Tag: amerikan

  • Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth: Tre të vdekur pas sulmit të ri amerikan në Karaibe

    Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth: Tre të vdekur pas sulmit të ri amerikan në Karaibe

    Bota E Diel, 2 Nëntor 2025 10:46
    Ushtria amerikane ka kryer një tjetër sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje, që dyshohej se ishte e ngarkuar me drogë në Detin e Karaibeve, deklaroi shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.
    ”Tre burra u vranë në sulm”, shkroi Hegseth në një postim në X, duke shtuar se sulmi ndodhi në ujëra ndërkombëtare dhe se asnjë personel ushtarak amerikan nuk ishte lënduar.

    Hegseth përmendi gjetje të paspecifikuara të inteligjencës për të justifikuar sulmin, duke shtuar se anija “po kalonte përgjatë një rruge të njohur të trafikut të drogës dhe mbante narkotikë”.

    Ai nuk specifikoi se ku ndodhej anija në Karaibe kur u shënjestrua.

    “Këta narko-terroristë po sjellin drogë në brigjet tona për të helmuar amerikanët në vend – dhe ata nuk do të kenë sukses”, vazhdoi Hegseth.
    “Departamenti do t’i trajtojë ata ashtu siç e trajtuam Al-Kaedën. Ne do të vazhdojmë t’i gjurmojmë, t’i pikasim, t’i gjurmojmë dhe t’i vrasim”, shtoi ai.ATSH

  • Donald Trump kërcënon Nigerinë me luftë nëse vazhdon politikat e saj antikristiane

    Donald Trump kërcënon Nigerinë me luftë nëse vazhdon politikat e saj antikristiane

    Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një përplasje të re me Nigerinë, duke deklaruar se vendi afrikan është “nën vëzhgim” për shkak të raporteve të përsëritura për masakra ndaj të krishterëve nga ekstremistë myslimanë.

    Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump shkroi se “kristianizmi po përballet me një kërcënim ekzistencial në Nigeri” dhe se “mijëra të krishterë po vriten nga radikalë islamikë”. Ai shpalli Nigerinë si “vend me shqetësim të veçantë” dhe paralajmëroi se nëse situata përkeqësohet, Shtetet e Bashkuara “do të ndërhyjnë”.

    Qeveria e Nigerisë ka mohuar në të kaluarën pretendimet për masakra ndaj të krishterëve, por kritikët paralajmërojnë se ky klasifikim nga Trump mund të hapë rrugën për sanksione të ardhshme ndaj vendit afrikan. Megjithatë, me deklaratat e fundit, Trump nuk flet për sanksione, por për një reagim shumë më të fortë.

    Sipas analistëve, presidenti ka anashkaluar procedurën e zakonshme për çështje të tilla. Ligji amerikan për Lirinë Ndërkombëtare Fetare i vitit 1998 përcakton që një vend të shpallet “me shqetësim të veçantë” vetëm pas rekomandimit të Komisionit të SHBA për Lirinë Fetare Ndërkombëtare dhe ekspertëve të Departamentit të Shtetit — një hap që, sipas burimeve, Trump nuk e ka ndjekur.

     

  • Reklamat qeveritare në Kanada sulmuan politikat tregtare të Trump, kryeministri Carney i kërkon falje kreut të Shtëpisë së Bardhë

    Reklamat qeveritare në Kanada sulmuan politikat tregtare të Trump, kryeministri Carney i kërkon falje kreut të Shtëpisë së Bardhë

    Kryeministri kanadez Mark Carney i ka kërkuar falje presidentit amerikan për reklamat që sulmonin politikën e tarifave tregtare ndaj vendeve partnere që po ndjek Donald Trump.

    Duke folur nga Koreja e Jugut ku mori pjesë në samitin e Azi-Paqësorit, Carney tha se i kishte kërkuar falje shefit të Shtëpisë së Bardhë privatisht në një darkë të organizuar nga presidenti i vendit mikpritës me liderët pjesëmarrës në takimin e nivelit të lartë të mërkurën, ku i pranishëm ishte edhe presidenti amerikan.
    Në reklamën qeveritare ishte përfshirë edhe ky fjalim i ish-presidentit amerikan Ronald Reagan i vitit 1987 ku shprehej kundër vendosjes së tarifave tregtare ndaj partnerëve të kohës.
    Pavarësisht se pranoi ta falte Carney, Trump tha gjatë kthimit nga Koreja e Jugut këtë javë se SHBA dhe Kanadaja nuk do i riktheheshin bisedimeve për një marrëveshje tregtare.
    Që prej marsit, Uashingtoni ka në fuqi tarifa importi prej 35% ndaj prodhimeve kanadeze, ndërsa Kanadaja ka vendosur tarifa reciproke 25%.

    Top Channel

  • Trump merr dhuratë një kurorë në Korenë e Jugut, zotohet të ulë tensionet mes Seulit dhe Phenianit

    Trump merr dhuratë një kurorë në Korenë e Jugut, zotohet të ulë tensionet mes Seulit dhe Phenianit

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , tha se pret të ketë një “takim të shkëlqyer” me homologun e tij kinez Xi Jinping, pak para se të mbërrijë sot në Korenë e Jugut, ku do të ketë një drekë pune me Presidentin Lee Jae-myung.

    Trump u nis nga Tokio, ku ndodhej për një vizitë dy-ditore, dhe mbërriti sot në qytetin e Koresë së Jugut, Gyeongju, për të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
    Duke folur nga Air Force One, Trump tha se priste të kishte një “takim të shkëlqyer” me Xi të enjten, gjatë të cilit “do të zgjidhen shumë çështje”.
    “Kemi folur me ta dhe nuk do të improvizojmë në këtë takim (…) Mendoj se do të arrijmë një rezultat shumë të mirë për vendin tonë dhe për botën, me të vërtetë”, tha presidenti amerikan nga Air Force One.
    Trump la të kuptohej se do të ulte tarifat që i ka vendosur Kinës në hakmarrje për mënyrën se si e ka trajtuar krizën e fentanilit në SHBA.
    Edhe pse negociatorët në Pekin dhe Uashington pretendojnë se kanë arritur një “kornizë” për një marrëveshje, mbetet për t’u parë nëse Trump dhe Xi, të cilët nuk janë takuar ballë për ballë në gjashtë vjet, do të finalizojnë një armëpushim në luftën tregtare dypalëshe që ka bërë që tregjet të bien ndjeshëm dhe të ndërpresin zinxhirët e furnizimit.
    Megjithatë, presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se “nuk është i sigurt” nëse do të diskutojë me Xi çështjen delikate të Tajvanit, një ishull i pretenduar nga Pekini.
    “Shumë shpejt”
    Duke folur në një konferencë të liderëve të biznesit nga vendet e ASEAN-it para se të takohej me Lee-n, Trump tha se një marrëveshje tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut do të finalizohej “shumë shpejt”, megjithëse zyrtarët nga të dyja palët ishin më të kujdesshëm.
    Të dy aleatët njoftuan një marrëveshje në fund të korrikut që i lejoi Seulit të shmangte tarifat më të larta të SHBA-së, pasi ranë dakord të bënin 350 miliardë dollarë investime të reja në Shtetet e Bashkuara. Por bisedimet mbi këto investime kanë ngecur.
    Presidenti amerikan u takua më pas me Lee-n në Muzeun Kombëtar, ku iu dha një kurorë ari dhe “Urdhri i Madh i Mugunghwa-s”, dekorata më e lartë e vendit që mbahet si një brez i zbukuruar dhe medalje. “Do të doja ta mbaja atë tani”, tha Trump me shaka.
    Në fillim të drekës së punës, e cila përfshinte një “ëmbëlsirë të artë”, presidenti i Koresë së Jugut u zotua se vendi i tij do të shpenzonte më shumë për mbrojtje.
    Nga ana e tij, Trump premtoi të ndihmonte në “zgjidhjen” e problemeve të Koresë së Jugut me fqinjin e saj verior. Të dy Koretë janë teknikisht në luftë që kur nënshkruan një armëpushim në vitin 1953, jo një traktat paqeje.
    “Ne do të punojmë shumë me Kim Jong Un-in dhe të gjithë për të zgjidhur problemet, sepse kjo ka kuptim”, theksoi presidenti amerikan, duke shpjeguar se nuk kishte arritur të “gjente kohën e duhur” për t’u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut.

    Top Channel

  • Politico zbulon: Jo vetëm LaCivita, Berisha shfrytëzoi dhe eksperiencën e ish-konsultantit amerikan për zgjedhjet e 11 majit

    Politico zbulon: Jo vetëm LaCivita, Berisha shfrytëzoi dhe eksperiencën e ish-konsultantit amerikan për zgjedhjet e 11 majit

    Ish-konsultanti politik amerikan Paul Manafort bëri një rikthim publik në prill, duke marrë pjesë në një event politik në Brescia, vetëm pesë vjet pas faljes së dhënë nga Presidenti Donald Trump për akuzat e tij mbi krime financiare, lobim të paligjshëm dhe pengim të dëshmitarëve.

    Në qytetin industrial pranë Milanos, Manafort u shfaq me ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha, i cili kërkonte një rikthim në pushtet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha u paraqit si viktimë e një përndjekjeje politike nga rivale të brendshme dhe globalistë, ndërsa Mesazhet e tij u ndihmuan të formësoheshin nga Manafort dhe ekipi i tij, duke e lidhur fushatën shqiptare me stilin e populizmit të Trump në SHBA, sipas asaj që shkruan “Politico”.
    Eventi u zhvillua përpara shqiptarëve të diasporës, ku Berisha dhe ekipi i tij amerikan ishin të rrethuar nga flamuj shqiptarë, italianë dhe simboli i partisë së tij. Krahu i djathtë i Berishës ishte Chris LaCivita, bashkë-menaxheri i fushatës së Trump 2024, ndërsa në të majtë qëndronte vetë Manafort, i cili mbante kostum të errët me kravatë të kuqe.
    Qëllimi i pjesëmarrjes së Manafort nuk ishte vetëm rikthimi i tij në skenën publike, por edhe restaurimi i influencës dhe financave të tij, duke punuar me politikanë të huaj dhe interesa të krahut të djathtë global, si një mënyrë për të rikthyer legjitimitetin pas viteve të burgut.
    Gjatë periudhës pas zgjedhjeve, fushata e Berishës me ndihmën e këshilltarëve amerikanë u duk se kishte si objektiv të fuqizonte imazhin e tij për votuesit dhe të tërhiqte mbështetje në Washington. Sidoqoftë, Berisha humbi zgjedhjet me më pak se një të tretën e votave, ndërsa Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama fitoi mbi 53% të votave, duke zgjeruar mandatin e tij.
    Megjithatë, përfaqësues të Partisë Demokratike shqiptare e konsideruan angazhimin e Manafort dhe LaCivita si një sukses për modernizimin e imazhit politik dhe për promovimin e vizionit të një Shqipërie me mundësi të barabarta për të gjithë.
    Teksa kontrata mes Berishës dhe ekipit amerikan mbetet aktive, nuk është e qartë nëse ish-kryeministri shqiptar do të përpiqet sërish për një mandat në të ardhmen.

    Top Channel

  • Anulimi i negociatave tregtare për shkak të një spoti publicitar, kryeministri i Kanadasë: Trump po vepron emocionalisht

    Anulimi i negociatave tregtare për shkak të një spoti publicitar, kryeministri i Kanadasë: Trump po vepron emocionalisht

    Një përplasje e re ka shpërthyer mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Kryeministrit kanadez Mark Carney, pasi Trump anuloi negociatat tregtare me Kanadanë dhe vendosi tarifa shtesë prej 10%, pas transmetimit të një reklame që përdorte fjalët e ish-presidentit amerikan Ronald Reagan kundër tarifave tregtare.

    Reklama, e porositur nga politikani dhe biznesmeni kanadez Doug Ford, u transmetua gjatë dy ndeshjeve të para të Ëorld Series mes Los Angeles Dodgers dhe Toronto Blue Jays, dhe përdorte një pjesë nga një fjalim i Reagan-it të vitit 1987, ku ai paralajmëronte se tarifat dëmtojnë afatgjatë ekonominë amerikane.
    Trump shpërtheu kundër reklamës në rrjetin e tij “Truth Social”, duke e cilësuar si “të rreme dhe mashtruese” dhe akuzoi Kanadanë se “po përpiqet të ndikojë në vendimet e Gjykatës së Lartë të SHBA-së”.
    “Të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë janë pezulluar menjëherë. Për shkak të veprimeve të tyre armiqësore, po rris tarifat me 10%”, shkroi Trump.
    Ndërkohë, në një deklaratë gjatë samitit të ASEAN në Malajzi, Carney reagoi me ironi ndaj Trump: Emocionet nuk të çojnë larg. Në negociata të ndërlikuara duhet të ruash qetësinë.”
    Ai tha gjithashtu se nuk ka pasur asnjë kontakt me presidentin pas përplasjes dhe se i takon Trump-it të ndërmarrë hapa për të “rregulluar marrëdhënien”.
    Nga ana tjetër, Fondacioni “Ronald Reagan” reagoi ashpër ndaj përdorimit të fjalimit, duke theksuar se qeveria e Ontarios nuk ka kërkuar leje për ta përdorur apo montuar deklaratën dhe se po shqyrtohen opsionet ligjore për këtë çështje.
    Doug Ford pranoi se reklama do të hiqej pas fundjavës “për të ulur tensionet”, por Trump e quajti këtë “të vonuar” dhe deklaroi se “nuk ka ndërmend të takohet me Carney për një kohë të gjatë”.
    Tarifat dhe pasojat ekonomike
    Aktualisht, shumë produkte kanadeze përballen me tarifa që shkojnë deri në 50% për çelikun dhe aluminin, ndërsa energjetika tatohet me 10%. Mbi 75% e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA, me një volum ditor tregtar prej rreth 2.7 miliardë dollarë amerikanë).
    Vendimi i Trump për të ngritur tarifat dhe ndërprerë negociatat u kritikua ashpër nga kundërshtarët e tij në SHBA. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, shkroi në platformën X: “Fëmija në Zyrën Ovale u mërzit, dhe tani po ndëshkon popullin amerikan me kosto më të larta.”

    Top Channel

  • Takimi Xi–Trump: Kina dyshon te SHBA-të dhe kërkon rishikim të politikës ndaj Tajvanit

    Takimi Xi–Trump: Kina dyshon te SHBA-të dhe kërkon rishikim të politikës ndaj Tajvanit

    Edhe pse Uashingtoni dhe Pekini kanë shpallur arritjen e një parimi marrëveshjeje tregtare, analistët paralajmërojnë se rruga drejt një stabilizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve është ende e pasigurt.
    Fati i dialogut mes dy fuqive do të varet nga takimi që pritet të zhvillohet të enjten në Korenë e Jugut midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij kinez Xi Jinping.
    Sipas Yu-Hua Chen, profesor i politikës së jashtme kineze në Universitetin Ndërkombëtar Akita në Japoni, marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë, por prek edhe çështje të ndjeshme gjeopolitike dhe të sigurisë, si konflikti në Ukrainë dhe tensionet përreth Tajvanit.
    “Të dy palët kanë interes të stabilizojnë raportet, por Pekini nuk i beson plotësisht Trump-it. Ai shihet si i paparashikueshëm dhe i prirur për të ndryshuar qëndrimet”, thekson Chen.
    Eksperti shpjegon se deri më tani SHBA-të kanë arritur të imponojnë ritmin e negociatave: “Sa herë që Trump ka kërcënuar me tarifa, Kina është tërhequr një hap pas. Por kjo nuk do të thotë se Pekini është gati të bëjë lëshime që prekin interesat e tij thelbësore.”
    Tajvani, pika më e nxehtë e dialogut
    Një nga temat më delikate mbetet çështja e Tajvanit. Në një marrëveshje më të gjerë tregtare, Kina mund të kërkojë që SHBA-të të ndryshojnë formulimin e tyre zyrtar nga “mosmbështetje për pavarësinë e Tajvanit” në “kundërshtim ndaj saj”.
    “Ky ndryshim, që në dukje duket semantik, do të kishte pasoja politike serioze dhe do të minonte besimin e Tajvanit ndaj SHBA-ve”, shpjegon Chen, duke shtuar se rreth gjysma e tyre tashmë shprehen skeptikë ndaj angazhimit amerikan për mbrojtjen e tyre.
    Ukraina dhe lidhjet me Rusinë
    Pjesë e bisedimeve pritet të jetë edhe lufta në Ukrainë. Megjithatë, Chen nuk beson se Xi do të pranojë presionin amerikan për të ndikuar mbi Putinin. “Edhe nëse Kina premton ndalimin e disa blerjeve të naftës ruse, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak midis Pekinit dhe Moskës do të vazhdojë në prapaskenë. Rënia e Putinit nuk është në interesin e Kinës, sepse do ta linte Xi-n të vetmuar përballë Perëndimit.”
    Sipas tij, edhe pse Kina dhe Rusia nuk e quajnë njëra-tjetrën “aleate”, në praktikë ato veprojnë si të tilla. Të dyja ndajnë të njëjtin synim strategjik: sfidën e ndikimit global të SHBA-ve.
    Udhëtimi aziatik i Trump dhe reagimi i Pekinit
    Vizitat e presidentit amerikan në Japoni dhe më pas në Korenë e Jugut dy aleatë të ngushtë të Uashingtonit po ndiqen me kujdes nga Pekini. “Kina mendon se mund të negociojë drejtpërdrejt me Trump, duke e shkëputur nga aleatët e tij rajonalë, por kjo është një iluzion”, paralajmëron Chen. “Japoni, Koreja e Jugut dhe vendet e tjera të Azisë Lindore po punojnë për të ruajtur rendin rajonal në përputhje me interesat amerikane. SHBA-të nuk do të heqin dorë nga roli i tyre dominues në Azi.”

  • “Kam pasur një marrëdhënie shume të mirë më të”, Trump i hapur për një takim me Kim Jong Un

    “Kam pasur një marrëdhënie shume të mirë më të”, Trump i hapur për një takim me Kim Jong Un

    Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se është i hapur për një takim me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë vizitës së tij në Azi, megjithëse nuk ka asnjë plan të konfirmuar zyrtarisht.

    “Nuk e kam përmendur më parë, por do të doja ta takoja, nëse ai dëshiron. Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Kim. Ai më pëlqen dhe nëse dëshiron të takohemi, unë do të jem në Azi”, tha Trump për gazetarët në Air Force One.
    Trump pritet të marrë pjesë këtë javë në Samitin e CEO-ve të Bashkëpunimit Ekonomik të Paqësorit Aziatik (APEC) në Korenë e Jugut. Kur u pyet nëse do të zgjasë vizitën për një takim të mundshëm me Kim, ai u përgjigj: “Mendoj se përgjigjja do të ishte po, do ta bëja, sigurisht. Është ndalesa jonë e fundit, kështu që është mjaft e lehtë për t’u bërë.”
    Në lidhje me nxitjet që SHBA-ja mund t’i ofrojë Koresë së Veriut, Trump u shpreh: “Kam një marrëdhënie të mirë me të, dhe do të doja ta takoja”.
    Takimet e mëparshme midis Trump dhe Kim Jong Un gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan nuk prodhuan rezultate konkrete, pavarësisht nga momentet historike, përfshirë kalimin e Trump në Korenë e Veriut gjatë një vizite në Zonën e Demilitarizuar (DMZ) në 2019, një rast historik që e bëri atë presidentin e parë amerikan në detyrë që hyri në vendin e izoluar autokratik.

    Top Channel

  • Trump: Dua të takohem me Kim Jong-un

    Trump: Dua të takohem me Kim Jong-un

    Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh se do të donte shumë të takohej me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un gjatë turneut të tij aziatik, raporton ”Le Figaro”.
    Presidenti amerikan nuk e ka përjashtuar zgjatjen e udhëtimit të tij, i cili, pas Malajzisë të dielën, ka planifikuar ta shkojë në Japoni të hënën dhe të martën, pastaj në Korenë e Jugut të mërkurën dhe të enjten.
    Republikani 79-vjeçar shprehu gjithashtu entuziazëm për vizitën e tij në Tokio, ku pritet të mbërrijë rreth orës 17:00 sipas orës lokale. Presidenti amerikan pritet të takojë nesër perandorin Naruhito sot dhe kryeministren e re të Japonisë, Sanae Takaichi.
    Trump tha se mezi po priste ta takonte kryeministren japoneze dhe se kishte dëgjuar gjëra fenomenale për të. Ai theksoi se udhëheqësja japoneze ishte një aleate dhe mike e shkëlqyer e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, me të cilin presidenti amerikan ishte shumë i afërt.
    Në një bisedë të parë telefonike të shtunën, Sanae Takaichi e siguroi presidentin amerikan se ajo kishte vendosur si përparësi kryesore të qeverisë forcimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në aspektin e sigurisë.