Adriatik BALLA
Java e 33-të e Kategorisë Superiore nisi dje me duele interesante që kanë vlerë për fatet e sezonit, por edhe me surpriza të shumta në rezultate, duke dëshmuar se ekipet favorite në duelet klasike në fundtabelë u fituan nga skuadrat më pak të kuotuara. Surprizë ishte fitorja e Skënderbeut në Laç, përballë kurbinasve vendas, si dhe humbja e Vllaznisë përballë Bylisit, ku ballshiotët me trepikëshin e marrë i largohen sadopak fundit, duke hedhur një hap drejt mbijetesës. Pasdite vonë u luajt një tjetër duel interesant, ai mes Dinamos dhe Teutës, duel që përfundoi me shifrat e barabarta 1-1, rezultat që komplikon situatën e Teutës në fundin e tabelës (vendi i tetë).
Skënderbeu fiton derbin e fundtabelës me Laçin, kurbinasit drejt Kategorisë së Parë
Skënderbeu ka fituar një “finale” për mbijetesën në transfertë ndaj një rivali direkt si Laçi dhe për momentin e sheh veten në pozita pak më të favorshme për të siguruar mbijetesën në Superiore. Në sfidën e luajtur në stadiumin e kurbinasve, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka goditi në momentin e duhur në dy pjesët e ndeshjes me anë të Bismark, ndërsa goli i Kordeiro nuk i mjaftoi ekipit vendas që krijoi më shumë volum loje, por pa arritur të çante mbrojtje e ngjeshur të korçarëve. Kësisoj, Skënderbeu merr një bonus të rëndësishme për mbijetesën, ndërsa Laçi sheh gjithnjë e më afër rënien në Kategorinë e Parë.
Vllaznia humb dhe e mbyll me 10 lojtarë, Bylis shkon me 3 pikë në shtëpi
Krahas fitores së papritur të Skënderbeut në Laç, ndodhi një tjetër rezultat befasues ditën e djeshme në kuadër të xhiros së radhës në Superiore. Kështu, Bylis ka mposhtur Vllazninë me rezultatin 1-0, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 33-të. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Da Silva. Ishte fillimi i pjesës së dytë, kur braziliani tundi rrjetën përballë ish-skuadrës së tij. Vllaznia vuajti nga 23-të, pasi Bajrami u largua me karton të kuq. Kuqeblutë mbeten në vendin e tretë, ndërsa janë dhe 3 javë për t’u luajtur. Bylisi në anën tjetër, që u rikthyer te fitorja në momentin e duhur, del nga zona e ftohtë. Për omentin pozitat e ballshiotëve me 36 pikë, katër më shumë se vendi i fundit që mbahet nga Tirana duken komode, por mbijetesa nuk është arritur ende, pasi janë në lojë edhe tre xhiro të tjera.
Derbi Tirana-Partizani
Sot do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme sezonale për Tiranën, derbi me Partizanin. Në të vërtetë është një ndeshje që do të thotë shumë për bardheblutë që ndodhen në vend të fundit në renditje. Një fitore do t’i ndihmonte ata të afroheshin me skuadrat e tjera dhe të mbanin gjallë ëndrrën e mbijetesës, por një humbje do ta zhyste Tiranën keqas në vend të fundit dhe do ta bënte skuadrën më të ekspozuar për të rënë nga kategoria. Një tjetër duel që luhet këtë të hënë është Egnatia-Elbasani. Janë dy skuadra që e kanë siguruar mbijetesës, madje rrogozhinasit duan tani titullin, kurse elbasanasit luftojnë për të fituar e për tu futur në top-4, duke shpresuar kështu t’ia marrin këtë pozicion Partizanit që ka 4 pikë më shumë.
Skënderbeu fiton garën e fundtabelës me Laçin, Bylis i merr 3 pikë Vllaznisë, Teuta barazon me Dinamon
