Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ndodhet në një moment vendimtar të mandatit të tij, ku presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar për ekzekutimin e dosjeve të ndjeshme është më i fortë se kurrë. Gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme me institucione të tjera të drejtësisë, Dumani theksoi rëndësinë e llogaridhënies përpara publikut dhe organeve shtetërore, duke nënvizuar se Kushtetuta garanton funksionimin e pavarur të SPAK dhe realizimin e kompetencave të tij. Ai pranoi se institucioni përballet me sfida serioze, që nga mungesa e stafit dhe infrastruktura, deri tek ngarkesa e lartë proceduriale, por insistoi se pavarësisht këtyre, prokurorët duhet të tregojnë maturi, etikë dhe integritet në ushtrimin e ligjit. Sipas tij, mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë ka qenë e një rëndësie të veçantë në këtë proces, ndërsa theksoi se rezultatet konkrete janë mënyra e vetme për të fituar besimin e publikut dhe të aleatëve strategjikë.
Mesazhi i Uashingtonit
Dy ditë më parë, Altin Dumani u prit nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VarnHorn. Gjatë këtij takimi iu rikujtua vizita e tij në Uashington, ku ai pati takime të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë. Mesazhi amerikan u përcoll qartë edhe përmes faqes zyrtare të ambasadës, e cila publikoi një deklaratë ku nënvizohej mbështetja e plotë për SPAK dhe BKH, por edhe pritshmëritë për rezultate konkrete. “E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK, Altin Dumani, u takuan për të diskutuar punën e guximshme të SPAK dhe BKH në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe trafikun e drogës. Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi takimet e fundit të Z. Dumani në Uashington me zyrtarë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë.”, thuhej në njoftim. Ky publikim në faqen e ambasadës shihet si një kujtesë e drejtpërdrejtë për Dumanin: takimi i tij në DASH nuk ishte thjesht një vizitë protokollare, por një angazhim i marrë që tani duhet të përkthehet në veprime konkrete dhe në ekzekutimin e dosjeve të mëdha që po zvarriten.
Dosjet e nxehta që ka Dumani në duar
Nga Uashingtoni janë përcjellë porosi të qarta, se prioriteti i SPAK në muajt e fundit të mandatit të Dumanit duhet të jetë zbardhja e dosjes “Rama-McGonigal”. Afera që lidhet me kryeministrin Edi Rama dhe ish-drejtorin e FBI-së, Charles McGonigal, shihet si prova e fundit për besueshmërinë e SPAK. Hetimet e rihapura në SHBA kanë sjellë prova të reja që përfshijnë drejtpërdrejt kryeministrin shqiptar, duke i dhënë kësaj çështjeje një peshë të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike. Një nga dosjet më të mëdha është dhe ajo e inceneratorit të Tiranës (nr.255/2020), ku prej vitit 2020 janë kryer hetime paraprake. Janë akuzuar 11 persona dhe procesi gjyqësor ka nisur në korrik 2024. SPAK ka konstatuar një “gropë të zezë” financiare. Hetimet pritet të çojnë në akuza të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve më të lartë të qeverisë, biznesmenëve të përfshirë, njerëz në media, ndërkohë që edhe Edi Rama dhe Belinda Balluku shihet si e rrezikuar nga ky hetim. Mbetet tw shohim nwse Dumani do presë fletë-arreste.
21 Janari dhe Gërdeci
Dosjet historike të 21 Janarit 2011 dhe Gërdecit vijojnë të mbeten ndër më të ndjeshmet. Për 21 Janarin, SPAK ka rihapur hetimet, duke siguruar dhe dëshmi të reja që implikojnë Sali Berishën. Dumani vetë ka pranuar se kjo është një nga dosjet prioritare, por deri më tani nuk ka asnjë masë sigurie të lëshuar. Sa i takon Gërdecit, procesi gjyqësor ndaj Fatmir Mediut vijon, ndërsa hetime të tjera janë fokusuar edhe te trafikimi i fishekëve, ku është përfshirë djali i Berishës.
Fondet e BE dhe aferat në shëndetësi
Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, po hetohet për shpërdorim të miliona euro fonde të Bashkimit Europian. Një tjetër bllok dosjesh të nxehta lidhet me koncesionet në shëndetësi. Nga Check-Up, Laboratorët deri te Hemodializa, janë në hetim procedura të dyshuara si abuzive, ku përfshihen zyrtarë të lartë dhe oligarkë të fuqishëm.
Balluku në shënjestër
Dosje të tjera sensitive janë ato të zv/kryeministres Belinda Balluku. Ajo është përfshirë në disa hetime që lidhen me korrupsion, abuzime në tendera dhe menaxhimin e fondeve publike, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe kontrata në fushën e energjisë. Burime të sigurta pohojnë se Balluku është paraqitur disa herë në SPAK dhe tashmë është e detyruar të ketë përfaqësim ligjor, gjë që sugjeron një kalim të saj në statusin e të hetuarës zyrtarisht.
Lista e gjerë e zyrtarëve nën hetim
Nga radhët e Partisë Socialiste, SPAK po heton figura si Damina Gjiknuri, Klotilda Bushka, Olta Xhaçka, Pirro Vengu dhe Ceno Klosi. Ndërkohë, në opozitë, përveç Sali Berishës, i cili është dërguar për gjykim në çështjen “Partizani”, dhe Ilir Metës që ndodhet në qeli, janë të përfshirë emra të tillë si Belind Këlliçi, Flamur Noka, Bardh Spahia, Xhelal Mziu, Dashamir Xhika dhe të tjerë. Po ashtu nën hetim është dhe oligarku Klodian Allajbeju dhe emra të tjerë të fuqishëm biznesmenësh të tjerë si Gentjan Sula, apo Fatmir Bekteshi. Pra, muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Altin Dumanin dhe për vetë SPAK-un. Nga dosjet që prekin kryeministrin, deri te hetimet ndaj zyrtarëve më të lartë të qeverisë, opozitës dhe biznesit, sistemi i drejtësisë ndodhet përballë një prove të madhe. Presionet nga Uashingtoni dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë e kanë vënë SPAK në një pikë ku rezultatet janë të pashmangshme. Fundi i vitit 2025 do të tregojë nëse ky institucion do të lërë një trashëgimi të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, apo nëse ndërrimi i drejtimit do të sjellë një kthesë të re në këtë betejë.