Tag: administrata

  • Administrata Trump shkarkon 8 gjyqtarë të imigracionit në Nju Jork

    Administrata Trump shkarkon 8 gjyqtarë të imigracionit në Nju Jork

    Administrata e Presidentit Donald Trump shkarkoi të hënën tetë gjyqtarë të imigracionit në New York City, sipas New York Times.

    Shkarkimet vijnë pas një vale reduktimesh të mëparshme të stafit në gjykatat e imigracionit në qytet dhe konsiderohen pjesë e një ristrukturimi më të gjerë në nivel kombëtar, teksa Shtëpia e Bardhë synon të përshpejtojë procedurat e deportimit.

    Të gjithë gjyqtarët e shkarkuar punonin në 26 Federal Plaza, ndërtesa që strehon zyrën qendrore të agjencisë amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në New York. Ndër ta ishte edhe Amiena A. Khan, ndihmëse kryesore e gjykatës së imigracionit, e cila mbikëqyrte një ekip gjyqtarësh brenda institucionit.

    Sipas të dhënave federale, rreth 90 gjyqtarë të imigracionit janë shkarkuar në mbarë vendin që nga fillimi i vitit, përfshirë gjashtë të tjerë në New York City, nga një total prej rreth 600 gjyqtarësh në sistemin e gjykatave të imigracionit.

    “Gjykata është shkatërruar praktikisht”, tha Olivia Cassin, një gjyqtare imigracioni e pushuar nga puna në nëntor pas më shumë se një dekade shërbimi. “Ndihet si një masakër e së hënës pasdite”, u shpreh ajo për New York Times.

    Shkarkimet e reja ndodhën vetëm dy ditë pasi rreth 200 protestues u mblodhën në Lower Manhattan për të kundërshtuar një bastisje të mundshme të ICE-së, duke shtuar tensionet mes aktivistëve lokalë dhe autoriteteve federale.

    Administrata Trump ka deklaruar synimin për të intensifikuar operacionet e deportimit në New York dhe ka kritikuar ashpër politikat e strehimit të qytetit, të cilat kufizojnë bashkëpunimin e policisë lokale me zyrtarët federalë të imigracionit.

  • Presidenti Trump i mbyll dyert afganëve, Edi Ramës i mbeten në derë sorosianët e Afganistanit, i shkon dëm…

    Presidenti Trump i mbyll dyert afganëve, Edi Ramës i mbeten në derë sorosianët e Afganistanit, i shkon dëm…

    Administrata Trump ka lëshuar një “bombë” diplomatike që Tirana zyrtare, e veçanërisht kryeministri Edi Rama nuk e kishin llogaritur: pezullimi i menjëhershëm i vizave për çdo pasaportë afgane. Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH), Marco Rubio, njoftoi të shtunën vendimin sa i takon pezullimit të menjëhershëm të lëshimit të vizave për të gjithë shtetasit afganë, duke u justifikuar se prioriteti kryesor i Washingtonit është mbrojtja e amerikanëve. Ky vendim vjen pas një sulmi vdekjeprurës nga një shtetas afgan në Uashington, ku humbi jetën një anëtar i Gardës Kombëtare. Si pasojë, përpunimi i të gjitha kërkesave për emigracion nga Afganistani është ndalur për një kohë të pacaktuar. Shqipëria, vendi që mikpriti afro 700 afganë pas rënies së Kabulit, gjendet tani e bllokuar, pasi këta njerëz nuk kanë rrugë drejt SHBA. Kjo situatë bie si dush i ftohtë mbi kryeministrin Edi Rama, i cili më 2021 u nderua nga Hillary Clinton me çmimin “Inovatori i Nderuar Global” për mikpritjen e afganëve. Por dekorata e lavdërimeve duket se i shkon dëm, pasi realiteti i pezullimit amerikan e lë Shqipërinë me “sorosianët” e Afganistanit të bllokuar në vend.
    Pra kjo goditje e fortë e ekspozon edhe më shumë dështimin e narrativës së vitit 2021, kur Edi Rama u nderua nga organizata e Hillary Clinton në një ceremoni plot reflektorë e lëvdata. Ajo që atëherë u paraqit si fitore diplomatike, sot duket si një fletë lavdie që nuk ka më peshë përballë faktit se afganët e mbajtur këtu me lekët e shqiptarëve dhe që janë të sponsorizuar nga miliarderi Xhorxh Soros nuk lëvizin askund. Asokohe Rama e quajti vendimin e mikpritjes “instinktiv” dhe “nobel”, por realiteti i sotëm tregon një tjetër histori: shumë premtime të thëna me zë të lartë në Nju Jork nuk kanë prodhuar asnjë zgjidhje konkrete në terren. Shqipëria ka mbetur me përgjegjësi të papërmbushura, ndërsa aleati kryesor ndërkombëtar ka ndryshuar drejtim me një firmë të vetme, duke bërë që Edi Ramës t’i mbeten në derë sorosianët e Afganistanit dhe shkuar dëm dekorata e Hillary Klinton. Në fund, kriza e resettlement-it shfaq një fakt të thjeshtë: propaganda e podiumit nuk mban gjatë kur godet në murin e politikave të reja amerikane. Dhe pikërisht aty, qeveria shqiptare ndodhet sot, mes premtimeve të bujshme të djeshme dhe realitetit të pamëshirshëm që u materializua këtë fundjavë. Më poshtë po sjellim për lexuesin një përmbledhje të ngjarjeve për këtë çështje.
    Çfarë ka ndodhur me afganët?
    Ndërkohë kujtojmë se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi të shtunën se administrata e Trump ka pezulluar lëshimin e vizave për të gjithë individët që udhëtojnë me pasaporta afgane, duke argumentuar se “Washingtoni nuk ka prioritet më të lartë se mbrojtja e amerikanëve”. Ky vendim vjen pas një incidenti të dhunshëm në Uashington, ku një shtetas afgan sulmoi anëtarë të Gardës Kombëtare, një prej të cilëve humbi jetën. “Departamenti i Shtetit ka pezulluar MENJËHERË lëshimin e vizave për individët që udhëtojnë me pasaporta afgane. Po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe publikun”, shkruan departamenti. Shërbimet amerikane të shtetësisë dhe imigracionit (USCIS) konfirmuan vendimin për X, duke thënë: “Duke filluar menjëherë, përpunimi i të gjitha kërkesave për imigracionin që lidhen me shtetasit afganë është ndalur për një kohë të pacaktuar në pritje të shqyrtimit të mëtejshëm të protokolleve të sigurisë dhe verifikimit”. Por ky vendim prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë. Deri në janar të këtij viti, më pak se 700 afganë vijonin të qëndronin në Shqipëri, kryesisht si pjesë e programeve të resettlementit pas marrjes së pushtetit nga talebanët në Afganistan. Të dhëna të përditësuara nuk janë bërë ende publike nga institucionet shqiptare, duke lënë të paqartë fatin e këtyre personave nën pezullimin aktual të vizave. Pas largimit të SHBA nga Afganistani, të gjithë individët që bashkëpunon me ta u larguan disa në SHBA e disa në vende partnere, derisa të bëhej nxjerrja e vizave. Në Shqipëri erdhën mijëra persona, por afro 700 u bllokuan dhe me gjasë do të mbeten përgjithmonë këtu. Bllokada e parë u bë që në fillim të vitit, ku Trump bllokoi ndihmën e huaj. Por pas këtij zhvillimi, duket se gjasat e largimit janë zero.
    Ndikimi i incidentit në Uashington
    Sakaq sikundër e theksuam më sipër, ngjarja e dhunshme në Uashington ka shkaktuar ndryshime të menjëhershme në politikat e imigracionit nga administrata Trump. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) njoftoi se sulmuesi, një shtetas afgan, kishte ardhur në SHBA përmes një programi resettlementi të nisur nga administrata Biden në vitin 2021, i quajtur “Operation Allies Welcome” (OAW). Programi kishte për qëllim vendosjen e afganëve të cenueshëm pas rënies së Kabulit, por republikanët kanë akuzuar, pa paraqitur prova, se disa individë nuk ishin verifikuar si duhet. Si pasojë, DHS ka pezulluar përkohësisht përpunimin e të gjitha kërkesave të imigracionit për shtetasit afganë, duke rishikuar protokollet e sigurisë dhe verifikimit.
    Si u verifikuan afganët nën administratën Biden?
    Ndërkaq mësohet se sulmuesi, 29-vjeçari Rahmanullah Lakanëal, kishte hyrë në SHBA më 8 shtator 2021, pak pas rënies së Kabulit. Ai kishte një aplikim aktiv për vizë speciale imigrimi (SIV) por iu akordua azil nga administrata Trump. Sipas informacionit të publikuar nga qeveria amerikane, programi OAW përfshinte një proces shumë-fazor verifikimi, duke përfshirë mbledhjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive, dhe bashkëpunim të agjencive të ndryshme si FBI dhe Qendra Kombëtare për Kundër-Terrorizmin. Megjithatë, disa zyrtarë republikanë dhe drejtues të FBI-së kanë deklaruar se në praktikë ky verifikim nuk ishte i mjaftueshëm, duke i lejuar individë të pa-verifikuar të hynin në vend.
    Si Rama mori çmim nga Hillary Clinton për afganët
    Nga ana tjetër bëjmë me dije se për vendimin, që e bëri Shqipërinë vendin e parë që mikpriti afganët, të cilët i ikën regjimit taleban, duke strehuar dhe numrin më të madh në tyre, kryeministri Edi Rama në dhjetor të vitit 2021 është nderuar me çmimin Inovatori i Nderuar Global nga Vital Voice, organizata e themeluar nga ish-Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton dhe që mbështet nga miliarderi Xhorxh Soros. Çmimi i është dorëzuar në një ceremoni të organizuar enkas në New Jork, e ku znj. Clinton nuk i  ka kursyer vlerësimet për kryeministrin shqiptar. “Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave. Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama. Ai kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje”. Kryeministri, i cili u shfaq i emocionuar për çmimin dhe për fjalët e ish-Sekretares së Shtetit dhe zbulon se arsyeja fillestare për të marrë vendimin për të mikpritur afro 4000 mijë afganë ishte pikërisht ftesës së znj. Klinton. “Dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. “Në rregull, le ta bëjmë”. “Si?”, thotë.“Ta bëjmë, t’i marrim këto gra”. Më thotë: “A do që të të marrë në telefon Sekretarja Klinton?”“Jo i them, le ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon.” E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikane… të paparë kur vjen puna për të të joshur e, pastaj, kur mbarojnë punë të thonë: “Më fal kush je?” Megjithatë nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi”. Rama përsërit se vendimi për strehimin e afganeve ishte i natyrshëm, bazuar në historinë dhe traditën e Shqipërisë. “Jam shumë krenar t’ju them se asnjë parti politike shqiptare nuk i tha “jo” pritjes së këtyre njerëzve dhe opinioni ynë publik ishte shumë në mbështetje të mikpritjes së tyre, por po ashtu mendoj, se duhej ta bënim edhe si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ata duhet ta dinë se në këtë jetë, ka një kohë kur merr dhe ka një kohë kur jep. Atëherë ishim ne që morëm, tani ishte radha jonë të japim”. Si drejtuese e një organizate në mbrojtje të grave, Klinton e gjen me vend ta vlerësojë Ramën si mbështetës të grave duke iu referuar numrit të lartë të grave në qeveri. Por Rama dhe për këtë e ka një shpjegim. Nuk kam pse marr lëvdata për këtë. E kam bërë duke ndjekur në një farë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: “Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje”. Tani, çështja është që ajo vetë nuk zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj”. Organizata Vital Voice ka nderuar disa personalitet me këtë çmim që iu dha Ramës mes të cilëve presidentin aktual amerikan apo Sekretarin e Përgjithshëm të OKB.

  • Administrata e presidentit Trump apel Izraelit: Mos ndërhyj në Siri

    Administrata e presidentit Trump apel Izraelit: Mos ndërhyj në Siri

    Administrata e Presidentit Donald Trump i ka bërë apel Izraelit që të mos ndërhyjë në Siri teksa kjo pritet të jetë një nga temat kryesore gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, e cila do të mbahet këtë muaj.
    Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi paralajmëron Izraelin të mos ndërhyjë në Siri.
    Qëndrimi i Trumpit vjen disa ditë pasi trupat izraelite u sulmuan gjatë një operacioni arrestimesh në Siri, duke shkaktuar përleshje në të cilat u vranë 13 persona, sipas raporteve siriane.
    Rrjeti “Channel 12” citon një zyrtar amerikan që thotë se “Siria nuk dëshiron probleme me Izraelin, situata nuk është si Liban”, por paralajmëron se Netanyahu duhet të ndryshojë kursin përpara se “të kthejë regjimin e ri në Siri në një armik të Izraelit”.
    Zyra e Netanyahut njoftoi sot vizitën e ardhshme, një ditë pasi ai kërkoi falje në gjyqin e tij për korrupsion nga presidenti Herzog, një lëvizje që Trump e mbështet gjithashtu.
    Në fund të këtij viti pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad-it në dhjetor 2024, administrata Trump ka hequr sanksionet ndaj Sirisë dhe po përpiqet të integrojë udhëheqësin e ri, Ahmed al-Sharaa, në një koalicion pro-perëndimor, duke synuar paqe rajonale dhe zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.
    Izraeli, nga ana tjetër, ka vazhduar bombardimet dhe operacionet në Siri për të parandaluar kërcënimet, duke shkaktuar frikë se po destabilizon qeverinë e re siriane.

  • Zelensky reagon pas bisedimeve pozitive në Gjenevë: Administrata Trump po e dëgjon delegacionin tonë

    Zelensky reagon pas bisedimeve pozitive në Gjenevë: Administrata Trump po e dëgjon delegacionin tonë

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte mirë që Ukraina ishte në dialog me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe vuri në dukje se kishte shenja se administrata Trump po e dëgjonte udhëheqjen ukrainase.

    “Sot, bisedimet vazhdojnë në Zvicër. Në praktikë, ekipet do të punojnë gjatë natës dhe do të ketë më shumë informacion”, tha presidenti ukrainas në mesazhin e tij të përditshëm të mbrëmjes.
    Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas po diskutojnë një vizitë të mundshme të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington këtë javë për të diskutuar një plan paqeje me Donald Trump, sipas burimeve.
    Një nga burimet tha se ideja kryesore është të diskutohen çështjet më të ndjeshme të propozimit të SHBA-së, siç është çështja territoriale, por ende nuk është caktuar ende një datë për vizitën.

    Top Channel

  • Administrata Trump vendos: Qasje prioritare për zotëruesit e biletave të Botërorit 2026

    Administrata Trump vendos: Qasje prioritare për zotëruesit e biletave të Botërorit 2026

    Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar krijimin e një sistemi të ri që synon përshpejtimin e procedurave të vizave për tifozët që do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës 2026. Ky është një hap i paprecedent, i cili vjen në pritje të miliona vizitorëve që pritet të ndjekin turneun.

    Nisma e re, e paraqitur të hënën në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Trump, parashikon që mbajtësit e biletave të blera direkt nga FIFA do të kenë qasje prioritare në intervistat për viza në konsullatat amerikane që nga fillimi i vitit 2026. Programi do të njihet si “FIFA Priority Appointment Scheduling System” (FIFA PASS).

    Trump deklaroi se administrata e tij është e angazhuar maksimalisht për t’i krijuar kushte ideale këtij eventi gjigant:

    “Kam urdhëruar administratën time të bëjë gjithçka që është e mundur që Botërori 2026 të jetë një sukses i jashtëzakonshëm”, u shpreh ai nga Zyra Ovale, ku ishte i shoqëruar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Prioritet në intervista, por jo garanci për vizë

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se mbajtja e një bilete nuk garanton marrjen e vizës:

    “Bileta ju siguron një takim të përshpejtuar, asgjë më shumë. Procesi i verifikimit mbetet i njëjtë për të gjithë. Thjesht po ju çojmë më shpejt në radhë”, u shpreh ai.

    Rubio konfirmoi se Departamenti i Shtetit ka shtuar mbi 400 oficerë konsullorë në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën, duke dyfishuar stafin në disa vende. Si shembull, ai përmendi Brazilin dhe Argjentinën, ku koha e pritjes për takime ka rënë nga mbi një vit në më pak se dy muaj.

    “Sot, në rreth 80% të vendeve, mund të marrësh një takim brenda 60 ditëve”, theksoi Rubio.

    Siguri maksimale dhe bashkëpunim i zgjeruar me FIFA-n

    Sipas FIFA-s, programi FIFA PASS është pjesë e një bashkëpunimi të gjerë me Task-Forcën e Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës. Administrata amerikane po investon burime të konsiderueshme për garantimin e sigurisë së tifozëve dhe mbarëvajtjes së turneut, i cili do të zhvillojë 78 nga 104 ndeshje në tokën amerikane.

    Njëmbëdhjetë qytete në SHBA, mes tyre Nju Jorku, Los Anxhelosi, Dallasi dhe Majami, do të mirëpresin mijëra tifozë, së bashku me arenat pritëse në Meksikë dhe Kanada.

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se pritet të shiten 6 deri në 7 milionë bileta, duke e bërë këtë Botëror një ndër eventet më të mëdha sportive të historisë.

    “Amerika e pret botën me krahë hapur”, deklaroi Infantino. “Ne kemi thënë gjithmonë se ky do të jetë Botërori më i madh dhe më gjithëpërfshirës në histori dhe shërbimi FIFA PASS është një shembull konkret i këtij premtimi.”

  • Analizë | Trump rrit presionin ndaj Venezuelës, por qëllimi mbetet i paqartë

    Analizë | Trump rrit presionin ndaj Venezuelës, por qëllimi mbetet i paqartë

    *Nga New York Times
    Administrata e Trump po forcon shpejt fushatën e saj të presionit ndaj Venezuelës, ndërsa aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane, Ford, është gati të vendoset brenda distancës sulmuese ndaj vendit, edhe pse ndihmësit e presidentit japin deklarata kontradiktore për atë që synojnë të arrijnë saktësisht.
    Trump zhvilloi takime të ngjeshura dy ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë, duke shqyrtuar opsione ushtarake, përfshirë përdorimin e forcave Speciale dhe veprime direkte brenda Venezuelës.
    Ende nuk është e qartë nëse presidenti ka vendosur për një veprim konkret. Të premten, ai u tha gazetarëve në Air Force One: “Po, gati e kam marrë vendimin.” “Nuk mund ta them se çfarë është”, shtoi ai, “por kemi bërë shumë përparim me Venezuelën në ndalimin e rrjedhjes së drogës”.
    Është e mundur që Trump po mbështetet tek shfaqja e forcës për të intimiduar qeverinë e Nicolás Maduro, të cilin SHBA-të dhe shumë aleatë të saj nuk e njohin si president legjitim. Maduro ka vënë forcat e tij në gatishmëri të lartë, duke lënë dy vendet me armët të gatshme për konflikt.
    Shenjat tregojnë se administrata po merr një qëndrim më agresiv. Pas një takimi të enjten, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi në rrjetet sociale se misioni në Karaibe tani kishte një emër, “Shtiza Jugore”. Ai e përshkroi qëllimin në terma të gjerë: “Operacioni heq terroristët e narkotikëve nga Hemisfera jonë”.
    “Perëndimi i Hemisferës është lagja e Amerikës”, shkroi Hegseth, “dhe ne do ta mbrojmë atë”. Me mbërritjen e Ford dhe tre shkatërruesve amerikanë të pajisur me raketa, tashmë ka 15 mijë trupa në rajon, më shumë se çdo herë tjetër në dekada.
    Megjithatë mungon një shpjegim strategjik nga administrata, që të sqarohet pse SHBA-të po grumbullojnë një forcë kaq të madhe. Postimi i Hegseth ishte vetëm i fundit në një seri deklaratash nga zyrtarët e administratës, shpesh kontradiktore mes tyre.
    Trump ka qenë më i qartë, duke thënë se gjithçka ka të bëjë me drogën. Por kjo nuk shpjegon pse Ford u transferua me ngut nga Mesdheu Lindor në Karaibe, duke u shtuar forcave amerikane prej 15 mijë trupash për të sulmuar varka të vogla që deri në fillim të shtatorit ishin ndaluar nga Guardia Bregdetare. Nuk shpjegon as pse Kolumbia apo Meksika, ky i fundit si kanal kryesor për fentanil, nuk janë objekt i Marinës amerikane.
    Derisa SHBA-të kanë kryer 20 sulme ndaj varkave të shpejta, duke vrarë të paktën 80 persona në një operacion që ekspertët ligjorë thonë se mund të shkelë ligjin ndërkombëtar.
    Privatisht, Trump ka diskutuar për rezervat e mëdha të naftës të Venezuelës, rreth 300 miliardë fuçi, më të mëdhatë në botë. Maduro i kishte bërë një ofertë që do t’i jepte SHBA të drejta mbi një pjesë të madhe të tyre pa përdorur forcë ushtarake, por Trump e ndërpreu dialogun. Një zyrtar i lartë i administratës tha, duke kërkuar anonimitet, se bisedimet nuk janë tërësisht të vdekura dhe vendosja e aeroplanmbajtëses ishte një mënyrë për të fituar avantazh ndaj Maduro.
    Nëse kjo është strategjia, do të rikthehet epoka e “diplomacisë me anije luftarake,” një term i njohur në shekullin e 19-të kur fuqitë e mëdha përdornin flotat e tyre për të intimiduar shtetet më të dobëta, përfshirë Venezuelën, e cila ishte objekt i një bllokade europiane në 1902-1903.
    Pyetja tjetër është nëse Trump po ndjek ndryshimin e regjimit në Venezuelë, me shpresën e vendosjes së një qeverie më mike ndaj SHBA-ve. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha javën e kaluar në një takim privat me liderët e Kongresit se largimi i Maduro nuk ishte objektiv i administratës.
    Rezultati është një paqartësi strategjike, me zyrtarë që japin një kombinim të ndryshëm qëllimesh dhe shkeljesh të pranueshme. Disa thonë se thelbi është një test force mes Trump dhe Maduro, i cili është akuzuar si kreu i “Kartelit të Diellit,” tashmë një organizatë terroriste e caktuar nga SHBA-të.
    Ndërsa presidenti përqendrohet publikisht tek kërcënimi i drogës për SHBA-të, në takime private ai ka diskutuar më shumë për fatin e Maduro dhe naftën.
    Patrick Duddy, ish-ambasador i SHBA në Venezuelë, thotë: “Vendimi i administratës për operacionet ushtarake në Karaibe lidhet me pretendimin se trafikantët janë terroristë, jo thjesht kriminelë. Por nuk jam i sigurt nëse ata po ngatërrojnë luftën kundër drogës me ndryshimin e regjimit”.
    Nëse administrata e sheh Maduro si kreu i një karteli dhe si një arratisës për drejtësinë amerikane, kjo sugjeron se ambiciet e tyre janë më të mëdha se thjesht ndalimi i drogës në Karaibe.

  • Propozimi i Celibashit: Administrata zgjedhore të mos dominohet 100% nga partitë

    Propozimi i Celibashit: Administrata zgjedhore të mos dominohet 100% nga partitë

    Këtë të enjte në Tiranë, 13 nëntor, u zhvillua një aktivitet prezantues për projektin e ri të Këshillit të Europës “Mbështetje për Ciklin e Procesit Zgjedhor në Shqipëri – Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë (SECA)”. I ftuar ishte edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili tha se ky është një nga projektet më të rëndësishme për KQZ-në që ka të bëjë me trajnimin e administratës zgjedhore.
    Ai bëri me dije se nga 40 mijë komisionerë që angazhohen në procesin zgjedhor, vetëm 30% e tyre janë të trajnuar nga KQZ. Celibashi theksoi se dominimi vetëm nga partitë politike i administrimit të zgjedhjeve ka krijuar, “handikapin e vet në lidhje me standardin profesional të administrimit të zgjedhjeve”. Prandaj bëri thirrje se është e rëndësishme që edhe në kuadër të reformës zgjedhore kjo çështje të jetë ndër të parat që duhen adresuar nga politika shqiptare.
    Me këtë rast rikonfirmoi qëndrimin e KQZ-së se mënyra se si është organizuar administrata zgjedhore në Shqipëri duhet të ndryshojë.
    “Më së pari është rasti ta rikonfirmoj qëndrimin dhe pikëpamjen e KQZ-së për të ndryshuar definitivisht mënyrën si administrata zgjedhore në Shqipëri është e organizuar. Absolutisht kjo nuk do të thotë që partitë politike  të zhvishen tërësisht nga interesi i tyre jo e jo, por edhe nga mundësia për të qenë pjesë e administrimit, por jo siç është sot që 100% e procesit administrohet prej tyre”, tha ai.
    Sipas Celibashit ky projekt është ndër më të rëndësishmit e KQZ pasi do ta ndryshojë situatën e administrimit të zgjedhjeve “në mënyrë dramatike për mirë”.
    “Jemi të ndërgjegjshëm që ky është një proces i vështirë dhe do marrë kohën e vet. Është një proces që kërkon mbështetjen jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe të partive politike. Për fat duket që së fundmi edhe ata e kanë kuptuar që mënyra si administrata zgjedhore është organizuar dhe çfarë kjo administratë jep ka nevojë të ndryshohet dhe i mbështesin, të paktën nga ajo që kemi konstatuar, përpjekjet e KQZ-së por edhe partnerët të KQZ-së për të shkuar në këtë drejtim. Do të jetë një ndryshim thelbësor në atë sesi zgjedhjet mund të administrohen në të ardhmen”, tha Celibashi.

  • Administrata Trump: Rezoluta e Fuqive të Luftës nuk zbatohet për sulmet ndaj anijeve në Detin e Karaibeve

    Administrata Trump: Rezoluta e Fuqive të Luftës nuk zbatohet për sulmet ndaj anijeve në Detin e Karaibeve

    Kongresi Amerikan thotë se sulmet e Trump në Detin e Karaibeve kundër anijeve të dyshuara venezueliane që kontrabandojnë drogë, bien nën kufijtë e Rezolutës së Pushteteve të Luftës, një ligj i vitit 1973 që kërkon që presidenti amerikan të marrë miratimin e Kongresit për veprime ushtarake që tejkalojnë 60 ditë.

    Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka thënë Kongresit këtë javë se Presidenti Donald Trump mund të vazhdojë të kryejë sulmet e tij vdekjeprurëse kundër njerëzve dhe anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe, duke detajuar se ata nuk janë të detyruar nga Rezoluta e Fuqive të Luftës.

    Ligji i vitit 1973 kërkon që presidenti dhe administrata në detyrë të marrin miratimin e Kongresit brenda 48 orëve për çdo veprim ushtarak që tejkalon 60 ditë, i cili përfshin vendosjen e trupave amerikane në “zonat e armiqësive”.

    Shefi i Zyrës së Këshilltarit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë, Elliot Gaiser, tha se administrata Trump nuk mendonte se operacioni u ngrit në llojin e armiqësive që zakonisht mbulohen nga ligji i Pushteteve të Luftës, sipas njerëzve të njohur me çështjen.

    Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, një zyrtar i lartë i administratës, i paidentifikuar, tha se jeta e trupave të shërbimit amerikan nuk po rrezikohej, pasi sulmet ndaj anijeve që dyshohet se janë anije droge po kryhen nëpërmjet dronëve të lëshuar nga anijet detare që patrullojnë ose janë të stacionuara larg.

     “Operacioni përfshin sulme precize të kryera kryesisht nga mjete ajrore pa pilot të nisura nga anije detare në ujëra ndërkombëtare në distanca shumë të largëta që ekuipazhet e anijeve të synuara të rrezikojnë personelin amerikan”, tha zyrtari pa emër.

    Ushtria amerikane ka vrarë të paktën 62 persona në 14 sulme ajrore ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe në Paqësorin lindor deri më tani, siç detajohet në njoftimet e ndara në platformat e mediave sociale nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth.

    Administrata thuhet se i ka thënë Kongresit se Trump e ka përcaktuar situatën si një “konflikt të armatosur formal”, por jo “armiqësi”. Ky qëndrim bazohet në precedentin e krijuar nga ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

    Obama e justifikoi luftën ajrore të NATO-s mbi Libinë në vitin 2011 duke përdorur të njëjtin argument në një kohë kur Kongresi nuk ishte dakord, por më vonë pranoi bazën ligjore që paraqiti administrata e ish-presidentit demokrat.

    Rezoluta për Fuqitë e Luftës thotë se një president në detyrë që vendos trupa amerikane në armiqësi “duhet ta ndërpresë” operacionin pas 60 ditësh nëse Kongresi nuk e ka autorizuar atë deri atëherë. Megjithatë, përdorimi i termit “armiqësi” në legjislacion ka qenë mjaft i paqartë dhe është përdorur nga presidentët për t’iu kundërvënë Kongresit.

    Ligji përcakton që numërimi mbrapsht prej 60 ditësh fillon nga momenti kur presidenti njofton Kongresin për një sulm brenda 48 orëve nga ai. Në rastin e Trump, kjo u bë më 4 shtator. Afati 60-ditor për të marrë miratimin e Kongresit do të mbërrijë të hënën.

    Administrata Trump nuk e citon në mënyrë të qartë justifikimin e epokës së Obamës si bazë, por argumenti ka një ngjashmëri të madhe. Obama e kishte justifikuar operacionin e tij ushtarak me arsyetimin se nuk kishte trupa në terren dhe se libianët nuk mund të kundërsulmonin, duke e bërë rrezikun e viktimave amerikane jashtëzakonisht të ulët.

    Megjithatë, operacioni i Obamës ishte pjesë e një misioni shumëvendësh të udhëhequr nga NATO, që vepronte mbi bazën e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një bazë që u mungon përpjekjeve të Trump në Karaibe./ Euronews.

  • SHBA-të ulin në mënyrë drastike pranimin e refugjatëve, Trump vendos kufirin në 7 mijë e 500

    SHBA-të ulin në mënyrë drastike pranimin e refugjatëve, Trump vendos kufirin në 7 mijë e 500

    Administrata Trump ka vendosur të kufizojë numrin e refugjatëve që do të pranohen në Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm në vetëm 7 mijë e 500 persona, dhe shumica e vendeve do t’u jepen të bardhëve nga Afrika e Jugut.
    Ky numër i ulët përfaqëson një rënie dramatike krahasuar me vitet e mëparshme, kur SHBA-të  pranonin qindra mijëra njerëz që iknin nga lufta dhe persekutimi në mbarë botën.
    Lajmi u publikua të enjten në një njoftim zyrtar në Regjistrin Federal. Nuk u dha ndonjë arsye për uljen e numrit, që përbën një ndryshim të madh nga kufiri i vitit të kaluar prej 125 mijë refugjatësh, i vendosur nga administrata Biden.
    Associated Press kishte raportuar më herët se administrata po shqyrtonte mundësinë e pranimit të vetëm 7 mijë e 500 refugjatëve, kryesisht të bardhëve nga Afrika e Jugut.
    Një memo e qeverisë thoshte se pranimi i 7 mijë e 500 refugjatëve gjatë vitit fiskal 2026 ishte “i justifikuar nga shqetësimet humanitare ose në interesin kombëtar”.
    Ky vendim shkaktoi menjëherë kritika nga organizatat për refugjatët. Projekti Ndërkombëtar për Ndihmën e Refugjatëve deklaroi: “Ky vendim e bën të qartë në mënyrë të dhimbshme se administrata Trump vlerëson politikën mbi mbrojtjen.”
    “Duke favorizuar afrikanët dhe duke vazhduar të ndalojë mijëra refugjatë që janë verifikuar dhe miratuar, administrata po politizon sërish një program humanitar. Është e papranueshme të përjashtohen refugjatë që kanë kaluar vite të tëra nën kontrolle të rrepta sigurie dhe që ndodhen aktualisht në situata të rrezikshme dhe të pasigurta,” shtoi organizata, citon The Guardian.
    Krish O’Mara Vignarajah, drejtuese e organizatës Global Refuge me bazë në SHBA, kritikoi etikën e vendimit: “Ky vendim nuk ul vetëm kufirin e pranimit të refugjatëve. Ai ul edhe qëndrimin tonë moral. Për më shumë se katër dekada, programi amerikan për refugjatët ka qenë një shpëtim për familjet që iknin nga lufta, persekutimi dhe shtypja. Në një kohë krize në vende si Afganistani, Venezuela, Sudani e më tej, përqendrimi i shumicës së pranimeve në një grup të vetëm minon qëllimin dhe besueshmërinë e programit.”
    Aaron Reichlin-Melnick, ekspert në Këshillin Amerikan për Imigracionin, shkroi në rrjetin social X: “Që nga krijimi i Programit Amerikan për Refugjatët në vitin 1980, janë pranuar mbi dy milionë njerëz që iknin nga pastrimi etnik dhe tmerre të tjera. Tani do të përdoret si rrugë për imigracionin e të bardhëve. Çfarë rënie për një gur të çmuar të humanizmit amerikan.”
    Në shkurt, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ndërprerë ndihmën financiare për Afrikën e Jugut, pasi akuzoi qeverinë e saj të udhëhequr nga liderë me ngjyrë për “diskriminim racor të padrejtë” ndaj afrikanëve të bardhë, një grup minoritar që rrjedh nga kolonët holandezë dhe francezë.
    Administrata Trump ka pretenduar vazhdimisht se qeveria e Afrikës së Jugut po zbaton politika anti-të bardhëve përmes një ligji të ri për shpronësimin e tokës që synon pronat e afrikanëve.
    Qeveria e Afrikës së Jugut i ka kundërshtuar këto pretendime, duke i quajtur të pavërteta dhe duke mohuar akuzat amerikane se afrikanët po përballen me dhunë racore në zonat rurale.
    Në të gjithë Afrikën e Jugut, 72% e fermave dhe pronave bujqësore zotërohen nga individë të bardhë, të cilët përbëjnë vetëm 7.3% të popullsisë totale, sipas Action for Southern Africa. Ndërkohë, afrikanët me ngjyrë, që përbëjnë 81.4% të popullsisë, zotërojnë vetëm rreth 4% të tokës.
    Ky njoftim nuk është hera e parë që Trump ka ulur numrin e refugjatëve. Gjatë mandatit të tij të parë, në vitin 2020, ai vendosi kufirin në 15 mijë për vitin fiskal 2021. Në vitin 2019, kufiri ishte ulur në 18 mijë për vitin fiskal 2020.

  • Çfarë do të ndodhë me bashkitë? Mazniku: Nuk i mbajmë dot 61 administrata funksionale…

    Çfarë do të ndodhë me bashkitë? Mazniku: Nuk i mbajmë dot 61 administrata funksionale…

    jë nga çështjet më të nxehta që pritet të përfshijë politikën është Reforma Territoriale. Do të ketë më pak apo më shumë bashki?
    Për këtë temë ishte fokusuar edhe debati këtë të enjte, 30 tetor, në emisionin “Opinion” në Tv Klan. I ftuar ishte edhe Arbjan Mazniku, i cili pritet të jetë bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar që do të ngrihet për Reformën Territoriale.
    Mazniku u shpreh se sot një pjesë e madhe e bashkive të vogla kanë vështirësi për të ushtruar funksionet që kanë për detyrë. Sipas tij, nuk është e mundur që të mbahen 61 administrata funksionale në mënyrë që të ushtrojnë të gjitha detyrat e tyre.
    “Vullneti politik është i gjeneruar nga një eksperiencë e gjatë administrativ dhe qeverisës. Gjëja që kemi kuptuar është që një pjesë e madhe e bashkive të vogla sot kanë vështirësi të mirëfillta për t’i ushtruar funksionet që kanë.
    Unë hyj padyshim te grupi i njerëzve që besoj se ne nuk i mbajmë dot 61 administrata funksionale për të ofruar të gjitha shërbimet që ka bashkia. Pra për të gjitha detyrat që i janë dhënë bashkisë, mirëmbajtja e menaxhimi i ujit, menaxhimi i mbetjeve, menaxhimi i territorit, pastrimi”, tha Mazniku.
    Ai theksoi në studio se ka një lidhje mes madhësisë së bashkësisë dhe eficencës më të mirë të administrimit të saj.
    “Kemi një seri të dhënash që na tregojnë se ka një korrelacion midis madhësisë së bashkisë dhe të dhënave”, tha Mazniku.