Gazetari investigativ italian, Nello Trocchia, ka botuar një libër ku përmendet drejtpërdrejt kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij në biseda të përgjuara me elementë të krimit të organizuar. Sipas librit, Rama dhe njerëz të nivelit të lartë të qeverisë së tij kanë qenë të lidhur me takime sekrete në Aruba me narkotrafikantë. Trocchia thekson se këto referenca janë të dokumentuara nga Antimafia italiane, e cila ka konfirmuar një takim të zhvilluar në vitin 2019.
Duke komentuar këto zhvillime, gazetari Enton Abilekaj në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV tha se çështja e Arubës është një problem shumë i madh, pasi hetimet janë kryer nga prokuroria e Firences për zyrtarë të lartë shqiptarë. Ai theksoi se minimalisht qeveria shqiptare duhej të reflektonte dhe jo të mbronte apo të censuronte informacionin.
“Është turp që zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare jo vetëm që nuk u larguan, por u strehuan dhe iu dha imunitet,” deklaroi Abilekaj, duke shtuar se futja e parave të krimit në Shqipëri ka shkatërruar konkurrencën e lirë dhe bizneset e ndershme.
Sipas tij, ide si amnistia fiskale dhe pasaporta e artë kanë lindur nga presioni i këtyre grupeve kriminale për të investuar paratë e pista në Shqipëri. “Këto politika qeveritare kanë sjellë një ekonomi të ngjashme me atë të Havait, një ekonomi të polarizuar me para që nuk dihet nga vijnë dhe ku do të shkojnë. Shqipëria është kthyer në një varrezë betoni të parave të pista,” theksoi Abilekaj.
Abilekaj:
Çështja e Arubës ka një problem shumë të madh për mendimin tim, përveç se atë e hetoi një prokurori e Firences, pra prokuroria e Firences ishte duke hetuar për zyrtarë shumë të lartë shqiptarë, dhe minimalisht qeveria shqiptare duhet të reflektonte diçka nga kjo gjë, jo t’i mbronte ata dhe jo ta mbyllte çështjen dhe jo të censurojë lajmet për këtë gjë, është një fakt shumë i rëndësishëm që na tregon se pse jemi në këtë situatë sot.
Ata trafikantë të mëdhenj që qarkullojnë para shumë të mëdha, ata investojnë siç thotë dhe gazetari italian, investojnë në gjithë Europën, por të futen në ekonominë shqiptare me ato para, me ato fonde të mëdha, ata shkatërrojnë strukturën ekonomike të vendit, shkatërrojnë konkurrencën e lirë, dhe shkatërrojnë biznesmenët e ndershëm.
Futja e tyre këtu ka shkaktuar gjithçka që ne kemi sot. Ky është një rast ku ne kemi të gjithë krimin e organizuar shqiptar, në të gjitha vendet ku ndodhet, siç e thoshte gazetari italian, janë territorialë.
Është turp që janë zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare dhe qeveria shqiptare nuk i largon minimalisht, por i strehon e u jep imunitet.
Por edhe kjo që ne janë mbledhur paratë e të gjithë këtyre, siç thoshte gazetari italian, që janë territorialë, që ata vërtetë mund të investojnë në vendet ku jetojnë ose ku zhvillojnë aktivitetin, por kanë tendencën gjithmonë që një pjesë të parave t’i investojnë në Shqipëri. Dhe nëqoftëse ju kujtohet 2019, përveç dorëzimit të mandateve dhe zgjedhjeve lokale që u quajtën terroriste nga opozita, në fakt ndërkohë që mazhoranca po bashkëpunonte me krimin e organizuar, atëherë filluan idetë e para të amnistisë fiskale dhe pastaj filloi pasaporta e artë.
U hodh ideja, këto ide që vijnë nga këto takime, që vijnë nga ky presion për investime të parave të krimit, dhe këto po shndërroheshin në politika qeveritare.
Dhe këto politika qeveritare sot kanë dhënë një rezultat, kanë sjellë një ekonomi të ngjashme me atë të Havait, një ekonomi të polarizuar me para që nuk dihet se nga vijnë, dhe që nuk dihet ku do ta çojnë. E kanë bërë Shqipërinë një varrezë betoni të parave të pista.