Pagliuca i bindur: Bologna-Inter, ndeshja që mund të ndryshojë fatet e Serie A

Gianluca Pagliuca, ish-portier i famshëm dhe i lidhur ngushtë me të dyja klubet, ka komentuar për “Il Resto del Carlino” ndeshjen e fundjavës mes Bologna dhe Inter, duke e cilësuar vendimtare për rrjedhën e sezonit në Serie A: “Bologna-Inter është vërtet ndeshja që mund të ndryshojë fatin e kampionatit.
Nëse fiton Interi, e shoh të vështirë që Napoli të mund të rikthehet në garën për titull. Por nëse fiton Bologna, jo vetëm që skuadra bolonjeze do të futet sërish në garë për një vend në Champions, por dueli mes Interit dhe Napolit për titull do të bëhej krejtësisht i hapur”.
Ndërkohë, Pagliuca komentoi edhe situatën e Bologna në garën për zonën Champions: “Mori goditje të rëndë për rrugëtimin në Champions, por Atalanta tani ka një avantazh të mirë dhe sipas meje e meriton të jetë aty. Do të më pëlqente që Bologna të kthehej në atë kompeticion, por do të isha i kënaqur edhe me kualifikimin në Ligën e Europës”.
Pagliuca ishte një nga portierët më të mirë italianë të viteve ’90, i njohur për reflekset dhe pritjet spektakolare. Ka luajtur për Sampdorian, me të cilën fitoi një titull kampion, si dhe Interin e Bologna. Me 39 ndeshje në kombëtaren italiane, ka marrë pjesë në tri Kupa Bote. Mbahet mend si specialist i pritjes së penalltive dhe një lider karizmatik.