Në një reagim në rrjetet sociale, aktivisti Mirsad Basha ka denoncuar publikisht kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pasi një postim i këtij të fundit u cilësua si fyes dhe provokues ndaj punës së aktivistëve dhe qindra qytetarëve që prej vitesh kontribuojnë në terren për mjedisin dhe komunitetin.
Basha thekson se “aksioni” i shpallur nga Beci me 800 persona nuk ishte gjë tjetër veçse një inskenim propagandistik i stafit të kryebashkiakut, ku në terren u nxorën punonjës bashkie, drejtues institucionesh dhe madje edhe nxënës, vetëm për të krijuar foton e radhës ndërkohë që zona, sipas tij, ishte pastruar më parë nga punëtorët dhe nuk kishte asgjë për t’u pastruar realisht. Ai akuzon Bashkinë për hipokrizi, përpjekje për të treguar “forcë mbledhjeje njerëzish” dhe reagim personal ndaj videos virale që nxori në pah katastrofën mjedisore në Velipojë, e cila u pastrua pikërisht vetëm pasi u bë publike.
Sipas aktivistit, sjellja e kryetarit dhe stafit të tij është tregues i inatit personal dhe mungesës së sinqeritetit në shërbim të qytetit, duke kërkuar madje edhe falje publike për fyerjen ndaj tij dhe atyre që e mbështesin. Ai thekson se pavarësisht presioneve apo “shkopinjve nën rrota”, angazhimi i tij dhe i aktivistëve të tjerë për Shkodrën nuk do të ndalet.
Reagimi i Plotë:
Një reagim për kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, i cili para pak ditësh postoi diçka në rrjetet e tij sociale, dhe që për mua dhe mbështetësit e mij ishte shumë fyese dhe shkaktoi reagim. Sepse ne jemi njerëz të punës konkrete në terren, dhe prej vitesh kemi dhënë maksimumin për këtë qytet që e duam shumë.
Gjithsesi, “aksionin” e videos me 800 veta nuk e organizuan të rinjtë, sepse po të ishin të rinjtë, ajo zonë do të ishte pasqyruar me një aksion të vërtetë pune dhe vitaliteti, e jo video duke ecur në rrugë e duke rënë. Ajo video (që as nuk duhet quajtur aksion, sepse nga pamjet duket qartë që nuk kishte asgjë për të pastruar, pasi zona ishte në pastrim e sipër nga punëtorët) u organizua vetëm nga stafi personal i kryetarit, duke nxjerrë në terren punonjës bashkie, drejtorë të Prefekturës dhe Zyrës Arsimore me nxënës, vetëm për të treguar që “ne mbledhim njerëz”. Kot, sepse aty as kishte çfarë të pastruar, aty isha edhe unë.
Vërtet i lumshin duart çdo punonjësi e nxënësi që dolën aty në terren në erë e shi, që kishin vullnet të mirë për qytetin tonë!
Bashkia nuk ka nevojë më të bëjë organizime hipokrite dhe t’i tregojë kujt që “ne dimë të organizojmë aksion”, sepse për të bërë diçka të tillë duhet zemër dhe vullnet të mirë, jo inate personale. Po ashtu, nuk ka pse të dëshmojë që “mbledh njerëz”, sepse jo 800, por edhe 8.000 veta ka mundësi të mbledhë me kapacitetet njerëzore dhe logjistike që ka. Kjo punë kërkon vetëm zemër dhe vullnet të mirë, e jo inate personale.
Videoja që hodha një javë më parë, ajo katastrofë mjedisore që u bë virale në media kombëtare dhe ndërkombëtare, kishte si qëllim ndërgjegjësimin qytetar për atë që ne vetë i kemi shkaktuar Natyrës ndër vite. Nuk kishte faj as bashkia dhe as stafi aktual për atë katastrofë, por kaq zemër e vullnet të mirë kanë për këtë qytet, sa e morën kaq personale atë video apo organizimin që desha të bëja për pastrim në atë zonë.
Dje u bashkova edhe unë aksionit të organizuar nga bashkia, sepse unë, ndryshe nga stafi personal i kryetarit të bashkisë, nuk bëj punë me foto, por jam në terren çdo ditë, dhe për këtë edhe kryetari i bashkisë më ka dashur afër këto vite.
Në ditën e parë të pastrimit në Velipojë, Benet Beci shkruajti në rrjetin social: “Duhet thënë hapur që Velipoja nuk pastrohet me foto në rrjete sociale, por me aksione konkrete.” Por këtë herë, ata vetë pastruan pikërisht nga fotoja që u bë virale, dhe nuk kanë pse të drejtohen tek unë për atë gjë, kur unë prej vitesh jam në terren duke shërbyer Natyrës dhe qytetit tim. Turp të kenë!
Më ka ardhur shumë keq prej Benet Becit dhe stafit të tij për atë shkrim, sepse unë kam organizuar qindra aksione mjedisore këto 10 vite për qytetin dhe çdo aksion mjedisor prej 2 vitesh për Bashkinë, dhe nuk kishte arsye të na etiketojë ashtu “me foto e pa foto”. Me këtë veprim treguan ligësi dhe pasqyruan qartë se sa e duan vërtet këtë qytet e njerëzit që kanë pas afër dhe mbështesin. Turp t’i vijë kujtdo që e ka shkruar atë shkrim, kushdo qofte, është përgjegjësi e vetë Benet Becit. Unë personalisht pres falje publike, për mua dhe për ata që na mbështesin dhe që patën reagim negativ prej atij postimi.
Gjithsesi, ne jemi aktiv sa të mundemi, sa do që tash e më pas mund të kemi ose jo “shkopinj nën rrota” nga stafi personal i kryetarit, dhe do të shërbejmë këtij qyteti me dashni dhe përkushtim gjithmonë. Të tjerët shkojnë e vijnë, ne prej vitesh bëjmë të njëjtën gjë për Shkodrën.