Kjo është kupa e… kupave. Një lloj “Graal i Shenjtë”; sepse mund t’i japë “jetë të përjetshme” Milanit të Sergio Conceição, ose Bologna së Vincenzo Italiano. Dy trajnerë të sapoardhur, por megjithatë tashmë të skalitur (për arsye nga më të ndryshmet, jo të gjitha pozitive) në faqet e historisë së Milanit dhe Bologna.
Në stadiumin “Olimpico”, prej orës 21:00, do të startojë finalja e Kupës së Italisë (stadiumi i mbushur plot, qindra VIP-a të ftuar, nga Sinner te Djokovic, nga Roberto Baggio te Laura Pausini). Kjo finale është ndryshe nga të gjitha të tjerat, sepse do të përcaktojë fatin e shumë protagonistëve në fushë (dhe jo vetëm).
Duke filluar nga Conceição, i cili në fillim të janarit, brenda 7 ditësh, krijoi botën e tij të re kuqezi duke fituar Superkupën Italiane dhe festuar me atë kërcim tribal, që u pa si simboli i një fillimi të ri. Sot do të jetë finalja e tij e 15-të në 13 vite si trajner. Me Porton ka fituar 9 trofe, sot kërkon të 10-tin.
Një numër me jehonë ançelotiane. Pikërisht Ancelotti ishte i fundit që, në vitin 2007, i dhuroi dy trofe Milanit në një sezon të vetëm. Shumëçka do të varet nga çfarë Bologne do të ketë përballë Milani: ajo e së premtes së kaluar në kampionat, e shkatërruar nga Gimenez, apo ajo që e kishte mundur në ndeshjen e parë në “Dall’Ara” dhe që ende e ka përpara në renditje?
Bologna po vjen nga një sezon revolucionar e plot rreziqe, me Italiano që ka fshirë trashëgiminë e Thiago Motta, duke e zëvendësuar Bolognën ëndërrimtare me një tjetër më realiste, të çlirët dhe fituese. Sidomos nëse, pas 51 vitesh, Kupa e Italisë do të kthehej në Emilia.
Megjithatë, shqetësimet nuk mungojnë: trajneri i kuqebluve vjen pas tri finalesh radhazi të humbura me Fiorentinën (më 2023 kundër Interit në Kupën e Italisë dhe ndaj West Ham në ‘Conference League’, pastaj më 2024 edhe ndaj Olympiacos). Ja pra, pse kjo finale në “Olimpico” është, edhe për të, kupa e… kupave!
Milan-Bologna / Conceição është specialisti i finaleve, Italiano kërkon të thyejë mallkimin
