Adriatik BALLA
Skandali në Federatën Shqiptare të Basketbollit vazhdon, ndërsa trajnerët shqiptarë vijojnë të injorohen sistematikisht, pa asnjë mundësi zhvillimi profesional dhe pa përfshirje në evente ndërkombëtare. Rasti më i fundit vjen nga European Mini Basketball Convention, mbajtur në datat 5-8 qershor 2025 në Luksemburg, një ngjarje prestigjioze e organizuar nga FIBA, ku federatat kombëtare ftohen të nominojnë trajnerët më të përgatitur të minibasketbollit për të marrë pjesë në trajnime dhe leksione. Ndërkohë që Kosova përfaqësohej denjësisht nga dy trajnerë të përzgjedhur, nga Shqipëria asnjë trajner nuk u dërgua, as nuk u informua. Kjo mungesë nuk është thjesht një harresë, por një pasqyrim i qartë i indiferencës dhe përbuzjes që kjo federatë tregon për zhvillimin real të basketbollit dhe për vetë njerëzit që e ndërtojnë atë çdo ditë.
Mesa duket, Federata Shqiptare e Basketbollit është më e zënë me organizimin e udhëtimeve në male dhe kampeve të dyshimta që shërbejnë për interesa personale, sesa të kryejë misionin e saj bazë: të zhvillojë trajnerët, lojtarët dhe sistemin sportiv shqiptar. Në vend që të shfrytëzojë mundësitë që ofron FIBA për zhvillimin e stafit teknik, ajo preferon të zhytet në rrethin e saj të mbyllur, duke favorizuar individë të përzgjedhur sipas interesave të brendshme. Në qendër të këtij rrjeti të mbyllur qëndrojnë Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti i federatës Shqiptare të Basketbollit, dy figura që me veprimet e tyre (të paktën deri tani) kanë dëshmuar se nuk kanë interes as për rritjen e basketbollit shqiptar dhe as për transparencën institucionale. Franko Bushati vazhdon të përfitojë maksimalisht nga pozicioni i tij, me sa kuptohet, me qëllim për të siguruar një vend pune në Itali dhe për tu “zhdukur” sa më shpejt. Ndërsa presidenti Avni Ponari me sa duket nuk e kupton (ose bën sikur nuk e kupton) këtë skemë të ulët.
Kush është Franko Bushati dhe pse nuk e meriton postin që mban?
Si është e mundur që Franko Bushati të jetë ende Sekretar i Përgjithshëm i kësaj federate? Referuar disa informacioneve jo zyrtare, në kohën që ishte lojtar i Kombëtares Shqiptare ka qëlluar me këpucë trajnerin e tij, gjithashtu është përjashtuar disa herë nga ekipi kombëtar për sjellje të papërshtatshme. Kritikët thonë se si ka mundësi që ky njeri jep mend për basketbollin shqiptar dhe mban një nga postet më të larta në sportin tonë? Në çdo vend normal, do të ishte larguar, por në FSHB këta individë vlerësohen dhe promovohen. Sot ai është në krye të kësaj federate, i emëruar dhe mbështetur nga presidenti Avni Ponari, i cili, gjithnjë sipas kritikëve, ose nuk e kupton se çfarë po ndodh në federatën që drejton, ose e mbështet këtë model që po e fundos sportin. A është ky standardi i lidershipit që meritojnë trajnerët, lojtarët dhe klubet shqiptare? Nëse ecim në këtë linjë të analizës, Federata është shndërruar në një institucion ilegjitim, ku për t’u bërë sekretar nuk kërkohen diploma apo përvojë, por “kualifikime” si: arrogant, i pashkollë, pse jo edhe pijedashës e sherrxhi në pallatet e sportit.
FSHB mbyll “qepenin”, një federatë pa plan, pa strategji dhe pa transparencë
Ndërkohë që trajnerët injorohen dhe standardet bien çdo ditë, federata nuk ka publikuar ende asnjë plan për sezonin e ri, ndonëse jemi në fund të qershorit dhe kampionati pritet të nisë në shtator. Klubet që kanë investuar miliona lekë ndodhen sot në ajër, pa asnjë udhëzim, pa e ditur se çfarë merkatoje të bëjnë, pa e ditur nëse duhet të nisin përgatitjet apo të presin sinjalin e radhës nga “kupola” e federatës. Ndërkohë federata dërgon një email për propozime, një skemë e përsëritur dhe vitin e kaluar, ku morën propozimet e shoqatave për pjesën e lojtareve të huaj nëse ishte më mirë me 3 apo 4 dhe në fund vendosën sipas qejfit të tyre pa limit lojtarësh të huaj. Sepse kjo u interesoi për të mbushur xhepat e tyre. Kjo është një papërgjegjshmëri totale ndaj klubeve, sponsorëve, trajnerëve dhe vetë lojtarëve, të cilët nuk dinë as ku janë dhe as ku po shkojnë. Kjo thirrje e federatës nuk ka marrë përgjigje pikërisht prej trajtimit dhe injorimit që ato u bëjnë propozimeve të shoqatave, mbase kjo është arsyeja pse është shtyrë dhe afati i dërgimit të tyre, nga data 15 qershor me 22 qershor. Të shohim se çdo ndodhë edhe kësaj here.
Injorimi që federata bëri për kampingun e trajnerit Spiro Leka.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, FSHB ka injoruar edhe kampin e organizuar nga trajneri Spiro Leka, një prej shqiptarëve më të suksesshëm në Europë dhe një nga 35 trajnerët më të vlerësuar në Itali. Leka organizoi një kamp të hapur për zhvillimin e cilësisë individuale të lojtarëve, një mundësi fantastike për të rinjtë dhe për trajnerët që duan të mësojnë. Madje, edhe pse Sekretari i Përgjithshëm vetë ishte i pranishëm në këtë kamp, nuk mori mundimin të njoftojë asnjë trajner tjetër që mund të ishte i interesuar të mësonte e të përfitonte. Pse? Sepse nuk kishte interes personal, dhe aty ku nuk ka interes për individët në krye të federatës, gjithçka tjetër është e pavlerë.
E ardhmja në pikëpyetje
Nga analiza e mësipërme dalim në konkluzionin që: Nëse nuk do të ndryshojë qasja, nëse nuk do të ketë transparencë dhe përgjegjësi, atëherë asnjë shpresë reale nuk mbetet për zhvillimin e këtij sporti në Shqipëri. Ka ardhur koha që kjo federatë të zhvishet nga arroganca dhe të kthehet në duart e atyre që e duan vërtet basketbollin, jo në duart e atyre që e përdorin atë për përfitime të errëta.
