Filantropia e Bill Gates mban aksione me vlerë dhjetëra miliona dollarë në korporata që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së i ka përcaktuar si “kompani ushtarake kineze”, sipas një analize të të dhënave tatimore nga Washington Examiner.
Trusti i Fondacionit Gates, organizata jofitimprurëse përgjegjëse për menaxhimin e fondit të themeluar nga bashkëthemeluesi i Microsoft-it, zotëronte afro 60 milionë dollarë në aksione në tre entitete të ndryshme që figurojnë në listën 1260h të Pentagonit, sipas dokumenteve më të fundit tatimore të disponueshme. Gates është drejtpërdrejt përgjegjës për sjelljen investuese të fondacionit të tij, pasi shërben si CEO dhe kujdestar i fondit bamirës.
Lista 1260h e Departamentit të Mbrojtjes përditësohet çdo vit fiskal dhe përmban emrat e entiteteve që qeveria federale ka përcaktuar si “të zotëruara, të kontrolluara apo të përfituara drejtpërdrejt ose tërthorazi nga” ushtria kineze, si dhe ato që bashkëpunojnë ndryshe me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.
Përveç dhjetëra milionave dollarë në aksione që Fondacioni Gates mban në kompani kineze të përcaktuara nga Pentagoni si ushtarake, ai zotëron gjithashtu edhe dhjetëra miliona dollarë në aksione të ndërmarrjeve shtetërore kineze dhe korporatave të lidhura ngushtë me Partinë Komuniste Kineze (PKK).
Tencent përfaqëson zotërimin më të madh të Fondacionit Gates ndër kompanitë ushtarake kineze, me trustin bamirës që zotëron rreth 53 milionë dollarë në aksione të saj.
Bashkëthemeluesi dhe CEO i Tencent-it, Ma Huateng, është anëtar i PKK-së dhe ka shërbyer dy mandate në Kongresin Popullor Kombëtar të Kinës. Në vitin 2023, PKK-ja ndërmori blerjen e të ashtuquajturave “aksione të arta” në Tencent. Këto janë pjesë të vogla të pronësisë, të cilat, sipas ligjit kinez, i japin qeverisë kontroll mbi vendimet kryesore të biznesit.
Ky konglomerat teknologjik raportohet se ka bashkëpunuar me qeverinë kineze për të censuruar pikëpamjet disidente dhe luan një rol të rëndësishëm në Rrugën e re të mëndafshit, një projekt global infrastrukture i drejtuar nga PKK-ja, për të cilin disa ekspertë argumentojnë se është një mjet i Pekinit për të ndërtuar ndikimin e tij të butë jashtë vendit.
Fondacioni Gates nuk është i panjohur me ndihmën ndaj qeverisë kineze për të arritur objektivat e saj.
Filantropia e Gates ka dërguar dhjetëra miliona dollarë për agjenci qeveritare kineze, universitete të drejtuara nga shteti dhe kompani ushtarake kineze, siç ka raportuar më parë Washington Examiner.
Përfitues të fondeve të Gates përfshijnë Fondacionin Kinez për Kërkime Zhvillimore, Ministrinë e Bujqësisë së Republikës Popullore të Kinës, Akademinë Kineze të Shkencave, Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë së Kinës dhe Ministrinë Kineze të Shkencës dhe Teknologjisë. Disa nga këto entitete janë kritikuar nga ligjvënës amerikanë për përpjekje për të minuar interesat amerikane. Për shembull, Ministria Kineze e Shkencës dhe Teknologjisë është kritikuar për përfshirje në spiunazh industrial, ndërsa Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë është kritikuar për fshehje të pretenduar të informacioneve në lidhje me pandeminë COVID-19. Disa universitete kineze të financuara nga Gates kanë laboratorë të nivelit të lartë ushtarak.
Pekini dhe Gates kanë pasur historikisht marrëdhënie të përzemërta. Presidenti kinez Xi Jinping e quajti bashkëthemeluesin e Microsoft-it një “mik të vjetër” në qershor 2023. Gates, nga ana e tij, deklaroi në janar 2023 se “ngritja e Kinës” është “një fitore e madhe për botën”.
Në deklaratat më të fundit tatimore, Fondacioni Gates deklaroi një pagesë prej 2 milionë dollarësh dhe 2.1 milionë të tjera të parashikuara për pagesa të ardhshme për kompaninë hekurudhore kineze CRRC. Kjo kompani figuron në listën e Pentagonit për kompani ushtarake kineze dhe është unike sepse Fondacioni Gates gjithashtu zotëron rreth 1.7 milionë dollarë në aksione në filialin e saj, Zhuzhou CRRC Times Electric.
Fondacioni Gates zotëron gjithashtu 3.6 milionë dollarë në aksione në Contemporary Amperex Technology, e njohur ndryshe si CATL. Themeluesi dhe CEO i CATL, Zeng Yuqun, më parë ka punuar në një organ që mbikëqyrte Frontin e Bashkuar të PKK-së – një rrjet entitetesh që punojnë për të zgjeruar ndikimin global të Kinës në jetën civile dhe komerciale. PKK-ja duket se favorizon CATL-në, duke e përkrahur me miliarda dollarë subvencione dhe lehtësime tatimore, duke i dhënë përparësi në kontratat qeveritare dhe duke hyrë në partneritete strategjike me të.
Një numër organizatash jofitimprurëse me prirje të majta që operojnë nga Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me qeverinë kineze. Disa, si Energy Foundation, Natural Resource Defense Council, dhe Nature Conservancy, kanë ish-zyrtarë të PKK-së në pozicione të larta. Të tjera, si Rockefeller Brothers Fund dhe Ford Foundation, dërgojnë miliona dollarë çdo vit jashtë vendit për të ndihmuar qeverinë kineze në realizimin e axhendës së saj. Rockefeller Brothers Fund përqendrohet në mbështetjen e infrastrukturës energjetike të Kinës, ndërsa Ford Foundation ka kontribuar në financimin e projekteve të Rrugës së re të mëndafshit.
Pronat kineze të Fondacionit Gates nuk kufizohen vetëm në korporatat që Pentagoni i ka veçuar për lidhje ushtarake. Filantropia, për shembull, zotëron gati 40 milionë dollarë në China Resources Beer, një degë e China Resources Holdings, e cila është në pronësi të shtetit. Shoqta bamirëse e Gates gjithashtu zotëron dhjetëra miliona dollarë në ndërmarrje të tjera shtetërore, duke përfshirë kompani ndërtimi dhe prodhues automjetesh.
Për më tepër, kjo bamirësi zotëron rreth 50.4 milionë dollarë në aksione të Alibaba-s. Gjiganti kinez i tregtisë elektronike, ashtu si Tencent, ka shitur “aksione të arta” për PKK-në, ka zhvilluar raportohet mjete propagandistike për qeverinë, mbështet Rrugën e re të mëndafshit, dhe është subvencionuar gjerësisht nga Pekini. / Washington Examiner – Syri.net