Zjarri i rënë në një pikë grumbullimi mbetjesh vuri në alarm autoritetet shëndetësore në Paris. Banorëve u kërkuan të mos hapin dyer e dritare edhe se autoritetet thanë se niveli i ndotjes është brenda normave. Në të kundërt me ta mjekët ngritën shqetësimin për pasojat që shkaktojnë grimcat
Mbrëmja e së hënës dhe deri në orët e para të kësaj të marte një pjesë e parisit u pushtua nga tymi i shkakruar nga djeia e një pike të madhe grumbullimi dhe trajtimi të mbetjeve. Nga pamjet shihet përmasat e zjarrit ndërsa për vënien nën kontroll u angazhuan mbi 100 zjarrëfikës.
Prefektura e policisë së Parisit u bëri thirrje banorëve të zonës përreth që të qëndrojnë brenda, të mbajnë dritaret mbyllur dhe të kërkojnë ndihmë në rast të vështirësive në frymëmarrje. Megjithatë, mëngjesin e së martës, këto masa paraprake u hoqën, pasi analizat e para nuk zbuluan prani të niveleve të larta toksiciteti.
Ministrja e Tranzicionit Ekologjik, deklaroi se sipas matjeve të kryera, tymi nuk përmban substanca toksike. Por mjekët paralajmërojnë se përbërja e tymit nga mbetjet e djegura – plastikë, metale, substanca organike dhe kimike – mund të përmbajë grimca të dëmshme si monoksidi i karbonit, dioxina dhe metale të rënda, veçanërisht të rrezikshme për personat me sëmundje të frymëmarrjes.
Sipas Airparif, niveli i ndotjes së ajrit në rajonin e Île-de-France mbetet nën kufijtë e rekomanduar dhe kushtet atmosferike ndihmojnë në shpërndarjen e ndotësve. Megjithatë, cilësia e ajrit pritet të jetë mesatare deri e përkeqësuar, me ozonin si ndotës kryesor.
Kryetari i bashkisë shprehu shqetësimin se tymi dhe erërat e rënda janë ende shumë të ndjeshme në zonë. Ai kërkoi zgjerimin e matjeve të ajrit edhe në zonat përreth, përfshirë komunat e Hauts-de-Seine.
