Tag: abdelatty

  • Plani i Trump për Gazën, Egjipti: Po punojmë me Katarin dhe Turqinë për ta bindur Hamasin ta pranojë marrëveshjen

    Plani i Trump për Gazën, Egjipti: Po punojmë me Katarin dhe Turqinë për ta bindur Hamasin ta pranojë marrëveshjen

    Egjipti është duke punuar me Katarin dhe Turqinë për ta bindur Hamasin ta pranojë planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Rripin e Gazës, tha të enjten ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty.

    Ai tha se Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – është paralajmëruar se konflikti do të përshkallëzohet, nëse nuk e pranon planin e Trumpit.
    Duke folur në Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris, Abdelatty tha se është e qartë se Hamasi duhet të çarmatoset dhe se Izraelit nuk duhet t’i jepet asnjë arsye për ta vazhduar ofensivën ushtarake në Gazë.
    “Mos t’i japim asnjë arsye një pale për ta përdorur Hamasin si arsyetim për këto vrasje të përditshme dhe të çmendura të civilëve. Ajo që po ndodh është shumë më tepër sesa 7 tetori”, tha ai, duke iu referuar sulmit të vitit 2023 nga grupi islamist ndaj Izraelit, ku, sipas autoriteteve izraelite, u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen mbi 200 të tjerë.
    Ushtria e Izraelit i ka vrarë mbi 66.000 njerëz gjatë luftës pasuese në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
    “Kjo ka kaluar çdo kufi hakmarrjeje. Kjo është spastrimi etnik dhe gjenocid në zhvillim. Pra, mjaft është mjaft”, tha Abdelatty.
    Shtëpia e Bardhë publikoi këtë javë një dokument me 20 pika, i cili parashikon armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tërheqjen e Izraelit nga Gaza në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar.
    Të martën, Trump i dha Hamasit tri deri në katër ditë kohë për ta pranuar planin.
    Egjipti është ndërmjetësues i rëndësishëm në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gazë, dhe Abdelatty tha se Kajroja po bashkëpunon me Katarin dhe Turqinë për ta bindur Hamasin ta pranojë këtë plan.
    “Nëse Hamasi nuk e pranon, atëherë e dini, do të jetë shumë e vështirë. Dhe natyrisht, do të kemi më shumë përshkallëzime. Prandaj, po bëjmë përpjekje të mëdha për ta bërë këtë plan të zbatueshëm dhe të marrim miratimin e Hamasit”, tha ai.
    Abdelatty shtoi se, ndonëse në përgjithësi mbështet propozimin e Trumpit për Gazën, nevojiten më shumë diskutime.
    “Ka shumë boshllëqe që duhet të plotësohen, na nevojiten më shumë bisedime mbi mënyrën e zbatimit, sidomos mbi dy çështje të rëndësishme: qeverisjen dhe marrëveshjet e sigurisë”, tha ai.
    “Ne e mbështesim planin e Trumpit dhe vizionin për t’i dhënë fund luftës dhe duhet të ecim përpara”.
    Kur u pyet nëse kishte frikë se plani i Trumpit mund të çonte në zhvendosje të detyruar të palestinezëve, ai tha se Egjipti nuk do ta pranonte këtë.
    “Zhvendosja nuk do të ndodhë, nuk do të ndodhë sepse zhvendosja do të thotë fundi i çështjes palestineze”, tha ai. “Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë në asnjë rrethanë”. /rel

    Top Channel

  • Egjipti kundërshton zhvendosjen masive të palestinezëve: Është një ‘vijë e kuqe’ për ne

    Egjipti kundërshton zhvendosjen masive të palestinezëve: Është një ‘vijë e kuqe’ për ne

    Zhvendosja e palestinezëve nga Rripi i Gazës është një “vijë e kuqe” dhe Kajro nuk do të lejojë asnjë palë të rrezikojë sigurinë kombëtare ose sovranitetin e Egjiptit, tha të hënën Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.

    Në një intervistë për CNN, Abdelatty tha se Egjipti po punon përmes “kanaleve të ndryshme, me objektivin e vetëm për të lehtësuar barrën dhe vuajtjet e palestinezëve”, duke shtuar se emigrimi masiv palestinez nga Gaza nuk do të tolerohet nga vendi i tij.
    “Ne nuk do ta pranojmë, nuk do të marrim pjesë në të dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë”, tha Abdelatty për CNN, duke shtuar se zhvendosja do të jetë një “biletë vajtje” për palestinezët nga Gaza, gjë që do të çonte në “likuidimin” e plotë të kauzës së tyre.

    Qeveria izraelite nuk ka dhënë kurrë një vizion të detajuar se çfarë do të ndodhë me Gazën pas luftës, por kryeministri Benjamin Netanyahu ka mbështetur vazhdimisht zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në vende të tjera, veçanërisht pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump e hodhi idenë në fillim të këtij viti. Por edhe pasi Trump u duk se u qetësua ndaj propozimit, zyrtarët izraelitë e kanë përqafuar atë.
    Egjipti është e vetmja rrugëdalje e Gazës me botën e jashtme, pasi Izraeli e ka bllokuar territorin nga toka, deti dhe ajri.
    Kajro është vënë nën presion të fortë publik për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve dhe e ka fajësuar vazhdimisht Izraelin për bllokimin e ndihmave, ndërsa mijëra kamionë mbeten të bllokuar në kufirin e saj.
    I pyetur nëse lufta e vë në rrezik traktatin e paqes Egjipt-Izrael, Abdelatty tha se Kajro po “respekton dhe nderon angazhimet e saj sipas traktatit të paqes”, por shtoi se “çdo lloj zhvendosjeje do të ishte një rrezik i madh dhe ne nuk do të lejojmë asnjë palë të vetme të rrezikojë sigurinë tonë kombëtare dhe sovranitetin tonë në kufirin tonë”.
    Paralajmërimet e ministrit janë ndër më të ashprat që kur Izraeli tha javën e kaluar se është në bisedime me disa vende për të pranuar palestinezët e zhvendosur nga lufta.
    “Nëse izraelitët arrijnë t’i zhvendosin ata, mund t’ju siguroj se ky do të jetë fundi i kauzës palestineze”, tha ministri i jashtëm.
    Egjipti ishte kombi i parë arab që njohu Izraelin në vitin 1979.
    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha javën e kaluar se po zhvillohen bisedime me disa vende për të strehuar palestinezët e zhvendosur.
    Vendet e përfshira janë Sudani i Jugut, Somalilandi, Etiopia, Libia dhe Indonezia, tha një zyrtar i lartë izraelit për CNN. Në këmbim të pranimit të një pjese të popullsisë së Gazës prej më shumë se dy milionë banorësh, zyrtari tha se vendet po kërkojnë “kompensim të konsiderueshëm financiar dhe ndërkombëtar”.
    Nuk është e qartë se sa të avancuara janë këto diskutime dhe nëse ka gjasa që ato të realizohen. Sudani i Jugut hodhi poshtë raportet e mëparshme se ishte në diskutime rreth zhvendosjes së palestinezëve, duke thënë se ato ishin “të pabaza”. Indonezia tha se ishte gati të merrte 2,000 palestinezë nga Gaza për trajtim, por se ata do të ktheheshin në Gaza sapo të shëroheshin.
    Më herët këtë vit, Somalilandi tha gjithashtu se nuk kishte pasur bisedime të tilla.