Vargjet e autores korçare Valbona Lola kanë ngjitur në skenë aktorët e njohur shqiptarë Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Zamira Kita e të tjerë.Në sallën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë u recituan fjalët me rimë që lidheshin me gjithçka, nënën, fëmijën, bashkëshortin, jetën dhe vdekjen
“Emra të njohur të skenës, Luiza Xhuvani, Alfred dhe Violeta Trebicka, Zamira Kita dhe Blerta Belliu u japin jetë poezive të mia. Duke qenë se jemi sezon festash, dhurata me e bukur janë ndjenjat. Poezitë janë shkëputur nga vëllimi im i fundit Fajet e Zemrës. Kanë kontekste të ndryshme, lirika dashurie, shoqërore dhe peizazhe, Jam frymëzuar nga gjithçka”, tha autorja e librit “Fajet e zemrës” Valbona Lola.
Për aktorin e mirënjohur Alfred Trebicka, nje natë poetike në Korçë ka përherë mbështetësit e saj besnikë.
” Tashmë është kthyer në normalitet në Korçë, kjo sallë nuk mund të imagjinohet bosh. Jo vetëm për shfaqje teatri por e per mbrëmje speciale poezie, është si muzikë dhome. Edhe spektatori është i veçantë e specifik. Kjo poezi e Valbonës është e prekshme sepse është e thjeshtë, prek emocionin, fenomenet bazike, nene, gruan, brishtesine, raport prind fëmijë, gjërat që gjithësecili i percepton. Zemra nuk bën faje kurrë, fajet i bën mendja”, u shpreh aktori Alfred Trebicka.
Përgjatë muajit Dhjetor bashkia e Korçës ka organizuar me dhjetëra aktivitete kulturore dhe artistike për banorët dhe turistët që zgjedhin të kalojnë pushimet në juglindje.









