Rrëmbehet një e mitur/ Persona të paidentifikuar e futën me forcë në makinë, policia: Nëna e vajzës u plagos lehtë

Një vajzë e mitur është rrëmbyer pas mesnate në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Agron Borovci i cili ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 00:45. Ai shtoi se një orë pas ngjarjes vajza është liruar. Sipas tij gjatë tentativës për të ndaluar autorët është plagosur lehtë nëna e vajzës.
“Sipas informatave fillestare, një vajzë e mitur është futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe pas rreth një ore është liruar. Përgjatë incidentit në tentativë për të parandaluar rastin është lënduar lehtë edhe nëna e viktimës. Të dyja kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor në QKUK”, ka thënë Borovci.
Borovci ka shtuar se hetuesit policor kanë identifikuar një makinë që është përdorur nga të dyshuarit, ndërsa me rekomandimin e prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi” si dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
“Policia po vazhdon intensivisht punën për ndriçimin e plotë të ngjarjes dhe inkurajon qytetarët që kanë informacione që posedojnë ndonjë informacion të dobishëm të kontaktojnë policinë përmes numrit falas 192 ose përmes aplikacionit Lajmëro Policinë,” ka thënë ai.