ARBEN AHMETAJ
TIRANË- Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar zyrtarisht Zvicrës kërkesën për ekstradimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili është marrë i pandehur në dy raste nga Prokuroria e Posaçme. Ish-zv.kryeministri është marrë i pandehur nga SPAK, për dosjen e inceneratorit të Tiranës, si dhe privatizimin e truallit të ish-shoqërisë shtetërore BUKA.
Arben Ahmetaj u largua drejt Zvicrës në Korrik të vitit 2023, disa ditë përpara se SPAK të kërkonte arrestimin e tij në lidhje me dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ndërkohë që për dosjen “Buka” ndaj Ahmetajt Prokuroria e Posaçme nuk ka lëshuar masë sigurie.
Informacioni u bë me dije gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Buka”.
Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, paraqiti kërkesën për gjykimin e ish-zyrtarit, duke sqaruar se procedimi është regjistruar në vitin 2022 pas kallëzimit të një qytetari lidhur me procesin e privatizimit të kompanisë Buka Sha. Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e shoqërisë, edhe pse kishte vendime gjykate që e ndalonin këtë veprim.
Gjykata po shqyrton edhe pyetjen e disa dëshmitarëve në kuadër të procedurës së zakonshme, ndërsa u lexua edhe shkresa e Interpolit.
Interpol njofton se Ahmetaj ndodhet aktualisht në Zvicër, vend ku Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e tij.
Pavarësisht se ndodhet prej më shumë se 2 vitesh në arrati, Ahmetaj ka dhënë në disa raste intervista televizive, si dhe së fundi ka paditur shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.
Ahmetaj ka akuzuar qeverinë shqiptare për shkelje të imunitetit parlamentar dhe të së drejtës për privatësi gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj tij nga SPAK. Padia është depozituar më 8 maj 2024 dhe çështja i është komunikuar zyrtarisht qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025.
Akuza lidhet me kontrollin e ushtruar më 9 mars 2023 në banesën e Ahmetajt, si dhe me sekuestrimin e telefonit të partneres së tij Erjola Hoxha, mbi bazën e një urdhri të GJKKO. Ahmetaj pretendon se kontrolli ishte i paligjshëm, pasi në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe sipas nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratim paraprak nga Kuvendi. Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të sqarojë: Nëse kontrolli i banesës së Ahmetajt është kryer në përputhje me Kushtetutën shqiptare dhe me rregullat e imunitetit parlamentar; dhe nëse ligjet dhe praktika gjyqësore shqiptare ofrojnë mjete të mjaftueshme për vendimet e tilla të kontrollit dhe sekuestrimit.
Ndërkohë, vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar së fundmi se Ahmetaj mbetet person në kërkim ndërkombëtar, duke shtuar se “kushdo që dëshiron të marrë statusin e të penduarit dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është i mirëpritur”.
Përpos akuzës lidhur me dosjen “Buka”, Ahmetaj është duke u hetuar edhe për tre vepra penale të tjera penale, si “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në lidhje me dosjen e inceneratorëve. /ZËRI
arben ahmetaj ne spakkk 899×720 1 780×439
532 300 1741601675xarben ahmetaj spak 496









