Janë zhvilluar të gjitha ndeshjet e javës së dytë të kampionatit amator FSHF Sunday League, me duele interesante dhe shumë gola në të dy grupet.
Në Grupin A, skuadrat Luminesen, Alpha Cross Fit 9×9, Three Lions 9×9 dhe FC Confucius morën fitoret e dyta radhazi, duke u shkëputur në krye të renditjes pas paraqitjeve të mira në këtë fillim sezoni. Fitore arritën gjithashtu FC Tigres, Immi dhe FC Implant Swiss, ndërsa vetëm një ndeshje u mbyll në barazim, Barrikada – Antigonean 0-0.
Në Grupin B, ekipet M&D, Legjendat TT, VILA-L dhe FC Domja siguruan fitoret e radhës në kampionat. Edhe Jata Market, FC Storm dhe Coca-Cola Tepelena triumfuan në sfidat e tyre, ndërsa ndeshja FC Dajti – ATS përfundoi në barazim 1-1.
Tag: amator
-

FSHF Sunday League/ Zhvillohet java e dytë e kampionatit amator
-

Hidhet shorti i FSHF Cup, njihuni me çiftet e turit të parë
Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është hedhur shorti i FSHF Cup, kompeticioni i futbollit amator 9×9 që organizohet nga Departamenti i Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Skuadrat pjesëmarrëse kanë mësuar kundërshtarët në turneun e dytë për nga rëndësia në futbollin amator.
Ky është edicioni i gjashtë i turneut, që organizohet nga Drejtoria e Futbollit Amator në FSHF, teksa turi i parë ka përcaktuar disa përballje interesante:
Luminesen – Albamer, Tirana e Re – Implant Swiss, Barrikada – FC Confucius, Juar Plast – FB Passion, Primo MFC – FC Messer, Legjendat TT – Three Lions, Friends Team – IMMI, FC Domje – Vila L, ATS – Dymbëdhjeta, Antigonea – Mallakstra, FC Tigres – Jata Market, Futura Dent – FC Storm, MD – FC Vibes, Raiffeisen Bank – Alpha Crossfit, Coca-Cola – Happy Dent Center, Elso – FC Dajti.
32 skuadrat do të luftojnë për të kaluar në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni. -

La Liga apo futboll amator, e pabesueshme çfarë ndodhi me lojtarët e Barçës pas ndeshjes me Valencia-n
Fitorja bindëse e Barcelona-s ndaj Valencia-s pati një epilog të papritur për katalanasit. Ata u detyruan të largoheshin nga stadiumi pa dush.
Në tunelin e stadiumit të vogël Johan Cruyff, u panë skena të çuditshme, me shumë lojtarë të Blaugranës që u larguan nga impianti në të njëjtën gjendje në të cilën ishin kur u larguan nga fusha.
Kjo situatë vjen nga problemet në stadiumin Johan Cruyff, që ka vetëm 6,000 vende. Barcelona u detyrua të luante atje për shkak të punimeve të vazhdueshme të ndërtimit në Camp Nou, që po i afrohen përfundimit, dhe pamundësisë për të përdorur Stadiumin Olimpik Montjuïc, i cili ishte i zënë nga një koncert.
Kështu, u dha leje e veçantë për të luajtur në stadiumin e vogël, i cili paraqiti disa probleme. Stadiumi Johan Cruyff nuk ishte gati për të pritur dy ekipet dhe për të garantuar shërbimet e zakonshme për një ndeshje futbolli.
Skena të denja për futboll amator, me siklet të dukshëm edhe nga ana e atyre që ishin të përfshirë. Ndërsa disa prej tyre shkuan më pas në pjesë të tjera të ambienteve të klubit për t’u larë, të tjerë u kthyen në shtëpi pikërisht ashtu si e kishin mbaruar ndeshjen.
Shkurt, një fundjavë padyshim e pazakontë për ekipin katalanas. -

“Futbolli i plazhit çel sezonin amator”. Demneri: Synojmë organizimin e Europianit 6×6 në Shqipëri
Futbolli amator do të nisë sezonin e ri me Kampionatin e Futbollit të Plazhit, që do të zhvillohet më 26–27 korrik në Golem. Në një intervistë për fshf.org, Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, u shpreh se ky aktivitet është kthyer tashmë në traditë dhe do të shërbejë si një nisje e sezonit të ri.
“Sezoni i ri në futbollin amator fillon me një traditë, duke parë edhe nga viti i kaluar, me futbollin e plazhit, që do të zhvillohet në Golem te Pishat e Buta. Do të jetë një nisje e futbollit amator, një nisje e sezonit të ri ku do të bëjmë një promovim të futbollit të plazhit, ku do të marrin pjesë 12 ekipe. Do të ketë një atmosferë shumë të bukur, ku do të mblidhen të gjithë për të festuar në dy ditë. Pretendojmë që ky kompeticion të vazhdojë të rritet, të zhvillohet edhe në Shkodër. Pra, pretendojmë që të vazhdojë edhe në pjesën e Velipojës në muajin gusht. Më pas, në sezonin që vjen synojmë që të zhvillohet edhe në zonën e Vlorës dhe në vazhdim të krijojmë një kampionat kombëtar të futbollit të plazhit, ku të kemi mundësi të marrim pjesë edhe në turne me ekipin tonë kombëtar”, – u shpreh Jurgen Demneri.
Gjatë intervistës, ai bëri të ditur se është në diskutime me “International Socca Federation” për organizimin e një turneu madhor ndërkombëtar 6×6 në Shqipëri, me pjesëmarrjen e 28 deri në 44 shtete.
“Një risi e madhe për futbollin amator është që jemi në diskutime për zhvillimin e një turneu madhor në bashkëpunim me “International Socca Federation”, futbolli 6×6. Jemi drejt konkretizimit të zhvillimit të një turneu madhor në Shqipëri. Ky është një lajm shumë i madh për futbollin amator, pasi na besohet organizimi i një turneu si Europiani ose Kampionati Botëror. Do të ketë një pjesëmarrje shumë të madhe prej 28 deri në 44 shtete, që do të mirëpriten në Shqipëri për të zhvilluar këtë turne. Kemi dorëzuar projektin për zhvillimin e këtij turneu, ku i gjithë Kampionati Europian ose Botëror, sipas diskutimeve që kemi, do të zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, – tha Jurgen Demneri, i cili konfirmoi gjithashtu se kampionatet tradicionale Sunday League dhe 5×5 janë në fazën përfundimtare të mbylljes së regjistrimeve. Gjithashtu, ai nënvizoi bashkëpunimin me klubin Vllaznia Futsal, për organizimin e turit paraeliminator Futsal Champions League, ndërsa në tetor nis sezoni i ri i Kampionatit të Futsallit. -

Kampionati i futbollit të plazhit rikthehet në Golem, FSHF hap regjistrimet për edicionin e dytë
Federata e Futbollit në bashkëpunim me “Beachee Albania”, do të organizojë për të dytin vit radhazi kampionatin e futbollit të plazhit, i cili këtë sezon do të zhvillohet në Golem, më 26 dhe 27 korrik.
Regjistrimet janë hapur dhe të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë në adresën e email-it: jdemneri@fshf.al .
Departamenti i Futbollit Amator në FSHF bën me dije se vendet janë të limituara, ndaj të gjitha ekipet e interesuara duhet të nxitohen për t’u regjistruar sa më parë.
Ky aktivitet synon të promovojë futbollin e plazhit si një formë argëtuese dhe gjithëpërfshirëse, duke ofruar një tjetër hapësirë për zhvillimin e futbollit amator në vend. -

FSHF nis organizimin e sezonit të ri të “Sunday League Albania”, hapen regjistrimet për ekipet pjesëmarrëse
Departamenti i Futbollit Amator në FSHF ka nisur organizimin për sezonin e ri 2025–2026.
Në kampionatin më popullor, FSHF Sunday League, janë hapur regjistrimet, teksa ekipet tradicionale që marrin pjesë prej vitesh kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, regjistrimet vijojnë të jenë të hapura edhe për disa ditë, dhe të gjitha ekipet e interesuara mund të kontaktojnë në adresën e email-it: jdemneri@fshf.al .
Ky do të jetë sezoni i shtatë i kampionatit të futbollit amator “Sunday League Albania”, që organizohet nga Departamenti i Futbollit Amator në FSHF, dhe që çdo vit njeh rritje në cilësi, organizim dhe numër pjesëmarrësish.
FSHF vijon të mbështesë dhe promovojë futbollin amator si një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të sportit në vend.