Shqipëria U-17 ka pësuar një tjetër disfatë në kuadër të ndeshjeve për Euro 2025, duke u mundur me rezultatin e thellë 0-4 nga Gjermania, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pas përfundimit të takimit, trajneri Andrea Tedesco pranoi se skuadra e tij nuk ishte mjaftueshëm efektive përpara portës, duke mos shfrytëzuar rastet e krijuara.
“Humbëm një tjetër ndeshje. Pësuam dy gola në pjesën e parë dhe më pas nuk arritëm të konkretizonim rastet që krijuam. Kishim mundësi për ta hapur ndeshjen, por mungoi finalizimi. Në fund, rezultati nuk na favorizoi”, u shpreh tekniku italian.
Tedesco theksoi gjithashtu rëndësinë e përqendrimit psikologjik dhe shfrytëzimit të çdo rasti, duke e krahasuar qasjen e skuadrës ndaj Gjermanisë me atë të ndeshjes kundër Portugalisë.
“Qasja ndaj Portugalisë ishte ndryshe nga ajo me Gjermaninë, por në të dyja rastet ne nuk patëm mprehtësinë për të shënuar. Patëm hapësira dhe mundësi, por nuk i shfrytëzuam. Këto janë momente që bëjnë diferencën dhe që na duhen për të ecur përpara”.
Trajneri kuqezi i bëri thirrje mediave dhe opinionit sportiv për më shumë durim dhe mbështetje, duke theksuar se fokusi në këtë grupmoshë duhet të jetë te zhvillimi individual dhe jo te rezultati.
“Dy apo tre lojtarë kanë potencialin për të bërë hapa të mëdhenj përpara, nëse vazhdojnë me profesionalizëm. Por në këtë moshë, fokusi duhet të jetë tek rritja, formimi dhe ndërtimi i një profili solid për të ardhmen. Nuk duhet të flasim për rezultate tek U-17, por për progresin që do të shërbejë për ekipet kombëtare të moshave më të mëdha”.
Pas dy ndeshjeve të para, Shqipëria U-17 ka pësuar 8 gola dhe nuk ka shënuar asnjë, përballë rivalëve të nivelit të lartë si Portugalia dhe Gjermania, duke reflektuar nevojën për më shumë përgatitje dhe investim në nivelet bazë të futbollit.
Shqipëria U-17 pëson humbje të thellë nga Gjermania, Tedesco: Na mungoi përqendrimi
