Foletë e prostitucionit me shtetase të huaja, vijojnë të lulëzojnë në vendin tonë. Tashmë, zonat më të frekuentuara dhe të kthyera si bazë prostitucioni janë ato bregdetare.
Këtë të shtunë, Policia e Durrësit njofton finalizimin e një operacioni të koduar “Baza”, duke zbuluar dhe ndaluar një aktivitet të paligjshëm që zhvillohej në zonën turistike të Qerretit.
Pas një hetimi dyjavor, të ndjekur me metoda proaktive, u arrestuan në flagrancë dy shtetase kineze, të identifikuara si C. Y., 42 vjeçe, dhe Y. Sh., 41 vjeçe, të dyshuara për ushtrimin e veprimtarisë së prostitucionit.
Nga hetimet rezultoi se të arrestuarat kishin marrë me qira një apartament në Qerret dhe, përmes rrjeteve sociale, ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës që varionte nga 80 deri në 200 euro.
Gjithashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas shqiptarë, të dyshuar si klientë që kanë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.
Të dyja kishin hyrë në Shqipëri si turiste, por në realitet ushtronin aktivitet të organizuar dhe të qëllimshëm për përfitim financiar.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar para në euro dhe dollarë, si dhe 2 telefona celularë që dyshohet se janë përdorur për komunikimin me klientët.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit bën të ditur se operacionet për goditjen e rrjeteve të prostitucionit dhe trafiqeve të paligjshme do të vijojnë pa ndërprerje në të gjithë vendin.









