Një ditë para El Clasico, Reali i Madridit nxjerr video me ankesa për gjyqtarët

Adriatik BALLA
Reali i Madridit ka katër pikë më pak se Barcelona në renditjen e kampionatit spanjoll, por ka një shans ta përmbysë situatën nëse fiton duelin direkt me katalanasit të dielën në mbrëmje, në duelin vendimtar për titullin këtë sezon në La Liga. Bëhet fjalë për El Clasico, e cila mund ta hapë garën e titullit dhe ta fusë seriozisht Realin në vallen e trofeut nëse ekipi i Karlo Ançelotit e fiton këtë duel, ose në të kundërt i jep të drejtën Barcelonës të vendosë dorën tek titulli në Spanjë, pasi janë edhe katër xhiro deri në fundin e garës. Por, në prag të duelit të madh midis dy gjigantëve spanjollë, ka lajme të shpejta re të befasishme.
Ankesat janë shndërruar në mision nga të dy klubet, të cilat zhgënjyen këtë edicion në UEFA Champions League, duke u eliminuar, ndaj dhe vëmendjen tani e kanë kthyer tërësisht tek titulli kampion në Spanjë. Kështu, Barcelona u ankua në referim pas eliminimit nga Interi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma. Ankesa në referim jo të drejtë për kohë të gjatë ka pasur edhe Reali i Madridit. Madrilenët kanë ngritur shqetësime edhe për gjyqtarin kryesor të ndeshjes së zjarrtë që luhet të dielën prej orës 16:15. Ky ballafaqim i takon xhiros së 35-të të La Ligas dhe mund ta vendos titullin. Barcelona është në vendin e parë me 79 pikë, katër më shumë se Real Madridi i vendit të dytë. Televizioni i klubit ka publikuar një video të gjatë katër minuta e gjysmë, duke e akuzuar gjyqtarin e caktuar për këtë ndeshje, Alejandro Hernandez Hernandez. Në atë video, Real Madridi pretendon se është dëmtuar nga ky gjyqtar, e në të njëjtën kohë ka shfaqur se ai është përkrahës i skuadrës së Barcelonës. Në fund të videos, është publikuar edhe një pjesë e një interviste të gjyqtarit shumë vite më parë, duke e nxjerrë përgjigjen e tij.
“Natyrisht, Barcelona”, kishte deklaruar gjyqtari i caktuar për “El Clasico”, kur ishte pyetur se cila është skuadra e preferuar e tij. Intervista është e vitit 1994, kur Hernandez Hernandez ishte vetëm 12-vjeçar. Javë më parë, Real Madridi ishte ankuar edhe për gjyqtarin Ricardo de Burgos Bengoetxea, ndërsa kishte kërcënuar me mosparaqitje në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës. Real Madridi, megjithatë, e luajti finalen e Kupës së Mbretit dhe u mposht 3:2 nga Barcelona. Mbetet të shihet se si do të dalë dueli klasik mes Barcelonës dhe Realit nesër pasdite, por për Realin e Ançelotit është mundësia e fundit për të hyrë në garën e titullit, në të kundërt Barcelona shkon një hap më tej drejt suksesit.