Kemi kërkuar dhe nga vetë autoriteti juaj është ai që duhet të ndërhynte.
    Ne prodhojmë karburant, jemi favorizuar për shkak të portit, por ne vazhdojmë të kemi çmimin më të shtrenjtë edhe në raport me rajonin”, deklaroi Xhelal Mziu.
    “Fenomeni në dukje është vetëm në Shqipëri. Anglia nga 4 në 3 kompani telefonike”, tha Biba.
    Por ndërsa deputetët flasin për monopol e mospërgjegjshmëri, Autoriteti i Konkurencës premton vendime të shpejta.
    “Le të shpresojmë se kemi nxjerrë disa leksione, vendimet do të jenë të shpejta.”

    Top Channel