Portieri i Arsenal vlerëson kolegun e tij italian në suksesin e PSG në Champions

30 Prill 2025

9:42

Telesport

Portieri i Arsenal, David Raya, ka deklaruar se paraqitja e shkëlqyer e portierit Gianluigi Donnarumma ishte faktor kyç në fitoren 1-0 të PSG ndaj “topçinjve” në gjysmëfinalen e parë të Champions League.
Spanjolli lavdëron kolegun italian për pritjet e tij: “Ai bëri disa pritje të shkëlqyera, ndaj Trossard dhe Martinelli. Ai është një portier i shkëlqyer. Është mirë të përballesh me të në turnetë më të mirë”.
“Natyrisht që jemi të zhgënjyer me rezultatin, pasi humbja 0-1 në shtëpi, në gjysmëfinale, nuk është rezultat i mirë. Ata shënuan shpejt dhe më pas u mbrojtën mirë. I bëmë të vuajnë dhe e detyruam Donnarumma të punojë shumë”, tha Raya.
“Ne mund të fitojmë në Paris. E dëshmuam këtë duke fituar në “Bernabeu”. Duhet të shkojmë me mentalitet pozitiv dhe besimin se mund të fitojmë aty. Duhet të tregojmë gjërat pozitive dhe të përmirësojmë atë që nuk e bëmë mirë”, tha David Raya.