Pavard synon një tjetër sukses të trefishtë në karrierë: Ky Inter mund t’ia dalë mbanë, duhet besim

27 Mars 2025

8:34

Telesport

Benjamin Pavard dëshiron të fitojë një tjetër “tripletë” në karrierën e tij. Pas atij të fituar me Bayern Munich në 2020, tani mbrojtësi francez synon të përsëritë të njëjtën gjë me fanellën e Inter.
“Në futboll çdo gjë është e mundur, madje edhe sukses i trefishtë. Duhet ta mbash këtë frymë deri në fund. Kam besim sepse në stërvitje e shtyj veten në maksimum. Dhe kurrë nuk mund të ngopem duke fituar“, shpjegon mbrojtësi francez.
Në lidhje me sfidën çerekfinale të Champions League ndaj Bayern Munich, ai tha: “Një sfidë 50-50, shumë e ekuilibruar. Do të kemi rastet tona, por duhet të jemi të kthjellët në momentet e vështira, pasi Bayern është ekip i madh”.
“Edhe Inter është po aq i madh sa Bayern dhe nuk ka asgjë më të bukur si një “San Siro” i mbushur plot. Tani unë jam edhe më shumë një tifoz i Inter se sa kur erdha”, tha Benjamin Pavard.