Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Igli Cara, e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm prezantimin e kandidatëve të koalicionit “Shqipëria Madhështore”, gjatë një takimi të mbajtur në qytet. Në një intervistë televizive, ai theksoi se ky aktivitet tregoi entuziazmin e madh të qytetarëve për ndryshim dhe gatishmërinë për të ndëshkuar keqqeverisjen.
Sipas Carës, qytetarët e Durrësit i kanë mirë të freskëta kujtimet për kontributin e PD-së në qeverisje dhe janë të lodhur nga premtimet boshe të qeverisë aktuale. Ai veçoi tri shtylla të rëndësishme të programit të PD-së në këtë qark: zgjidhje për familjet durrsake, zhvillimi i qytetit dhe ndihma për të gjithë Shqipërinë.
Duke u ndalur te problematikat konkrete, Cara përmendi gjurmët e pambyllura të procesit të rindërtimit pas tërmetit, mungesën e strehimit për mijëra familje, projektet e papërfunduara në arsim dhe mungesën e bonuseve të qirasë për familjet në nevojë. Ai akuzoi Partinë Socialiste për “asfalt elektoral” dhe përpjekje për të deformuar votën përmes investimeve të minutës së fundit dhe premtimeve të pambajtura.
“Partia Socialiste mundohet që të bëjë truke për të deformuar votën. Nuk është vetëm në aspektin e premtimeve për shtëpitë, por edhe me rrugët që ne i quajmë ‘asfalti elektoral’. Janë investime që nuk do të vlejnë, sepse do të prishen përsëri pas pak kohe,” – u shpreh Cara.
Ai gjithashtu kujtoi përvojën e tij në zgjedhjet e vitit 2023, kur kandidonte pa mbështetje të plotë strukturore dhe theksoi se tashmë PD është më e bashkuar dhe më e përgatitur për një betejë të vërtetë elektorale.
“Tani duhet të shohim përpara. Kjo forcë politike ka bërë shumë për Durrësin dhe Shqipërinë, dhe durrsakët e mbajnë mend mirë se çfarë ndodhi në 2005 dhe më pas. Por e dinë po ashtu çfarë nuk është bërë në këto 12 vitet e fundit,” – theksoi Cara.
Fjala e plotë:
Dje në Durrës u bë hapja dhe prezantimi kandidatëve të koalicionit ‘Shqipëria Madhështore. Ishte një takim i shkëlqyer, entuziast me pjesëmarrje massive kuptohet por dhe me mesazh të qartë për çdo familje të qytetit të Durrësit për vetë qytetin por dhe gjithë Shqipërinë. Mos harrojmë që në këtë garë, ose në këtë fushatë ne shkojmë së pari, të paktën me tre kolona kryesore në Durrës. Çfarë do të bëjmë për këto familje durrsake, çfarë do të bëjmë për qytetin dhe çfarë do të bëjmë pse jo, për gjithë Shqipërinë.
Premtimet janë, premtime të gjitha të realizueshme. Në takimet që kemi patur, kam vënë re që qytetarët mezi presin ndryshimin, madje shprehen shumë entuziast për një fitore sin ë vitin 2005. Mos harrojmë që në finale duhet të pranojmë faktin që PD dhe koalicioni, nuk është më si ai i viteve më parë. Tanimë gjërat kanë ndryshuar, sepse unë isha vetë kandidat në zgjedhjet e vitit 2023 dhe kuptova që çfarë do të thotë të jesh pa një forcë politike dhe pa komisionerë në ditën e zgjedhjeve.
Kuptohet, pa vulë e pa siglën e partisë që përfaqëson. Të gjitha këto ndikuan, por gjithsesi këto i takojnë të shkuarës dhe tani duhet të shohim përpara.
Kjo forcë politike ka bërë shumë për Durrësin dhe Shqipërinë, dhe durrsakët kanë memorie të qartë. E mbajnë mend mirë sesi ndryshoi në 2005-2009 e më vonë në 2010. Por kuptohet që kanë akoma të qartë se çfarë ka ndodhur në këto 12 vite. Kur çdo familje durrsake sot është më e varfër. Mos të harrojmë që gjurmët e rindërtimit janë akoma prezentë. Mos harrojmë që mijëra familje nuk janë strehuar akoma në shtëpitë e tyre.
Akoma ne kemi shumë familje që nuk janë sistemuar akoma. Mos harrojmë dhe ato blloqet e apartamenteve që janë bërë në të gjithë zonën e ish-kënetës. Kemi akoma shkolla dhe gjimnaze që nuk janë përfunduar. Kanë prej dy vitesh që nuk kanë marrë as bonusin e qirasë.
Si gjithmonë, Partia Socialiste mundohet që të bëjë truke për të deformuar votën. Dhe nuk është vetëm në këtë aspekt për premtimin e shtëpive, por mos harrojmë që kemi edhe investime në rrugë të ndryshme që ne i quajmë ‘asfalti elektoral’. Janë investime që nuk do të vlejnë se pas disa kohësh ato rrugë do të prishen përsëri dhe për më tepër kemi bërë shumë denoncime për shumë gjëra që PS i ka në program.