Konflikti mes deputetes së PD, Denisa Vata, dhe atij socialist, Agron Malaj, mori përmasa publike pas një pyetjeje strategjike në Parlament. Vata zbuloi se gjithçka nisi kur ajo pyeti kreun e SPAK nëse Agron Malaj ishte nën hetim, një fakt që u konfirmua. Kjo lëvizje provokoi një reagim të ashpër dhe një postim personal nga ana e Malajt.
LEXO EDHE: Protesta për HEC-in/ Vata: Pse Agron Malaj s’i informoi banorët gjatë fushatës? Kërkon t’i heqë lejen kompanisë për t’ia dhënë të vëllait
Vata thekson se ky reagim vjen në një kohë delikate, gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme në Mat, ku kandidati socialist po përballet me një pritje të ftohtë nga qytetarët për shkak të premtimeve të pambajtura.
Duke thelluar akuzat, Vata denoncoi një kontratë prej 32,000 eurosh në muaj që kompania e vëllait të Malajt, ‘Global Security’, merrte për të ruajtur inceneratorin joekzistues të Tiranës.
Ajo shtoi se ky nuk është një rast i izoluar, duke përmendur gjithashtu një skemë të dyshuar shkëmbimi tenderash mes Bashkisë së Matit dhe firmës së njohur ‘5D’, duke implikuar drejtpërdrejt interesat familjare të deputetit Malaj në afera publike.
LEXO EDHE: VIDEO – Krimet zgjedhore/ Në Mat investime për fushatë, kandidatja e opozitës Denisa Vata: Ja sarajet e kandidatit të Ramës, Agron Malaj
Deklarata e plotë e deputetes:
“Që ka ardhur direkt pasi kreu i SPAK ishte në raport në parlament dhe unë i drejtova një pyetje të thjeshtë, me interes për qytetarët matjan: a po hetohet Agron Malaj nga SPAK? Përgjigja ishte që po, është në hetim paraprak. Gjithë kjo buroi nga kjo pyetje.
Plug, emisioni juaj, e ka trajtuar edhe para fushatës së 11 majit, ku tregonte se kompania e vëllait të tij, “Global Security”, që më parë ka qenë në pronësi të Agron Malajt, përfitonte 32.000 euro në muaj nga inceneratori i Tiranës që nuk ekziston. Pra, për të ruajtur me kamera sigurie inceneratorin që nuk ekziston.
Kjo nuk është hera e parë që vëllai i Agron Malajt përfiton para nga Bashkia e Tiranës, sepse së bashku me firmën “5D”, Agron Malaj i jepte tendera asaj firme këtu në Mat, ndërsa “5D” atje i jepte tendera Fatos Malajt.
Tani jemi në fushatë elektorale në Mat dhe kudo që ai ka shkuar me kandidatin e PS për Bashkinë e Matit një njeri që e ka vënë thjesht Agron Malaj për të marrë në dorëzim të gjithë tenderat korruptivë që ka lënë hapur në Bashki është mirëpritur keq nga qytetarët.
U janë bërë shumë premtime, u është thënë që do bëhen investime, por në fakt nuk ka patur. Së fundmi, kur ishim në fshatin Zenisht, dërgova edhe një video redaksisë suaj. Rruga nga Ura e Matit deri tek Lapidari i Stugulit është tejet e amortizuar, dhe dje kishin hedhur disa makina me dhe për të mbushur gropat, pra mbi asfalt mbushen gropat me dhe.
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se çfarë tallje po bëhet me ta. Të shtrosh asfalt me 4 cm në rrugët e fshatrave të Matit dhe pas një muaji të prishet me shiun e parë, tregon që në Mat është bërë një korrupsion shumë i madh dhe të gjitha këto vetëm nga Agron Malaj”.









