Nga viti i ardhshëm, të gjitha banesat do të paguajnë taksë pasurie, më të lartë se ajo që paguajmë aktualisht. Referencat e reja që pritet të miratohen në rrethe do të rrisin ngarkesën fiskale për familjet në mbarë vendin. Drafti i hedhur për konsultim parashikon metodologji të re të llogaritjes së kësaj takse. Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka disa propozime konkrete lidhur me këtë draft. Më kryesorja është që banesa e parë që përdoret për strehim të mos tatohet.
“Në shumicën e vendeve të BE-së, banesa kryesore e tatimpaguesit përjashtohet plotësisht ose i nënshtrohet një reduktimi të konsiderueshëm të tatimit mbi ndërtesat (deri në 80%). Ky model garanton mbrojtjen e strehimit bazë si e drejtë themelore sociale. Propozimi ynë është që banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike.”
Në letrën drejtuar Ministrisë së Financave, Aleanca e Profesionistëve të Lirë sugjeron që edhe fitimi nga shitja e banesës kryesore të mos tatohet, pasi edhe kjo është një praktikë e vendeve evropiane.
“Fitimi nga shitja e banesës kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, duke ndjekur modelin e OECD dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së. Për pasuritë e tjera, tatimi mbi fitimin kapital të aplikohet në mënyrë progresive, por i korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostove të justifikuara financiare, për të siguruar që tatohet vetëm fitimi real dhe jo vlera e fryrë artificialisht nga tregu ose faktorë makroekonomikë.”
Përfaqësuesit e Aleancës thonë se një sistem tatimor i drejtë duhet të bëjë dallim mes tatimit të pasurive për përdorim vetjak, atyre për përdorim biznesi apo dhe pasurive të trashëguara nga familja. Paralelisht, sugjerohet që taksat të aplikohen mbi vlerën reale të tregut dhe jo të referencave. Qeveria e re do të diskutojë dhe miratojë metodologjinë e re të taksës së pasurisë në muajt në vijim, shoqëruar edhe me një fushatë rivlerësimi për pasuritë me një tatim 5%.
/vizionplus.tv









